back to top
0.5 C
Tirana
E martë, 17 Dhjetor, 2024

Një Romë e Shumfishtë Dhjetori nga Rezart Palluqi

Gazeta

"193 Gabbie" Autori & Botuesi
“193 Gabbie” Autori & Botuesi

Një Romë e Shumfishtë Dhjetori

nga Rezart Palluqi

Përshtypje mbi Romën dhe promovimin e “193 kafazëve”

Duket sikur Romën, ashtu si Stambollin më vonë, Zoti e vizatoi mbi 7 shtatë kodra. Kjo ishte përshtypja e parë që krijova gjatë mbrritjes sime të parë në Romë, por edhe në Itali. Roma e lashtë rrezaton magji sa verbuese aq edhe barbare. Luksi i rrëmbyer i Perandorëve romakë është derdhur kudo, veçse koha dhe luftrat i kanë copëtuar ato, si Pompeun e shumë tempuj të tjerë. Prej majave të kodrave tempujt e tyre demonstrojnë frikën e tyre për të mos vdekur; duket sikur ta bëjnë me dorë për të thithur përjetësisht vëmendjen njerëzore. Koloseu qëndron në këmbë si një kraharor i ndarë më dysh. Në të njëjtat rrugë ku dikur kalëronin perandorë, sot gëlojnë si gurë të çoroditur e të magjepsur mijëra turistë me kamerat e tyre që nuk ngopen së fotografuari. Sferën luftarake duket sikur përpiqen ta ngjallin sadopak ushtarët me automatikët e ngritur gjysëm lart drejt turmës paqësore. Përse patrullojnë ata këtu? Për të ruajtur hijet metafizike të Perandorëve romakë apo turmën që dikur quhej një det me skllevër? – këto pyetje të verbëra poetike më gëlonin në kokë sa herë ua krihja fytyrat e tyre të shqetësuara dhe serioze. Sidoqoftë madhështia e Perandorisë Romake është shpalosur dhe ngjeshur në një sipërfaqe të vogël, krejt ndryshe nga pallatet mbretërorë në Paris. Pasuria arkitekturore është e pallogaritshme. Sa e sa arkitektë dhe skulptorë kanë lënë mbrapa gjurmët e tyre. Njëri kish kënaqur shijet e Perandorëve, të tjerë ato të Kishës, të gjithë sipas kronologjisë histborike, ishin përpjekur ta minimizonin vdekjen e tyre nëpërmjet lloj-lloj pallatesh, kullash gjigante. Vdekja me siguri, edhe sot qesh, teksa sheh tempujt e tyre të stërmëdhenj. Me siguri që atëherë ajo ndjehet superiore teksa përfytyron ankthin e padukshëm të “pavdekshmërisë” së burrave të pushtetshëm…
Në disa lagje ndeshje  pallate që përkonin mjaft me arkitekturën e ndërtesave të realizuara gjatë kohës së mbretit Zog.
Sidoqoftë nëse Perandorët romakë dje e sillnin lajmin e triumfit në Romë, sot janë miliona turistët ata që e bënin këtë me kureshtinë dhe shumat e majme që shpenzonin gjatë qëndrimit të tyre në Romë.

Colosseu dhe shkrimtari Palluqi
Colosseu dhe shkrimtari Palluqi

Ndërsa Roma fare pak larg qendrës ishte blozë. Infrastuktura, më keq se ajo shqiptare, rrugë të shkatërruara, pallate të shëmtuar, bareve, Roma të mahnit dhe të befason. Espreson duhet ta pish si qen, shpejt, përndryshe barmani vigjilent dhe duarshkathët ta përlan filxhanin. Megjithatë espreso italiane, është një poezi në vetvete: plot esencë, kajmak dhe shije të fortë, dhe jo si kafeja  filtër, që jam mësuar të pi në Holandë, ku edhe 3 filxhanë të mëdhenj nuk më ngopin. Kafeja espresso italiane është e paktë në sasi, dhe e fortë në shije, pak a shumë si italianët: të vegjël me trup por me mendje të mprehtë, të shkathët dhe energjikë.
“Sikur të mësonim edhe ne shqiptarët ta pinim kafenë në këmbë, si italianët, dhe jo të kapardisemi me orë të tëra sa në një kafe në tjetrën, sa mirë do të qe!”- mërmërisja në çaste të tilla.

Në Romën e Colosseut - kolonave dhe selvive
Në Romën e Colosseut – kolonave dhe selvive

Italianët m’u dukën një popull i butë, paqësor dhe mjaft elegant. Këtë e reflekton edhe muzika e tyre. E butë, e lehtë, sensacionale. Teksa e dëgjoja thosha: ja pse ushtarët italianë nuk janë dalluar në beteja e luftra. Kjo muzikë prodhon më shumë dashnorë se luftëtarë betejash të përgjakshme. E mbas pak thumboja vehten. Po oficerët italianë që janë dalluar në luftë, pse nuk janë ndikuar nga butësia dhe romantizmi i muzikës italiane?

