back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Njeriu që dritoi me dije dhe vepër – 106 vite nga lindja e Pashko Gjeçit – nga Albert Vataj

Gazeta

Autori Albert Vataj
Autori Albert Vataj
Njeriu që dritoi me dije dhe vepër
106 vite nga lindja e Pashko Gjeçit – nga Albert Vataj

Pashko Gjeçi,
shqipëruesi i monumenteve të letërsisë,
njeriu i përkorë që na grish sot në ndërmendje.

Pashko Gjeçi, (1918-2010) - Ravena 2006
Pashko Gjeçi, (1918-2010) – Ravena 2006

Sot 106 vite më parë, u lind në qytetin e Shkodrës, Pashko Gjeçi, ai që do të hynte në testamentin e njohjes dhe kujtesën, si shqipërues dhe dijetues.
Puna pasionante e një vetmohuesi, si e tija, tejkaloi të gjithë caqet e ngadhënjyesve, për të mbetur emblemë e sfidës së përkushtimit që mposht pamundësinë.
Ai erdhi dhe iku në heshtje për të lënë ndër ne, jo vetëm një vepër të ngjizur në caqet e përjetimit, por edhe kujtimin e brishtë të strukur në përvojat e atyre që e njohën.
Një burrë shtatpakët, i kërrysur aq sa mosha dhe hekat i kanë lejuar t’ia përthyejnë kurrizin, shfaqej dhe shuhej mes pluskimit të vërshimit njerëzor të Tiranës, qytetit që huajti si vendbanim, qytetit që nuk mundi të ishte djep, por do të ishte purgator mundimesh rraskapitëse dhe parajsë kaplimi të eterit të hirshëm.
Rendte ngeshëm me vështrimin përdhé pa i rënë në sy akujt. Hynte nga dera e një auditori, dilte nga kthina e një heshtjeje, që zvargej pas tij si një hije, e… kërrysej në zhguallin e shfletimit dhe shkrimit, duke jetuar botët në frymëmarrjen e një kraharori që kërcente tinëzisht nën petkat e vjetëruara.
Jetoi një jetë modeste, pa privilegje, megjithëse ishte nga të paktët që i meritonte.
Rendi i përulur dhe sfidues me kohën dhe pasionin e shqipërimit. Lëvizi në eterin e kohës pa bujë, pa u nënshtruar thundrës së persekutimit.
Zërin anktimtar as vetja nuk ka mundur t’ia dëgjojë. Iu dha punës ditë e netë pambarim, për t’i dhënë jetë legjendave të letërsisë botërore, për të mësuar të flasin në shqip monumentet e letrave. I rrethuar me heshtje endi shkronjë pas shkronje udhën drejt përjetësisë.
Ndryshe nga shumë njerëz që rreken të ecin duke u zvarritur në emër të karrierës, Pashko Gjeçi kurrë nuk e bëri këtë. Vepra që ai krijoi e ngjiti në majën e Olimpit të letërsisë shqiptare, edhe pse nuk është zvenitur kurrë me lavde dhe çmime.
Përgjat dyzet vjetëve ka jetuar në një dhomë shumë të ngushtë. Aty ka përjetësuar emrin e tij, megjithëse në ngrysje të kësaj jete nuk ndihet mirë me shëndet. Këtë askush nuk e di.
Ashtu siç pak vetë e dinë që “Komedia hyjnore” erdhi nga Pashko Gjeçi.
Fatin e përjetësisë, me të cilën Zoti sfidoi egon për jetë të njerëzve, çfarë ëndërrojmë si trashëgimi të mbretërisë hyjnore – në kulm të këtij dimri, tani mund ta kuptojmë në dritë të së vërtetës, jo më si realitet biblik, por njerëzor, kur po përcjellim për në banesë të fundit Mjeshtrin Pashko Gjeçi.
Përkthyesi i “Komedisë hyjnore” që kaloi rrathët e Dantes për ta ngritur qytetërimin tonë, u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare, me një testament dëshmie të gjallë nga duhet shkuar për tek drita, e vërteta dhe jeta, kush është njeriu dhe mësuesi, mjeshtri dhe dija. Nga një shkrimtar i qe bërë pyetja; “Po sikur të ringjallej Dantja, mjeshtër?”
Buzëqeshja e Pashko Gjeçit i kishte fshirë sakaq çdo mund të rëndë, e kishte hapur atë njeri grusht për t’i dhënë fund habisë tonë, për një dimensionin e një mjeshtri se: “ndoshta, ndoshta do të bisedonim për ato gjëra të cilat unë nuk mundja t’i bëja dot më mirë!”.
Dashuria e këtij Mjeshtri ishte ndërgjegje, me të njëjtën providencë siç iu dha shqiptarëve të vegjël, të parritur drejt zgjatimit të jetës, që etjen e kishin aventura fëmijësh në përkthimin e “Odisesë” së Homerit. Kush jemi ne?! Në këtë përpjekje ky grusht njeriu në memorie nxënësish, miqsh, shkrimtarësh, kolegësh nxiti vetëdijësimin mes nesh dhe të tjerëve, aty ku i ndahet hendeku njeriut, midis jetës dhe vdekjes, midis harresës dhe përjetësisë.

