back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Një rrugë e vështirë, për çdo intelektual të mirfilltë… nga Natasha Pustina

Gazeta

Lazër Radi - “Vorbulla të Jetës Universitare” - Roma
Lazër Radi – “Vorbulla t’Jetës Universitare” – Roma

Një rrugë e vështirë, për çdo intelektual të mirfilltë…

nga Natasha Pustina

refleksione veprën e Lazër Radit “Vorbulla t’jetes universitare”

Natasha Pustina
Natasha Pustina

Sapo mbarova së lexuari veprën e Lazër Radit, “Vorbulla t’jetes universitare”, pjesë e Trilogjisë së tij të jetës!
Jo më kot zgjodha këtë libër, mes shumë veprave të tij, për të njohur më mirë të riun intelektual shqiptar te viteve ’30-’40, që në mënyra të ndryshme përpjekjesh, arriti të shkollohej jashtë shtetit, megjithëse i mungonin mundësitë materiale, për të kryer studimet.
Falë karakterit të tij serioz, ndershmërisë, mirënjohjes, e sidomos talentit dhe punës së palodhur, ai arriti të binte në sy të njerëzve të rëndësishëm që drejtonin të ardhmen dhe zhvillimin e vendit. Këta i siguruan të ardhurat, për të kryer studimet jashtë vendit, duke u kujdesur edhe për t’i plotësuar gjithë kërkesat e nevojshme jetësore të një studenti.
Lazër Radi, më mirësi dhe vendosmëri, iu betua vetes dhe familjes se tij, se do të kthehej në Shqipëri, një intelektual i kompletuar me gjithë dijet në degën e drejtësisë, por edhe si një njohës i jetës romane, i veprave të artit, historisë dhe letërsisë, për të qenë i dobishëm në të ardhmen.
Libri i tij, “Vorbulla t’jetës universitare”, hyn natyrshëm në lëvizjet shoqërore dhe fenomenet e zhvillimit historik të atyre viteve, si në Shqipëri edhe në Romë, parë gjithnjë me syrin e një të riu studjues dhe skrupoloz, ku qëllimet e tij ishin: të përfundonte studimet shkëlqyeshëm dhe në kohë sa më të shkurtër, për t’u bërë një specialist i zoti dhe i kërkuar, që ta mbështeste familjen e tij të varfër,
– të njihte nga afër gjithë veprat e antikitetit romak dhe artin italian,
– të krijonte lidhje shoqërore me shtresat e njohura intelektuale shqiptaro-italiane të asaj periudhe dhe të njihte filozofinë e rrymave e të lëvizjeve historike të kohës, por pa u futur në vorbullat e tyre.
Ai dëshironte ta shijonte jetën dhe lirinë rinore, që i lejonte natyra studentore, në një vend të zhvilluar dhe emancipuar, duke treguar natyrshëm, se vet, me atë karakterin paqësor dhe të ndershëm, ishte pak i tërhequr dhe konservator, pasojë e ardhjes nga një vend i prapambetur, siç ishte Shqipëria e atyre viteve.
Kishte ëndërr të njihte dhe vizitonte çdo cep të qytetit të Romës, me gjithë mrekullitë e saj.
Pasi përshkruan fillimisht gjithë përpjekjet që bënë intelektualët shpiptarë, pjesë e të cilëve ishte edhe Lazri, për njohjen dhe pasqyrimin gazetaresk të fenomeneve historike në Shqipërine e asaj kohe, ai futet me kuriozitet dhe endje të madhe në jetën romane, falë miqësisë me vajzën e re, gjimnazisten simpatike, Fatima.
Dijet dhe mençuria e saj, e bënë autorin, të njihet me vlerat e antikitetit romak, arkitekturën dhe muzetë e artit klasik e modern, e mbi të gjitha me mënyrën e lirshme dhe të vërtetë, të sjelljes së femrave romane.
Vajzë, e rritur në një familje të shtresës së mesme, edukuar me ide socialiste nga i ati dhe fetare nga nëna, megjithse shumë e re, ruante personalitetin e saj dhe shprehte lirshëm dëshirat, duke krijuar antitezë me vajzat, thuajse të mbyllura shqiptare.
Lazri vuri re që vajza njihte mirë jo vetëm letërsinë dhe artin italian, por edhe filozofinë e kohës dhe kapte thuajse në ajër çdo të re për veshët e saj.
