back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Njëqind vjetori i luftës shqiptaro-malazeze të Qafës së Kolçit (1915-2015) nga Ylli Prebibaj

Gazeta

Ylli Prebibaj në Përkujtim të Betejës së Qafë Kolçit
Ylli Prebibaj në Përkujtim të Betejës së Qafë Kolçit

Njëqind vjetori i luftës shqiptaro-malazeze

të Qafës së Kolçit (1915-2015)

nga Ylli Prebibaj

Pamja e Curraj te Eperm
Curraj Eper

I

Lufta e Parë Botërore ishte zhvillim fort negativ për Shqipërinë, e cila megjithë ecejaket problematike ia doli të krijojë shtetin shqiptar, mirëpo lufta i shkërrmoqi strukturat e sapongritura. Bilanci i qeverisjes së shkurtër, ishte një fund i palavdishëm për ish kryeministrin Vlora, e pas tij të përzgjedhurin e Europës, Princ Vidin. Me largimin e këtij të fundit, Shqipëria humbi shansin për të ndjekur një kurs politik oksidental. Pasojat ishin dramatike, vendi mbeti pa një autoritet qeverisës dhe imazhi i Shqipërisë u dëmtua rëndë.
Territori i Shqipërisë gjatë luftës u shndërrua në një hapësirë, ku ndërthureshin interesat e të gjithë fqinjëve. Serbia, Mali i Zi, Italia dhe Greqia iu reshën asaj për të jetësuar Traktatin e Londrës të vitit 1915, sipas të cilit Italia merrte kontrollin e plotë të Sazanit e Vlorës me rrethina, Greqia Shqipërinë e Jugut dhe Serbia e Mali i Zi do të ndanin ndërmjet tyre Shqipërinë Veriore1. Viset verilindore përfshi krahinën e Nikaj-Mërturit, vihen rishtazi në objetivin e qarqeve sllave.
Në këtë situatë dhe në mungesë të çdo institucioni të mbrojtjes kombëtare, krahina riaktivizoi mënyrën e mbrojtjes tradicionale “burra nën pushkë”, të prirë nga bajraktarë, krenë, të parët e djelmnive, etj. Mali i Zi më 1915, shfaqi një oreks të pakontrolluar politik dhe zgjerimi i territoreve konsiderohej prioritet strategjik. Ushtria e këtij vendi iu drejtua viseve katolike shqiptare, ndërkohë që marrja e Shkodrës konsiderohej finalizimi i këtij operacioni antishqiptar.
Në të kaluarën historike pati orvatje për një klimë normale marrëdhëniesh ndërkufitare shqiptaro-malazeze. Nga gjysma e dytë e shekullit XIX e deri në kohën e luftrave ballkanike, pati orvatje për aleancë të përbashkët antiturke. Studiues rishtarë, nisma të tilla i interepretojnë kryesisht në dobi të Cetinjës, pa i shkuar deri në fund analizës. Në fakt ato synonin interesin reciprok. Prirjet e shqiptarëve për bashkëpunim me malazeztë kishin një arsye objektive, pasi një pjesë e konsiderueshme e Malit të Zi përfshi fisin Vasoviç, tradita i njeh të origjinës shqiptare2.
Misionari katolik P. Marjan Prelaj, vëren se Vasoviçi përmendet si fis me origjinë shqiptare, i cili më pas ka bjerrë kombësinë e ndjesinë shqiptare3.  Marrëveshjet në fjalë në tërësinë e tyre nuk funksionuan, si pasojë e ndërrimit të kursit politik të Cetinjës. Ushtria malazeze me mësymjen e Malësisë së Gjakovës dhe Dukagjinit, dy rajone me kontribute të çmuara në qëndresën antiturke e më vonë asaj antisllave, synonte sigurimin e rrugëve që të çonin në Shkodër. Mirëpo malësitë rishtazi u shndërrrun në një pengesë serioze për planin ushtarak të strategëve ushtarakë malazez.

