back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një poezi, tri përkthime… Ndre Mjeda, Vehbi Bala, Jorgo Bllaci – nga Ma. Marjola Papadhima

Gazeta

Kupe ari
“…një kupë ari/ i fali mikja e vet…!

Një poezi, tri përkthime…

Ndre Mjeda, Vehbi Bala, Jorgo Bllaci

nga Ma. Marjola Papadhima

Përkthimi është një përbërës i komparatizmit. Qasja komparatiste i jep rëndësi të veçantë vlerës
së përkthimit dhe shkallës së integrimit të përkthimit në sistemin pritës. Përkthimi realizohet për ato individë që nuk e njohin gjuhën origjinale të tekstit. Përmes përkthimit teksti përhapet nga një sistem letrar në një tjetër.
Puna e përkthyesit është një punë e vështirë, ajo ka të njejtën vlerë me punën e krijuesit.
Përkthyesi është një ndërmjetës që reflekton, tek lexuesi i një sistemi tjetër letrar, idenë e autorit.
Përkthyesi, gjatë përkthimit të tij, nuk duhet të ndryshojë kuptimin e fjalëve që mbart teksti original. Nga ana tjetër, përkthyesi duhet të tregohet i kujdesshëm që kur të përkthejë një poezi nga origjinali, të ruajë nivelin metrik e ritmik të saj.
Në gjuhë ekzistojnë sinonimet, që nëse do të flisnim me gjuhën e Sosyrit do të thonim se për një të shënjuar ka disa shënjues, në këtë mënyrë përkthyesi gjatë punës së tij duhet të gjejë shënjuesin më të përshtatshëm. Nisur nga ky parim ne shohim se poezinë e Gëtes “Mbreti i Tulës” e kanë përkthyer në shqip tre autorë, në këtë rast përkthyes, Vehbi Bala, Ndre Mjeda, Jorgo Bllaci.
Përmes këtij punimi do të mundohem të paraqesë dallimet midis këtyre tre përkthimeve.
Nëse i japim një vështrim të tre përkthimeve, do të shohim se përkthimet e Vehbi Balës dhe Jorgo Bllacit i afrohen më tepër gjuhës standarde, ndërsa në përkthimin e Ndre Mjedës shohim dukshëm përdorimin e dialektit geg.
Duke i parë të tria variantet fjala kyç që i bashkon është kupë-gotë-putir
 
Tek vdiste një, kupë ari
I fali mikja vet. (V. Bala)
E’j got’ arit shej i la (N. Mjeda)
 
Një kupë i kish dhuruar
Kur vdiq mikeshë e vet (J. Bllaci)
 
Trashgimtarit i la shkrue
Por putirin nuk ja la. (N. Mjeda)
 
Në poezinë e origjinalit fjala kyç është seine që në shqip do të thotë gotë. Kjo fjalë kyç, në poezi, kthehet në simbol të dashurisë, simbol ky që merr ngjyrat e një kujtimi të cilin njeriu e mban deri në vdekje.
Por le t’i kthehemi kuptimit të tre shenjuesve që kanë përdorur tre përkthyesit.
Po t’i referohemi fjalorit të gjuhës shqipe, kuptimi standard i fjalës gotë është;
Gotë – enë e thellë prej qelqi, prej kristali etj, në trajtë cilindrike e pa dorezë, që përdoret për të pirë ujë, verë etj.
Kupë – enë e thellë prej qelqi, prej metali, ari, argjendi e rrumbullakët e pa dorezë, që përdoret për të pirë ujë ose pije të ndryshme.
Putir – gotë në dialektin e veriut.
Pra në të tria rastet kuptimi është i njejtë, ndryshimi qëndron në ngarkesën artistike që mbart secila fjalë.
 
