back to top
7.5 C
Tirana
E mërkurë, 6 Nëntor, 2024

Një spiun vjen nga Nju Jersey për të festuar te lapidari me yllin partizan – nga Bedri Blloshmi

Gazeta

Bedri Blloshmi në Burgun e Spaçit
Bedri Blloshmi në hetuesi

Një spiun vjen nga Nju Jersey

për të festuar te lapidari me yllin partizan

nga Bedri Blloshmi

Muharrem Xhydollari & Bardhyl Musai
Muharrem Xhydollari & Bardhyl Musai

Muharrem Xhydollari erdhi nga Nju Jersey për t’u takuar me Bardhyl Musanë, dhe për të festuar 24 korrikun, ditën më të zezë të Bërzeshtës, tek Rrapi me yllin partizan. Xhydollari nuk ka ndonjë njohje me Bardhyl Musanë, por i bashkon festa komuniste e batalionit partizan të Bërzeshtës.

Po kush është Muharrem Xhydollari?
Muharrem Xhydollari është nga Hudënishti i Pogradecit. Komunistët i kanë vrarë xhaxhanë, ndërsa babanë ia futën në burg ku bëri mbi 20 vjet burg, pjesën tjetër të familjes ia internuan në Berat. Në Nju Jersey, Muharrem Xhydollari njihet si Muharrem Hudënishti.
Unë e kam njohur Muharrem Xhydollarin në burgun e Spaçit, ku ishim në një dhomë dhe punonim në zonën II. Ky skllav kishte karakteristikë gënjeshtrën, mashtrimin, lëvdatën dhe fliste budallalliqe kur tregonte historikun e familjes.
Sa herë që unë me një shokun tonë nga Kolonja, Agim Nogu, flisnim kundër regjimit, Muharremi mbulonte kokën me batanije dhe na thoshte, mjaft më se do ju dëgjojnë të tjerët.
Kishte shumë forma për të raportuar te operativi se kush fliste kundër regjimit komunist. Sipas proces-verbalit, Muharremi fliste në prezencë të spiunëve të tjerë, ndërsa ata ja dërgonin operativit proces-verbalin!
Të gjithë të burgosurit e dhomës qëndronin larg Muharremit dhe nuk bënin muhabet me të, sepse nga sjelljet e tij kuptohej që ishte njeri i lëkundur. Unë nuk mund ta besoja se Muharremi raportonte ndaj meje dhe të tjerëve duke patur parasysh tragjedinë familjare që i kishte shkaktuar nga regjimi komunist.
Ja dokumenti i raportimeve të Muharrem Xhudollarit ndaj meje

Raportimi ne burg i BP "Pashtriku"
Raportimi ne burg i BP “Pashtriku”

Raport i Datës 21.08.1981

Burimi informon se dje ai u takua me Marash Kumbullën dhe gjatë bisedës që pati me të Marashi i tha atij se “në brigadën time disa të dënuar mbajnë qëndrim shumë të keq politik dhe si të tillë dhe nuk punojnë”. Ai e pyet se kush janë këta të dënuar dhe çfarë thonë dhe Marashi i përgjigjet se janë: Zef Bushgjoka, Bedri Blloshmi dhe Musa Hoxha. Ka qënë në këtë brigadë dhe Besim Albrahimi. Këta, udhëheqësit e partisë dhe të shtetit i kanë venë një pseudonim “Repça” dhe i thërrasin njëri-tjetrit nga larg: “Si u bë “Repça”, tjetri i përgjigjet se është plakur dhe do të ngordhë së shpejti dhe i fut një të sharë me nënë. Musa Hoxha nuk punon fare dhe kur t’i thuash pse nuk punon thotë se nuk dua të punoj. Marashi i thotë atij se në një bisedë me Muharrem Xhydollarin, Muharremi thotë se është për t’u habitur se si i lejon komanda në këtë mënyrë. Këta kanë krijuar një organizatë dhe presin të rrëzohet qeveria dhe të marrin pushtetin. Marashi atij nuk i tha se çfarë organizate kanë krijar dhe kush është kryesori dhe se nuk dinte ngaqë ai nuk i kishte thënë më shumë. Sipas Muharremit edhe Hamdi Martinit çdo natë kur lënë punën i vijnë Zefi, Musai dhe Bedriu dhe takohen me Lulash Markajn. Takimin e bëjnë në errësirë tek magazina e minierës. Të parët janë turni i tretë, ndërsa Lulashi është turni dytë. Mbrëmë thotë Hamdiu e kemi kërkuar Lulashin mbi gjysëm ore dhe nuk e kemi gjetur. Këto gjëra i thonë Marashi dhe Hamdiu atij.
“Pashtriku”

Sqarim: Në ngarkim të personave të lartpërmendur, materialet në rrugë operative dy prej tyre Zef Bushgjoka dhe Marash Marku, janë propozuar për regjim burgu.
Vlerësim: E dhëna ka vlerë operative pasi bënë fjalë për agjitacion dhe propagandë që zhvillojnë të dënuarit e larëpërmendur duke sharë udhëheqësin kryesor të partisë.
Detyrë: Nuk i japim detyrë mbasi bashkëpunëtori nuk ka shoqëri me ta.
Masa operative: E dhëna të shtypet dhe të vendoset në fashikullin e informatave.

Punëtori Operativ – Shyqyri Toska (Firma)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.