back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një requiem i vonë për mikun dhe studiuesin e palodhur të kulturës dhe klerit katolik erudistin Kolec Çefën – nga Klajd Kapinova

Gazeta

Kolec Cefa dom Zef Simoni dhe Klajd Kapinova
Kolec Cefa, Dom Zef Simoni dhe Klajd Kapinova

Një requiem i vonë për mikun dhe studiuesin e palodhur të kulturës

dhe klerit katolik erudistin Kolec Çefën (1937-2021)

nga Klajd Kapinova

“Për herë të parë kam pasë fatin ta takoj në shoqninë e at Zef Pllumit, andej nga viti 1991. E që atëhere e kam pa gjithnjë në shoqninë e Françeskaneve të mëdhenj – e librave të tyne – botuem, por dhe të dorëshkruem – të françeskanëve të mëdhenj… Kontributi i tij në rivlerësimin e kulturës shqiptare është vërtet i madh, duke qenë se mbetet një studiues skrupuloz, i vëmendshëm, i papërtuem, e mbi të gjitha, i përkushtuem me shpirt dhe zemër ndaj vlerave të kulturës kombëtare. Një provë se ishte gjithmonë me Zotin. Me dritën. Me mirësinë! I përulem me respekt të madh kujtimit të tij! Gjithmonë!”Rudolf Marku, London, United Kingdom

Kolec çefa - Luigj Gurakuqi
Kolec çefa – Luigj Gurakuqi

Me vjen shumë keq, që e mora vonë, shumë vonë, lajmin e hidhur të kalimit në amshim të mikut dhe studiuesit të palodhur të kulturës dhe klerit katolik shqiptar erudistit Kolec Çefa.
Kjo për arsye të distancës së largët në SHBA, mungesës së informacionit nga Shqipnia, qyteti i lashtë Shkodrës dhe Tirana, ku ai shkoi për të jetuar më vonë.
Për Kolecin e kulturës dhe botës së letrave, studimeve dhe hedhjen dritë për figurat e pluhrosura dhe të përbalta të klerit katolik dhe Kishës martire shqiptare, ruaj kujtime shumë të bukura, mbasi kemi punuar bashkë për shumë vite, në Arqipeshkvinë Metropolitane, në zyrën e redaksisë së revistës të hershme popullore qytetare “Kumbona e së Dielës”.
Kjo revistë u themelua dhe drejtua me kulturë dhe pasion fetarë dhe atdhetarë në fillim nga dom Mikel Koliqi (1900-1997), i cili pas kalvarit pambarim të vuajtjeve dhe burgjeve të tmerrshme komuniste do të shugurohet në Vatikan nga Ati i Shenjtë, sot shën Papa Gjon Pali II (Karol Wojtyla 1920-2005) si Kardinali i Parë, në të gjithë historinë e lavdishme 2021-vjeçare të Kishës Katolike Shqiptare, si simbol i respektimit nga bota, Kisha Katolike dhe Selia e Shenjtë në Vatikan, të vuajtjeve të të gjithë shqiptarëve, nën regjimin e egër diktatorial ateisto-komunist.
Me Ndihmës Ipeshkvin e Arqipeshvisë së Shkodrës imzot Zef Simonin (1928-2009), shkrimtar dhe prozator i 15 librave të shkruar në gjuhën e ëmbël gege, me profil fetar dhe bazë të shëndoshë atdhetare, i ndjeri mons. Zef Simoni, dhe kryeredaktorin studiuesin Kolec Çefa, kemi punuar vazhdimisht për të nxjerrë rregullisht nga shtypi të përkohshmen mujore revistën “Kumbona e së Dielës”.
Ai ishte redaktori i kujdeshëm i të gjithë librave të shkruar në gjuhën gegë nga shkrimtari imzot Zef Simoni, mbasi Koleci njihte shumë mirë dy dialektet e gjuhës shqipe gegë dhe toskë.
Koleci ishte i urtë, i ditur, i mençur me shpirt të madh fisniku.
Intelektuali solid Kolec Çefa, me kulturën e thellë dhe të gjerë që zotëronte nga përvoja e njohjes nga afër të klerikëve dhe leximet e librave (në dorëshkrim) të shumtë të tyre dhe të tjera, ishte një enciklopedi e gjallë, që ecte me dy këmbë, duke mbajtur të freskët në mendje çdo ngjarje dhe figurë të qytetit tonë.
Nga ai kam mësuar shumë nga historia me tradita e qytetit, letërsia e gegë e trevave të Veriut, pendat e spikatura dhe veçantinë e stilit të gjithsecilit prej tyre, figurat e shquara dhe kontributin e vijueshëm në fushën e kultures dhe historisë, atdhedashurisë, studimeve, albanologjisë etj., të Klerit Katolik në Shqipëri gjatë vitëve 1944-1991.
Shkrimtari monsinjor Zef Simoni, ishte drejtues i revistës “Kumbona e së Dielës”, ndërsa kryeredaktor ishte Kolec Çefa dhe unë redaktor për shumë vite. Monsinjori e donte shumë Kolecin, për kulturën dhe shpirtin e madh prej shkodrani të vërtetë. Koleci ishte zemër bujar dhe ndihmonte pa përtesë këdo që i shkonte në redaksi për dokumente, këshilla, literaturë (libra), saktësimin e datave dhe ngjarjeve të ndryshme, rreth figurave të shquara të Klerit Katolik Shqiptar, buletinet e ndryshme apo të perkohshme të shtypit katolik të hershme dhe deri në ditët tona.