Tek përkthimi i V. Balës, është përdorur togfjalëshi kupë ari, duke fituar ngarkesën artistike të enës me të cilën ngrihen shëndete, duke theksuar formën e thellë të saj, si një kujtim i shtrenjtë nga thellësia e zemrës.
Tek përkthimi i N. Mjedës është përdorur gota arit, duke fituar ngarkesën artistike të pastërtisë, së qelqit e të peshës që ka kjo enë për nga forma, e cila përbën një dhuratë kaq të shtrenjtë për mbretin e Tulës.
Po tek përkthimet e V. Balës dhe N. Mjedës ndeshim dhe përdorimin e fjalës putir (gotë), e cila përdoret në momentin kur mbreti e hedh atë në det para se të vdesë. Ngjyrimi emocional që merr fjala këtu është ajo e idhullit, shenjtërisë që mbart ai send për mbretin, i cili nuk do që pas vdekjes së tij dikush ta prekë apo të pijë me të.
Vargu në gjermanisht “Die Augen gingen ihm über” është përkthyer në mënyra të ndryshme nga të tre përkthyesit.
 
Dhe derdhi lot i ngrati (V. Bala)
Por ka’j lot për faqe i shkonte (N. Mjeda)
Një pikë lot i ndrinte (J. Bllaci)
 
Në të tria variantet kuptimi është i njejtë, përkthyesit synojnë të realizojnë dhembjen e heroit lirik, por fjalët që ato përdorin për ta treguar këtë janë krejt të ndryshme. Tek V. Bala përdoret epiteti “i ngrati” ndërsa tek Mjeda ky epitet zëvendësohet me kompozitën “fatziu”. Kompozita (fat+ziu) e bën akoma më dramatike figurën e mbretit dhe dhembjen që ai ndien në shpirt sa herë kujton të dashurën e vdekur.
Tek J. Bllaci litota pikëz, rrit forcën shprehëse të dhembjes që ndien mbreti i Tulës. Në vargjet,
mikja e vet (V. Bala),
vdiq e dashtna mbas do kohet (N. Mjeda).
kur vdiq mikeshë e vet (J. Bllaci),
 
shohim se kemi të njejtin kuptim dhe përdorimin e të njejtës fjalë, si tek Bala ashtu dhe tek Bllaci. Ndryshimi ndodh në përkthimin e Mjedës, ku fjala e dashtna mbart një ngarkesë më të madhe emocionale se fjala mike apo mikeshë, pasi tregon një afrimitet më të madh.
Në përkthimin e Bllacit dhe Balës nuancat emocionale ruajnë formën origjinale të rrëfimit qytetar, ndërsa tek Mjeda shohim formën e rrëfimit epik të ndërthurur me lirizmin, harmoninë dhe figuracionin.
Nëse shohim hyrjet në secilin përkthim, vërejmë se tek V. Bala ajo është e drejtpërdrejtë e na lidh menjëherë me temën e poezisë. Inversioni “Besnik gjer buzë varri”, thekson fjalën besnik si vlerësim për figurën e mbretit, kurse forma foljore e së shkuarës ish është tipike e rrëfimit popullor.
Tek Mjeda poezia hapet:
Deri n’dekë besnik ke s’thohet
Ishte n’Tulë j’padisha
Ku theksohet ndajfolja e kohës që tregon besnikërinë e mbretit të Tulës, përdoren frazeologjitë popullore (ke s’thohet), leksiku i gegërishtes (n’dekë, j’padisha). Përdorimi i formave të shkurtuara të gegërishtes dhe i apostrofit ia shtojnë emocionin rrëfimit të Mjedës, e bëjnë atë konçiz dhe të shpejtë si në rrëfimet popullore.
Një herë pat sunduar
Në Tulën larg një mbret (J. Bllaci)
Hyrja bëhet me ndajfoljen e kohës, një herë, tipike për përrallat popullore, gjë që thekson vjetërsinë e fabulës. Këtë e përforcon dhe ndajfolja e vendit, larg, përdorimi i formave foljore të së shkuarës (pat sunduar) tipike të rrëfimit popullor.
Pra siç e shohim në të tria përkthimet autorët kanë ruajtur notat e rrëfimit popullor, të cilat nuk i shohim në tekstin original. Për mendimin tim, kjo ka ndodhur pasi të tre përkthyesit kanë synuar ta sjellin poezinë sa më pranë lexuesit shqiptar.
Fundi i poezisë është përcaktuar në mënyrë të njejtë nga të tre përkthyesit, pasi sheh kupën që zhytet në det mbreti vdes. Frazeologjitë që kanë zgjedhur të tre përkthyesit janë të ndryshme për nga forca emocionale. Bala ka përdorur frazeologjinë, ju fikën sytë e ballit, për të realizuar idenë e vdekjes së mbretit. Mjeda përdor frazeologjinë “E n’çast i ranë prej ballit fikun syt’/ E s’iu pa ma kurrë!” Inversioni ndërthurur me metaforën e realizon idenë e vdekjes në mënyrë shumë dramatike, duke theksuar se pa këtë dhuratë të shenjtë, mbreti nuk mund të rronte më. Peshën emocionale e mban togfjalëshi fikun syt’ që nënkupton humbjen e dritës, e shpirtit e të çdo gjëje. Bllaci përdor frazeologjinë “Ai dha frymn’e fundit/ E s’piu kurrë më”, e cila shpreh idenë e vdekjes si frymë, si shpirt, bashkë me humbjen e dhuratës së shtrenjtë që mbante gjallë mbretin e Tulës.
Si përfundim mund të themi se gjatë kalimit nga teksti original në tekstin e përkthyer është ruajtur i pa prekur mesazhi i poezisë dhe kuptimi i saj. Ndryshimi mes përkthimeve qëndron në përdorimin e fjalëve të ndryshme. Këto fjalë kanë kuptime të njejta por fuqi emocionale e artistike të ndryshme.
.
Johann Wolfgang von Goethe (1749-1832)
Johann Wolfgang von Goethe (1749-1832)