II
Kuadri i zhvillimeve të përgjithshme

Rrethanat politike më 1915 u vështirësuan deri në pikën që ridoli në skenë shqetësueshëm ekzistencë e Shqipërisë. Dy shtetet që asistuan vendosmërisht pavarësinë shqiptare Italia e Austro-Hungaria, për shkak të ndryshimeve gjeopolitike iu kundërvunë njëra-tjeterës. Italia dhe Austro-Hungaria, prej 23 majit 1915 u përfshine në luftë ndërmjet tyre. Madje Italia u pozicionua në një front me Serbinë dhe Malin Zi, kundra Austro Hungarisë4. Kjo aleancë nuk kishte se si të rezultonte pozitive për Shqipërinë. Ndërmjet qeverisë italiane dhe asaj serbe të Pashiqit, shfaqen mosmarrëveshje për përfitimet në Shqipëri.
Kjo ishte njera anë e medaljes, sigurisht më negativja, nga ana tjetër është dështimi i faktorit politik të brendshëm i mishëruar në figurën e Esat Pashë Toptanit që pretendonte qeverisjen e Shqipërisë. Pashai shqiptar demonstroi mungesë të theksuar vullneti për t’u dalë zot interesave kombëtare. Prova më e qartë është fakti që në Shqipërinë e Mesme, ku aso kohe ai ishte zot i padiskutueshëm, nuk u regjistrua ndonjë qëndresë ndaj ushtrisë serbe.
Serbia i shfrytëzoi rrethanat e krijuara dhe pa marrë miratimin e aleatëve të Antantës filloi veprimet ushtarake e njohur si “Ekspedita Shqiptare”, e cila drejtohej nga gjernerali Damian Popoviç. Ushria serbe brenda dy javësh u shtri në pjesën më të madhe të Shqipërisë së Mesme5. Tirana u pushtua më 9 qershor, ndërkohë më 28 qershor 1915, u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Ljuba Jovanoviçit dhe Esat Toptanit.
Shteti i dytë që mësyu ushtarakisht viset Shqiptare ishte Mali i Zi. Pushtimi dhe aneksimi i Shkodrës dhe i Shqipërisë së Veriut ishin synime kryesore për mbretin 75 vjeçar malazez, Nikollë Petroviç Njegoshin, rrethanat u krijuan me invadimin e Shqipërisë së Mesme nga ushtria serbe6. Përplasja me Malin e Zi, nuk ishte e re për shqiptarët. Historia ndërkufitare ishte histori konfliktesh të përgjakshme prej dekadash, shpjegimi i të cilave lidhet me tendencën e vazhdueshme të këtij shteti për t’u zgjeruar territorialisht në kurriz të këtyre viseve.
Shkodra në këtë periudhë ishte vendqëndrimi i elitës politike dhe intelektuale shqiptare, për shkak të sigurisë që ofronte administrimi ndërkombëtar i qytetit. Ndërmjet shumë personaliteteve aty gjindeshin edhe Hasan Prishtina dhe Bajram Curri, të cilët iu drejtuan me një letër proteste përfaqësuesve të fuqive të mëdha në Shkodër, ku denoncohej kalimi i kufirit shqiptaro-malazez dhe serbo-shqiptar.
Në letër nënvizohet se “Asnjanësia e Shqipërisë e garantueme prej qeverive tuaja tani asht cënue dhe anullue. Asht e ditun qi shqiptarët s’kanë mbajtun asnji qëndrim përkrahës ose agresiv kundrejt shteteve fqinje. Përgjegjësia morale e vrasjeve që po vazhdojnë, bie natyrisht mbi pushtonjësit. Ndërkaq ne lajmërojmë se jemi të detyruem të luftojmë në mënyrë të dëshpërueme kundër anmiqve tonë për të mbrojtun të drejtat ma legjitime të vendit tonë”.
B. Curri dhe H. Prishtina kërkojnë ndërhyrje në Cetinjë e Beograd, për të respektuar vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës që konfirmojnë asnjanësinë e Shqipërisë7
Pushtimi i Shkodrës i detyroi si Currin dhe Prishtinën të largohen nga qyteti. Gazeta “Populli” e datës 8 qershor 1915, shkruan: “Muerem vesht se gjithë Kosovasit qi janë kenë në Shkodër sot nisën për në Malësi t’Kosovës nën kryesie të Bajram Beg Currit e Hasan Beg Prishtinës“8. Në Malësi të Gjakovës ata gëzonin mbështetje të madhe, ku mund të organizonin rezistencën ndaj Malit të Zi.
Më 27 qershor 1915, reparte të ushtrisë malazeze të drejtuara nga gjenerali Veshoviç pushtuan Shkodrën, qysh në fillim u përndoqën patriotët shqiptarë dhe familjet e tyre. Gjeneral Veshoviçi urdhëroi të internoheshin në Lezhë familjet e Hasan Prishtinës dhe të Bajram Currit, me këtë veprim u provua se dy patriotët ishin në objektivin e ushtrisë malazeze. Mirëpo familjet në fjalë gjatë udhëtimit në det u shpëtuan nga një nëndetëse e Austrisë9.
Pushtuesi sllav i Shkodrës ndërpreu të gjitha aktivitetet politike e kulturore të elitës shkodrane dhe të shqiptarëve të tjerë me strehim aty. Në këto rrethana, Dukagjini dhe Malësia e Gjakovës u bënë protagoniste të një qëndrese të fortë ndaj pushtuesve të rinj.