Kolec Cefa dom Zef Simoni, Klajd Kapinova dhe miqte e tij gjermane...
Kolec Cefa dom Zef Simoni, Klajd Kapinova dhe miqte e tij gjermane…

Gjermani albanolog dr. Markus W. E. Peters dhe Koleci ynë

Një ndër miqët tanë të vijueshëm ishte gjermani dr. Markus W. E. Peters, i cili, ishte i adhuruar shumë mbas historisë dhe kulturës dhe histories së prelatëve të shquar të klerit katolik. Ai në mënyrë autodidakte kishte mësuar shumë mirë gjuhën e bukur shqipe, por njikohsisht fliste edhe shumë gjuhë të tjera ndërkombëtare.
Dr. Peters kërkonte literaturë, buletine të ndryshme të shtypit të klerit katolik, dokumente dhe dorëshkrime të lënë amanet nga prelatët dhe klerikët e Urdhërave të ndryshme katolike në qytetin e Shkodrës, Tiranë, Mirditë, Lezhë etj.
Ai shumë kohë e kalonte në Arkivin Qendror të Shtetit (AQSH) në Tiranë, duke parë me shumë kujdes në seksionin e dokumentave të Arqipeshkvisë së Shkodrës, të cilat komunistët kur erdhën në pushtet i grabitën nga Kuvendi i Urdhërit të Shën Françeskut (shekulli XII) dhe Kuvendi i Jezuitëve në Shkodër (1846).
Ai vinte shpesh sëbashku me babanë e tij dhe me orë të tëra bisedonim për tema të ndryshme në redaksinë tonë. Dr. Peter më vonë do të shugurohet meshtarë dhe do t’i përkushtohet udhës adhuruese të Zotit, për t’i shërbyer grigjës në Gjermani, më pas në qytetin-shteti të vogël të Lihtenshteinit, dhe tani në Zicër, ku ai është bari shpirtërorë i besimtarëve katolikë.
Fryt i kësaj pune të gjatë hulumtuese, është edhe botimi me sukses i librit në gjuhën shqipe: “Përballjet e Historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996”, (Geschichte der Katholischen Kirche in Albanien 1919-1996) gjermanisht dhe shqip. Vepra e re ka autorësinë e studiuesit dhe albanologut bashkëkohorë gjerman Dr. Don Markus. ë. E. Peters, botuar në kujdesin e Shoqatës Jezuite, Tiranë, 2010.
Albanologu gjerman dr. Markus W. E. Peters sot quhet dr. Father Mark Peter ose Don Peter. Ai vazhdimisht viziton SHBA dhe ndalon edhe në New York, për t’u takuar me miqtë e tij të vjetër: Don Nikolin Pergjigjin, studiuesin dhe publiçistin Tomë Mrijaj dhe autorin e këtij shkrimi modest Klajd Kapinova.

