Një rrëfim janari për “Zonjën Emblemë”*
nga Arjeta Kokalari
Ishte një ditë e ftohtë janari, saktësisht 17 janar 1991, kur Hektor Kokalari me të birin Vesim, u paraqitën në zyrat administrative të Rrëshenit, për të kërkuar tërheqjen e eshtrave të hallës Musine Kokalari. Me siguri, ndërsa bënin ecjejake në qytetin verior, kujtime që nisnin që nga fëmijëria e hershme pushtonin Hektorin, së bashku me brengën e ndarjes për së gjalli me hallën e dashur.
Pasi morën lejen, me vështirësi gjetën dy punëtorë të cilët filluan të gërmonin tokën e ngrirë, mes sqollës së dëborës. Ja më në fund, kazmat takuan kapakun e arkivolit të drunjtë dhe brenda tij u dukën eshtrat e brishta dhe Hektori njohu mbetjet e palltos së saj. Ndërsa Vesimi shkoi të gjente një makinë, Hektori mbeti aty, tek varri i hapur, ku dy punëtorët po mblidhnin mbetjet e asaj që kishte qenë “zonja emblemë” për kulturën, guximin, qëndresën dhe emancipimin e qytetit të Rrëshenit. E ndërsa punëtorët po transferonin eshtrat në kutinë e përgatitur për këtë rast, Hektori u shokua…
.
Ai pa se duart e Musinesë ishin të lidhura me një tel të sertë. U mundua me fuqitë e prera nga emocionet dhe dhimbja, që me duart e ngrira nga të ftohtët ta zgjidhte atë tel e ta lironte hallën e tij nga burgosja e pasvdekjes, por nuk ia arriti. Teli ishte më i fortë se mundësia e tij, ndërsa punëtorët e nxisnin të nxitonte, sepse atë ditë ishte paralajmëruar një miting i PD-së në qytet, dhe parashikoheshin trazira, kështuqë i dorëzuar, Hektori pranoi t’i mbyllnin eshtrat së bashku me telin dhe me makinën që kishte gjetur Vesimi u nisën drejt Tiranës. Po atë ditë eshtrat e të ndjerës Musine Kokalari u rehatuan pranë familjarëve të saj më të dashur; babait, nënës dhe vëllezërve të pushkatuar nga forcat e “Mbrojtjes Popullore” në birucat e Bristolit në Masakrën e 12 nëntorit 1944…
Një jetë tokësore e kaluar në vetmi gjeti më në fund prehjen me njerëzit e dashur në jetën e amëshuar…
Marrë nga muri i Muzeu Kokalari, 17 janar 2019
.
*Titulli i shkrimit i vendosur nga Radiandradi.com
.