back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Një thirrje vullnetmirë për mirëkuptim dhe shmangie konfliktesh – nga Romeo Gurakuqi

Gazeta

Historiani Romeo Gurakuqi
Romeo Gurakuqi

Një thirrje vullnetmirë për mirëkuptim dhe shmangie konfliktesh

nga Romeo Gurakuqi

Zoti Valdrin Pjetri!
Duke mirëkuptuar dëshirat tuaja personale për ta konsideruar të përmbyllur si në ëndërr, procesin zgjedhor në Shkodër, bazuar mbi kornizat dhe standardet njëpartiake, unë kërkoj vëmendjen tuaj për disa shqyrtime paraprake që ju, sipas mendimit tim, do të duhet të keni parasysh në vlerësimin e pozicionit karshi publikut dhe institucionit më të lartë të qeverisjes krahinore, para çdo deklarimi ose veprimi të mëtejshëm politik.
Sa më sipër e bëj para së gjithash nisur nga interesa themelore e ruajtjes së paqes sociale në Shkodër dhe nga nevoja imediate e shmangies së çdo përplasjeje artificiale, që mund të provokojë ambicia politike e pa-arsyetueme.
Së pari, unë mendoj se çeshtja e drejtimit të Bashkisë së Shkodrës, në linjë kanunore dhe statutore është e bazuar mbi disa parime themelore të konsoliduara me kohë në qeverisjen qytetare në anët tona. Ndërmjet këtyre parimeve duhet t’iu përmend veç dy prej tyre: a)një pranueshmëri e gjithanshme e kandidaturave prej faktorëve politikë dhe komunitarë historikisht përcaktues dhe
b)zgjedhje të lira e të ndershme ndërmjet kandidatëve konkurues, të aprovuar paraprakisht nga përfaqësuesit e spikatur të komunitetit. Të dy këto parime janë shkelur brutalisht nga “komandanti” juaj dhe për rrjedhojë, zgjatja e metëjshme e juaja në lojën e Edi Ramës në Shkodër mendoj, se do ta zhvleftësojë në mënyrë të pariparueshme pozicionin e ardhshëm tuajin në anët tona.
Së dyti, zgjidhja e problemit të vlefshmërisë së ngjarjes së çuditshme të datës 30 qershor 2019, do të vijë vetëm pasi Gjykata Kushtetuese do të shqyrtoje çeshtjen e krizës së dypushteteve në Shqipëri. Kjo do të thotë, se çeshtja e Bashkisë Shkoder, sa është çeshtje krahinore, është edhe një pjesëz e një problemi shumë më të madh juridiko-kushtetues me rëndësi kombëtare, i shtruar për t’u zgjidhur nga faktorët më të rëndësishëm të brendshëm dhe ndërkombëtarë. Çdo ngutje për t’u vetëdeklaruar për hapa procedurale, bazuar nga pozitat e forcës, mbështetur mbi përdorimin e paligjshëm të forcave policore, ju dëmton ju personalisht shumë fort dhe ju heq çdo të drejtë për të pretenduar me qenë kandidat sërish në zgjedhjet e datës 13 tetor 2019.
.
Bashkia Shkoder
Bashkia Shkoder
Së treti, me datën 29 qershor 2019, një grup i mirëstrukturuar civilësh, me drejtim politik dhe me heshtje të urdhnuar policore (tanimë e interceptuar dhe i identifikuar edhe nga agjensitë informuese), ka ushtruar një veprimtari të paligjshme demonstrative nëpër rrugët e qytetit për disa orë me radhë (nga ora 13.30 deri në orën 23.00), duke dhunuar punonjësit e Bashkisë dhe objektet në pronësi të komunitetit shkodran. Në disa prej këtyre demonstrimeve kërcënuese dhe dhunuese, ju keni qënë i pranishëm me distancë (jeni identifikuar në lagjen Badra, ku unë jam lindur dhe rritur) dhe keni asistuar në veprimtarinë e civilëve të pa-autorizuar nga ligja (ligja autorizon vetëm Përmbaruesit Gjyqësorë, që kërkojnë mbështetjen e policisë për zbatimin e një vendimi të Gjykatës). Deri më sot, ju