“Një trombë në vajtim të plotë…”* Vera Bekteshi
nëpër shtigjet e jetës së muzikantit Gaspër Çurçia…
Ai lindi në Shkodër në 1934, në një familje të kamur tregtarësh. Gjyshi dhe i ati i tij ishin përfaqësues të Kompanisë Ford për Shqipërinë. E ëma, Vjera, ishte kroate dhe të dy u njohën gjatë studimeve në Zagreb.
Gasperi i vogël filloi të marrë mësime muzike nga pianistja Ida Melgushi. Kjo pianiste e mbetur në hije, ka qenë mësuesja e parë e shumë artistëve të shquar nga Shkodra.
Përveç pianos ai mësoi të luante në kitarë, fizarmonikë, harmonikë, por vegla e tij e preferuar u bë tromba. Me gjithë mësimet e marra, mund të thuhet se ai qe autodidakt.
Për shkak të origjinës së pasur familjare nuk mundi të ndiqte shkollën artistike në Tiranë, por futet në lëvizjen amatore, duke ekzekutuar kryesisht në lokalet e qytetit.
Në moshën 20-vjeçare, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, vjen në Tiranë, me të jëmën dhe të motrën, sepse fejohet e më pas martohet me një vajzë tiranase.
Në Tiranë gjen fillimisht punë si instrumentist nëpër lokale. Me krijimin e Estradës së Shtetit fillon për herë të parë një punë më serioze, në orkestër dhe kontribuon në shumë harmonizime dhe orkestrime së bashku me Alqi Karecon.
Gjatë këtyre viteve ai kompozon muzikë të lehtë si dhe një muzikë për film, por kryesisht orkestronte. Incizimet e tij në radio janë ende të paarritshme.
Aktiviteti i Gaspërit nuk u kufizua vetëm në muzikën e lehtë. Ai arriti të studiojë, projektojë dhe prodhojë instrumente të muzikës popullore si dhe të kompozojë për këtë orkestër. Por mbi të gjitha ai ishte një magjistar, një Lui Armstrong shqiptar, ishte “një trombë në një gjysmë vajtim” – shprehen kolegët e tij.
Në vitin 1962, me fillimin e Festivalit të Këngës në Radio Televizion, Gaspëri gjeti më në fund veten në fushën e muzikës. Për herë të parë ai u bë pjesëtar i orkestrës së radios për festivalet e këngës.
Edhe mbas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, pas 1961-shit, Radio-Tirana jepte muzikë xhaz nga vendet e Lindjes, xhaz hungarez, polak, çek dhe gjerman. Po atë vit tek ne filloi të ndiqet televizioni italian. Shtëpitë e rralla që atë kohë e kishin këtë mundësi, pra aparat televizori, u kthyen në kinema ku ndiqeshin festivalet dhe emisionet muzikore italiane. Pak a shumë kjo situatë vazhdoi deri në vitin 1967, vitin e histerisë anti-kulturë, histeri që zgjati deri në 1972, për t’u përsëritur në 1973 edhe më ashpër.
Çfarë pjese kishte Gaspër Çurçia në këtë festival?
Ai ishte orkestruesi i këngëve dhe dirigjenti i të parës orkestër xhazi në skenë. Kjo ka qenë arritja më e madhe e tij. Edhe me mjetet e sotme është vështirë të arrihen orkestrime të atij niveli. Mjafton të përmendim arranxhimin në xhaz të këngës “Natën Vonë” që tingëllon aq e kohës sot e kësaj dite. Jo më kot artistët e rinj e kanë si pikë referimi. Si të gjithë organizuesit dhe kontribuesit e këtij festivali, që mbeti në historinë e muzikës, jetës artistike dhe shoqërore-politike të Shqipërisë, edhe ai mori dënimin përkatës. Gaspëri u çua fillimisht punëtor në Ndërmarrjen “Migjeni”.
Pas disa vitesh edhe aty filloi pas orarit, punën e muzikantit në lëvizjen amatore, duke organizuar një grup xhazi vetëm me femra. Më 1978, punon në një ndërmarrje tjetër, i angazhuar me prodhimin e instrumenteve popullorë, që i projekton dhe ndërton me pajisje të ideuara nga ai vetë.
Mendja e tij nuk rresht së krijuari deri sa më 1984 akuzohet për një “krijim” të një lloji të veçantë, që kurrë nuk u provua, por që i kushtoi atij jetën.
Gjithë veprimtaria e tij artistike u ndalua rreptësisht dhe u asgjësua.
Më 11 Prill 1984, muzikanti Gaspër Çurçia ekzekutohet. Në të njëjtën ditë, një vit më vonë, “shpallet” vdekja e diktatorit shqiptar, që ideoi, frymëzoi dhe vuri në jetë jo vetëm ekzekutimet e kundërshtarëve të tij politikë realë apo imagjinarë, por edhe të të gjithë shqiptarëve që luftuan për sado pak liri.
Lajmi i pushkatimit të Gaspër Çurçisë, megjithëse i pashpallur, u përhap fshehurazi në botën artistike të Tiranës. Qe një zi në heshtje. Tani fillonte kalvari i familjes. Gruaja Vasilika dhe tre djemtë Marku, Eduardi dhe Fredi, internohen në fshatin Dardhë të Beratit, në një zonë të thellë malore. Marku kishte trashëguar duart e arta të të atit, Fredi pasionin për trombën, kurse Edi, mirësinë e tij.