O Zot, sa shije ka ky popull për t’u veshur. Çfarë elegance në të ecur, veshur dhe në kuzhinë aristokrate. Arkitektët romakë nuk vdiqën. Jo! Ata thjesht u bënë rrobaqepës.
Sa e sa herë thashë: sa afër që të kemi moj Itali, e megjithatë prej teje kopjuam vetëm gjërat e tua të këqija, kurse anët e tua të mira, i refuzuam 3000 vjet!!
Italianët janë soladirizuar me kaosin publik. Më qëlloi jo pak herë të udhëtoj në një autobus dinga me pasagjerë, kryesisht italianë. Edhe pse qëndronin pothuajse me trupet e puthitur, askush prej tyre nuk ankohej. Përkundrazi, bisedat e tyre ngjanin me pjesë muzikore të një kënge. Turma italiane nuk e humb kollaj sensin e humorit dhe humanizmit. Ndërsa holandezët në një autobus plot e përplot do të ankoheshin, shtrembëronin fytyrat dhe akuzonin menaxherët e firmës së autobuzëve publikë. Shkurt, italianët, ky popull trupshkurtër, e reflekton disiplinën e tij krejt ndryshe.
Nuk më shpëtoi edhe muzikaliteti i gjuhës italiane. U mahnita, teksa e dëgjoja në aeroport një baba italian të lëvdojë fëminë e tij, i cili vraponte duke e ruajtur për mrekulli baraspeshën trupore. Italianët edhe kur flasin, duket sikur këndojnë. “Bravo-bravissimo”- oh sa ëmbël që vinte zëri i babait krenar për fëminë e tij të shkathët!
Italianët dinë si rrallë popujt të tjerë të shprehin ndjenjat, kënaqësinë e tyre, pa u bërë qesharakë. Qielli i ka bekuar ata me një fyt të atillë që çdo grimcë zëri tingëllon ëmbël, shumë ëmbël.

Romë 2016 - Agron Gashi, Rezart palluqi, Gëzim Hajdari, Adil Olluri
Romë 2016 – Agron Gashi, Rezart Palluqi, Gëzim Hajdari, Adil Olluri

Mbas ditës së parë po afronte momenti i madh. Dhe ja tek erdhi çasti i shumëpritur. Po afronte ora tre e mbasdites, kur edhe do të promovoheshin tre autorë shqiptarë. Romani im, “193 kafazet”, romani i Agron Gashit, “Talianka” dhe libri me tregime i Adil Ollurit, “Panairi i ëndrrave”  që të tre të përkthyer prej përkthyeses, Iris Hajdari. Prezantimi i librave u bë në sallën e Kongreseve, një ndërtesë si dhe shumë të tjera përreth, e ndërtuar prej Duçes. Ishte një koinçidencë ironike kjo. Sepse “193 kafazet” është ndër të tjera një roman ndaj diktaturës komuniste, por që mund të shërbejë edhe si një shuplakë ndaj fashizmit dhe çdo lloj sistemi tjetër totalitar.
Me të hyrë në ambjentet e panairit, shihej fryma e barazisë. Të gjitha stendat e botuesve, gjithsej 480, ishin njëlloj. Edhe sipërfaqja e tyre ishte e barabartë. Krejt ndryshe nga Panairi i Tiranës ku botuesit, qofshin këta të vegjël apo mesatarë, zënë vendet kryesore, që zakonisht e kanë dyllë me qeverinë.  “Ky është një panair i intimitetit” – e quajti me të drejtë, Pëllumb Zekthi, botuesi romanit tim të katërt, “Shtëpia me dy çati”. 480 stendat e botuesve ishin vendosur në vijë të drejtë dhe kategorizuar me shkronjat e alfabetit dhe numra përkatës. Një det me  libra, kanalizuar me koridore të ngushtë dhe të drejtë. Magji e vërtetë. Ne ishim Q12.

Autori Rezart Palluqi dhe përkthyesja e "193 Gabbie" - Iris Hajdari
Autori Rezart Palluqi dhe përkthyesja e “193 Gabbie” – Iris Hajdari

Për fat të mirë, promovimi shkoi mirë. Shqiptarë të panjohur në sallë nuk pati. Uroj të ketë qenë puna dhe pamundësia dhe jo smira se do të ishte një trishtim i madh. I sigurt jam se të tjerë i janë bindur Tiranës Monogame Letrare, që zakonisht promovon vetëm shkrimtarët e saj oborrtarë
Sidoqoftë libri u promovua ashtu siç e meritoi. Kritiku letrar Massimo Castiglione foli gjerësisht për romanin, pa iu dashur t’i mbajë sytë të ngulur në letër, siç ndodh shpesh me kritikët letrarë shqiptarë. Nga salla nuk mungoi as interesimi dhe as pyetjet interesante.
Botuesi Matteo Chiavarone, një djalë punëtor dhe shumë modest, kish bërë të pamundurën që librat tanë të promovoheshin gjatë panairit të madh në Romë. Gjatë promovimit, poeti tashmë i njohur në Itali, Gëzim Hajdari shprehu vlerësimin e tij për “193 kafazet”.
Mbas promovimit isha i ftuar në një intervistë për gazetën Il Manifesto.  

