back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Një pyll i gjërë brenda shpirtit… – refleksione tё Rudina Lohja Kurtit mbi librin “Gjurmë” tё Luli Velit

Gazeta

Libri "Gjurmë" - Luli Velit
Libri “Gjurmë” – Luli Velit

Një pyll i gjërë brenda shpirtit…

refleksione tё Rudina Lohja Kurtit

mbi librin “Gjurmë” tё Luli Velit

“Gjurmë” – Libri i parë dhe ndoshta i parafundit i Luli Velit, erdhi tek unë me postë… M’u duk vetja si personazh dalë nga romanet që i përkiste harrimit…
At moment, pakon vetëm e përkëdhela dhe nuk e hapa, jo vetëm se më gjeti në punë e sipër, por dhe se kurioziteti i parë ishte fashitur disi, nga postimi i shkrimtarit Ridvan Dibra në facebook.
Ai rekomandonte miqtë e tij të lexonin “Gjurmë” dhe si për t’i joshur e siguruar në kualitet, ai krahas kishte vendosur edhe një nga skicat e librit.
Ishte “Msuqi”, thuajse një skicë kuteliane, që atëherë më mahniti dhe më bëri te shkoj më tej… E ekzaltuar ftova miqtë, që të lexonin “Gjurmë”, se letërsia e sapo dalë në publik ishte letërsi shpirti.
E kjo dëshirë po më ndodh dhe tani, që libri është fizikisht tek unë dhe po përthith rreshtat e tij… po ndjej, se duhet të shkoj më tej… të shkruaj diçka për lexuesin që e tërheq letërsia e realitetit të trishtë.
Libri “Gjurmë”, hap portat e tij me poezi… Të gjitha ngjyrë perlë, të gjitha që nanurisin në mall dhe që mund t’i përshkosh njëra pas tjetrës me një fill i tejduktё që dashnorët e poezisë mund ta lexonin edhe si një poemë lirike e të mos mbaronte kurrë.
Poezitë e Velit, përkunden mes mallit dhe dashurive të lëna në gjysëm si dhe atyre të djegura e të braktisura tërsisht. Kur i lexon ato, të çart malli për dashuritë e papërfunduara. Autorja edhe pse i ka kthyer poezitë e saj në kështjella të mbyllura, ku nuk mund të futesh më, ti ndjen se disa prej tyre, Zonja Veli orvatet t’i çlirojë me elegancë.
Poezitë tek “Gjurmë” janë në strukturë të ngjashme me vetitë më lavdëruese të poetëve të vërtetë, por dhe ajo nuk fshihet pas tyre. Ajo shkon më tej, duke shpallur origjinalitetin e saj si burim dhe artin si emancipim të vetes dhe lexuesit.
.
Rudina Lohja - Kurti
Rudina Lohja – Kurti
***
Oh, kur fryn kjo er’e detit,
flokë e mendje nga pas çon;
freskon trupin, trazon shpirtin
dhe kujtimet seç t’i zgjon!
Si më zgjove erë e detit,
rrugën tënde ndiq me gaz;
gjema mikun tim të hershëm,
që kujtova këtë çast!
E nё gjetsh atje shkёndi,
që nga zjarri parë mbeti,
përshendete nga larg, larg…,
erë ti, moj erë deti!
.
Ndërsa pas vargjeve si kumt i dashurive të pamundura, tek proza përballemi me një tjetër kohë. Luli Veli ka shkuar rreth 70 vite mbrapa… zhytur në fëmijëri, por që përgjat gjithë librit frymon në situata të dhimbshme. Shqipëria është çliruar. Një marramendje historike. Pas fitores mbi fashizmin, nazizmin dhe shqiptarëve kundërrrymë, ne në libër pёrballemi me zellin krejt të marrë e të lig të sigurimsave dhe frontistave, ndaj të pasurve dhe tregtarëve…
Sytë e fëmijës (autores) kanë përgjuar vёmendshёm. Gjithçka, ajo e ka ruajtur me fanatizёm… jo pak, po pёr rreth 70 vjet. Prandaj autorja ka preferuar të mos qëndrojë pas personazheve të kohës, por të jetë vetë personazh primar. Ajo ndjeu, se dhomëzat e kujtimeve dhe fototeka e saj e mjerimit do t’i shërbenin më së miri lexuesit. Se… atij do t’i shtohej dëshira për ta ndjekur në çdo rast, në çdo skutë, në çdo dhimbje, që asaj dhe të tjerëve u kishte krijuar mendja e mbrapshtë dhe e fandaksur e luftës së klasave…
Dekori, në çdo element të prozës në libër, përfaqëson zymtësinë dhe pothuajse dështimin e së ardhmes.
