back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Njëri e nis… tjetri e bitis! nga Ilir Hashorva

Gazeta

Ilir Hashorva
Ilir Hashorva

Njëri e nis… tjetri e bitis!

nga Ilir Hashorva

Ndoqa punimet e parlamentit më 17 dhjetor, në ditën e protestës së dytë të PD-së. Pika kryesore e rendit të ditës ishte ligji për dekriminalizimin e parlamentit, sipas të cilit persona me të shkuar kriminale nuk do të hynë më në parlament…
Ligji u miratua njëzëri. U tha se ishte me 4 nene, por vetëm kaq. Hollësira të tjera, të paktën, unë nuk di. Nëqoftëse ligji nuk fillon me përkufizimin e qartë dhe të drejtë të kriminelit, domethënë cili do të quhet kriminel, ai ligj nuk thotë asgjë dhe, ndoshta, edhe prandaj u miratua pa asnjë kundërshtim. Nëqoftëse ligji do të kapet vetëm mbas disa pak personave që kanë kryer krime të kufizuara, kanë vrarë njëri-tjetrin, apo kanë vjedhur njëri-tjetrin, dhe nuk merret me grupe, parti, apo dhe me vetë parlamentin, veprimet e të cilëve ndikojnë negativisht mbi një numër të madh personash, ai ligj nuk ka asnjë vlerë.
Pikërisht këtë ditë, që u miratua ligji i dekriminalizimit, në një parlament që ngjante më shumë me një klasë të shkollës tetëvjeçare, ku nxënësit tallen me mësuesin, bëjnë zhurmë, qeshin, flasin, bërtasin, ikin, vijnë sipas qejfit, u zhvillua një debat i ashpër midis Edi Ramës dhe Sali Berishës në lidhje me dy çështje të cilat i kanë bërë bashkërisht, por secili fajëson tjetrin:

Shyqyri Coku - dhe medaljet e dhuruara nga diktatura
Shyqyri Coku – dhe medaljet e dhuruara nga diktatura

Çështja e parë: Dekorimi i 1000 personave si veteranë të luftës nga ana e PS-së.
Midis të dekoruarve ishte edhe Shyqyri Çoku, personi që ka zhvilluar hetuesinë e At Zef Pllumit, të Sami Repishtit dhe të shumë të tjerëve. Ç’është e vërteta, ndonëse ky person ka kryer hetuesinë e At Zef Pllumit, që tashmë është bërë shumë i njohur me sagën e tij të krimit komunist, nga vetë tregimi i At Zefit, ky hetues nuk del të jetë treguar kriminel, duke pasur parasysh standardet për kriminelin e asaj kohe. Ka pasur hetues e kriminelë të tjerë që i kanë nxjerrë të burgosurit e tyre edhe të gjymtuar, edhe të vdekur. Megjithatë, si hetues i regjimit komunist, Shyqyri Çoku duhet të mbajë njollën e turpit dhe të krimit dhe jo lavdinë e dekorimit. Në listën prej 1000 të dekoruarve me siguri ka edhe shumë të tjerë që kanë marrë në qafë dhe kanë trajtuar edhe më keq se Shyqyri Çoku plot persona të tjerë për të cilët sot nuk ka kush flet. Ata janë të gjithë kriminelë dhe të dekorosh kriminelët, në vend që t’i dënosh, mund të konsiderohesh si bashkëpunëtor në krim: ai që i dekoron nuk është më pak fajtor se krimineli që dekorohet. Por, ai që e ngre zërin më fort kundër këtyre dekorimeve, Sali Berisha, i ka bërë vetë listat mbi të cilat u bazuan dekorimet e PS-së vite më parë, jo për t’i dekoruar, por për t’u dhënë pensione shtesë. A nuk mund të konsiderohet edhe ai që u jep pensione shtesë kriminelëve vetë kriminel? Dhe, a ka ndonjë ndryshim në parim midis atij që u jep pensione shtesë kriminelëve dhe atij që i dekoron ata? Nuk e besoj.

ps-pd (dy anët... e nji medalje)
ps-pd (dy anët… e nji medalje)

Çështja e dytë: Legalizimet.
Ngrihet Edi Rama dhe mburret e thotë se gjatë dy vjetëve të qeverisjes së tij janë kryer 40000 legalizime, ndërsa kritikon qeverinë e Berishës që në tetë vjet ka bërë  gjysmën e tyre. Rama mburret me një nga çështjet më të diskutueshme të këtyre 25 vjetëve: me bërjen e të paligjshmes të ligjshme!
Nuk besoj të ketë ndonjë kryeministër në ndonjë vend tjetër të botës, qoftë edhe në Afrikë, apo në Amerikën Latine, që të mburret me këto lloj punësh, sepse e di se, nga një anë, nuk e lë kush të veprojë kështu dhe, nga ana tjetër, e di se shteti i tij, për të cilin duhet të jetë i përgjegjshëm, nuk mund të ecë përpara me ligjërimin e të paligjshmes, me absurditetin. Edi Rama, në vend që ta paraqiste veprimin e tij të legalizimeve si një zgjidhje nga halli të një problemi të rëndë të trashëguar dhe të paraqiste njëkohësisht edhe ndonjë plan konkret për kthimin e shpejtë të pronave të pazëna pronarëve të vërtetë, apo t’ua kompensonte atyre me prona të tjera të shtetit apo me pare, mburret se u ka dorëzuar, edhe me dorën e vet, mijëra tapi atyre që kanë grabitur pronat, ndërsa për pronarët e vërtetë nuk thotë asnjë fjalë…
Ngrihet pastaj Sali Berisha dhe thotë se meritën e ka ai, pasi ishte ai që filloi legalizimet dhe jo Edi Rama dhe u bën thirrje zaptuesve të trojeve që të mos paguajnë asnjë lek për trojet e zëna për procesin e legalizimit, pasi kur të vijë ai përsëri në pushtet, do t’ua bëjë legalizimin krejtësisht falas. Dhe, a ka ndonjë ndryshim këtu në fajësi midis atij që bën disa mijëra legalizime të pronave të paligjshme dhe atij që bën dyfishin, apo midis atij që e fillon atë proces dhe tjetrit që e përfundon?
Këtyre lloj politikanësh u duhet ndaluar hyrja në parlament, për këta duhet bërë një ligj i fortë, një ligj që të mos lejojë në asnjë mënyrë që ligjet të bëhen prej tyre. Padrejtësinë, apo krimin, pasi padrejtësia është krim, e kanë bërë bashkërisht të dy: Sali Berisha dhe Edi Rama, edhe pse të dy kritikojnë, shajnë e nëmin njëri-tjetrin, se njëri e ka bërë mirë dhe tjetri keq. Më e drejtë dhe më e ndershme do të kishte qenë në qoftë se i pari, Sali Berisha, jo të kritikonte, por të lëvdonte të dytin, Edi Ramën, duke i thënë: “Bravo të qoftë, atë që nisa unë e bitise ti…!”.
Nju Jork, dhjetor 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.