 

Faksimile e Gazetës Populli, Shkodër 1915
Faksimile e Gazetës Populli, Shkodër 1915

III
Lufta shqiptaro-malazeze e Qafës së Kolçit

Në hartën e objektivave të tyre, strategët ushtarakë malazezë, kishin shenjuar Malësinë e Gjakovës, vatrën e qëndresës së Lëvizjes Kombëtare. Ushtria malazeze depërtoi nga ana e Çeremit, Qafa e Morinës, Qafa e Stobërdës dhe Qafa e Prushit. Luftime u zhvilluan në Qafë të Morinës, Spik, Zherkë, Shumica Ahmataj dhe Okol të Gashit, për tre ditë me rradhë, ku ushtria përdori edhe artilerinë10. Operacioni ushtarak u ndërmor më 8 qershor nga repartet e komanduara nga gjenerali R. Veshoviçi, kufijtë u goditën në dy kolona në drejtim të Gashit e të Bytyçit11. Në këto rajone pati një qëndresë të fortë dhe shumë të vrarë nga të dy anët. Malazestë vetë dëshmojnë trimërinë e shqiptarëve12. Në këto luftime u vranë 30 vetë dhe u plagosën 50 malazezë. Ballafaqimi ishte në kushte të pabarabarta, për këtë arsye ushtira malazeze e theu qëndresën dhe depërtoi në malësi, ku vendosi establishmentin ushtarak te Ura Bujanit.
Pas pak ditësh ushtria në fjalë vijoi marrshimin drejt Nikaj-Mërturit. Më 12 qershor 1915, gazeta “Populli” publikon lajmin me titull: “Serbi afër Mërturit”, ku shkruhej: “Po i bajmë me dit se Serbia ka ardhë afër Mërturit e ka djegë Bytyçin, Luzën e Dushajt. Luftë e madhe asht tuej u ba, e t’anë nahia e Gjakovës kanë lidhë besën ma përpara me dekë, se me i ra në dorë. Serbi asht tuej hikë sa po mundet prej shpiet vet, po majmë uzdajë qi kta bajrakë nuk po e lan me hie Serbin”13.1915 Befasia e veprimeve të malazezeve ishte një faktor mjaft negativ për qëndresën shqiptare, por megjithë vështirësitë e krijuara pati përpjekje serioze me qëllim koordinimin e veprimeve ndërmjet fiseve. Qëndresa ndërfisnore merr kuptim më së miri në betejën e Qafës së Kolçit, ku luftuan bashkarisht Bajraqet Nikaj, Mërtur dhe Shalë. Sipas At. Marin Sirdanit O.F. M “…Lufta e bame në Qafën e Kolçit e ajo e Lugut të Shalës janë të rralla në historinë tonë. E para, pse nji numër i vogël komite theu me dam të madh ushtrinë e madhe malazeze, e e dyta, pse shaljanët ban me ra në dorë 1500 ushtarë, e në shej robnijet me u përshkrue të gjithë nën armë”14
Shpejtësia e operacionit malazez, synonte ta vinte përpara faktit të kryer Antantën, e cila nuk u pajtua me këtë sulm, po edhe për t’u rënë në befasi malësive. Pra, duhet të sqarojmë se sulmi i Mali të Zi ishte në kundërshtim me interesat shqiptare, por edhe pa aprovimin e aleatëve në koalicionin e luftës. Në këto rrethana, informacioni qarkullonte tepër i rezervuar, dhe kjo ishte arsyeja që fiset e malësisë u gjetën të papërgatitura, pasi ushtira malazeze ndoqi strategjinë e zbarkimit të shpejtë.