“…Gjyshja ime po paguante fajin e madh që kish bërë, të pafalshëm për atë kohë: kishte lindur e jetuar e pasur…
…Si e nxorën nga shtëpia e madhe ku banonte, veç me rrobat që kish veshur, e përplasën në një dhomë të rrënuar, bosh. Në shtëpinë e saj vendosën një familje ushtaraku me shumë fëmijë, ardhur nga Jugu. Ata do të flinin në shtratin e saj, do vishnin rrobat e saj, do ndynin çdo gjë që ajo kishte me aq merak… dhe fëmijët me siguri do i këpusnin zambakët. Nuk arrinte të kuptonte. Kishte ditë që burrin dhe djalin e vetëm s’i shihte, dhe ata ia kishin marrë, si shtëpinë, si rrobat, si mendjen. Të afërmit dhe ata që me aq zell i kishin shërbyer e lajkatuar, qenë zhdukur…”
“Gjurmët” nuk është imagjinatë, as fiksion, as ëndërr… është realitet i viteve pas çlirimit përballë syve të një vajze të vogël, që cepat e fustanit, të palltos, të trastave i ka të lidhura me dhimbjen e nënës, një nga vajzat më të bukura të Durrësit. Personazhet nuk dialogojnë, por përshkrimet të trondisin… Ata, si tё deklasuar kanë pësuar rënien në hon… Shteti pushtet i zhvati dhe i plaçkiti gjithçka. Përmes shprehjes mashtruese “në emër të popullit” ata i grabitën dhe të ardhmen.
Autorja tashmë na ka futur në “grackёn” e vet. Vektori i përjetimeve të saj do të ecё paralel me atë çka dhe lexuesi do të pёrjetojë.
Kështu ndodh edhe tek “Vajza dhe deti”. Ti hyn me të njёjtën ndjesi nën rrobet e saj dhe shkon bashkë me të, për të mbledhur ashkla përgjat bregut. Dhoma… magazina e dikurshme, ku tashmë jetonte familja saj kishte ftohtë, motrat gati ngrinin. Një thes me ashkla të lagura mbi shpinën e kërrusur të autores rëndon njëherësh dhe tek lexuesi, e sëbashku kullojnë ujё deti, për të ngrohur akullin brenda vajzës.
“…Kokulur mblidhja ashklat e lagura qё sillnin dallgёt e detit dhe i fusja në thesin që lagej dhe ai; ashtu të rënduar e hidhja në shpinё dhe ajo e vogёl ashtu siç ish lagej me gjithё rrobat…
Me të mbërritur në shtëpi, gryka e sobës niste e hante gjithçka qe kisha mbledhur gjatё gjithё bregut. Për t’u ndezur, veç mundit tim, soba pinte dhe nga vajguri i llambës. Aty ku tubat e saj qenë fashuar si këmbë të plagosurish, me lecka me brumë, fillimisht dilte veç tym. Hapej dera, turrej i ftohti brenda, kolliteshim të gjithë e na digjnin sytë. Dikur mes rrathëve niste e kuqëlonte pak, se ndizeshin ashklat. Mbyllej dera e mblidheshim rreth sobës, ulur në një qilim gri të shtruar mbi çimento…”
Përgjat gjithë librit sheh dhe ndjen se çlirimi i Shqipërisё dhe pushteti komunist, familjet e kamura i ka kthyer në të varfër dhe vajzën e tregimeve në një hirushe. Fatet… si në përralla ishin shkëmbyer. Vajzat e oficerëve të pashkollë, ardhur nga vende të humbura, tashmë flinin mbi shtretërit me kuverta të buta dhe vishnin rrobet e saj.
