back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Njerëz që e meritojnë të quhen “Njerëz” – Rreth veprës “Burgu i Spaçit” të disidentit Dine Dine – nga Lek Mirakaj

Gazeta

Dine Dine - Burgu i Spaçit
Dine Dine – Burgu i Spaçit

Njerëz që e meritojnë të quhen “Njerëz”

nga Lek Mirakaj

Rreth veprës “Burgu i Spaçit” të disidentit Dine Dine

Pas librit “Mbi Varkën e Karontit”, dëshmi e arrestimit dhe hetuesisë, shkrimtari desident Dine Dine, i cili kaloi rreth katër dekada nëpër kampet e internimit dhe ferrin e burgjeve të komunizmit, vjen para lexuesit me një libër voluminoz, ku në cilësinë e protagonistit, na sjell me cilësi artistike, të vërtetën e hidhur të përjetuar në burgun famëkeq të Spaçit.
Është shkruar, por jo aq sa duhet mbi njërin nga institucionet më çnjerëzore dhe të turpshme, që pushtuesit shqipfolës, duke marrë eksperiencën më të keqe të gulagëve stalinianë, për dyzet vjet e përdorën si instrument dhune dhe nënshtrimi në Shqipëri.
Shumë bashkëvuajtës e kanë trajtuar temën e burgjeve ne diktaturë, Visar Zhiti, Fatos Lubonja, Zyhdi Morava, Maks Rakipaj, Agimi, e plot të tjerë, kanë krijuar atë që ka hyrë në fjalorin e letërsisë me termin “letërsi e burgjeve”. Një emër që po imponohet me cilësi dhe autoritet është pa dyshim Dine Dine.
Libri më i fundit i tij “Burgu i Spaçit” është mbresëlënës, ku karakteret e figurave që autori, në shumicën e rasteve i ka shokë e miq të tij, i përshkruan me dashuri, por edhe me vërtetësi. Për ne që kemi pasur fatin e keq dhe të mirë njëkohësisht, me i jetu në vetë të parë shumë nga episodet dhe karakteret që Dine na i sjell në kujtesë, mund të them se na vijnë të freskëta sikur të kishin ndodhur dje. Për të mos u keqkuptuar, kur thashë fatin e keq dhe të mirë, kisha parasysh se krahas fatkeqësisë ne kishim fatin për të qenë një grup shokësh që ishim rritur së bashku nëpër kampet e internimit dhe e kuptonim dhe donim njëri-tjetrin pa interes.
Dinja na sjell të freskët, si njerëz që e meritojnë të quhen “Njerëz”, portretin e të cilëve ai e përshkruan me dashuri, si portreti i dajë Veliut, kushëriri i nënës së Naimit, apo figura simpatike si intelektuali Islam Spahiu e të tjerë. Po ashtu nuk i shpëtojnë ironisë dhe një farë gjykimi moral, kur portretizon njerëz që kishin humbur diçka nga dinjiteti. Për një lexues që nuk e ka eksperiencën e burgjeve, mënyra që ka zgjedhë autori për të treguar të përditshmen e jetës në burg, të krijon idenë se në fund të fundit në burgje nuk e paskeni kaluar shum keq…!!

Të Pestë dikur ishin shokë burgu në Spaç dhe Qafë Bari, Dine Dine, Lek Mirakaj, Bardh Kupi, Qemal Dema, Naim Staravecka
Të Pestë dikur ishin shokë burgu në Spaç dhe Qafë Bari,
Dine Dine, Lek Mirakaj, Bardh Kupi, Qemal Dema, Naim Staravecka

Dinia përshkruan drekat e përbashkëta, humorin, e një farë jetë jo shumë të ngarkuar emocionalisht. Edhe mua, që jam njëri nga personazhet, leximi në shikim të parë më krijoi një shije jo të këndshme, po duke u zgjatur në lexim, fillova ta ndiej dhe ta kuptoj autorin, i cili nuk mund të dalë nga natyra e tij. Një Dine që nuk përton të tallet edhe me vehten, një Dine i tejndjeshëm kur flet për nënën, për gruan e re apo djalin qe e ka lënë njëvjeçar, por që ngelet një optimist i pandreqshëm, si në rini edhe gjatë jetës së burgjeve. Unë nuk e di a ka qenë një rastësi mënyra se si e përshkruan atmosferën e burgut autori, apo ka qenë një gjetje e qëllimshme, që unë duke njohur që fëmijë atë, mendoj se ka qenë e qëllimshme për t’i thënë lexuesit, se edhe në konditat antihumane të regjimit të urisë, të galerive, ku hyje dhe nuk e dije nëse dilje, ne nuk u thyem! Edhe në ato kushte në dinim t’i jepnim jetës një kuptim.
Është shkruar shumë mbi torturat, ridënimet, urinë, sa e sa privime fizike e shpirtërore, po asnjë autor nuk ka bërë gjetjen artistike të Dines dhe moralin që përcjell ai… “Edhe në ferr, – na thotë autori,se ferr i vërtetë ishte Spaçi, – nëse ke vendosur të jeshë njeri, ka vend edhe për çaste të vogla, ku harrohet realiteti!” Ndaj duhet ta falënderojmë autorin që nëpërmjet zgjedhjes aristike që ka bërë, na ka thënë ca të vërteta që, në mënyrë të qëllimshme, autorët e krimit i injorojnë… Duke e lexuar këtë libër, lexuesi do të mësojë edhe ca të vërteta që janë lënë jashtë së vërtetës së madhe, ku krahas dhunës kishte dhe rezistencë që manifestohesh edhe nëpërmjet atyre episodeve që autori i ka përshkruar me dashuri e vërtetësi si: momenti i përsëritjes së apelit e pse jo edhe nëpërmjet atyre drekave, ku nuk mungon edhe humori…
Jam i sigurt, megjithëse Dinia asnjëherë nuk kuptohet, kur flet seriozisht apo kur bën shaka, lexuesi së shpejti do ketë edhe një libër për burgun famëkeq të Qafë Barit, që me librin e parë mbi “Varkën e Karontit”, burgun e Spaçit do plotësojë trilogjinë e tij të burgjeve.

Marrë nga Gazeta “Dielli”, 18 janar 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.