Miqsinë e lidhjen me të, shkrimtari e paraqit në mënyrën më poetike.
Njohja me nënën e Fatimës i bëri përshtypje të madhe Lazrit të ri. Ajo, megjithse kishte mbaruar vetëm shkollën e mesme, zotëronte një kulturë të thellë kristiane, por aspak fanatike, e influencuar edhe nga idetë sociale të të shoqit, një socialist i përkushtuar në gazetari, ndikimi nuk ishte aq bindes sa ta bënte zonjën Kornelia, kështu quhej nëna e Fatimës, të besonte në socializmin marksist.
-Ka dy vjet që Stalini po dënon me vdekje bijtë më të mirë të revolucionit, si dikur në Francë, ku revolucioni hëngri pa dhimbje, bijtë e tij më të mirë, tha zonja Kornelia.
-Në çdo regjim diktature është shumë e lehtë të akuzosh dhe dënosh njerëzit, dhe ata të pranojne faje që nuk i kane kryer.”
Ajo nuk ishte as fashiste, as komuniste. Bindjet e saj kishin marrë formën e një socializmi fetar.
Ajo grua kishte besim tek njerëzit e mirë dhe ajo e priti Lazrin si mik në shtëpinë e saj, pa gjykuar bindjet e tij politike e shoqërore.
Në libër shihet qartë, që për asnje çast Lazri nuk la mënjanë detyrën për të cilën ishte në Romë.
Vazhdimisht kryente provimet me nota të shkëlqyera dhe së fundi arriti të shlyente gjithë detyrat deri në vitin e katërt, duke mbrojtur edhe dipllomën me shumë suksese, me temën: “Doket zakonore, si prodhim i popullit shqiptar.”
Ideja ishte që një popull i izoluar, i pa organizuar dhe pa shtet të konsoliduar është i detyruar të krijojë rregulla dhe ligje lokale, për rregullimin e jetës në komunitet. Kështu kish lindur edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, nëpërmjet të cilit rregullohej një vendim-marrje nga vetë populli.
Mbi bazë të Besës, Nderit dhe Burrërisë, qëndronte shtylla e moralit dhe filozofia e organizimit të jetës së përbashkët.
Lazer Radi, studjoi dhe analizoi në temën e dipllomës gjithë materialet që kishte siguruar, pëer çeshtje të ndryshme të shtrira në kohë dhe kishin në themel të tyre Kanunin e Lekë Dukagjinit.
Tema pati sukses të plotë dhe ai u vlerësua maksimalisht si doktor në drejtësi!
Pati edhe disa propozime nga profesore të ndryshëm, për ta mbajtur si asistent te tyre, por ai i pati vënë detyrë vetes të kthehej në Shqipëri, për të dhënë ndihmën e tij për shtetin shqiptar dhe t’i vinte shpatullat familjes që mezi po e priste.
Një përshkrim të plotë, ndjesor dhe artistik, bën autori për ndarjen nga qyteti i tij i dashur Roma, të cilën e kishte adhuruar dhe do ta dashuronte për tërë jetën, por do t’i duheshin edhe 50 vjet të tjera, që mund ta shihte përsëri.
Me kthimin në Shqipëri, autori bën një paraqitje të hollësishme të kaosit që kishte pllakosur dhe të grupimeve të ndryshme politike që luftonin me njëra-tjetrën.
U mundua të qëndrojë larg këtyre rrëmujave, por që në fillim e parandjeu se do të kishte probleme madhore, që nuk vonuan të dilnin, me ardhjen në fuqi të komunistëve, të cilët ia shkatërruan gjithë ëndrrat dhe qëllimet që i kishte vënë detyrë vehtes për ta mbrojtur familjen dhe t’i siguronte asaj një të ardhme të qetë.
Me një gjuhë të pasur, të pastër e të përpunuar në gegnisht po edhe shumë qytetare, Lazër Radi, shpalos në gjithe kujtimet e tij, një të vërtetë historike, një rrugë të vështirë, në të cilën ka kaluar çdo intelektual i mirfilltë, duke rënë prè e asaj autokolone drumepre, zbritur nga labëria dhe malësitë fshatare, që asfiksoi gjithë vendin.
Libri më pëlqeu shumë.
Faleminderit Jozef Radi, që e ke mundësuar botimin e tij.
15 prill 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.