Ky dekor abstrakt ka bërë Luli Velin të rrëfejë në një letërsi të mirëfilltë vuajtjet e torturat e nënshkruara nga regjimi. Autorja, ndoshta kërkon të lehtësohet nga vuajtjet e dikurshme, por unë mendoj se në subkoshiencë kёrkon vëmendjen e gjithë atyre që duan ta lënë në harresë këtë kohë të mbrapshtë, ku tmerri kishte përfshirë dhe fëmijët…
“…Ndjek me sy gishtin e tij, që tregon përdhe trupat e tre burrave të përgjakur. Trembem, stepem, dua të largohem, por nuk i lëviz dot këmbët. Mbyll sytë me duar, por dhe ashtu i shoh. Janë tre kufoma, vënë rresht në një pjerrësi, gati për të rrëshqitur. Tre burra të veshur me poture leshi e opinga me lidhëse. Dy prej tyre, aty ku i kanë këmishët e shqyera, kanë njolla gjaku të tharë. Me zor ngre sytë gjer tek fytyrat: janë më të verdha si lule gjineshtra. Më zihet fryma, është hera e parë që shoh të vdekur. Shtrëngojmë duart me shoqen, shohim njëra-tjetrën dhe përqafohemi fort. Burri tjetër: trupmadh, fytyrërrumbullakët e i verdhë si kungulli, nuk ka gjak në këmishë. Ka flokët si të ngrirë dhe nga goja gjysmë e hapur një curril gjaku që ka dalë, i është tharë e ka lënë gjurmën gjer në qafë. Më mbesin sytë tek goja e tij, jo pse i duken dhëmbët (dhe ato gjaktharë e të frikshëm), por se aty lozin mizat. Ato ndalen e fluturojmë, luajnë në gjakun e përtharë, hyjnë e dalin nga ajo gojë të patrazuara, fshihen pas dhëmbëve dhe shpejt dalin jashtë si të trembura.
Folësi, që deri tani nuk e kam ndjekur fare, flet duke drejtuar gishtin nga burri i shëndoshë:
-Ky ishte kryetari bandës. Ju e njihni… Është Ramazan Xhixha.
Si nuk u rrëzova? Askush s’e vuri re tronditjen time. Ata nuk e dinin: gjyshi im e kishte emrin Ramazan. Gjyshin tim e kishin hedhur komunistët nga dritarja e Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit dhe nëna ia kishte fshirë me shami gjakun e ngrirë në buzë… Në shtëpi, që të mos trembesha, nuk më kishin lënë ta shoh të vdekur gjyshin, idhullin tim, por shaminë e bardhë me gjak të ngrirë, që nëna e ruante fshehur, unë e kisha parë… Në fshat u fol se shumë fëmijë, net me radhë, janë zgjuar të trishtuar nga çfarë panë….”
Ngjyrat janë të qarta… Përshkrimet të rrëqethin dhe gati të nxisin të shkosh, të shikosh çdo vend, ku autorja ka qënë.
Arti i të shkruarit ka realizuar çdo mision. Sociologjika ka dëftuar dëmtimet e shpirtit përpara të ardhmes pa të ardhme.
Baballarë në burg, nëna që rropaten për të gjetur punë të konvertuar në para. Kërkojnë e bëjnë çdo punë… sado e rëndë…
I duhen para për të mbajtur fëmijët, pёr t’i dërguar ushqime burrit të dashur në burg, burrit që dikur e nderonin të gjithe, ndërsa tani nuk i dërgonin as përshëndetje, kur ajo merrte rrugën pёr takim.
.
Libri "Gjurmë" - Luli Velit
Libri “Gjurmë” – Luli Velit
“…Ecën, ashtu mendjehumbur; ka bërë vetëm atë pak gjumë, që i shkoi përsysh, në makinë. I duket sikur diç e tërheq nga pas. Mendon se është lodhja dhe i jep këmbëve. Palltoja i rëndon gjithnjë e më shumë, …më shumë. Pa ulur trastat e tërheq me forcë, duke menduar se i ka ngecur në ndonjë ferrë. Pjesa e prapme e palltos, që ajo e ngre me shumë zor, i vjen përpara bashkë me një qen dhëmbëskërmitur e të kapur për të.
