back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

“Një pjesë e madhe e viktimave nuk do të gjenden kurrë” nga Agim Musta

Gazeta

Pushkatime...
Pushkatime komuniste…

“Një pjesë e madhe e viktimave nuk do të gjenden kurrë”

nga Agim Musta

“Një pjesë e madhe e viktimave nuk do të gjenden kurrë”, – shprehet Agim Musta, njeriu që në 12 librat e tij ka dokumentuar tmerret e diktaturës komuniste. Ai shton se ndërsa regjimet e tjera të japin të drejtën të varrosësh kufomën, diktatura komuniste nuk ta jepte as këtë të drejtë minimale, pasi eshtrat e këtyre viktimave hidheshin në gremina, lumenj, ose digjeshin me acid.
Musta thekson se Ministria e Brendshme e regjimit të Enver Hoxhës kishte miratuar një sërë poligonesh ku bëhej ekzekutimi i të dënuarve me vdekje. Ai tregon disa prej këtyre, që i ka titulluar “Poligonet e vdekjes” në kapitullin XIV të “Libri i zi i komunizmit shqiptar”.

Agim Musta dhe Dr. Ymer Dishnica
Agim Musta dhe Dr. Ymer Dishnica

“Por kishte dhe nga ato vende që nuk ishin autorizuar, por ku bëheshin vrasjet, kryesisht buzë lumenjve apo buzë greminave”, – shprehet shkrimtari historian.
Musta më pas tregon dëshminë e Dervish Sulos, ish-prokuror i Durrësit gjatë viteve ’50: “Të dënuarit me vdekje i ekzekutonim në Porto-Romano. Dikur atje ndodhej një fabrikë për përpunimin e lëkurës dhe kishte shumë gropa, ku kishin hedhur mbeturina lëkurësh të dekompozuara nga acidet. Kështu që nuk ishte e nevojshme të hapnim gropa të reja për kufomat e të ekzekutuarve. E afronim “gazin” afër një grope, e zbrisnim njeriun që do të ekzekutohej, e vendosnim para prozhektorëve të autoburgut të lidhur këmbë e duar dhe e ekzekutonim nga mbrapa me automatik ose revolver.
Kur personi që ekzekutohej ishte i rëndësishëm, merrnim me vete edhe mjekun e Degës për të bërë pohimin me shkrim për personin e asgjësuar. Në shumicën e rasteve mjeku firmoste të nesërmen, pa ardhur në poligonin e vdekjes fizikisht…

Poligonet e vdekjes
Poligonet e vdekjes

Pas kryerjes së vrasjes, thirresha unë si prokuror dhe mjeku i Degës, për hartimin e raportit të ekzekutimit, që gjoja ishte hartuar në poligonin e vdekjes në Porto-Romano. Natën vonë, kufoma hidhej në gropat e Porto-Romanos ku thithej menjëherë nga mbeturinat e fabrikës. Brenda një kohe të shkurtër ajo dekompozohej krejtësisht”.
Musta tregon se janë përdorur metoda të tilla për zhdukjen jo vetëm të kufomave, por edhe të eshtrave të tyre. “Një pjesë e tyre janë përdorur si kadavra në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës ose janë shitur edhe jashtë Shqipërisë, klinikave të spitaleve universitare, kjo është dëshmi e Halim Xhelos, sa u takon të ekzekutuarve pas vitit 1948”, – shprehet Musta.
Ai përmend edhe tmerrin e kënetës së Maliqit, për tharjen e së cilës kanë punuar të dënuarit politikë. “Ata që vdisnin nga puna e rëndë, nga torturat e sëmundjet, nuk i groposnin, por i hidhnin në llumin e kënetës. Në vjeshtë kur të burgosurit i dërgonin në burgje nga kishin ardhur shirat e furishëm që sillnin ujëra të shumtë, merrnin me vete llumin e kënetës dhe kufomat e dekompozuara dilnin në sipërfaqe. Ato tërhiqeshin nga qentë e katundeve përreth kënetës, duke u bërë tmerr për fshatarët dhe subjekte për legjenda të llahtarshme”, – pohon Musta.
Duke përmendur shifrën 4000 vetë – që nuk kanë varre, evidencë e shoqatave të ish-të persekutuarve, shkrimtari historian Agim Musta thekson se janë më shumë se 4000. Sipas tij, viktimat pa varre, pjesa më të madhe e të cilëve nuk mund t’u gjenden eshtrat, janë 6000.
Marrë nga https://www.voal.ch

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.