Intelektuale Shkodrane midis te cilene, Willy Kamsi, Zef Zorba, Kolec Cefa, Ndreke Luca e tjere
Intelektuale Shkodrane midis te cileve, Willy Kamsi, Zef Zorba, Kolec Cefa, Ndreke Luca e tjere

Vjedhja e të drejtave të autorit nga diktatura komuniste

dhe shpërlarja e trurit me gënjeshtra sot

Diktatura komuniste dhe (Neo)komunistët edhe sot i kanë bërë si pronë shtetërore dhe kurrë nuk iu kthyen pronarëve të ligjshëm thesaret kulturore, që janë Kuvendi Françeskan dhe Jezuit.
Sikurse dihet publikisht ato me një pjesë të punimeve dhe hulumtimeve albanologjike të realizuar nga prelatët dhe klerikët e thjeshtë të Urdhërit të Shën Franceskut ish “profesor” dhe “doktorët” e “albanologjisë” së periudhës së komunizmit mbrojtën temat e tyre “shkencore”, duke mos i përmendur asnjëherë emrin e tyre kjoftë edhe formalisht.
Ata në mënyrë të turpshme apo harbutshe nuk bënë asgjë tjetër veçse hoqën autorësinë origjinale të klerikëve katolikë dhe vendosën emrat e tyre.
Rasti më klasik është i ashtëquajturi “prof. dr.” Jup Kastrati, i cili, asokohe ishte Kryetar i Grupit të Luftës Kundër Fesë dhe Zakoneve Prapanike, të krijuar nga diktatori Enver Hoxha si organizatë e mirëfilltë propagandistike kundër fesë, Kishës, prelatëve dhe meshtarëve të thjeshtë katolikë.
I përkdheluri i regjimit komunist Jupi i ri asokohe me disa shokë të tij fanatikë, ka marrë në shtëpinë e vet (në kohën e bastisjeve të dhunshme me gjak dhe terror) shumë nga antikuaret, disertacionet, dorëshkrimet dhe vlerat e tjera kulturore shkrimore, të bërë ndër shekuj nga studiuesit e shquar klerikë katolikë dhe disa katolikë intelektualë laikë të spikatur të trevave të Veriut të Shqipërisë. Dhe për t’u mos u zgjatur shumë, theksojmë se pseudoalbanologut të Dullës, disa herë pas vitëve ’90, i është bërë thirrje publike dhe private, që të rikthej pronën e të persekutuarve politikë anti-komunistë intelektuale të klerikëve katolikë si e drejtë e tyre (Copyright), por ai me arrogancën e inercisë së (neo)komunizmit, që ende kishte dhe ka pushtet kudo edhe sot, dhe me paturpsi komuniste, nuk ka marrë mundimin që t’i rikthejë, si shenjë pendimi për ato të këqija që u ka shkaktuar atyre… Ato monumente brilante dhe të papërsëritshme intelektuale të kulturës kualitative albanologjike edhe sot gjenden në shtëpinë e tij private. Pasardhësit e tij heshtin, duke mos dhënë asnjë shenjë pendese dhe keqardhje edhe sot në demokraci, mbas 32 vjetëve…
Për më tepër “Prof. dr.” Jup Kastrati, shkruan me histerizëm dhe pasion anadollaku Parathanjen e librit me gënjeshtra dhe trillime të propaganduesit fanatik komunist Rakip Beqaj, me titull perves: “Veprimtaria Antikombëtare e Klerit Katolik Shqiptar”.
Mirëpo Jupi, i sigurt në shpifjet e tij, ndër të tjera thotë se: “Vepra e shokut Rakip Beqja, ‘Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik shqiptar’, asht e para e kësaj fare, që po botohet në vendin tone. Libri ka randësi politike, ideologjike dhe shkencore…
Në disa paragrafë, auktori ban fjalë edhe për fenë, shikue në dritën e shkencës marksiste-leniniste, për shtetin e Vatikanit, për kishën katolike dhe kapitalet e saj.
Kjo hymje ishte e nevojëshme për të kuptue rranjët e thella historike të fesë katolike, e cila, në vendin tonë, gjithmonë “ka qenë ideologji e pushtuesve romakë, italianë dhe austriakë” siç na mëson shoku Enver.
Kisha katolike ka veprue, gjithëherë, si shtypëse e çdo lëvizjeje përparimtare, demokratike, popullore. Ajo ka qenë vazhdimisht kundër mendimit të lirë. Ajo ka mbetë gjatë gjithë ekzistencës së saj, në pozita antikombëtare dhe reaksionare.
Auktori, me anë dokumentash dhe faktesh të pamohueshme, ka arritë të zbulojë degjenerimin dhe korrupsionin e klerit.
Në fund të kapitullit të parë, hartuesi i monografisë ban një përgjithësim me randësi, në lidhje me kishën katolike shqiptare, tue na tregue se ajo, në çdo kohë ka qenë e predispozueme dhe e gatëshme të përdorë pozitën e vet politike për qëllime të këqia, tradhëtare në shërbim të të huejvet, kundër interesave të Atdheut tonë.
Në kapitullin e dytë, auktori, mbasi shqyrton gjëndjen e Shqipnisë në pragun e pushtimit nga Italia fashiste si dhe gjendjen ndërkombëtare në pragun e shpërthimit të Luftës së Dytë Botnore, ndalohet tek roli i shtetit të Vatikanit.