Shtanget e trembur, pastaj instinktivisht e gjuan me forcë me çizme, ndërsa qeni shkëputet me një rreckë palltoje në gojë. I inatosur nis të lehë dhe i vërsulet rishtas. Ajo mbrohet me trastat. I del, jo nga gryka, nga zemra, një pasthirrmë e fortë habie e frike përzier. Askush nuk e dëgjon, as qeni. Më pas zëri nuk i bindet, i ka ikur. Është frikësuar. Rreket me duart e zëna e këmbët e ngatërruara me pallton. E tmerruar mbrohet me trastat, ndërsa qeni hidhet mbi to me dhëmbë e kthetra…
…Qentë i kanë rrëmbyer trastat dhe i kanë shqyer. Buka, djathi, byrekët e qoftet, janё hallakatur përtokë dhe ata i kanë bërë për vete. Duke kuisur e duke u grindur njëri me tjetrin, tanimë hanë e përdhosin çdo gjë. Mund të ishte ajo vetë pre e kësaj babëzie.
Befas i erdhi zëri dhe fuqia e pa kuptuar gjeti veten të qajë me fjalë, me zë, me ulërimë. Iu duk vetja si qen. Iu desh kohë të përmblidhej dhe më shumë kohë zemrës, që shkundej sikur donte të shpërthejë brinjët.
Mori rrugën e kthimit…”
Rrugën e kthimit pa takuar të dashurin e saj… babain e fëmijëve… pa i dhënë një përqafim, pa i dhënë ushqimet e disa ditëve përgatitur me lot, pa i dhënë buzëqeshjen e shpresës deri në takimin tjetër.
Dhe kjo lloj letërsie, jo vetëm të emocionon, por dhe të ushqen në aspektin estetik. Me përshkrimin e çdo momenti, ti ecën me të njejtën gjuhë, me të njejtin ritëm të brendshëm, pa humbur asnjë ndjesi artistike, se këtë mision autorja e ka realizuar në mënyrë perfekte.
Shumë herë është shkruar, se vuajtja për artin është ushqimi më i mirë dhe, se kur ajo nuk ekziston… nuk ka më art. Edhe tek ky libër kemi të shkuarën si kategori kohe… plot vuajtje. Por, të ardhmen, pra të sotmen nuk e kemi askund. Ndoshta kjo vёrteton aksiomën e mësipërme. Nuk dimë nëse do të kishim po të njejtin kualitet të mendimit e të shprehurit si krijim.
Në libër, të gjitha tregimet kanë kornizë sociale pothuajse të njejtë… klasën e përmbysur në dhimbje… në dhunim, në përdhosje, në ekzekutim, në kërcenim deri tek tendenca e marrjes së nderit të secilës grua të persekutuar. Një dekor i dhimbshëm dhe i frikshëm vazhdon e ndjek hap pas hapi, autoren dhe ne…
“…Fare pranë shtëpisë ndjeu pas krahëve zhurmën e një makine. Iu shkundën mendimet, duke u shpërndarë në çast, si frutat e pjekura të një peme kur u godet degën. Kapi një rrëzë muri dhe u mbështet e trembur. Kohët e fundit kishte jetuar, jopak, nga ato çaste që ndryshojnë tërë rrjedhën e jetës. Por me to nuk mund të mësohesh kurrë, sado të shpeshtë të jenë. Të papriturat nuk ngjasojnë. Parandjeu se ky do të ishte njëri syresh. Makina u ndal pak para saj, zbritën dy burra me uniformë policie, i u afruan dhe me ton të vrazhdë e të prerë e urdhëruan të shkonte me ta… vetëm për disa pyetje…
…Kur vuri re se po ecnin në një drejtim tjetër, e frikësuar dhe e revoltuar njëherësh, i pyeti se ku po e çonin. Ata heshtin, ata nuk dëgjojnë. Pas pak, e lëshuar, u tha me ton lutës se në shtëpi e prisnin katër fëmijët. Ata përsëri nuk flasin, ata nuk ndiejnë…”
Pra dekori është i pamëshirshëm. Oficerët e policisë për të mësuar, se ku ishin fshehur paratë e tregtarëve të burgosur merrnin gruan e mjerë nëpër natë dhe e kërcënonin me varje. Makina e degës së brendshme është simbol makthi për gratë e autores.