 

Faksimile e Gazetës Populli, Shkodër 1915
Faksimile e Gazetës Populli, Shkodër 1915

IV
Qëndresa e Currajve të Epër

Oreksi i madh i kësaj ushtrie nuk u ndal në Nikaj, kufiri maksimalist i arritur deri atëherë nga ndonjë ushtri e huaj, por iu drejtua Currajve të Epër, ku u dërgua një kompani e posaçme. Bash ky mision i papeshuar, ndërroi kursin e të gjithë operacionit të kësaj ushtrie. Bujtja e tyre në Curraj, pa lajmëruar, natën dhe sidomos përdorja e një gjuhe ultimative për t’u dorëzuar, ndeshi në kundërshtinë e krenve të Currajve. Këta të fundit, u orvatën t’u mbushnin mendjen drejtuesve të kompanisë që rregulla të tilla nuk mund të imponoheshin në shtëpi të tyre, si dhe u kërkuan të largoheshin një orë e më parë. Ky qëndrim synonte evitimin e ballafaqimit me një kompani të vetme, e cila nuk ishte aspak e vetëdijshme për qorrsokakun ku kishte përfunduar.
Megjithë bisedimet herë nëpërmjet një shqipje të çalë të disa ushtareve malazezë e herë nëpërmjet përkthimit, palët nuk u morën vesh. Kësisoj, alternativa e vetme mbeti lufta. Përplasja me armë nuk mund të shmangej më gjatë, sepse ishte në interes të malazezëve që prisnin përgjigjen disa orë larg Currajve dhe po avanconin për të siguruar pritat më të mira natyrore, për luftën e pritshme. Në këto kushte dhe nëpëmjet një matematike gjestikulacionesh të pakuptueshme për ushtarakët e huaj ndërmjet krenve e djelminisë, u dha sinjali për likujdimin ose izolimin e kompanisë, mandej u lëshua kushtimi i luftës. Në pak dekika në Sukë të Kishës, qendër e kuvendeve të 100 shtëpive u grumbulluan burrat nën pushkë.
Likujdimi i kompanisë kryeneçe malazeze që mësyu e shantazhoi me luftë 100 shtëpi të Currajve, nuk ishte thjesht fitorja por fillimi i saj. Ushtria malazeze i ishte afruar Qafë së Kolçit, ku pritej të zhvillohej lufta e madhe. Krent e Currajve të vetëdishëm për rëndësinë e kësaj beteje, por edhe në respekt të zakonit të luftës, lëshuan kushtrimin tek bajraqet fqinje. Shala e cila deri atëherë kishte mbajtë peshën më të madhe të luftës kundër malazezëve në të gjithë veriun, për çka i takon një meritë historike u përgjigj me vullnetarët e saj por dhe me armë të konfiskuara ushtrisë malazeze.
Ndërkohë, Nikaj e Mërtur kishin një traditë të konsoliduar të ndihmës reciproke. Paria e Currjave, Balec Gjoni, Gjelosh Rama, Mark Hasani, Sylë Avdia, Kukel Ndou, Nik Musa, etj i prinë karvanit të gjatë të Currajve, ndërmjet të cilëve kishte edhe nga dy e tre nga e njëjta shtëpi. Në vendluftimin e shenjuar mbërritën edhe vullnetarë të Nikajve e Mërturit, luftëtarët malësore udhëhiqeshin nga Gjelosh Rama, Prelë Tuli,Tunxh Miftari, Mark Sadiku, Shytan Brahimi, Mark Alia, Sadri Trimi, Dedë Trimi, Ali Haka, Sylë Avdia, Zenel Selimi, Balec Gjoni, Kukel Ndou, Nik Musa, Zhujë Avdyli, etj15.
Dimensioni i kësaj lufte përshkruhet kështu nga Atë Daniel Gjeçaj O.F.M: “Qafa e Kolçit kthehet rishtaz në thermopyle. Vullnetarët tanë u kapën këtu para se ushtritë malazeze ti ngjiteshin kodrakut. Bekimi i meshtarit, mauzerrja e Prel Tulit, mitralozi i Man Avdisë së Palçit, karadakja e Gjelosh Ramës, prija e Tungj Bajraktarit e e Deli Sokolit, Flamurtarit të Nikajve qenë sheji se lufta ishte nisë…”16. Reagimi i përbashkët rezultoi efektiv, Nikaj e Mërtur, Palç e Curraj me pushkatarë nga Shala e Shoshi u lëshuan në divizionin e trulluem të Veshoviçit shkruan Gjeçaj17
Famullitarët françeskanë ishin frymëzim shpirtëror i kësaj lufte ekzisenciale për lirinë e dinjitetin e krahinës. At Rrok Gurashi O.F.M, në një studim të botuar në të përmuajshmen “Hylli i Dritës”, shkruan: “Pader Leonard Shajakaj, famullitar i Currajt bashkoj Currajt e ju lshue shkjaut në shpinë e më tjetrën burrat e Palçit me P. Bernard Llupin i duelën më tjetrin krah e i shtynë malazezt në Qafë të Kolçit. Aty malazezt deshtën me qindrue, por P. Bernardin Llupi kishte marrë me vedi nji mitraloz, qi Hysni Curri ja kishte pasë lanë… tuej u kthye prej Durrcit në vjetin 1914 e ndiene malazezt mitralozin, u hini friga se asht Austrija e shkuen tuj bërtitë si të marrë e lshuen armët për tokë e hikën…”18. Roli i madh i françeskaneve të sipërpërmendur faktohet edhe nga dokumentacioni i ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit. Në një burim dokumentar evidentohet roli i madh që luajtën në luftën e Qafës së Kolçit P. Bernard Llupi dhe P. Ciril Cani19.
