back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Një vrasës në Panairin e Librit… Ku Jemi?! – nga Skender Tufa

Gazeta

Burgu i Qafe Barit
Burgu i Qafe Barit

Një vrasës në Panairin e Librit… Ku Jemi?!

nga Skender Tufa

Nuk mund të harrohet bisha
që të kafshon
Hysen Sheshori
.
Skender Tufa
Skender Tufa
Sot, mbas 30 vjet postdiktaturë shohim më qartë e gjykojmë më saktë lojën e ndyrë ose tradhëtinë e madhe që ju bë rezistencës antidiktaturë.
Në pleniumin e 11 të PPSH-së do të theksohej: – çdo gjë do të mbetet e jona. Fëmijet tanë do të kenë në duar pasurinë e vendit .
Demo-komunistët e kryesuar nga sekretari i partisë luajtën me plagët tona duke i përdorur për kredo politike ndërkohe që na detyronin të kërkonim të drejtat me protesta e greva të cilat u keqtrajtuan e u përgojuan ndyrë, paturpësisht.
Kur u ripersekutuan të përndjekurit, me shtresat e tjera si pronarët, sindikatat, minatorëet etje. nuk u kursyen mjetet ekstreme të cilat gradualisht kryen krimin më të rëndë duke vrarë shpresën e një populli.
Lind pyetja: -Ku jemi?-
Të përndjekurit politikë janë të pafuqishëm, të papërkrahur, i kanë përçarë, jetojnë në varfëri sa edhe në banesën e fundit dërgohen me para të marra hua!
Ndërkohë persekutorët tanë janë zotëruesit e të gjitha pushteteve. Ata do të gjënden në çdo dikaster, në çdo parti politike, në parlament, gjykata, ekzekutiv e Presidencë bile edhe punonjës në ambasadën USA në Tiranë.
Koha e shkuar nuk ju intereson prandaj punojnë për ta fshirë sa të munden duke lënë në rrënim vëndet ku krimi i djeshëm shtypte me gjak rezistencën.
5000 të ekzekutuar mbetën akoma pa varrë.
Edhe pse janë shpallur të pafajshëm edhe pse dy Revoltat e të burgosurve politikë Spaç ’73, Qaf-Bari ’84, janë quajtur pika kulminante kunder diktaturës komuniste, sërish ata që janë dënuar në këto revolta vazhdojnë të mbajnë mbi shpinë akuzat që ju vunë dje etërit e pushtetarëve të sotëm, “Terror” dhe me këtë akuzë të pashlyer largohen nga kjo botë zemërplasur, të pavlerësuar, të shtypur e të përjetshëm fajtorë pafaj prej krimit atdhedashuri.
Ndërsa ata që na shtypën me gjak nuk i pamë të tregonin asnjë fije pendimi, fakt që i rëndon më shumë heronjëve të rezistencës, por dhe që nuk i përçon asnjë mesazh kohës dhe të ardhmes për krimet e diktaturës të cilat duke mos u gjykuar kanë shumë premisa të përseritën në forma e mënyra të ndryshme.
Serish njerëz të galerave përpiqen të mos dorëzohen, duke mos heshtur ata ç’plurosin pjesë të terrorit të djeshëm komunist dhe ja sjellin kohës si mesazh të dhimbjes që nuk duhet harruar e nëpërmjet përcjelljes së këtyre ngjarjeve dëshmojnë për qëndresën antidiktaturë të pasqyruar me botimet të cilat në të shumtën e rasteve janë mundësuar nga ISKK që i publikon ato.
.