Diçka të tillë e lë të kuptojë dhe autorja, kur përshkruan kthimin e nënës në shtëpi dhe tendencën e saj pёr t’i dhënë fund jetës me katër fëmijët e saj.
Rozi tek tregimi “Mangalli”, nga autorja vjen si personifikim i vuajtjes deri në thellësi të qënies. Frika e trupëzuar tek ajo dhe tek gratë e tjera jep ndjesinë, se ende sot, makinat e degës së brendshme frenojnë tek dyert e tyre dhe se dramat nuk do të kenë fund….
“…Ato pak hapa për të kapur derën e shtëpisë i hodhi si somnambul. Me të kaluar pragun, ku e priste e ulur e ëma, u shemb përmbys në minderin pranë. Gulçonte e përpëlitej, si zog i plagosur; qante pa lot e dëneste, se lotët i kishin shterur që me mynxyrën e të atit…
…Nëna, si një kërcu i zi në mes të dhomës, nuk dinte ç’kishte ngjarë dhe në mund t’i gëzohej këtij lloj kthimi. Iu afrua e nisi t’i fërkojë shpatullat, pa i folur e pa pyetur. Nuk guxonte. Pastaj njomi duart me uthull dhe ia vuri nën hundë. Fytyra e Rozit ishte e akullt, e lëmuar si mermer; trupi i dridhej lehtë, ndërsa sytë i ndrisnin çakërdisur. Brofi në këmbë, duke shikuar mangallin e i tha nënës se nuk mundte më. I hodhi një sy vajzave, që flinin të katërta në një shtrat, dhe shkoi në vendin ku mbanin letra e rrecka për të ndezur sobën. Mbushi duart me to dhe shtangu për pak. Nëna vuri re se e bija ishte tjetërsuar keqas, asgjë normale s’i kishte mbetur. Tani guxoi ta pyesë se çfarë po bënte, jo se çfarё kishte ndodhur…”
Vetëm, kur ti ndodhesh në të tilla situata përshkrimi… kupton, se çfarë kohërash kёrkojne t’i xhvasin të deklasuarve nga kujtesa… deri t’i bëjnë bashkëfajtorë dhe bashkëvujtës… Oficerët e dikurshëm, gati po marrin vuajtjet e Rozit në trup ose mohojnë shumëçka… Por, tek proza e autores janë gdhendur arkivat e kujtesës. Vuajtjet shtegtojnë, jo vetem si një sagë familjare… por dhe si simbolikë i sa e sa të tjerëve si ajo.
Luli Veli të fal perceptim dhe njëherësh të pasuron estetikisht.
Tek “Zonja blu”, ti ndjek një grua tjetër, flakur në dhimbje, në tërheqjen zvarrë mes ekzistencës dhe mosekzistencës të djalit… në përpëlitje të fatit të tij. Biri i saj i bukur, i ri, i mençur kishte guxuar të zhdukej përtej sipërfaqes së atdheut vetëm, se nuk duronte më presionin e sigurimsave, vështrimet e tyre dhe etiketën “armik i popullit”.
“Zonjen blu” lexuesi e ndjek me një kureshtje të tendosur, pasi kërkon të dijë se çfarë do të bëhej me të dhe djalin e saj të zhdukur. Luli Veli të tёrheq pas vetes, tё çon deri tek tmerri.