Në mënyrë të veçantë ai sjell fakte konkrete, që dëshmojnë se si krenët e klerit katolik shqiptar kanë qenë gjithmonë në shërbim të të huejvet; kështu p.sh., nga 1870 deri në mbarimin e luftës së parë botnore u shërbyen austro-hungarezëve; gjatë periudhës 1919-1943 qenë në shërbim të italianëve; kurse, nga shtatori 1943 deri në çlirimin e Shqipnisë, 29 nandor 1944, qenë të lidhun kambë e krye me gjermanët nazistë.
Këto lidhje me të huejtë siç e shpjegon bukur autori rrjedhin, së pari, nga fakti se këta agjentë të Vatikanit në Shqipni, gjithëherë, kanë përmbushë detyrat, që u ka ngarkue ai; së dyti, sepse kleri katolik shqiptar ka pasë kurdoherë, të njejtat qëllime politike dhe ideologjike me pushtuesit e huej.
Fondet e ndryshme, që u derdhën në vendin tonë nga Austro-Hungaria dhe Italia fashiste për të mbajtë gjallë institucionet fetare sollën si rrjedhim, nënshtrimin pa kushte të klerit katolik ndaj pushtuesve imperialistë.
Ma anë dokumentash arkivale, autori i veprës tregon qartë dhe në mënyrë bindëse se si kleri katolik shqiptar punoi për pregatitjen e pushtimit të Shqipnisë nga Italia fashiste.
Për të parën herë në botimet tona shkencore i bahet e njohun publikut të gjanë veprimtaria antikombëtare dhe reaksionare e njanës nga organizatat e klerit katolik shqiptar, pra ‘Veprimit Katolik’ (Aksionit Katolik).
Në kapitullin e tretë auktori flet për pushtimin e Shqipnisë nga Italia fashiste dhe për bashkëpunimin e klerit katolik shqiptar me pushtuesit.
Krerët e klerit katolik sëbashku me tradhëtarët e tjerë të vendit sanksionuen humbjen e pavarësisë së Shqipnisë…
Në këtë mënyrë mbyllet libri i parë i kësaj monografie. Për veprimtarinë reaksionare dhe antikombëtare të klerit katolik mbas çlirimit të Shqipnisë, gjatë pushtetit popullor, auktori do të hedhë në shtyp, së shpejti, librin e dytë…
Karakteristikë e përgjithëshme e veprës që kemi në dorë, asht çfrytëzimi i një literature të gjanë, tue fillue nga veprat e klasikëvet të marksizëm-leninizmit, tue vazhdue me materialet historike të Partisë së Punës së Shqipnisë si dhe raportet dhe fjalimet programatike të shokut Enver…
Tue u mbështetë në këtë bibliografi të gjanë, auktori ka ditë të interpretojë drejt ngjarjet dhe fenomenet, ka arritë të zbulojë rranjët e vjetra dhe të reja të veprimtarisë antikombëtare dhe reaksionare të klerit katolik.
Mbi bazën e një dokumentacioni të shumtë ka ba analizën e faktevet, ka nxjerrë konkluzionet e duhuna logjike, ka sqarue mjaft çështje të panjohuna nga publiku i gjanë. Në këtë drejtim, ai i ka sjellë një shërbim të vyer historisë së Shqipnisë…
Tue pasë për bazë “metodologjinë marksiste-leniniste”, tue u mbështetë në metodën e materializmit dialektik dhe historik, auktori ka dërmue njëherë e përgjithmonë mitin e “patriotizmit” të klerit katolik, ka rrëzue tezat e absolutizueme nga disa historianë klerikë, në lidhje me të ashtuquejturën “veprimtari kombëtare” të klerit katolik.
Si rrjedhim, Rakip Beqja e ka shikue me sy kritik historiografinë klerikale të Shkodrës dhe asht ngritë me guxim kundër saj. Ka mbajtë qëndrim të patundun, të premë dhe parimor ndaj disa figurave klerikale, që në historinë e letërsisë shqipe janë quejtë “kontradiktorë” ose “kompleksë”, si, bie fjala, shkrimtarit reaksionar Fishta.
Ky asht një qëndrim aktiv i studiuesit, i cili nuk asht vetëm hetues, gjurmues, përshkrues dhe regjistrues i faktit, por edhe interpretues i drejtë dhe i palëkundun i fenomenit.
Një tjetër veçori e veprës asht fakti se auktori ka vu, në radhë të parë, atë që asht kombëtare mbi atë krahinore. Ai mban qëndrim kritik ndaj konservatorizmit, partikularizmit, regjonalizmit dhe ndaj çdo çfaqjeje regresive të së kaluemes.
Vepra tingëllon si një thupër e fortë ndaj auktorëve të historisë kishtare shqiptare, që kishin idealizue dhe ba “idhuj të paprekshëm” disa krenë të klerit katolik. Vepra, që nga kreu e deri në fund, shquhet për frymën e thellë klasore.
Në vepër ndeshën dy botë: e reja me të vjetrën, rryma përparimtare me atë që asht reaksionare, fetare, prapanike, anakronike.
Në njenën anë, një vijë e kuqe spikatë në mbarë veprën: asht rruga e atdhetarëvet të vërtetë, rryma e partisë, e komunistëve, e Luftës Nacional-Çlirimtare.
Kjo ka të ardhmen përpara, i përket së resë, asaj që asht përparimtare, progresive, demokratike, popullore; prandaj triumfon mbi të vjetrën.
Nga ana tjetër, një vijë e zezë bie në sy në veprimtarinë e klerit katolik shqiptar: asht vazhda e tradhëtisë, e falsitetit, e demagogjisë, vija e reaksionit ma të tërbuem, e antishqiptarizmit, e asaj që asht regresive, e mykun, e dalun boje; prandaj asht e destinueme të vdesë.

