back to top
3.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Një shaka e vogël – tregim nga Anton P. Çehov

Gazeta

Anton Çehov (1860-1904)
Anton Çehov (1860-1904)

Një shaka e vogël

tregin nga Anton P. Çehov

Nga mjeshtrat e mëdhenj të tregimit

Mesditë e kthjellët dimri… Ngrica e ashpër, kërcet dhe Nadjenkës së mbështetur pas krahut tim, ia vesh një pah i argjendtë bryme kaçurrelat në tëmtha dhe pushin e buzës së sipërme. Qëndrojmë mbi një majëmal të lartë. Prej këmbëve tona e deri rrëzë fushës zgjatet pjerrina e lëmuar, në të cilën dielli shihet si në pasqyrë.
Ndanë nesh, sajat e vogla janë të veshura me një shajak të kuq e të ndezur.
-Lëshohemi poshtë, Nadjezhda Petrovna! – i lutem unë. – Vetëm një herë!
Ju lutem, do t’ia dalim shëndoshë e pa gjëmb në këmbë.
Por Nadjenka ka frikë. Gjithë hapësira, nga galloshet e saj të vogla e deri në fund të malit të ngrirë, i duket e tmerrshme, një humnerë e thellë e pamatë. Asaj i ngrin zemra dhe i ndalet fryma kur sheh poshtë, sapo i propozoj të ulemi në sajë. Se, çfarë do të ngjasë nëse ndodh të fluturojë në greminë! Do të vdesë, të luajë menç.
-Ju përgjërohem! – i them, – Mos kini frikë! Kuptojeni pra, është dobësi frika!
Më në fund Nadjenka pranon, dhe unë e dalloj në fytyrë, që ajo i lëshon pe rrezikut për jetën. E ndihmoj të ulet në sajë; të zbehtë, drithëruese, e mbërthej me duar dhe lëshohemi bashkë fluturim në humnerë.
Saja fluturon kokërr plumbi. Ajri i çarë rreh në fytyrë, ulëret, fishkëllen ndër veshë, ulëret, pickon hidhur nga tërbimi, kërkon të shkulë kokën nga supet. Nga frushullimi i erës s’kemi fuqi të marrim frymë. Duket sikur vetë djalli na ka mbërthyer me panxhat e tij dhe gjithë piskamë po na tërheq në ferr. Objektet që na rrethojnë shkrihen gjithë e më fort në një fashë të gjatë vraparake… hë-hë dhe një grimëçast, dhe duket se do të vdesim!
-Unë ju dashuroj, Nadja! – i them me gjysmë zëri.
Saja nis të rrëshqasë gjithë qetë e më qetë, ulërima e erës dhe zhuzhima e patinave të sajës tash nuk janë aq të tmerrshme, frymëmarrja nis të çlirohet, dhe në më në fund kemi mbërritur poshtë. Ajo është e zbehtë, mezi merr frymë… I ndihmoj të ngrihet.
-Herë tjetër s’do ta bëj më kurrë, – thotë ajo, duke më parë me sytë e gjerë, të mbushur me tmerr. – Për asgjë në botë! Për pak sa s’vdiqa!
Pas një grimëkohe ajo vjen në vete dhe më sheh në sy në mënyrë pyetëse: unë ia thashë ato katër fjalë, apo e gënjyen veshët në shkulmin e erës? Ndërkaq qëndroj përbri me të, pi një cigare dhe kundroj me vëmendje dorashkën.
Ajo mbështetet në krahun tim dhe shëtisim për një kohë të gjatë rrëzë malit. Enigma, si duket, nuk e lë të qetë. A qenë thënë vallë ato fjalë apo jo? Po apo jo? Po apo jo? Kjo është një çështje sedre, nderi, jete, lumturie, një çështje shumë e rëndësishme, më e rëndësishmja në botë. Prajshëm, trishtueshëm, me një vështrim depërtues Nadjenka më vështron në fytyrë, përgjigjet kuturu, pret në do të flasë unë apo jo. O, se çfarë loje në këtë fytyrëz të ëmbël, çfarë loje! E shoh, ajo po grindet me veten, ka nevojë të thotë diçka, të pyesë për diçka, por nuk i gjen dot fjalët, i vjen rëndë, tmerr, gëzimi e trazon…