“…Në tokë, aty fare pranë këmbëve të saj, një i shtrirë, i verdhë, shumë i verdhë, i fryrë, i baltosur, i zhveshur e me krahë të hapur. Një trup ku ngatërroheshin barishtet, që ishin lidhur me baltën. Pjesa e sipërme e shfytyruar; peshqit kishin hequr pjesë prej saj, veçanërisht veshët e përreth. Ç’ishte? Pse duhet ta shihte? I kishin thënë që po e çonin të shihte të birin, por para syve kishte fytyrën e tmerrit. Nuk po përmblidhej. E çoroditur dhe e ngatërruar, shpresonte të ishte në ëndërr. Sytë i qenë ngulur në atë trup, por asgjë nuk po shihte qartë. Ndjeu një trazirë në stomak e një pështjellim të paprovuar kurrë më parë…”
Dhe tmerri i kuq vazhdon…
(të më falni, por mendoj se askush nuk duhet të mërzitet nga këto fjalë, por marr përsipër të nënvizoj, se nëse, ata njerëz torturash janë në jetë duhet t’i kërkojnë falje të persekutuarve legjendarë e nëse jo, atëherë të falur duhet të kërkojnë bijtë e tyre.)
E shkuara e këtyre njerëzve të persekutuar interferon si dëshmi e hidhur… por, kur drama e tyre vjen përmes letërsisë, shpresa e mosharresës si proces, të cilës kërkojnë t’i japin një profil celebral… ajo troket fort tek lexuesi.
Trupëzimi i përjetimeve në art e bën atë më kumtuese dhe pёrçuese të mosharrimit.
Kështu nuk mund të kalosh indiferent para “Merimangës” që të jep njё drithërimë gjithë delikatesë që në titull, më pas t’i tronditesh nga forca e përshkrimit dhe si trajtohet fraza në kulmet e saj…
“…Befas e goditën gjer në trullosje, sa u shemb si lisi nga sëpata. Duar të forta, sa ligësia, ia hapën nofullat: ndjeu në gojë atë darën e ndryshkur… Një dhembje, sikur i prenë kokën; një lumë gjaku të ngrohtë në grykë dhe një mbytje në pavetëdije fashitëse e gjumëndjellëse.
U përmend për pak, ndërsa e tërhiqnin zvarrë nga këmbët dhe koka i përplasej, kur nisi të vijë në vete, iu desh pak kohë të kuptojë ç’i kish ngjarë. Vuri dorën në buzët, ku nakatosej gjak i ngrohtë e gjak i mpiksur dhe preku një boshllëk. I kishin shkulur dy dhëmbët e parë… U përlot. Dhëmbët i kishte pasur aq me merak. Aq të bardhë e aq të bukur ishin hijeshia e buzëqeshjes, buzëqeshjes rinore që sapo ia kishin vrarë përfundimisht. Duke u kthjelluar i rriteshin dhimbjet e nofullave, kokës, trupit dhe ato më të vështirat për t’u mbajtur, ato të shpirtit të dlirë rinor.
Donin ta përkulnin gjer në thyerje e ta ulnin gjer në përlyerje…”
Duke lexuar këtë fragment… për pak të duket, se autorja po përsërit skenёn e rezistencës të një partizani në qelitë, ku torturat i bënin pushtuesit… por jo, ironia e zezë të përshkon të gjithën, sepse një klasë po torturonte klasën tjetër, në luftë për pushtet.
Autorja duke vendosur realitetin e hidhur në letёrsi, shohim diku tjetër të çlirohet gradualisht, ajo deri dhimbjen e saj e paraqet gjithën si sarkazëm. Kjo ndodh tek “Orë kënge”, sepse këngët partizane ajo e brishta, e mira, e bukura vajzë e zambakëve guxon t’i transformojë sipas këndvështrimit fëminor dhe një instikti ironik që herё-herё ngre krye tek autorja.
Koka e vajzës së vogël tronditet nga fjalët Grykë e Mezhgoranit, tanke, mitraloza, bomba etj. Ajo do lodrat e fëmijeve, kukullat për vajzat dhe topat e llastikut për djemtë. Nuk do luftë, nuk do vrasje, do qetësi dhe gjithçka të bukur rreth vetes.
Duhet thënë, se këtë stil dhe këtë strukturë nuk e ndeshim në letërsinë tonë.
“…Zysha: (shkruan e lexon)
Po na vjen, po na vjen,/ Bota zien, bota zien,/ Shokët tan’ kjo luft’ po na i rrëmben.