Asht siç provohet mjaft mirë në vepër, baza politike, ekonomike dhe ideologjike e klerit katolik në Shqipni ka qenë, gjithmonë, e huej për botën shqiptare.
Tue iu referue materialeve të botueme nga vetë kleri, po sjellim këtë të dhanë historike, që dëshmon qartë se, pothuej, të gjithë misionarët, organizatorët dhe krenët e klerit katolik në Shqipni në shekujt e kaluar kanë qenë me kombësi të huej.
Mjafton t’u hedhim një sy françeskanëve dhe jezuitëve, tue mos u ndalue tek benediktinët e domenikanët.
Historikisht dëshmohet që në vitin 1248, Urdhëni françeskan filloi me u vendosë në Shqipni, me zgjedhjen e françeskanit Giovanni de Plano Carpini arqipeshkëv i Tivarit.2)
Ky prelat bani me ardhë në Shqipni françeskanët dhe domenikanët, tue zëvendsue, kështu, benediktinët, të cilët, që nga kjo kohë, kishin fillue me braktisë manastirët e tyne.
Në veprën “Schizzo Storico sull’opera dei Franceskani in Albania”, asht dhanë lista e françeskanëve, që u zgjodhën peshkopë ndër dioqeze të ndryshme. Kështu, p.sh., në arkidioqezin e Tivarit dhe të Durrësit, në dioqezin e Shkodrës, Lezhës, Sapës, Pultit, Krujës, Sh’Shtjefnit (në Mat), Arbërit, Shazit, Bardhecit, Drishtit, Ulqinit, Shurdhahit, Sapës e Sardës, d.m.th. ndër dy arkidioqezë dhe trembdhjet dioqezë janë të regjistruem rreth 80 peshkopë të huej.
Çdo njeni nga këta ipeshkvij ka sjellë në vendin tonë frymën e nënshtrimit ndaj politikës austriake dhe italiane. Me një ideollogji të tillë u rritën dhe u edukuen edhe klerikët katolikë vendas.
Në këtë temë historike, janë kapur ato periudha që për rëndësinë e tyre në saje të një studimi, analizë e sintezë të thellë të ngjarjeve e fakteve mbi klerin katolik shqiptar, jepet qartë figura reaksionare, antikombëtare e atyre veladonezezëve, që për shekuj duke qenë përfaqësuesit e pushtetit shpirtëror të njerëzve, kanë luajtur ashtu siç thotë autori vetëm rol merimangash në vendin tonë, në endjen e atyre fijeve të njohura të errësirës mesjetare.
Vepra duke qenë një sintezë e konfliktit të ashpër klasor të shkallës kombëtare e ndërkombëtare, lot një rol të rëndësishëm për studime shkencore në fushën e historisë së vendit tonë dhe ka një vlerë të madhe për edukimin revolucionar të masave punonjëse…”