Një trajtim me interes e gjejmë te historiani Atë Marin Sirdani O.F.M, sipas tij: “…Ushtrija malazeze ishte tuj u bajt e çetat shqyptare i ishin vu në shpinde, flamuri kombëtar ende nuk kqyrej me sy të mirë. I flakti atdhetar Bajram Curri, me çetën e vet u përpoq me çetën katolike të Nikajve e të Mërturit në Qafë të Kolçit. Këtyne të mramve u kishte prij, veshë e armatisë vendçe, franceskani P. Bernardin Llupi me flamur të Shqypnisë. Kur u bashkuen të dy çetat, Bajram Begu dan manesh fratin e e lutë t’iu vejshin në shpinë malazezve pa flamur të Shqypnis mos të pezmatohej halija. Thojte i ndieri Bajram: “Ta lirojmë vendin së huejsh e mandej e ndërtojm Shqypnin si t’a duem veti, se me ba me dijt këta se na duem Dauletin e flamurin e tij, nuk na vrasin me pushkë po na mbytin me gurë”. Frati e pa t’arsyeshme këshillin e tij, e palue flamurin e shti në hejbe, vijon të msyemen…”20.
Në literaturën e fillimshekullit XX, evidentohet roli i madh që luajtën Currajt e Epër në këtë luftë me përmasë të përgjakshme. Protagonistë të betejës në fjalë, u jepet dimension i jashtëzakonshëm, kështu Gjelosh Rama cilësohet si një djal “Dragua”, vlerësohet gjithashtu trimëria e të kapitasit Ali Haka, etj. Ndërkohë qëndresës i jepet një dimension historik, kur ndër të tjera shkruhet, “Qeta janë Nikaj e Shalë”21.
Konflikti i muajit korrik 1915, i dha një goditje të fortë ushtrisë malazeze, në Qafën e Kolçit nga të 150 malazeztë, mezi shpëtuan rreth 40 prej tyre. Malazeztë u shtynë deri te ura e Valbonës, madje edhe përforcimet malazeze që erdhën nga Shkodra nuk patën sukses22. Humbje në njerëz pati edhe nga pala shqiptare. Sipas të dhënave në luftën e Qafës së Kolçit mbetën të vrarë Ali Hak Niklekaj, Kel Sejdi Prebibaj, Nik Deli Progni, Sadri Trim Pjeternikaj, Zhuj Avdyl Uknikaj, etj23.
Kohët e fundit jemi konsultuar edhe me disa dokumente të pashfrytëzuara deri më tani për këtë ngjarje. Në një prej këtyre akteve kostatohet: “…Në luftën qi bamë në Qafë të Kolshit me Malin e Zi u vra dekun tue luftue me zemër e me shpirt i quejtuni Kol Seda, sepse deshi ma parë se jetën, atdhenë…”24
Sipas Dodë Prognit, në qëndresën e organizuar dhanë jetën Nikë Delia (Progni) nga Salca, Sadri Trimi, i pari i djelmnisë së Mërturit nga Shëngjergji, Ali Haka (Kapit) e Sejdi Miftari nga Gjonpepaj, Gec Prendi nga Curraj Poshtëm, Zhuj Avdyli nga Lekbibaj, etj25. Duhet evidentuar se jo të gjithë të sipërpërmendurit janë nderuar si e sa duhet në dekadat komuniste. Me gjasë ka ndikuar biografia e pasardhësve të tyre, por tjetër arsye objektive ka qënë mungesa e burimeve për pasyqimin e ngjarjes.
Para viteve 90-të, me përjashtim të materialeve të grumbulluara në Arkivin e Muzeut Historik të Tropojës, kjo ngjarje në rrafsh kombëtar është lënë pak mënjanë. Kështu në shumë rajone të Shqipërisë mund të gjesh përkujtimore, shtatore apo pllakata për ngjarje dukshëm më të parëndësishme se kjo.
Përkujtimi i kësaj ngjarje kishte rënë pre e prirjeve ideologjike të kohës, i tillë është edhe një shkrim i gazetës propagandistike të kohës “Bashkimit”, sipas së cilës “betejat e vitit 1915, shënuan faqe të reja heroizmi në luftë kundër pushtuesve… qëndresa vijoi në Qafë të Kolçit… lufta në proporcion krejt të zhdrejtë në forca e teknikë luftarake, ku armiku qe shumë herë më superior, u kthye në favor të malësorëve… edhe sot gjenden varret e tyre (malazezëve) në atë  Qafë26. Kjo ishte pak a shumë mendësia kolektive aso kohe, për përkujtimin e ngjarjeve të këtij dimensioni historik.