Papritmas zëri i zyshes tjetërsohet, bëhet më i vrullshëm e më i ashpër. Përmendem nga dremitja e ëmbël. Një nxënëse e pyet se çdo të thotë “rrëmben”, fjalë që nuk përdoret në gegërishten e përditshme. Zysha shpjegon se rrëmben do të thotë “merr me forcë, tërheq zvarrë…” dhe se në këngë ka kuptimin: i vdes, i vret, i copëton lufta…
Unë: Më turbullohet e blerta e lëndinës nga një hije; më bëhet një grua me pelerinë të zezë që kap njerëz me zor, që i rrëmben, i vret, i hedh të vdekur në bar. Si unë, gjithë frikë e të ftohtë, dhe lulet të zhdukura e të trembura.
Shoh me mërzi shoqen që pyeti diçka mёsuesen… Nuk e ndjek më këngën, nuk këndoj, strukem në qoshe të bankës…”
Dhe kjo përhumbje dhe ky stil i pandeshur më parë vazhdon gjatë gjithë tregimit… Lufta kishte perfunduar. Bota ishte e qetë e përse fёmijëve i duheshin këngë të tilla…!? Loja e hidhur e vajzës, produkt i autores bën që çdo kush ta marrë pёrgjigjen….
Diku nga mesi i librit përballem përsëri me prozën poetike “Msuqi”… të njejtat emocione si në statusin e Ridvan Dibrës. “Msuqi” mund të jepet nëpër shkolla si model i të shkruarit për të pёrcjellur ndjesi të pastra… si poetikë gjuhësore .
Çdo veprim dhe përshkrim të jep ndjesinë e virgjërisë si ekzistencë.
“…Fillon teposhta, një rrugëz e ngushtë fare, “rrugë dhish” i thonë këtu, ku vihen të gjithë në rresht për një. Të tjerat sikur fluturojnë, unë rrëzohem, mbes pas. Nuk merren me mua, kanë ngutje, veç më thonë: “Mbahu tek shkurret!”
…Nafia, më e madhe se unë, kthehet, më jep dorën e më mëson të rrëshqas duke mbajtur e lëshuar degët e shkurreve anash. Mundimi i fillimit më kthehet shpejt në zbavitje të këndshme, ec e rrëshqit, ec e rrëzohu dhe… qesh e qesh, sikur jam në lojë.
…Në këtë rrugëz gunga-gunga, që zbret duke dredhuar, fresku më ngjitet për trup, më mbështjell. Ndiej një përkëdhelje të këndshme, kam hyrë në gji të pyllit. Provoj pak ftohtë, pak frikë e shumë habi e kënaqësi të përziera; gjithnjë duke u rrekur të mos rrëzohem, por edhe duke u rrëzuar herë pas here.
…Jeshili që ndehet ngado, nuk të lë të shohësh larg; drurët janë ngjeshur me njëri tjetrin, gjethet duken dhe ato të sapozgjuara nga gjumi i natës se lëvizin pak dhe të lagin duart, kur i prek. Nga majat e drurëve të lartë, që i lëkund flladi, zbret gjer tek unë një fëshfëritje e përzier me cicërima e zukatje, sa më bëjnë të ndalem e shtangur. Dëgjoj zërin e pyllit. Ngre sytë e shoh: qielli përtej majave të drurëve më duket shumë larg, shtyrё nga jeshili…”
Kështu, Luli Veli… një vajzë e vogël, mes kënaqësish të jeshilta, me një pyll të gjërë brenda shpirtit. Mes ndrydhjesh e pёrjetimesh me lot të patharë, në trysni vështrimesh armiqsore e në dëshira të mbetura flu… pa kuptuar kishte hedhur shtatin e librit të saj.
“Gjurmë” ka kulminacione të shumta, të zhdërvjellta, të latuara, me gjuhë të zgjedhur, të pastër dhe aspak të përkëdhelur si të tjerë në përdorim të izmave pafund. Libri do të krijojë pëlqesë tek lexuesi, sepse autorja ka lexuar jetën e saj me kujdes, prandaj dhe ka ditur ta shkruaj në të jeshiltën e saj.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.