back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nji anmik ma shumë ose Vjerrsha Patriotike – nga Ernest Koliqi

Gazeta

Ernest Koliqi (1903-1975) - Shejzat
Ernest Koliqi (1903-1975) – Shejzat

Nji anmik ma shumë ose Vjerrsha Patriotike

nga Ernest Koliqi

Sado të jét i regjun njeriu me punët e këtij shekulli, ku marrija i a kalon urtis, prap se prap ndodhin rasa qi të bâjnë m’u stërçuditë e stërmrekullue.
Ndëgjonje këtê: Nji ditë mora nji telefon prej nji djaloshi të panjoftun, i cili më lajmonte se kishte ardhun në Romë nga nji kamp profugësh të rretheve apostafat qi të takohet me mue e prandej më lutej për me i caktue në shtëpi nji pjekje mbrenda ditës mbasi do të nisej po n’at mbrâmje për të këthye në cak. Ishem ngaeshëm e i thaçë të vinte menjiherë. Tek erdhi, më bâni përshtypjen, prej mënyrës së përshëndetjes, të nji djali plot besim në vetvete. Kishte në sy si nji shprehje mburrjeje. Dukej qartas se vinte tek unë për me kërkue ndoj nderë, jo me mënyrë lutëse, por si nji të drejtë të pamohueshme. Nisi fíll me folë, pa kurrfarë ngurrimi. Më tregoi se ishte shqiptar i lindun e i rritun në vend të huej, mekanik me zêje, i dhânun mbas letërsís për mirakande. Në gjuhën e huej të vendit, ku ishte rritë e shkollue, tha se shkruente shkëlqyeshëm e se do vjerrsha të tija të botueme në nji fletore letrare kishin korrë lavde të mëdhaja. Tash i tekej me shkrue shqip. S’e dinte mirë shqipen ende (tha) por kishte menden ta studjonte me themel. Nxori nga gajofi nji tubë karta e m’i lëshoi në dorë. Ishin pêmët e para të dashunís së tij për shqipen e për Shqipnín.
Ai e përdorte keq gjuhën tonë. U shprehte me nji mish-mash fjalësh tona e të hueja, përzí në mënyrën mâ arbitrare, mbrapashtesat e të cilave nuk i u përgjegjshin kurrkund morfologjis shqipe. Shqiptimi, mandej, kumbonte i hatáshëm. Ula syt mbi ato letra. Mendime gjenerike, sende të thânuna e të stërthânuna: “gjethi i plepit…” si i thonë shkodranët.
Në nji vend, i shtym nga nji hov dalldije patriotike shkruente: “Me diell e kurr bjen shije (sic)… mendoj te Shqipnija…” Donte sigurisht të thonte: “Kur shkelxen dielli e kur bien shí – te ti m’shkon mendja, moj Shqipni…” – Kështu dishka.
Fjala qet fjalën, dhe qe, se mue më shkoj mendja te nji artikull plot shkëndija të holla humori të Llazar Fundos së shkretë botue në “Lirín Kombëtare” të Gjenevës qi drejtonte dikur (1924-28) Ymer Nishani para se t’arrinte në kulmet e aparatit shtetnuer në Shqipnín kuqalashe. Fundon e pata me 1924, mik e shok (jo në vështrimin e rí ideologjik qi kjo fjalë ka sot, por n’atë qi pat e mban përherë në fjalorin e vjetër e të pa çoroditun të gjuhës shqipe) në Këshillin Drejtues të Shoqnís Bashkimi, themelue prej Avni Rustemit. Ka qenë nji ndër shqiptarët mâ të squet qi mujta me njoftë dhe i prirun kah tallja therce por me shije e lezet… (Ka’j fjalë turçe bân lazem… – thonte Fishta). Edhe Fundon e kishin mërzitë vjerrshat e shkrimet e bilmezave pseudopoetë qi nxîjnë letrat me rrjeshta pa krye e pa bisht tue përligjirue ftoftas e me dhunim të pashpirt të normave gramatikore e stilistike emnin e Shqipnis. Fundoja, për t’u shpotitë me të tillë shkrimtaruca, thonte n’at artikull qi, tue ndêjë me shqiptarë e tue ndëgjue kuvendin e tyne, kishte arrîjtun në përfundim se pá pasë vrá ndoj njerî e pa pasë qitë ndoj vjerrshë patriotike, randësí në botën shqiptare nuk po mujka kurrkush me fitue. Atëherë, tue lânë kryemjen e njâj vrasjeje për në kohna mâ të volitëshme, vendosë me i lodhë trût dhe me hartue hê për hê ndoj vjerrshë plot efekt atdhedashës.
I shkon n’mend se, zakonisht, poetët vjerrshojnë në terr e në heshtje të natës. Kështu qet cekën me nisë kah mjesnata punën e vet si vjerrshatár. Thonte (unë po e ap shkurtimin përmendsh, sepse tekstin e atij artikulli s’e kam mjerisht para sŷsh dhe kanë kalue mâ se 35 vjet qyshse e lexova): “Banojshem në nji dhomë me nji shok të dashun. U çova natën mësa ai shoku po flinte i qetë: ndeza lampën tue u kujdesue qi mos t’i biente atij drita ndër sy; u vûna në tryezë e, me nji letër të bardhë përpara e kalêm në dorë, e u përpoqa me i shtrydhë trût sa ku munda për të nxjerrë mushtin e poezís. Kishem ndëgjue se poetët shkruejnë si të pushtuem prej nji lloj kllapije qi thirret frymzim. Prita e prita frymzimin dhe m’u duk se, nëpër nji të dridhun misterjoz të shpirtit, m’erdhi. Në heshtje të natës më rá në vesh zhurma e shiut qi po rigonte jashtë i lehtë, po parreshtun. Nji shkëndí ma zdriti menden e dora si vetvetiu shkroi në letër: “Po bjen shí…” Mendja, rrëmbye prej atij hiri qi u dikue në mue papritmas, e miratoi. at varg e u ndê me i dhânë vjerrshes përtej. Fillesa ishte e mrekullueshme, por, mbasi vjerrshën dojshem ta endi për qqllime kombtare, duhej mos m’u largue nga thema. E atëherë, si të m’i pëshpëritte fjalët n’vesh vetë Zâna, pajtore e poetënvet, vazhdova; e gufoi pjesa e dytë e vargut qi tashti tingullonte plot lumni e patriotizëm: Po bjen shí, moj Shqipní…
 