Mbreti i Tulës i Wolfgang Geothe në shumë përkthime

Poezia “Mbreti i Tulës” është shkruar nga Wolfgang Gëte
dhe është përkthyer në shqip nga një pafundësi përkthyesish si:
Ndre Mjedja, Arshi Pipa, Pertef Kruja, Sejfullah Malëshova, Skënder Luarasi, Vehbi Bala, Jorgo Bllaci.
Paraqesim disa përkthime me ftesën e zakonshme që secili, të vlerësojë atë që ai gjykon më të mirën simbas tij…
.
Ndre Mjeda (1866-1937)
Ndre Mjeda (1866-1937)

Mbreti i Tulës

Përkthyer nga Ndre Mjedja

Deri n’dekë besnik ke s’thohet
Ishte n’Tule ‘j padisha,
Diq e dashta mbas do kohet
E ‘j got’ arit shej i la.
 
Sa at gotë arit gja nuk dote
E gjithmonë me tene piu;
Por ka ‘j lot për faqe i shkote
Gjithsaherë pite fatziu.
 
Kur pau vedin tuj mbarue
Njeh qytetet, e gjithçka
Trashgimtarit ia la shkrue,
Por putirin nuk ia la.
 
N’deje t’i’parve, n’buzë të dedit
Gjith’, parsinë n’nji gost’ i thrret;
Ulet n’gost e ka rreth vedit
Mbledhun bashkë parsin’ e vet.
 
E t’ksaj t’kandshmes jetë dëshirin
Piu ma t’mbramin e lumnoi
Pijsi plak, mandej putirin
Ndër valë t’detit e flakroi.
 
Tuj e zhyt’ e pau n’fund t’zallit
Tuj këcye, nalt tuj hupë me turr;
E n’at’ ças i ranë prej ballit
Fikun syt’ e s’piu ma kurr.

.

Vehbi Bala (1923-1990)
Vehbi Bala (1923-1990)

Mbreti i Tules

Përkthyer nga Vehbi Bala

Besnik gjer buzë varri
në Tule ish një mbret
tek vdiste një kupë ari
i fali mikja e vet.
 