– A e di çfarë? – thatë ajo, pa më parë fare.
-Çfarë? – e pyes.
-Hajde dhe një herë… rrëshqasim.
I ngjitemi malit nëpër shkallare. Sërish e vë në sajë të zbehtën, drithëruesen Nadjenkë, sërish fluturojmë në greminën e tmerrshme, sërish ulërin era dhe zhuzhijnë patinat, dhe sërish në pikun e skëterrshëm të fluturimit të sajës i them me gjysmë zëri.
-Unë ju dashuroj, Nadjenka!
Kur saja ndalon, Nadjenka e mat me sy shpatin, nëpër të cilin sapo rrëshqitëm, mandej gjatë ajo më këqyrën në fytyrë, përqendrohet në zërin tim, shpërfillës e të papasion, dhe gjithçka, gjithçka, madje manshoni dhe kapuçi i saj, gjithë figurëza e saj shprehin një ndërdyshje të madhe. Në fytyrën e saj është shkruar:
“Ç’është kjo punë kështu? Kush i shqiptoi ato fjalë? Ai, apo më kanë bërë veshët mua?”
Kjo mosditje e shqetëson, ia sos durimin. Vajza e gjorë nuk përgjigjet, rri e ngrysur, e gatshme t’ia shpërthejë të qarit.
– A s’bën të shkojmë në shtëpi? – e pyes.
-Po mua… mua më pëlqen kjo rrëshqitje, – thotë ajo, duke u skuqur. – A s’e provojmë edhe një herë tjetër?
Asaj i “pëlqen” kjo rrëshqitje, po ndërkaq, teksa ulet në sajë, ajo, ashtu si dhe herët e tjera, është e zbehtë, mezi merr frymë nga frika, dridhet.
Ne lëshohemi për të tretën herë, dhe shoh se si ma kundron fytyrën, si vigjëlon buzët e mia. Por unë në buzë vë shaminë, kollitem dhe, kur mbërrijmë mesin e shpatinës së malit, ia dal të pëshpëris:
-Unë ju dashuroj, Nadja!
Dhe enigma mbetet enigmë! Nadjenka hesht, mendon për diçka… Unë e përcjell në shtëpi, ajo përpiqet të ecë pa zhurmë, ngadalëson hapat dhe vetëm pret, në do t’ia them vallë ato fjalë. E shoh se si vuan shpirti i saj, se si përmbahet me zor, të mos thotë:
-Nuk ka mundësi që ato fjalë t’i ketë thënë era! Dhe nuk dua, që t’i ketë thënë era!
Mëngjesin e ditës tjetër marr një pusullë: “Nëse do të shkoni sot të rrëshqisni me sajë, merrmëni dhe mua. N.” Që prej kësaj ditë unë me Nadjenkën shkojmë të rrëshqasim me sajë dhe, duke fluturuar poshtë, çdo herë i pëshpëris me gjysëm zëri të njëjtat fjalë:
-Unë ju dashuroj, Nadja!
Shumë shpejt Nadjenka do të mësohet me këtë frazë, si me verën apo morfinën. Ajo nuk mund të jetojë pa to. Njëmend, fluturimi në shpatin e malit është i tmerrshëm, si më parë, por tmerri dhe rreziku tashmë u japin një magji të veçantë fjalëve për dashurinë, fjalëve, të cilat si më parë përbëjnë enigmën dhe mundojnë shpirtin. Të dyshuarit janë dy, si më parë: unë dhe era… Se cili prej të dyve ia shpreh dashurinë, ajo nuk e di, por si duket, për të s’ka rëndësi; nga cilado enë të pish, e rëndësishme është të jesh i pirë.