Kolec Cefa ne takimet e tij
Kolec Cefa ne takimet e tij

Por absurdi i shqiptarëve trushpërlarë nuk ka të sosur

Shqiptarët fatkeqë në vendlindje, kanë menduar gjithnjë si naivë, se shumica e shqiptaro-amerikanëve këtu janë anti-komunistë, gjë që nuk ka qenë e vërtetë në kohën e regjimit komunist dhe as në ditët tona.
Dikur Jupi i gjithpushtetshëm në sektorin e albanologjisë derisa mbylli sytë, është ftuar paturpërisht nga sociakomunistët shqiptaro amerikanë, që dikur shisnin në rrugët e New York-ut librat propagandistike të diktatorit anti-katolik dhe ateist Enver Hoxha dhe të beniamin të oborrit të tij “disidentit” Ismail Kadare.
Ata fatkeqsisht kishin marrë peng asokohe dhe sot Federatën Panshqiptare “Vatra” (1912) dhe gazetën pro komuniste “Dielli” (1909), që të vinte në SHBA dhe të bënte “hulumtime” selektive të njëanshme për disa nga figurat e shquara të diasporës sonë këtu, duke e paraqitur vazhdimisht të zezën si të bardhë.
Kjo taktikë komuniste dhe post-komuniste u përsërit disa herë edhe me ftesat dërguar “profesorëve” të komunizmit si prof. dr. Nasho Jorgaqi dhe prof. dr. Viron Koka, të cilët shkruan libra me përralla apo trillime, për leninistin e pandreqshëm apo komunist e thekur hoxhist Fan Stilian Nolin.
Kundër shënimeve historike të shqiptaro amerikanit veteran nga Bostoni dr. Peter Minnai këtu në SHBA, janë hedhur në sulm mediatik plot fanatizëm studiuesit e shkollës së realizmit socialkomunist të Shqipërisë së diktatorit Hoxha, ndihmësit besnik të idedologjisë propogandiste komuniste të PPSH-së prof. Nasho Jorgaqi dhe ndihmësi i tij prof. Viron Koka.
I pari, ka shkruar një pamflet në fletushkën Ze(h)ri i Popullit dhe i dyti në një tribunë “demokratike” si Rilindja Demokratike (“RD”), por që në vetvete të dy vijnë nga indoktrinimi dhe shërbimi fanatik, që i kanë bërë sistematikisht për shumë dekada komunizmit të tyre.
Ndërsa i pari, qëndron në pozitat e një socialisti të konvertuar, i dyti i kthyer në formalisht me kostumin blu “demokrat”, çoroditi edhe atë pjesë naive të rinisë shqiptare pas viteve 1990, që pret realizëm, frymë kritike dhe freski në analizën e figurave të nacionit.
Gjatë verës së vitit 1994, dr. Minnar kishte planifikuar që sëbashku me fakte të pakontestueshme të vij në Shqipëri, për të tretën herë, duke pranuar me kënaqsi një bisedë treshe përballë ekranit të televizionit, për të njohur publikun shqiptar nga afër dhe realisht me faktet origjinale pa retushime mbi leninistin fanatik Nolin.