Gjë më për zemër s’pati
e merrte në çdo gosti
dhe derdhi lot i ngrati
sa çoi me to dolli
 
Kur iu afrua varrit
të tëra ç’kish ia la
në vend të trashëgimtarit
por kupën nuk ia dha
 
Në tryezën e gostisë
tek salla në kështjellë
pranë detit rreth dollisë
kalorësit i sjell
 
Të fundit afsh piu plaku
të jetës në një çast
pastaj atë kupë e flaku
në detin me tallaz
 
E pa si ra tej zallit
si vala e përpiu
iu shuan sytë e ballit
dhe kurrë me të nuk piu
.
Jorgo Bllaci
Jorgo Bllaci

Mbreti i Tules

Perkthimi nga Jorgo Bllaci

Një herë pat sunduar
Në Tulën larg një mbret
Një kupë i kish dhuruar
Kur vdiq mikesh’ e vet
 
Sa herë ulej pinte
Nëpër gosti me të
Një pikëz lot’i ndrinte
Në sytë e tij gjithnjë
 
Kur erdh’ tek buza e varrit
Kështjella e pasuri
Ja la trashëgimtarit
Po kupën kurresesi
 
Edhe u nis e shkoi
Tek kulla në bregdet
Gostinë e fundme shtroi
Atje për miqt’e vet
 
Në fund të shtrenjtën kupëz
E ktheu dhe në çast
U ngrit e flaku tutje
Në detin me tallaz
 
Dhe kur ajo i humbi
Nga sytë përgjithnjë
Ai dha frymn’e fundit
E s’piu kurrë më
.
Sejfulla Malëshova (1900-1971)
Sejfulla Malëshova (1900-1971)

Mbreti i Tulës

Përkthyer nga Sefulla Malëshova (Lame Kodra)

Na ishte një mbret në Tule,
I besës gjer në varr.
I dha, tek vdiste, mikja
Një kupë derdhur ar.
 
Si atë s’do gjë tjetër,
Më çdo gosti e shpinte,
E syve lot i shkonin
Sa herë me të pinte.
 
Dhe, kur ju afrua vdekjes,
Të birin thirri e pa,
Qytete e ç’kish ia fali,
Po kupën nuk ja la.
 
Mbi det, në kështjellë
U shtrua me dolli,
E mblodhi rreth e rrotull
Kalorësit e tij.
 
Atje të jetës afshin
E fundit piu plaku.
Pastaj bekriu në vala
Të shtrenjtën kup’ e flaku.
 
E pa që ra, që kridhej,
Që shkoi në fund atë.
Iu errën syt’ e ballit,
E s’piu kurrë më.
.

Mbreti i Tules*

Na ish njëherë një mbret në Tule,
besnik deri në varr,
të cilit mikja para vdekjes
një kupë të artë i dha.
 
Asgjë nuk donte përmbi të,
e zbrazte në çdo gosti,
i derdheshin lotë nga sytë,
sa here pinte në të.
 
E kur i erdhi vdekja,
numëroi qytetet në perandori,
i dha gjithçka trashëgimtareve,
përveç kupës së tij.
 
I ulur në gosti mbretërore
përqark kalorësit e vet,
në sallën e lartë të të parëve
atje në kështjellën mbi det.
 
Atje u ndodh pijaneci i vjetër
zjarrminë e fundit të jetës të pijë
Dhe hodhi kupën e shenjtë
Në detin e tallazitur (në baticë)
 
E pa tek binte, tek pinte ujë
në det të zhytej thellë,
(shumë shpejt) iu shuan sytë,
një gllënjkë s’e piu dot më.
*Ky përkthim është i një personi quajtur Dita – një përpjekje për ta përkthyer fjalë për fjalë nga origjinali…
.
Johann Wolfgang von Goethe
Johann Wolfgang von Goethe

Versioni origjinal i shkruar nga Goethe:

Es war ein König in Thule

Es war ein König in Thule
gar treu bis an das Grab
Dem sterbend seine Buhle
einen goldenen Becher gab.
 
Es ging ihm nichts darüber,
er leert ihn jeden Schmaus
Die Augen gingen ihm über,
so oft er trank daraus.
 
Und als er kam zu sterben,
zählt er seine Städte im Reich
Gönnt alles seinen Erben –
den Becher nicht zugleich.
 
Er saß beim Königsmahle,
die Ritter um ihn her.
Im hohen Vätersaale,
dort auf dem Schloß am Meer
 
Dort stand der alte Zecher,
trank letzte Lebensglut
Und warf den heiligen Becher
hinunter in die Flut.
 
Er sah ihn stürzen, trinken
und sinken tief ins Meer
Die Augen täten ihm sinken,
trank nie einen Tropfen mehr.
 
 
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.