jo vetëm nuk keni kërkuar falje për sa më sipër, por as nuk jeni distancuar nga “demonstruesit”. Duhet t’ju kujtoj, se ju po heshtni edhe sot e kësaj dite, kur Policia e Shkodrës, që atë ditë hapi rrugët për makinat me xhama të errët, e po kërkon cep më cep për t’i ndëshkuar, punonjësit e Bashkisë që ishin në plotësim të detyrës së ngarkuar me urdhën pune nga titullari i institucionit, në respektim të Dekretit të Presidentit të Republikës. Ky implikim juaji në këtë ngjarje poshtëruese dhe të papranueshme për komunitetin, mungesa e tejzgjatur e faljes, e cënon automatikisht të drejtën tuaj për të pretenduar një drejtim të pranueshëm të Bashkisë Shkodër.
Së katërti, duhet të keni parasysh, se në Shkodër nuk mund të pranohet një drejtim Këshillimor dhe Ekzekutiv minoritar (sipas vlerësimit të ekipit vëzhgues që kam angazhuar në terren është vetëm 7%) i institucionit bashkiak. Në qytetin e Shkodrës, me konventë është i ndaluar edhe drejtimi minoritar edhe ai monopartiak. Për rrjedhojë, çeshtja e drejtimit të ardhshëm të Bashkisë Shkodër do të jetë vetëm rezultat i një procesi zgjedhor pluralist, bazuar në ligjshmëri të akorduar nga Gjykata Kushtetuese. Sipas të gjitha gjasave, ky proces i ri zgjedhor do të zhvillohet brenda afateve kushtetuese dhe brenda limitit kohor të ripërtëritjes së nevojshme të pushtetit krahinor. Me 13 tetor 2019, do apo nuk do Edi Rama, në Shkodër do të zhvillohen zgjedhjet pluraliste për Bashkinë e Shkodrës. Vetëm rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë ai i pranueshmi për zgjedhësit e Bashkisë më të vjetër të Shqipërisë, vullnetin e të cilëve ju nuk mund ta anashkaloni me lojën e pandershme elektorale të uzurpatorit të pushtetit të Tiranës, të datës 30 qershor.
Jeni ende në kohë të deklaroni tërheqjen nga çdo aventurë zaptuese, në respekt të këtij vullneti mazhoritar të shkodranëve, për të mos e humbur të drejtën përfundimisht për të qënë kandidat potencial në zgjedhjet e ardhshme.
Duhet t’ju kujtoj, se personalisht i kam kërkuar Policisë së Shtetit në Shkodër të respektojë ligjin e posaçëm dhe të mos ndërhyjë njëanshmërisht në Krizën e Dypushteteve, në territorin e Bashkisë sonë. Kjo do të thotë, jo vetëm ndalje e përndjekjeve ndaj punonjësve të Bashkisë aktuale, por edhe paanësi në konfliktin, që po përvijohet mes jush, si i nominuar i Edi Ramës dhe qytetarëve të Shkodrës, të cilët nuk do t’ia dorëzojnë institucionin e vetëqeverisjes vendore askujt, që nuk ka ardhur në drejtim prej zgjedhjeve pluraliste sikur e përcakton Kushtetuta e RSH.
E ndjej për detyrë t’ju informoj, se ditën që dikush i pamandatuar nga sovrani, do të guxojë të ngjisë me pahir shkallët e ndërtesës bashkiake me ndihmën e forcave policore të komanduara nga operacionalet tradicionale, unë në cilësinë e përfaqësuesit të zgjedhur demokratikisht në Parlamentin e Shqipërisë, do të jem së bashku me bashkëqytetarët e mi, para derës së institucionit për të paraqitur kërkesën e duhur.
Mendoj se ju duhet ta vlerësoni drejt gjithë parashtrimin e mësipërm, si një thirrje vullnetmirë për mirëkuptim dhe shmangie konfliktesh të kota dhe të pafrytshme në një hapësirë, që ka vuajtur mjaftueshëm në këtë tranzicion shkatërrimtar.
.
Marrë nga muri i Fb i Profesor Romeo Gurakuqit

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.