back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Njeriu përballë Përbindëshit” – Dosjet e Musa Sinës libri i parafundit i Jozef Radit – korrik 2021

Gazeta

Jozef Radi -"Njeriu përballë Përbindëshit" - Dosjet e Musa Sinës
Jozef Radi -“Njeriu përballë Përbindëshit” – Dosjet e Musa Sinës

“Njeriu përballë Përbindëshit” – Dosjet e Musa Sinës

libri i parafundit i Jozef Radit – korrik 2021

Mbas një pune realtivisht të gjatë, të shtrirë në disa vite në trajtimin e dosjeve dhe reflektimin mbi vlerat e tyre, doli sot, botimi më i fundit i imi: “Njeriu përballë Përbindëshit” – “Dosjet e Pafundme të Musa Sinës”, një libër i cili trajton figurën e një njeriu të thjeshtë, e që në fillimet e kësaj dosjeje të madhe, na shfaqet i pashkollë e analfabet. Ai s’di as të shkruajë e as të lexojë, dhe gjithë dokumentat e veta të fillimit, i firmos thjesht: me gjurmën e gishtit!
E fillova pikërisht me një njeri të thjeshtë, me Musa Sinës trajtimin e dosjeve të Sigurimit të shtetit, sepse mendoj dhe besoj se përmasa e së Keqes, që diktatura i ka shkaktuar individëve të klasifikuar prej saj si “armiq të popullit” është e përbindëshme, dhe ende sot s’ka një ide të plotë të saj, edhe pse dëshmitë janë të tmerrshme, përmasa vërtetë e saj ende s’ka mundur dalë si dhe sa duhet!!
Lehtësisht mund ta kisha filluar këtë trajtim të dosjeve me intelektualë të formuar në perëndim si Lazër Radi, apo figura të ndritura të Klerit si Dom Mikel Koliqi, pse jo edhe me intelektualë që i kanë shërbyer devotshëm shtetit shqiptar si Mirash Ivanaj, apo figura shkrimtarësh si Kasëm Trebeshina që si idealistë, i shërbyen vendosjes së komunizmit, dhe vetëm kur e panë të Keqen që i kishin shkaktuar vetes dhe popullit të tyre, u bënë disidentë, e hynë në armiqësi të hapur me atë çka kishin dashur me shpirt, po mund të kisha trajtuar edhe figura të dashura kelmendasish fisnikë e stoikë, edhe pse njerëzish të thjeshtë si: Nikollë Mërrnaçaj apoVitore Vushmaqi
.
Jozef Radi -"Njeriu përballë Përbindëshit" - Dosjet e Musa Sinës
Jozef Radi -“Njeriu përballë Përbindëshit” – Dosjet e Musa Sinës
E zgjodha si një trajtim të parë figurën e Musa Sinës, pikërisht për thjeshtësinë e saj po edhe për ta dëshmuar përmasën e qenërimit të Diktaturës.
Musa Sina qe njeri i thjeshtë i një familje të madhe dibrane, e lidhur paksa nyje me kryshqi të njohura. Ndoshta më shumë se i thjeshtë Musa Sina ka qenë njeri me shpirt të thellë humori dhe alegrie, çka e mbajti gjallë të mbijetojë përballë asaj çka pësoi. Ata që e kanë njohur Musanë, besoj se kur unë them se ai ka qenë një Nastradin shqiptar, sigurisht mund të buzëqeshin, por jam i bindur që pajtohen me mua.
E përzgjodha Musa Sinën, për ta dëshmuar Diktaturën në atë përmasën e së Keqes që përfaqësonte, po edhe pse aty e sheh më qartë se njerëzit që ajo përzgjidhte me kujdes për t’i shërbyer asaj ishin njerëz kundranjeri, sepse antihumanë është kundra njerëzores, po ata ishin specifikisht të përcaktuar kundra njeriut si individ. Dhe po ta ndjekësh me kujdes, do të vëresh se pjesa më e madhe e Dosjeve të Musa Sinës, nuk është e ndërtuar mbi atë çka thoshte e çka tallej Musai, por mbi gjithë intrigat e ulta dhe barbare që thureshin nga mbrapa këtij njeriu, duke e pasur si të thuash: një qingj të gatshëm për gostinë e tyre prej djajsh.
Fakti që e kam njohur personalisht Musa Sinën, dhe kam pasur konsideratë ndaj tij, duke iu gjendur afër edhe në çastet e fundit të jetës, po edhe duke e vlerësuar atë natyrën e tij hokatare e gjithnjë pozitive, më shtyu të paraqitem së pari me Dosjen e Musa Sinës, (në fakt janë disa dosje) ku përmes një studimi të hollësishëm kam trajtuar edhe ambientin që e rrethonte, mjaft nga personazhet e Sigurimit të shtetit që vepronin në unison kundra tij, trajtimin e bashkëpunëtorëve të shumtë të sigurimit, që me zellin e tyre shpesh i tejkalojnë edhe operativët e zinj, (e që ndonjë prej tyre është edhe sot gjallë) Jam përpjekur ta sjell kohën, rrethanat, njerëzit, dramën e individit po edhe të shoqërisë, duke u përpjekur për ta dhënë sa më të plotë jo vetëm figurën e tij po edhe kohën… shpesh në kontrast të thellë me atë çka dëshmohet në dosje!!
Jam i mendimit se “Dosja” do të kishte dalë më e plotë, sikur të më kishte qenë e mundur të grumbulloja më shumë informacion rreth kësaj figure, ose më shumë dëshmi prej njerëzve që e kanë njohur mirë dhe kanë ndarë vite të gjata jete dhe vuajtjesh me Musa Sinën, si në burgjet e shumta ku kaloi thuajse gjysmën e jetës po edhe në kampet e interrnimit ku ai mbijetoi me dinjitet… Fakti, që nga vdekja e tij tashmë kanë kaluar 30 vite dhe pjesa më e madhe e atyre që qenë miqtë e tij, janë larguar nga kjo jetë… si të thuash ma ka vështërsuar mjaft këtë detaj, prandaj vazhdimi dhe plotësimi i saj mbetet për një herë tjetër. Gjatë periudhës që libri do të jetë në qarkullim sigurisht nëse dëshmitë bëhen më të plota, mund të ketë edhe një botim të ardhshëm, e ku gjithçka e tyre që mund të dëshmojnë, të jetë pjesë e një botimi të ri, i cili unë besoj se mund të ndodhë.
Savër 1966 - Musa ditën e dasmës
Savër –  prill 1966 – Musa ditën e dasmës
Libri“Njeriu përballë Përbindëshit” – “Dosjet e Pafundme të Musa Sinës”ka 468 faqe, është i pajisur më shpjegime të hollësishme dhe të vazhdueshme. Ai është i ndarë në katër kapituj, tre pjesë janë dosjet e tij, pjesa e katërt është Musa Sina jashtë Dosjeve…
I uroj udhëtim të mbarë kësaj punë të vështirë, e që në fund të fundit dëshmon se edhe Ai, njeriu i vogël, i imtë e i sëmurë – është madhështisht i dinjitetshëm përballë përbindshit diktatorial të së Keqes së madhe…
.
jozef radi, 29 korrik 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.