Panairi i Librit

Njëra ndër mënyrat për t’i shpërndarë këto vlera publikisht eshte dhe Panairi i librit, ku në një pavion të veçantë reklamohen botimet e krijimtarisë së të burgosurve politikë.
Ndërmjet librave të tjerë janë ekspozuar edhe “Ferri i çarë”dhe “Rrugët e ferrit” të shkrimtarit-galerijan Visar Zhiti dhe libri “Revolta e Qaf-Barit dhe terrori komunist 1943-1990” i Bedri Blloshmit.
Tre libra të cilëet hedhin dritë mbi atë ngjarje që ndaloi për disa orë tik-takun e diktaturës, stacjon i shkurtër lirie.
Trupat e cfilitur të shpirt-dërmuarve, marrë peng nga banda “draper e çekan” e cila skllavëroj popullin, shqyen prangat dhe klithën “Liri”. Ata u ngritën si llavë dhe e tundën ngehinën e kalbur të diktaturës. Nuk kishin asgjë veç prangave dhe shpirtit të cilat i hodhën në betejë. Trupa të tharë, fytyra të nxira, gjokse të zbërthyera përpara armëve të zeza që çanin ajrin për të bërë të mundur të pamundurën e zmbrapsjes së plagës së shpërthyer
Breshëri plumbash. Ai që mes kësaj breshërie rendi të ruaj poezinë, thotë tek “Ferri i çare”: edhe durimi s’durohej më…
…filloi paraditen e një dite pa emër, pse pa emër, ishte 22 maj dhe quhet dita e revoltës së të burgosurve të Qafë-Barit, po ja, nga që ditët në burg janë tepër njëlloj, si uniformat e burgut, me vija, ditët kështu, netët si uniformat e zeza të policëve. Brenda telave me gjemba dukej sikur kishte shenjtorë të sfilitur dhe djaj të marrosur.
…U-u-u-u-u-u-u-u-u, u ngrit një ulurimë e kudoshme. U kreshpërua. Hera e parë që e ngrinim zërin së bashku. Qenkësh i fortë.
…Në tarracën e vogël sipër portës u vu edhe një tjetër mitraloz. Tytat e ngrehura për këtej shoqëronin daljen e policëve të fundit. Vërtet, s’ka më fare? Çfarë? Policë. Jo, jo… Të li-rë!? …Na kapi një ndjenjë e flatërt, mund të fluturonim tani, pa policë, sa bukur, të lirë brenda robërisë sonë, qielli epohej, gati të binte. Shikoi retë.
Panair i çuditshëm. Në një pavjon janë librat e të burgosurve politikë e në një tjetër është ekspozuar “Dhuna! Autori i së cilës ndonëse ka montuar një buzëqeshje fasadë nuk ndihet i qetë, lëviz e herë-herë i hedh sytë atje ku janë ata që dëshmojnë ato ditë qëndrese dhe terrori. Qëndresa është përballë ndërsa ai i fshihet asaj.
Më pas dhunë, jo, duhet kërkuar një fjalë tjetër në fjalor për t’ju përshtatur pasi veprimet e kryera kundër heronjëve që guxuan, i kalojnë hamendjet njerëzore .
Haxhi Baxhinovski pohon: “Janë futur në dhomë mbi njëzet veta, të gjithë si kuajtë e na janë lëshuar me grushta, me shqelma, me bishta lopate e bishta kazme dhe me drutë e zjarrit. Nuk e dij, por më katila nuk ma merr mendja se mund të ketë në botë. Nuk pysnin se ku sillnin, të tërbuar, bisha krejt, e bonë venin si kasaphanë. Veëm gjak, mu më thyn kamën dhe krahun ashtu siç isha, me bijshin prap. Dhimbje që s’i kisha provu ndonjëherë në jetën time. Më ra të fikët, me hodhën ujë e prap me hunj. Nuk e ndjejsha më trupin. Dhe në gjyq na nxorrën me barrelë se nuk mund të ecja. S’e di se sa ka zgjat ajo masakëer po mu m’është duk sa një jetë.
.

Djajtë dhe Vrasësi

Drejtori i biblotekës “Marin Barleti” në qytetin e Shkodrës Gjovalin Cuni ka hapur dyert e sajë.
Në sallën e përgatitur nga moderatorja Kozeta Bruçi raftet duket sikur kërcasin. Fishta, Camaj, Koliqi edhe at Zef Pëllumbi nuk ndihen rehat.
Promovohen katër libra. Kryetari i shoqatës së shkrimtarëve të Shkodrës, Skënder Temali, bën profilin krijues të autorit dhe i akordon çertifikatën e mirënjohjes “Mjeshtër i madh”. Eshtë shkrimtari Lekë Imeraj!?!
A munde të bëhen djajtë engjëj?!?
Dramaturgu Fadil Kraja, mik i autorit, duke ja dorëzuar çertifikatën thotë: “Ky shkrimtar dhe erudit që u prezantua sot para nesh mund të themi se ka tre pasaporta, pasaportën e atdheut të tij, pasaportën e shtetit Gjerman, por mbi të gjitha atë të njeriut të shquar të letrave…
Raftet lëvizën e në tokë ranë korifenjtë e letrave shqipe, të cilët thanë: “Ai ka edhe një pasaportë të katërt. Pasaportën e Vrasësit e ju që vlersoni figura të tilla! Ju jeni marrja e letrave dhe e Shkodrës prandej nuk ka ma vend për ne këtu!”
.
Guximtarët që përfaqësojnë Revoltën e Qafë Barit
Guximtarët që përfaqësojnë Revoltën e Qafë Barit