E fejuara e Edit, Zana, pa marrë parasysh pasojat dhe vështirësitë e jetës në internim, i bashkohet familjes Çurçia në fshatin Dardhë. Gjatë viteve të hidhura të internimit familja pati edhe një gëzim të madh, lindjen e dy fëmijëve, Vjerës dhe Xhinos.
Në vitin 1991, familja Çurçia, si shumë familje të tjera të dënuara kthehet në Tiranë dhe vendoset në ish Shkollën e Partisë. Fillon për ta një fazë tjetër jete në mizerje: regjimi i vjetër po lëshonte terren, sepse s’mund ta mbante më. Shkolla e Partisë si bastion ideologjik i rëndësishëm i sistemit komunist, ishte nga të parat objekte, që u ‘pushtuan’.
Të gjitha ambientet e kësaj shkolle u populluan me ish të dënuar politikë, por kryesisht me të dënuar ordinerë të liruar atë vit nga burgjet. Kush ka jetuar apo vizituar ato vite rrethimin e asaj shkolle, mund ta dijë se ajo u kthye në një farë getoje, mu afër qendrës së kryeqytetit shqiptar.
Familja Çurçia u sistemua në një hapësirë, që më parë kishte shërbyer si kafe e shkollës. Hapësira kishte një parket që u kalb në mënyrë të rrufeshme, por së paku kishte një çati, edhe pse pikonte. Në cepin tjetër të katit të parë u sistemua një familje e ardhur edhe ajo nga internimi dhe burgjet politike. Ambienti që ata zunë kishte shërbyer më parë si infermieri e më pas si depo. Ish-kafeneja dhe ish-depoja, u bënë për vite vendet ku dy familjet kalonin çaste të gëzuara në liri, edhe pse në mes varfërisë dhe mungesës së kushteve më elementare të higjienës. Në dhomën e vetme e të madhe të Çurçive një prej djemve të depos, festoi dasmën e tij. Tradita e vjetër e familjes u shfaq edhe në këto kushte banimi.
Me lejoni t’i përshkruaj paksa këto kushte banimi, megjithëse nuk do jetë aspak e këndshme për lexuesin:
Mijëra njerëz të kthyer nga burgjet dhe internimet, jetonin në katër apo pesë godinat e shkollës, çdo familje e ngucur në një apo dy dhoma konvikti. Për çdo kat kishte tre apo katër të ndara banjash alla turka dhe asnjë vend për të bërë dush. Nga banorët e shumtë banjat bllokoheshin çdo javë duke filtruar më pas në tavanet e kateve të mëposhtëm. Plehrat e hedhura nga penxheret krijonin pirgje që zinin dritën dhe ajrin e penxhereve të katit të parë dhe që i ngjitur me tokën, sulmohej pa nda edhe nga banorët e tjerë të kësaj shkolle:
Ata ishin më të shumtë se banorët e sapoardhur që ishin të të gjitha llojeve. Ishin minj gjirizesh të mëdhenj, minj banesash të veckël, krimba shumëkëmbësh të shumuar nga lagështia e madhe, krimba me bisht që s’njihnin pengesa, buburrecë, tartabiqe, akrepa dhe merimanga të madhësive të panjohura, mushkonja dhe miza që nuk njihnin stinë.
Në këtë mjedis u rritën Jera dhe Xhinua i vogël me prindër thuajse të papunë. Për më tepër Vasilika, gjyshja e tyre, një grua me një mirësi të jashtëzakonshme, një mësuese shumë e dashur për breza të tërë nxënësish, sëmuret rëndë dhe pas një vuajtje të madhe, ndahet nga jeta.
Vëllai i vogël, Fredi i ikur në Itali, nuk mund të vijë për të varrosur të jëmën, sepse humb të drejtën e kthimit. Dëshpërimi rikthehet përsëri në familje. Megjithatë, Edi dhe Zana, me shumë përpjekje gjejnë mënyra mbijetese duke realizuar shkollimin e Vjerës së talentuar dhe atë që nuk realizuan dot djemtë e Gaspërit, e realizoi mbesa e tij. Ajo ndoqi traditën artistike të familjes, studioi dhe u diplomua në shkollën e baletit dhe sot është soliste në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve.
Xhino ndodhet në Itali ku punon dhe ndihmon prindërit që janë pa punë fikse dhe që jetojnë edhe sot atje, ku për fat të keq kushtet e jetesës kanë ndryshuar shumë pak.
Ende është aktuale elegjia që i thurën kësaj shkolle nostalgjikët e komunizmit:
U mor nga artikulli “Shpirti dhe shteti totalitar” me autore Vera Bekteshi.
*Titulli nga radiandradi.com
http://www.proletari.com 03/10/2011
Tasha Çipi
E kam njohur nga afër, të ndjerin, njeriun e mrekullushëm, njeriun me botë e veç me mirësi, maestron e madh të trombës, Gac…
Një njeri dhe një familje shumë e nderuar…
Dhimbjen më të madhe e kam ndjerë në momentin që po jepej vendimi kapital… “Dënimi me vdekje…” Kam qenë aty në sallë… dhe e shikoja… dhe lotët mezi i mbaja… Kur u dha vendimi: “Me Vdekje…” Një zë i fortë nga fundi i sallës thirri: “Babë… Babë…!” Ishte një skenë e tmerrshme… Ishte i biri… që policët e kapën për krahësh dhe me urrejtje e nxorrën jashtë nga salla… Kjo skenë nuk më shlyhet dhe sot e kësaj dite nga mendja…
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij…!
(Marrë nga muri i fb 16 janar 2014)