Rome 8 dhjetor 2016 - Palluqi, Olluri, Aishe e Agron Gashi, Iris e Gezim Hajdari, Radi
Rome 8 dhjetor 2016 –
Palluqi, Olluri, Aishe e Agron Gashi, Iris e Gezim Hajdari, Radi

Në vazhdim pasuan dy promovime të tjera shqiptare. Ai i romanit të Agron Gashit, “Talianka” dhe i tregimeve të Adil Ollurit, “Panairi i ëndrrave”. Letërsia kosovare, e  zhytur në një izolim shekullor, e pati nevojë këtë frymëmarrje evropiane. E gjitha kjo, falë ndërmjetësimit të poetit Gëzim Hajdari, por edhe punës dhe mundimit të përkthyeses së këtyre tre librave, zonjës Iris Hajdari. Që të dy autorët, edhe pse trajtojnë në librat e tyre luftërat e shekullit njëzet, duke përfshirë edhe luftën serbe në Kosovë, gjatë promovimit demonstruan një pjekuri dhe përmbajtje intelektuale, çka i ra në sy edhe audiencës italiane, që nuk ngurroi ta vlerësojë atë me entuziazëm.
-Vërtetë përgëzimet e mia. Sepse ju ndryshe nga autorët serbë, nuk ratë në kurthin nacionalist ballkanik, por përkrahët paqen ndërfqinjësore – kështu reagoi nga salla një burrë i moshës së mesme, italian.
Jozef Radi, një ndër shqiptarët e parë që e zbuloi dhe vlerësoi në maksimum “193 kafazët”, madje edhe ndërmjetësoi me Gëzim Hajdarin, që libri të botohej në Romë, udhëtoi 300 kilometra për të qenë i pranishëm në promovim. Ai na tregoi, për aq sa kohë qe e mundur, një pjesë të Romës.
Më vonë, qe mikja jonë, studiuesja e skrupoloze dhe modeste, Blerina Suta që na shoqëroi nëpër Romën artistike, atë faqe të Romës që shpesh turistëve të ngutshëm u shpëton. Në mbrëmje dhe të nesërmen, Blerina na mirëpriti në shtëpinë e saj, ku përveç darkave të shijshme, bëmë edhe biseda intelektuale së bashku me bashkëshortin e saj të mrekullueshëm dhe tejet racional, Paolo.

Jozef Radi & Rezart Palluqi
Jozef Radi & Rezart Palluqi

Teksa i ktheja shpinën Romës, bëra një uratë. Që shembullin e Gëzim Hajdarit ta ndjekin edhe shkrimtarët e tjerë të mirënjohur, për t’i hapur rrugën përkthimeve dhe botimeve të veprave të tjera, të lëna në harresë, ose ato që mund të shkruhen në të ardhmen. Dhe kjo të bëhet pa e denigruar shkrimtarët e rinj, por duke u dhënë atyre kurajë dhe mjete promovuese.
Letërsia e vërtetë është një oqean ku ka hapësirë dhe ujë për të gjithë.

Në mbyllje, për mua gjëja më e bukur e udhëtimit në Romë, nuk ishte vetëm përkthimi dhe botimi i 193 kafazeve. Jo! Pjesa më magjike e gjithë këtyre përvojave ishte zmbrapsja e smirës së frikshme letrare shqiptare. Falë bashkëpunimit tonë të ndërmjetshëm, ndërshkrimtarësh, u realizua ky projekt ashtu siç duhej. Pa u bërë leva partiake, as bori propagandistike. Mbetem i sigurt se projekte të tillë do të realizohen edhe në të ardhmen e afërt. Dhe kjo më ngroh shumë. Sepse kështu do të krijohet një bërthamë shkrimtarësh të pavarur, aspak të politizuar dhe infektuar prej atij suksesit personal, që në fakt kësaj bote i bën më shumë dëm se mirë. Dhe të gjitha këto, ndodhën në kryeqytetin e madh evropian, Romën, sa grandioze aq edhe modeste në nji fillim dimri! Mendo si mund të jenë stinët e tjera!
Grazie Roma!
Amsterdam, dhjetor 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.