Suka e Kishes Curraj Eper
Suka e Kishes Curraj Eper

***

Lufta e Qafës së Kolçit më 1915, rikonfirmoi traditën e Malësisë së Gjakovës për t’i dalë zot mbrojtjes së krahinës. Kontibuti i dhënë prej parisë së Currajve, Nikajve, Mërturit, Shalës dhe të gjithë burrave nën pushkë të këtyre bajraqeve ishte një ogur i mirë për qëndresën e përgjithshme që pasoi këtë ngjarje.
Currajt me refuzimin e ofertës së Malit të Zi dhe me nisjen e luftës, pikë së pari mbrojtën shtëpinë e Zotit, ku famullitarët shërbenin me sakrifikca të shumta dhe padiskutim votrën e tyre të sulmuar tinëzisht dhe pabesisht.
Reagimi i përbashkët në frontin e Qafës së Kolçit, ishte një veprim i matur i krenve të Nikajve, Mërturit e Shalës, por edhe të Geghysenit (Krasniqe), të cilët u ndeshën me trupat malazeze, pasi këta të fundit i sulmuan barbarisht gjatë tërheqjes së tyre. Kësisoj, kjo luftë nuk ishte e izoluar, por një përpjekje serioze për ta larguar pushtuesin nga e gjithë krahina e pse jo për të kontribuar edhe përtej hapësirës nikajmërturase. Dimensioni i kësaj qëndrese është konsideruar nga shtypi dhe kronikanët e asaj kohe si frymëzim mbarëkombëtar.

Bibliografia

Burime Arkivore:
*Arkivi Qëndror i Shtetit: F. 133; F. 178.
*Biblioteka e Arkivit Qëndror të Shtetit.

Organe Shtypi dhe Periodikë:
Bashkimi, Nr. 242, Tiranë 1978
Kalendari i Vjetës 1925, Nr. 34, Shtypshkronja e së Papërlyemes, Shkodër 1925
Hylli i Dritës, Nr. 1, Shkodër 1934
Hylli i Dritës, Nr. 12, Shkodër 1937
Populli – Nr. 74, Shkodër 1915
Populli – Nr. 79; Shkodër 1915
Populli – Nr. 89, Shkodër 1915