Pashko Gjeçi (1918-2010)
Pashko Gjeçi (1918-2010)

Dikur Gjergj Fishta tha për mjeshtrin: “Ajo grimca atje paska shkruar gjithë këtë artikull!”, kujtojmë se bëhej fjalë për botimin e shkrimit kritik të Pashko Gjeçit, “At Gjergj Fishta, poet satirik”.
Ne quhemi gjuhë dhe sfida e saj i takon plejadës së mjeshtrit, e bashkë me to ky përkthyes i dha shqipes autoritetin e njohjes, çfarë e kemi të trashëguar sot si lëndë pasurore, e papërsëritshme duke i rezistuar për pesëdhjetë vjet “pushtimit” më të egër të shqipes, ajo e standardit të shpallur nga diktatura. Prandaj ka “pushuar” prej vitit 1985 deri në vitin 2005 përkthyesi, kur pas gati 40 vjetësh ribotohet “Komedia Hyjnore” dhe “Fausti”. Mbas ’90-ës, ashtu siç janë prekur të gjithë që e njohën, ku mjeshtri jetonte në një shtëpi bodrum diku tek Shallvaret, Pashko Gjeçi nuk arrinte dot të punonte më. E kishte mbyllur ciklin e punës së tij, por në të kundërt bota jonë akademike, intelektuale dhe ajo politike e “konservonte” memorien për të në heshtje.
Me vdekjen nuk shuhen të gjithë. Ndër ta ishte edhe ai, shkodrani i urtë i shqipërimit, shkodrani i fisëm i përjetësimit të të mëdhenjve. Të gjallët e tij e lidhi me përtëritjen gjalluese të kreshtave të estetikës dhe iluminimit, shpirtërores dhe hyjnores.
Lëvizi në kohën që nuk ishte e tija dhe ngjizi virtuozitetin e këndimit në shqip të zërave që jehonin në hapësirën e mijëvjeçarëve. Ai ishte gjithkund dhe askush nuk mundi ta shohë.
Në ajër e frymëve të shtërzyera shkiti hija e tij. Dritëza e mekur e qiririt që flakëriu në pëlhurat e terrtë të netëve, shkrimet sa hap e mbyll sytë dhe përnjëherësh shpërthen në çdo shtangie që mpiks koha. Zgjat dorën e lëveshkur nga një kat i qiellit dhe na tregon udhën që rrugëton shqipja që e endi në çdo nerv dhe ind, në çdo shkulm gjaku dhe shfrim vetmohues.

Marrë nga Muri i FB, Albert Vataj, shtator 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.