Njëherë, një mesditë, shkova i vetëm të rrëshqas me sajë; i përzier me turmën, shoh se si në majë po ngjitej Nadjanka, se si më kërkonte me sy… Mandej pashë me sa droje i ngjiste shkallët… E tmerrshme të vish vetëm. O, sa e tmerrshme! Ajo është e zbehtë, si dëbora, dridhet, mu sikur po shkon ta ekzekutojnë, por ecën, ecën, pa i hedhur sytë kund, vendosmërisht. Ajo, dukej haptazi, kishte vendosur, më së mbrami, të provojë: a do të ndihen vallë ato fjalë të ëmbla e të mrekullueshme, kur unë nuk do të jem me të? E shoh se si ajo, e zbehtë, me gojën e hapur nga tmerri, ulet në sajë, mbyll sytë dhe, duke i dhënë lamtumirën e përjetshme tokës, niset… “Zhzhzh…” – zhuzhijnë patinat. Po a do t’i dëgjojë a s’do t’i dëgjojë ato fjalë Nadjenka, unë nuk e di… Unë shoh se si ngrihet ajo nga saja, e raskapitur, e dobët. Dhe duket nga fytyra, as ajo vetë nuk e di, në ka dëgjuar gjë apo jo. Tmerri, ndërkohë që rrëshqiste poshtë ia hoqi mundësinë për të dëgjuar, për të dalluar tingujt, për të kuptuar…
Por ja që hyri muaji pranveror i marsit… Dielli bëhet më ledhatar.
Mali ynë i akullt bëhet i errët, e humb shkëlqimin e tij dhe më së mbrami shkrin. Ne nuk rrëshqasim më. Nadjenka e gjorë s’ka më ku t’i dëgjojë ato fjalë, por s’ka as se kush t’ia thotë, për shkak se era nuk dëgjohet më, ndërsa unë gatitem për në Petërburg, gjatë, e ndoshta përgjithmonë.
Se si njëherë, dy ditë para largimit, po rrija një buzëmuzgu në kopsht, ndërsa nga oborri ku banon Nadjenka, kopështi ndahej me një gardh të lartë, të farkuar me gozhdë… Është ende ftohtë, bora ende nuk ka shkrirë, pemët janë të vdekura, por tashmë pranvera kundërmon dhe, duke sajuar vendet e fjetjes, këlthasin zhurmshëm mëllenjat. I afrohem gardhit dhe shoh për një kohë të gjatë përmes të çarave të tij. Shoh se si Nadjenka del në tremé dhe ngre në qiell vështrimin e saj të brengosur e të pikëlluar… Era pranverore fryn drejt në fytyrën e saj të zbehtë, të trishtuar… Kjo erë i kujton një tjetër erë, e cila na ulërinte atëherë në mal, kur ajo dëgjonte ato katër fjalë, dhe fytyra e saj bëhet e pikëllimtë, e pikëllimtë, nëpër faqe i shket një kokrrith loti… Dhe vajza e gjorë shtrin të dyja duart, mu sikur t’i kërkojë kësaj ere t’ia sjellë rishmi ato fjalë. Dhe unë, duke pritur gjersa të fyjër një shkulm ere, thërras me gjysmë zëri:
-Unë ju dashuroj, Nadja!
O Zoti im, ç’bëhet kështu me Nadjenkën! Ajo bërtet e habitur, buzëqesh me krejt fytyrën dhe ia shtrin krahët erës, e gëzuar e kaq e bukur.
Ndërsa unë shkoj të shtrihem në gjumë…
Kjo ka ngjarë qëmoti. Tani Nadjenka është martuar; e dhanë apo e zgjodhi vetë – pak rëndësi ka; u martua me një sekretar tutele për aristokratët, dhe tani ka tre fëmijë. Por kohën se si shkonim dikur bashkë për të rrëshqitur me sajë dhe se si era i sillte në veshë fjalët “Unë të dashuroj, Nadja!”, nuk janë harruar; për të tani ky është kujtimi më i lumtur, më prekës e më i bukur në jetë…
Ndërsa unë edhe tani kur jam bërë i shtyrë në moshë, prapë s’e kuptoj, përse ia thoja ato fjalë, përse tallesha…
.
Përktheu nga origjinali: Agron Tufa

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.