Botimet Historiografike:
Atë Marin Sirdani, “Ndriçime të historisë, të kulturës dhe të artit shqiptar”, Shpresa, Prishtinë 2002
Ajet Haxhiu, “Hasan Prishtina dhe Lëvizja Patriotike e Kosovës”, Naim Frashëri, Tiranë 1968
Ali Lushaj, “Shipshani i Malësisë së Gjakovës”, Dardania, Tiranë 1999
Charles dhe Barbara Jelavich, “Themelimi i Shteteve Kombëtare të Ballkanit”, 1804-1920, Dituria, 2004
Dodë Progni, Zef Doda, “Nikaj-Mërturi”, Shtjefni, Shkodër 2003
Elez Qerimaj “Malësia e Gjakovës (Tropoja) në rrjedhën e historisë kombëtare”, Kristalina-KH, Tiranë: 2008
Muin Çami, “Shqipëria në Marrëdhëniet Ndërkombëtare (1914-1918)”, Akademia e Shkencave të RPS të Shqipërisë, Tiranë 1987
Niman Ferizi, “Familja Curri”, Albania, Konstancë 1935
Pal Dukagjini, “Prelë Tuli i Salcës”, Qëndra e katolikëve Shqiptarë Jashta Atdheut, Romë 1988
Visaret e Kombit, Vëll X, “Lahuta e Kosovës”, mbledhë nga mësuesi Myrteza Roka, Ngrehina Typografike “Gurakuqi”, Tiranë 1944

*Kjo Kumtesë u mbajt më 18 korrik 2015, me rastin e 100 vjetorit të luftës së Qafës së Kolçit.

Nota…
1.Charles dhe Barbara Jelavich, Themelimi i Shteteve Kombëtare të Ballkanit, 1804-1920, Dituria, 2004, fq. 292
2.Kalendari i Vjetës 1925, Nr. 34, Shtypshkronja e së Papërlyemes, Shkodër 1925, fq. 42
3.AQSH F. 133 V. 1958. D. 1306. fq. 1-3
4.Muin Çami, Shqipëria në Marrëdhëniet Ndërkombëtare (1914-1918), Akademia e Shkencave të RPS të Shqipërisë, Tiranë 1987, fq. 177
5.Po aty, fq. 180
6.Po aty, fq. 189
7.Ajet Haxhiu, Hasan Prishtina e Lëvizja Patriotike e Kosovës, N.Frashëri, Tiranë 1968, fq. 120
8.Populli Nr. 74, Lajme t’Mbrendshme”, Shkodër 1915, fq. 3
9.Niman Ferizi, Familja Curri, Albania, Konstancë 1935, fq. 24
10.Dodë Progni, Zef Doda, Nikaj-Mërturi, Shtjefni, Shkodër 2003, fq. 161-162
11.Gazeta Populli e datës 11qershor 1915, fq. 2
12.Populli, Nr. 89, Shkodër 1915, fq. 2
13.Populli; Nr. 79; Serbi afër Mërturit , Shkodër 1915
14.Hylli i Dritës, Nr.1, Kontributi i elementit Katolik shqyptar në lamë t’atdhetaris, Shkodër 1934, fq.39
15.Dodë Progni, Zef Doda, vepër e përmendur, fq. 162-163; “Historik Fshatrash”, Muzeu Historik Tropojë, L.5, D. 3, fq. 31
16.Pal Dukagjini, Prel Tuli i Salcës, Qendra katolike shqiptare jashta Atdheut, Romë 1988, fq.76
17.Po aty, fq. 84
18.Hylli i Dritës, Nr. 12, Dukagjini për liri të Atdheut, Shtypshkronja Franceskane, Shkodër 1937, fq. 573-574
19.AQSH F. 133 V. 1942 D. 1233 fq. 81
20.Atë Marin Sirdani, Ndriçime të historisë, të kultures dhe të artit shqiptar, Shpresa, Prishtinë 2002, fq. 180
21.Visaret e Kombit, Vëll X, “Lahuta e Kosovës”, mblodhi mësuesi Myrteza Roka, Ngrehina Typografike “Gurakuqi”, Tiranë 1944, fq. 59-60
22.Muin Çami, vepër e përmendur, fq. 200
23.Ali Lushaj, Shipshani i Malësis së Gjakovës, Dardania, Tiranë 1999, fq.164; Elez Qerimaj, Malësi e Gjakovës (Tropoja) në rrjedhën e historisë kombëtare, Kristalina, Tiranë: 2008 fq. 193
24.AQSH F. 178 V. 1940 D. X-333, fq. 28
25.Dodë Progni, Zef Doda, vepër e përmendur, fq. 163-164; AMHT, Lista emrore e  dëshmorëve dhe dekorimeve, L.2,  D.1
26.Bashkimi, Nr. 242, Curraj Epërm në Preher të Alpeve, Tiranë 1978, fq. 2

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.