back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një shpirt i madh rus… nga Klodi Stralla

Gazeta

Maksim Gorki (1868-1936)
Maksim Gorki (1868-1936)

Një shpirt i madh rus…

nga Klodi Stralla

Në përkujtim të Maksim Gorkit

Ndonëse Ai nuk kishte universitet, Maksim Gorki shkroi nji pjesë të trilogjisë së jetës së tij të titulluar: “Universitetet e mija”, duke nënkuptuar me këtë ato dhjetra e dhjetra punë krahu që u detyrua të bëj, qysh fëmijë, për të siguruar bukën e gojës…
Siç e ka shprehur edhe Ai vetë, dëshira e tij e vetme ishte etja për lexim, edhe aty, në atë papafingon e ftohtë, të errët ku banonte, ku pronarja shpirtgur i llogariste në qera edhe dhjamin që harxhonte për ndriçim.
Në vitet tona shkollore na thuhej se romani i tij “Nëna” ishte vepra e parë e Realizmit Socialist, duke lënë në hije me dhjetra tregime të shkurta, perla të prozës poetike të Gorkit, si Kënga e Zgalemit, Malva, Kirilka, I Paudhi, Plaka Izergill, Lindja e një njeriu, Rast nga jeta e Makarit apo Përrallat e Italisë, të përkthyera nga origjinali me shumë mjeshtëri nga përkthyesit tanë më të talentuar, Dhimitër Pasko, Petro Zheji dhe Sejfulla Malëshova.
Në këtë 18 qershor, në përvjetorin e tij të vdekjes, po postoj një nga prozat poetike më të fuqishme, në formë dhe përmbajtje – Këngën e Zgalemit.
Zgalemi i Gorkit, është shpirti i atij njeriut që nuk mund t’a gjej paqen në vulgaritetin e jetës, që nuk friksohet si çafkat dhe as nuk fshihet si pinguini, por lufton e përballet me jetën duke synuar lirinë. Kjo prozë poetike, në kohën tonë (që e kishim mësuar përmendësh edhe në rusisht), na komentohej si thirrje e autorit për revolucion, rrebelim, në funksion të një ideali madhor – socializmit, të cilin fatkeqësisht edhe vetë përkthyesi i saj, Sejfulla Malëshova, një ditë e pagoi me jetën e vet.

Zgalemi
Zgalemi

Kënga e Zgalemit

Mbi të thinjin shesh të detit, era fryn e mblidhen retë.
Midis reve edhe detit kryelartë shkon zgalemi si e zezë vetëtimë.
Prek me krahë ai valët, si shigjetë ngjitet reve dhe këlthet,
e retë gjegjin gazin-klithmë t’asaj shpese.
Në atë klithmë e fortunë,
zjarr e flakë zemërimi dhe besimi në fitore
gjegjin retë në atë klithmë.
Dridhen çafkat e rrënkojnë, përmbi detin përpëliten:
janë gati ato të struken nga ky tmerr në fund te detit.
Përpëliten, si dhe çafkat kredharakët e rënkojnë;
nuk dinë ata të mjerët gëzim lufte, luftë jete;
i tmerron ata gjëmimi.
Ndër shkëmbij mbulon i trëmbur trupn e majmë pinguini.
Ngrihet vetëm kryelartë, me guxim, lirisht Zgalemi
mbi të thinjin det nga shkuma.
E gjithnji më tepër ngryset, e gjithnji më poshtë zbresin
përmbi detin retë e zeza dhe këndojnë e hidhen valët
lart e drejt nga vjen rrufeja. Bubullon… rënkojnë valët;
në at shkumë zemërimi po luftojnë ato me erën.
Turma valësh rrëmben era, i mbërthen ajo me forcë,
i përplas me vrull shkëmbijve, duke bërë çika çika ato masa prej zumrrudi.
Po me klithmë shkon Zgalemi,
si e zezë vetëtimë, si shigjetë përpin retë,
shkumën valësh heq me krahë.
Si demon, ai vërtitet, madhështor e kryelartë
ky demon i zi rrebeshi; qesh e qan ai njëherësh…
Qesh me retë, qan prej gazit.
Në tërbimin e gjëmimit lodhje sheh e ndjen demoni;
ka besim zogu i fortunës; retë diellin dot s’e fshehin!
Era fryn me ulurimë… Bubullon e shkrep rrufeja…
Ndizen retë flakë e kaltër përmbi detin si greminë.
Kap shigjeta vetëtimash dhe në gji i shuan deti.
Si gjarpërinj të zjarrtë dridhen mu në det
e zhduken thellë pasqyrimet e atyre vetëtimave shigjeta.
Ja furtuna! Vjen furtuna!
Kryelartë e trim Zgalemi shkon me vrull ndër vetëtima
përmbi detin e tërbuar, që buçet me ulurimë, dhe këlthet profet fitoreje;
Sa më tepër e fuqishme le të ngrihet lart furtuna!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.