back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një vend… nga Branko Merxhani Botuar – në Revistën Letrare (1944)

Gazeta

Branko Merxhani (1894-1981)
Branko Merxhani (1894-1981)
Ku shkrim është botuar rreth 75 vite më parë,
nga një prej korifejve të publicistikës shqiptare, Branko Merxhanit.
Atë që ta mbush shpirtin të ky tregim simbolik
është besimi i një intelektuali, që puna dhe ideali i tij
i mbjellë te Djalëria, do ta sillte realizimin e një ëndrre
ku do të sundonte dashuria, drejtësia, ligji,
dashuria për librin, për punën, për gjënë e tjetrit…
E ja ku jemi sot mbas 75 vitesh, të këtij shkrimi…
Djalëria e sotme e protestës duhet të gjej pak vetvete
në këtë hymn kënduar me një gjuhë të thjeshtë,
që njëri prej intelektualëve më të ndritur të gjithë kohrave
e ka shkruar për rininë e djeshme, për rininë e sotme,
për gjithë brezat e rinisë që duhet ta mbrojnë të arthmen e tyre…
jozef radi, 13 dhjetor 2017
 
Protesta Studentore  - Dhjetor 2018
Protesta Studentore – Dhjetor 2018

Një vend… nga Branko Merxhani

Botuar në Revistën Letrare (1944)

Rroj me ëndrrën e një vendi që ka për fuqi tundëse mallëngjimin e Punës.
Asnjë njeri nuk duket i shtrirë në këtë ose atë qoshe të udhës. Pazari i kohës së shkuar dhe mëkatare u çduk nga mesi. Në vendin e tij ngrihen oxhaqet e një fabrike. Njerëzit këtu venë e vijnë togje-togje, me rregull e me shpejtësi, nga një anë në tjetrën. Ecin si melingonat. Të duket se të gjithë po ndjekin një qëllim. Të duket se të gjithë punojnë për të ngrehur një shtëpi të re. U harruan për fare përrallat e svetetuara të përtimit dhe të qejfit pa fre. Nga Atdheu i shkretuar i djeshmë i njerëzve të shpërndarë s’mbeti as gjurmë. Tani këtu njëri s’punon veç e veç nga tjetri, dhe njëri s’rron mbi kurriz të tjetrit.
Rroj me ëndrrën e një vendi, njerzit e të cilit, janë më parë të tij dhe pastaj të vehtes së tyre. Gjysma e ditës është e tyre dhe gjysma më tjetër e Shoqërisë. Njeri s’mendon të vjedhi këtë gjysmë të drejtë. Njeri s’mendon se e lau borxhin e tij vetëm se ia pagoj taksat taksidarit. Qytetari këtu jep më shumë dhe kërkon më shumë. Punon arën, mban dyqanin, mundohet në zyrë dhe kështu nxjerr bukën. Stomaku i tij s’është kurrë i zbrazët. Por prap s’thotë se u ngos. Ndjen uri në shpirtin e tij. Për këtë çdo ditë fal disa orë edhe për një punë shoqërore – punon bashkë me të tjerët, për të tjerë...
Rroj me ëndrrën e një vendi, në të cilin tërë Djalëria, togje-togje po vepron përbrënda kuadrit të një pllani shoqëror dhe edukativ. Njëri nga këta djem nuk bredh andej-këndej pa punë si ndonjë që s’dij ç’të bëjë. Në mesin e tyre s’ka asnjeri të lënë si më nj’anë në mëshirë të fatit.
Çdo pjestar i brezit të ri, në orët e lira të shkollës ose të punës, rron mbrenda në rrethin e një instituti kultural. Këtu gjen ushqim për mendjen e tij. Këtu kënaq etjen e shpirtit të tij. Horizonti i intelektit të tij dita-ditës zgjerohet më tepër. Këtu djalëria s’ushqehet instinktet negative të shoqërisë së njerëzvet të shpërndarë. Të gjithë janë bashkuar, si djemtë e një familjeje, rreth e rrotull disa parimeve të caktuara. Qëllimet e tyre janë të caktuara, nevojat e tyre jane të bashkëta. Nishani i tyre është një. Dhe besojnë se njëri s’mund të shpëtojë pa tjetrin, pa shokun që ka në krahë, pa gjithë të tjerët. Brenda në të gjithë është edhe nderi. Një fill i vetëm është asnjë. S’është asgjë. është zero. Një hiç. Një gërmadhë. Rrojnë të gjithë të bashkuar, si vëllezër, të zënë nga dora fort.
Rrojnë me ideale dhe për ideale.
Marrë nga rubrika: Letërsi Shqipe, Revista Letrare 1944
 
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.