Dhuna dhe qëndresa

Për të mbrritur tek Panairi i librit. “Rrugët e ferrit” kanë udhëtuar gjatë që të sjellin oshëtimën e gjak-shkruarjes histori.
Indiferentizmi i një kombi trushplarë që nuk reagon për historinë e tij, riinstalon diktaturën ndaj ata zëra janë aktualë edhe sot.
Në të njëjtin panair, në një tjetër pavjon, është ekspozuar libri “Dhuna” i njeriut dhunë që i dhunojë ata.
“Ferri i çarë”, “Revolta e Qaf-Barit dhe terrori komunist 1943-1990” dhe “Rruget e ferrit” dëshmojnë dhunën që ushtroi autori i “Dhunës” mbi të dhunuarit.
Në këtë kohë ku krimi injoron drejtësinë plagët e qëndresës vazhdojnë të rrjedhin dhe të apelojnë!
300 burra të shtrirë në betonin e oborrit të burgut në Qafë-Bari. Një numër më i madhe uniformash, të zeza, laramane, jeshile por më këpucë të njejta tabanthumbues, me skafandra, hunj, pranga nëpër duar qëndronin mbi trupat tanë si bishat e gatëshme për shqyerje. Nga cepi i ndërtesës së mencës ku një ditë më parë kaluan pa e takuar tokën 24 të masakruarit e parë, del një shpurë ushtarakësh me në krye Lekë Imerajn, i cili me atë fytyrën kanibale dhe ata sy si të gjarprit ndaloi në fillim të sheshit dhe duke parë nga “të fortët” laramanë e zijoshë u tha – Jeni të qartë?
Ata lëvizën një hap përpara duke shkelur edhe mbi trupat tanë.
Oficeri i drejtimit në Drejtorinë e zbatim vendimeve penale MPB, Lekë Imeraj po drejonte operacionin e shtypjes së revoltës.
-Nuredin Skrapari – Pasi kishin marrë rrënjët e kishin lënë degët, të nesërmen na morën e na ulën në sheshin para mencës. Mbaj mend një operativ të M. B. emri nuk me kujtohet (Leke Ymeri, shënimi im) i cili me një listë të gjatë në dorë filloj të thërrasë emrat. I pari në listë ishte Dalip Zhabolli, ish oficer i lartë, komandant i korpusit të Matit i dënuar nga gjyqi ushtarak me 25 vjet burg. I vunë byzylyqet para nesh. I dyti u thirr dr. Drago Vujosheviç, malazez, kishte qënë mjek në Gjirokastër, edhe atij i vunë byzylyqet. Kishte dhe djalin të burgosur politik në Spaç. I trei u thirr Sadri Sokoli. Ky ishte nipi i Sadik Bekteshit, gjeneral i luftës. Mbasi e burgosin i fusin në burg nipin. Sadriu kishte qenëe drejtor i Meks-it dhe kishte studjuar ne BS. I katërti ishte emri im! Më çojnë te dhomat e takimit ku kishte filluar rrahja.
-Çajup Bejko pohon – Një rrobezi me radio në dorë ngacmon Sandrin që ishte i shtrirë e i lidhur bashkë me ne në makinë, ky i përgjigjet dhe i ziu komunikon me radjon, makinat ndalojnë. Lek Ymeri hap mushamanë që mbulonte nga mbrapa makinën dhe urdhëron të zbresin poshtë Sadri Sokolin. E morën dhe nuk e kthyen më.
-Dr. Drago Vujosheviç ka pohuar “E sollën në ARON ku isha unë dhe Dalip Zhabolli. Sandri ka vjellur të bardhë.
-Nuredin Skrapari pohon – Drago me tha se Sandrin e kishin goditur mbas koke ne bulbin radikjam, pas nje incidenti me policet qe e kishin provokuar gjatë rrugës. Kishte vjedhur të bardhë.
Dalip Zhaboli pohon -Mua më Dragon na hipin në një ARO ishim të pa vetëdijshëm. Më pas pashë Sandrin, e lanë pak kohë me ne. Sandri u këput në ARO. Aty ka qënë vdekja e tij.
-Çajup Bejko pohon – Vjen prap Lek Ymeri e na thotë – dëgjoni këtu, jeni në kampin e riedukimit Zejmen Lezhë.
Do të futeni brenda në kamp dhe nuk do të flisni fare me të burgosurit, nuk do tu tregoni çfarë ka ngjarë në Qafë-bari. Sali Gaxa i thotë – zoti Lek, po unë kam kushërinjtë këtu dhe shokët e Spaçit.
Ne jemi te shkafanjit, të reckosë e të nximë nga turinjtë, kur t’na shofin do e kuptojnë, dhe do na pysin.
-Në rregull, tha ai, zgjidheni, dhe ju bën me shenjë policëve të cilët nuk e bën të gjatë po i kërcyen Salës në shpinë me shqelma e ç’mundën.
Sandër, Tomë, Sokol, e di që shpirtërat tuaj nuk kanë qetësi ashtu siç shpirtërat tanë zvarriten për jehonën e zërit tonë të përbashkët pasi sot krimi i djeshëm fyen dhe ironizon.
Sandër, ai që të uli nga makina mbas një natë torturash dhe të ktheu në kufomë sot jeton në Gjermani, është shkrimtari Lekë Imeraj, i cili pritet edhe në qytetin e martirizuar të Shkodrës ku studiot lokale i japin hapësirë.
Tomë, Sokol, ai që në mes të natës ju nxorri sytë, o zot, Mihal Nano sot ka një klinikë moderne në Tiranë.
Sokol, Tomë, Sandër, ai që inskenoi revoltën e Qaf-Bari ’84, Edmond Caja jeton në Gjermani
Jo vetëm që nuk është dëgjuar asnjë shenjë pendese prej tyre, por ata kur i pyet për këto veprime të sulmojnë duke të etiketuar, gënjeshtar e mashtrues.
Persekutorët janë të qetë pasi nuk ka asnjë klauzolë për dënimin e krimeve të tyre. Mos ndëshkimi i këtyre dënimeve vazhdonte ndëshkoje të ndëshkuarit.
Jo nuk mundet ta pranojmë ndaj thërrasim: “Eshtë koha për drejtësi!”
30.05.20

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.