back to top
4.5 C
Tirana
E hënë, 16 Dhjetor, 2024

Një shkrim që nuk doja ta shkruaja kurrë! – nga Bedri Blloshmi

Gazeta

Bedri Blloshmi ne varrin e Haxhi Baçinoski
Bedri Blloshmi ne varrin e Haxhi Baçinoski

Një shkrim që nuk doja ta shkruaja kurrë!

nga Bedri Blloshmi

Duhet të ketë qënë fundi i vitit 1981, kohë kur terroristët komunistë vazhdonin të vrisnin shokët e tyre. E kishin vrarë kryeministrin. Në kamp të Spaçit policët ishin dyfishuar, egërsuar më shumë se zakonisht. Autoburgu vinte edhe dy herë në javë me të dënuar, kampi qe mbushur plot e s’kishte më vend për të dënuar të tjerë. Një pjesë flinin tek krevatet e turnit të tretë, një pjesë në ballkonin e godinës. Nëpër dhoma kishte shpërthyer morri e pislliku i madh megjithatë uria ishte më e keqja ndër të gjitha, shoqëruar kjo me presionin dhe terrorin në kamp.
Në një radhë kur erdhi autoburgu, midis të tjerëve zbriti një djalë i qethur zero, me pamje burrërore dhe me një trup të gjatë e muskuloz, dukej që ishte marrë me fiskulturë. Sapo u fut në kamp bashkë me të dënuar të tjerë u ulën të gjithë në disa stola përpara pallatit. Si gjithmonë kurioziteti më shtynte të merrja vesh nga ishin, sa ishin dënuar. Nga Librazhdi nuk kishte. T’i inkurajonin të mos mërziteshin dhe mos çanin kokë, Zoti na dhëntë shëndet e na ruajttë nga ndonjë rrezik në galeri. Në çdo radhë që vinin të dënuar së pari e afronin ata të burgosur të cilët ishin nga i njëjti rreth.
Ky djalosh, u bashkua me të dënuar nga rrethi i Fierit, po ashtu dhe të tjerët u bashkuan më ata të rretheve të tyre. Pas disa ditësh siç ishte zakon i burgut e ftova për kafe pasi dhe unë kisha shokë nga Fieri. Më pyeti i pari sa isha dënuar, si e kisha emrin. Akoma pa e pyetur më tha që kam qënë ushtar në Xhyrë (fshat në rrethin e Librazhdit), ika pa leje dhe me arrestuan. Zotëri, si quheni i them: “Haxhi Baçinoski m’u përgjigj, jam dënuar 10 vjet për agjitacion dhe propagandë. U munduan shumë hetuesit duke më torturuar për të më dënuar për agjenturë, por nuk ia arritën. Mos çaj kokë i them, vetëm ruaju në galeri se janë kushte të tmershme e megjithatë, të shkuara e mos u demoralizo!”
Koha kalonte më monotoninë e saj e një ditë prej ditësh na hodhën hekurat gati 100 të dënuarve e na transferuan në burgun e Qafë-Barit, nga një rreth në rethin tjetër të Ferrit. Gjatë kësaj kohe nuk kam parë kurrë Haxhiun të mërzitej me njëri, të shfaqë nervozizën apo të sillej pa edukatë. Ndodhi ajo që ndodhi në Qafë-Bari ku ky djalë u hodh në flakë krah shokëve dhe pse e dinte se do digjej. U ndamë 22 maj 1984, për t’u takuar përsëri në gusht të vitit 1985, në të njëjtin rreth të ferrit komunist, në Burrelin e tmerrshëm.
Fati na hodhi në një dhomë, akoma këmbën dhe krahun e thyer në revoltë nuk i kishte të shëruar. Kishte dhimbje po nuk ankohej, gjithmonë i qeshur për aq sa mund të jesh i qeshur në Burgun e Burrelit. Kurajoz i papërkulur, përballoi me dinjitet gjithë ato të këqija që i kishin rënë mbi shpinë babait të tij qysh në 1923, duke luftuar dhëmb për dhëmbë me serbin e humbur gjithë ata luftëtarë burra dhe gra me armikun shekullor. Për të shpëtuar ata që mbetën gjallë nga kthetrat e përbindëshit serb, mori rrugën e erdhi në tokën amë, u vendosën në qytetin e Fierit.
Këtu do të fillonte një tjetër persekutim më i keq se në Serbi. Terrori komunist i arreston babanë. Si gjithmonë akuza bajate, ke bërë agjenturë e je vënë në shërbim të serbit, duke e dënuar me 10 vjet burg për agjitacion dhe propagandë pasi nuk i provuan dot akuzën që dëshironin. Të përbashkët me Haxhiun unë kisha datën e lirimit, 29 mars 1991, me një ndryshim. Haxhiu me disa të tjerë ishte transferuar në burgun e Kosovës së Lushnjes, dy javë më parë ndërsa unë u lirova nga Burreli.
16 Mars 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.