back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Një Urim djalit tim, Gridit… nga Iskra Thoma

Gazeta

Grid Thoma
Grid Thoma

Një Urim djalit tim, Gridit…

nga Iskra Thoma

Në pallatin 25, buzë Lanës në Bulevardin e Tiranës një grua e re priste të bëhej për herë të parë nënë.
Ishte i vetmi maternitet, një ndërtesë hijerëndë në kryeqytet, po që së fundi për të qarkullonin zëra të frikshëm: se në maternitetin e vjetër kishte një virus të rrezikshëm, se fëmijëve të sapolindur iu merrnin gjakun për eksperimentime, apo nuk dihej se përse… Imagjinata shkonte shumë lart, po ishte fakt që vdekshmëria e foshnjeve ishte rritur dukshëm.
Doktoresha Fico, një nga më të shquarat e asaj kohe, mikja e ngushtë e tezes sime e këshilloi që unë të lindja në një spital të vogël, në periferi të Tiranës, pikërisht në Kombinat. Aty ishte transferuar për dënim edhe një nga mjekët gjinokologë mjaft i zoti, që kishte bërë emër në Tiranë. Në rast se lindja do të ishte e vështirë ai shprehu gadishmërinë për të qenë prezent në çdo kohë, natën, ditën apo qoftë edhe të dielën.
Kështu të dielën pasdite vonë, më 2 tetor, taksia mori rrugën për në spitalin distrofik të Kombinatit, spitalin më të vogël në botë. Paralindja ngjante më shumë me një zyrë dezhurni se me një dhomë spitali, po një mami e vjetër në moshë e profesion të jepte forcë e siguri. Nën asistencën e të vetmes mami, në orën 2.30 më 3 tetor, lindi Gridi, djali im i madh, dhe ajo thirri me zë të fortë:
“Djalë, djalë… dhe me këmishë!”
“Që sipas gojdhanave të popullit, do të thotë Fëmijë me Fat… belbëzova unë.
Im shoq, që priste jashtë, duke dëgjuar zërat u kacavirr në hekurat e dritares i lumturuar.
Të nesërmen mësova prej mjekut të ditur e me mjaft kulturë se që të lindje me këmishë ishte vërtet fat, sepse si fëmijë i fuqishëm i kishte shpëtuar kordonit ombelikal, i cili mund ta mbyste fëmijën po edhe nëna mund ta kishte pisk!
Gridi u rrit i mbarë, edhe pse foli relativisht vonë, në kopësht recitonte poema të tëra e tregonte përralla. Mbaroi shkëlqyeshëm 8vjeçaren te “Emin Duraku”, një nga shkollat me tradita të kryeqytetit. Përballoi me vullnet e kurajo, me 60/60, gjimnazin më të vështirë në Modena(Itali), “Aleksandër Tasoni”. Përfundoi para afatit, me 110 e lode Fakultetin Ekonomik, po në qytetin e Modenës.
Gazeta “Il Resto del Carlino” shkroi me të mëdha: “Grid Thoma, albanese, un cittadino con 110 e lode” (Grid Thoma, shqiptar, një qytetar me 110 e lavdërime).
Ndërkohë që përgatitej për laurën (diplomimin) Gridi vazhdonte masterin me bursë të Telecom-it. Dhe kur përfundoi masterin filloi Doktoratën në Shkollën Superiore Sant’Anna të Pizës, doktoratë që zgjati gati 5 vjet (edhe pse Ministria akordoi bursë vetëm për tre vjet) e cila nuk është e përhapur në universitetet italiane e europiane sepse zhvillohej vetëm në anglisht, e bazuar dhe e strukturuar si shkollat kërkuese e më të mirat në U.S.A. Gridi konkuroi me sukses duke fituar vendin si Ricercator e docent në Universitetin publik në Itali.
Gjithmonë kokëulur e modest, ai punon me këmbëngulje, dhe tashmë është “ricercator confermato”, boton artikuj e studime në revista shkencore, prestigjoze në botë, mban leksione nëpër Universitete të njohura në botë; referon nëpër konferenca shkencore. Veprimtaria e tij shkencore pasqyrohet në siton ëëë.gridthoma.info
Të më falësh biri im,
e di që nuk të pëlqen të flasin për ty, po unë kam thënë shumë pak, nuk kam shtuar asgjë, e duke qenë larg vendit tonë, njerëzve të afërt e miqve dua që edhe ata të dinë se ç’bën në jetë, të të njohin, të paktën sot, në ditën e ditëlindjes tënde më takonte të rikujtoja disa nga momentet dhe emocionet më të rëndësishme të jetës tënde të cilat më kanë lumturuar edhe mua si nëna jote!
U bëfsh 100 vjeç, o bir!
Paç shëndet, suksese dhe fat kudo në jetë!