Kolec Cefa - Grupi "Ora e Maleve" dhe Publicistika e tij...
Kolec Cefa – Grupi “Ora e Maleve” dhe Publicistika e tij…

Mirënjohja dhe respekti del nga zemra e njerëzve të kulturës

Kultura e madhe e Kolecit në zbardhjen e kontributit të klerit dhe elementit katolik ishte një dhunti dhe talent, që u fik shpejt nga kalimi i tij në amshim. Mons. Zef Simoni e kishte Kolecin si një këshilltar të sinqertë dhe shumë të mirë. Ne biseodnim gjatë udhëtimeve me makinë në famullinë e Dajçit të Bregut të Bunës, ku meshtar ishte vëllai i tij dom Gjergj Simoni (1933-2022).
Historia, kultura e thellë, letërsia dhe figurat e klerit katolik, ishin një passion, që i buronte natyrshëm nga thellësia e pastër e shpirtit qytetar shkodran. Pushoftë në paqe, në lumnin e pasosun!
Publiçisti bashkëkohor dhe prelati i lartë i kishës katolike në Shqipni Shkëlqesia e Tij Ipeshkvi i Rrëshenit (2017) imzot Gjergj Meta (lindur në qytetin e Durrësit në vitin 1976), do të shkruaj këto fjalë dhimbjeje nga zemra e plagosur e tij, për kalimin para kohe në amshim të intelektualit të shquar, por modest: “Kolec Çefa paska vdekë! Paska vdekë një burrë i vyer! Lajmin ma dha Klaudia Bumçi e Radio Vatikanit. Më erdhi keq, por më shumë turp nga vetja që Koleci jo vetëm ka vdekë, por tashma edhe qenka varrosur në Shkodër e nuk kam qenë për me i thanë dy uratë e me ia hedhë një grusht dhè. Për ma shumë asnjë rresht nekrologji apo një kronikë sado të vogël lajmesh, së paku ne tv lokale të Shkodrës, për një njeri i cili ia kushtoi jetën e tij arsimit dhe kulturës, punoi me mons. Frano Illinë (dhe imzot Zef Simonin Ipeshkëv Ndihmës i Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër, shënimi im K.K.), botoi libra e shkrime duke lartësu punën dhe rezistencën e klerit në Shqipëri, na dhuroi tekste kritike dhe dokumenta të panjohur për Fishtën, shkrime të shumta, përmbledhë në vëllimin: “Kur e vërteta flet ndryshe” botuar në vitin 2010. Koleci nuk mund të ikte kështu, anonim. Nuk e meritonte. Kolecin e kam njohur personalisht në Tiranë kur kam qenë prift krejt i ri në Katedralen e Tiranës. Aty vinte në meshë për çdo ditë dielë… Kishte njohur pothuajse të gjithë meshtarët e vrarë apo të burgosur e mund të fliste për secilin prej tyre. U kushtoi shkrime e jetshkrime, përderi edhe Marie Tucit të stigmatineve. Koleci me siguri, me fenë e gjallë që ka pasur, i është përgatitë asaj. Vdekjen ia kemi hak Zotit, por anonimatin nuk mund t’ia lejojmë vetes, sidomos për njerëz si Kolec Çefa që i kanë dhënë diçka vendit, shoqërisë, historisë dhe kulturës…”
Kolec Çefa: një pendë shqiptare katolike më pak (Radio Vatikani, 27 Gusht 2021)

Kolec Cefa & Tonin çobani
Kolec Cefa & Tonin çobani

U kthye përgjithmonë nga Tirana, në Shkodër, studiuesi dhe shkrimtari i njohur, Kolec Çefa, autor i disa librave e i një mori studimesh e artikujsh, botuar në mjetet e komunikimit të Kishë katolike si dhe në shtypin e kohës, posaçërisht në gazetën “Shqiptarja”. R. SH. – Vatikan
Bashkësia katolike e Shkodrës përcolli në banesën e fundme Kolec Çefën, që u rikthye përgjithnjë nga Tirana, në vendlindje. Pranë familjarëve, në Varrezën e Rrëmajit.
Vëlla i poetit të mirënjohur Anton Çefa, lindi në Shkodër, më 26 shkurt 1937, në një familje  katolike shkodrane, që banonte në lagjen Arra e Madhe.
Të dy vëllezërit ishin studentë të shkëlqyer, studiues dhe krijues të talentuar, por mbi të gjitha, njerëz të vërtetë, që zgjodhën rrugën më të vështirë: atë të heshtjes e të harresës.
Për të ruajtur më të kushtueshmen: dinjitetin. Në vitet e para pas ’90-ës pati fatin të jetonte kohët e “ringjalljes”, si sekretar e redaktor i veprave të imzot Zef Simonit, në kryeipeshkvinë katolike të Shkodrës. Ndërsa Antoni, autor i dy librave me poezi, “Dritarja e një britme” dhe “Heshtja ka tingull guri” nga shtëpia botuese Camaj-Pipa 2002 u largua nga Shkodra – në Amerikë e aktualisht (jo sepse e është dorëhequr para disa viteve, shënimi im K.K.), editor i Federatës Panshqiptare “VATRA” jeton e punon në New York (jeton në New Jersey prej shumë vitesh, shënimi im K.K.) me sytë, mendjen e zemrën nga oqeani e deti… Koleci u nis për në Tiranë! Një pendë më pak për Shkodrën e pendave të arta!
Koleci u lidh që fëmijë me klerin katolik, lidhje që nuk e shkëputi as në vitet e zeza të persekutimit. Mësimet e para i kreu në shkollën 7-vjeçare që e kishte fare pranë shtëpisë, për t’i vijuar në atë pedagogjike. Si e pati kryer me rezultate shumë të mira, nisi të endet nga katundi në katund, si mësues kryesisht i lëndëve humanitare. Ishte kalvari i “të prekunve”. E në rrugën e Kalvarit shtegtonte edhe gjatë studimeve me korrespondencë pranë Institutit Pedagogjik në Shkodër. Kur u hapën rishtas dyert e  kishave katolike, ishte i pari që, duke dalë nga klandestiniteti, u vu menjëherë në shërbim të Kishës.
Puna e gjatë përkrah imzot Zef Simonit, si sekretar i tij në argjipeshkvinë e Shkodrës, i krijoi mundësitë të shfletonte e të studionte dokumente të panjohura, të shpëtuara prej arkivave kishtare.
Luajti një rol të dorës së parë në botimin e librit “Martirizimi i Kishës Katolike, 1944-1990”, Shkodër, 93, ku përfshihet edhe portreti i dom Ndre Zadejës, fryt i pendës së tij. Mori në dorë, si redaktor, një pjesë të mirë të veprave të meshtarëve, botuar gjatë këtyre viteve. Posaçërisht, veprat e at Donat Kurtit.
Nuk e shkëputi kurrë lidhjen me Kishën, nisur që herët në përpjekjen për të mbledhur iskrat e mbetura pa botuar nga autorët më në zë të saj, duke u lidhur sidomos me atë Viktor Volajn, redaktorin e veprave të Fishtës, sepse e adhuronte Fishtën. Ndaj Atij ia kushtoi edhe librin e titulluar: “Nëpër gjurmët e Fishtës” (Shtëpia Botuese Françeskane, Shkodër, 2003).
Me botimet e shumta kushtuar kryeveprave të klerit katolik, u bë sakaq penda më e njohur në lëmin e studimit të autorëve të ndaluar gjatë 50-vjetëve të regjimit komunist. Nuk ia përtoi të hyjë edhe në polemika, ndërsa vijon sulmi kundër trashëgimisë së tyre letrare.
Botoi një vepër edhe për Luigj Gurakuqin, titulluar “Luigj Gurakuqi në një optikë të re”. Shkrimet e tjera, që mbetën të përhapura në revista e gazeta, mund të përmblidhen në një libër shumëfaqesh.
Që të mos harrohet kurrë kontributi i tij dhënë Kishës Katolike e asaj kulture për të cilën krenohet Shkodra, ku penda të reja të talentuara ecin në gjurmët e pashlyera.”

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.