Iskra Thoma ne Shtepine e Bardhe
Iskra Thoma ne Shtepine e Bardhe

Nji urim nëne, dhe trishtimi i rudhjes së shaptullave

nga Jozef Radi

Me Iskra Thoma-n njihem prej viteve të largëta ’80, kohë kur me droje i trokisja derës së redaksisë  të shtëpisë së vetme botuese “Naim Frashëri” në Tiranë, dhe ku shfaqja e kësaj gruaje mjaft të hijshme e me nji sjellje prej fisnikeje më ka pritë, më ka shpjegue butësisht mjaft gjera, më ka përcjellë me nji buzëqeshje të çiltër dhe me nji rrudhje të lehtë të shpatullave, sikur desh të më dëshmonte se në at pamundësi timen, ajo s’mund të bënte më shumë… Nji sjellje që s’e harroj asnjiherë dhe sa herë shihemi ia kujtoj… (pamvarsisht se unë s’botova qoftë edhe nji rresht në at kohë parullash dhe heroizmash)
Gjithnji e kam vlersuar dhe respektuar Iskrën si nji intelektuale me vlera… me shumë vlera. Dhe sot, ndërsa lexoja urimin e saj për djalin e saj të madh Gridin, të cilin pak kohë më parë pata mundësi ta njof dhe të kalojmë nji mbrëmje së bashku, u preka shumë nga ky mesazh i saj, që vërtet është nji urim nëne, por i nji bukurie dhe i nji thjeshtësie të pashoqe… mesazh që i ngjan aq shumë nji curriculumi të veçantë: “curiculum” i nji nëne për djalin e saj!! që të dy bashkë kanë bërë sakrifica të shumta, e që sot të gjitha janë kthyer në shumë sodisfaksione të përbashkëta, dhe e imagjinoj që kur ajo është ulur t’i shkruaj kët urim për djalin e saj, ka pasur parasysh krejt nji botë të realizuar me mundime e që askush nuk mund ta shkruante kaq bukur, kaq thjeshtë e kaq thellë sa Ajo…
Vetëm ajo mundej!
Pa harruar, se i gjithë ky realizim i djalit të saj, është bërë në nji botë të panjohur dhe agresive, ku askush s’të dhuron asgjë, ku shkallët e karrierës ngjiten jo me sakrifica të paimagjinueshme, po edhe me përkushtime që shpesh i detyrojnë ta harrojnë edhe vetën tyre… Dhe sa e trishtë bëhet kjo gjë, kur mendon se edhe  vetë Kryeministri italian, (edhe disa herë ministër) Giuliano Amato, (profesor i Gridit në Universitetin e Pisës), nji ditë e thirri dhe i tha… “Grid, ti je nji profesionist i shkëlqyer, nji djalë që vendi yt duhej të të shfrytëzonte për shumë gjëra, pse jo edhe si Ministër Financash… nji më të mirë se ti, ata s’mund të gjejnë gjëkundi!” Gridi rrudhosi shpatullat, sepse ndër ne shqiptarët kjo rrudhosja e shpatullave mbetet ajo pamundësia e përjetshme për të mbrritur diku lart përmes vlerave të tua…
Prandaj Urimi i nji nëne të lumtur, si Iskra Thoma, sot nuk është thjesht urim nëne, është tjetër urim…  ndoshta është edhe i shumë nënave të tjera që i kanë shpërndarë fëmijët e tyre nëpër botë, e që me sakrifica të panumërta i shtyjnë familjet dhe fëmijët e tyre drejt nji të ardhme me më shumë dritë, drejt nji të arthme që për fat të keq vetëm vendit që ata e duan aq shumë, nuk i hynka në punë…
Grid, prano edhe urimin tim për nji jetë më të lumtur e më të sukseshme, sepse kudo ke edhe zemrën e nënës tënde!
3 tetor 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.