Zor e ka njeriu me fillue se mandej vjerrshimi ecë e rrëshqet pa kurrfarë pengimi. Kreva dý strofa e, si i dejun prej suksesit, tue harrue shokun e fjetun, nisa me i lexue me zâ të naltë e me theksim kremtuer. Shoku u zgjue trêmbësh:
Unë i thaçë: “Ndëgjò, këtu!” -E mora me ia lexue. Ai u struk në shtrat kah skâji i murit mësá po i shkruhej në fytyrë nji shprehje tmeri. U zmbrapte e mirrte qëndrim mprojtës si njeriu qi ndodhet vetëm në nji dhomë, pa asnji armë afër vedit, me nji të çmendun të furishëm i cili pregatitet ta sulmojë e ta shkyejë copa-copa. Unë erdha në vete. Kuptova në sŷ të shokut se frymzimi poetik m’epte dukën e nji të trênti. At natë vendosa mos me u dhânë mâ mbas vjerrshimit. Kështu unë humba nji profesjon e Shqipnija nji poet…”
 
Këto kujtime m’u përshkojshin nëpër mend mësá ai djali flitte e unë po i hidhshem nji sŷ shkrimeve të tija e thojshem me vedi: “I shkreti Fundo e na të gjithë si ai të shkretë! Dikúr me atê dhe me tjerë ishem shok ideali e jete, mandej duhija na shpërndau e na dau e na përçau. Asnjenit prej atyne të rijvet qi dukeshin me 1924 zotnuesat e nji ardhmënije të shkëlqyeshme plot dobi për popull shqiptar, nuk i doli me shpëtue shëndosh nga sálvimi i nji fati të ngurtë. Fundoja la kryet i vrám shi prej atyne për të cilët shkrini mundësit e nji inteligence së fuqishme. Sejfullah Maleshova, tjetër shok i vlerëshëm e i pajisun me cilsina të rralla letrare, jeton në terr e pa kurrfarë kënaqsije e njohjeje. Na tjerët rrugave të botës.
Brezní fatmjerë!”
 
– Atëherë, – i a bâni djaloshi, tue pré fillin e mendimeve të mija qi më kishin ngrehë me u mbytë ndër vorbullat e kalesës, – atëherë do të m’i botoni këto vjerrsha në numrin e parë të së përkohëshmes s’uej?
Unë, me fjalët mà të buta e të njerzishme, i spjegova se ato shkrime diftojshin vullnet të mirë, qi dishiri i tij me xânë shqipen ishte për t’u lëvdue, qi shqipja paraqitte vishtirsina të veçanta për m’u shkrue si duhet etj. etj. dhe këshillova ato vjerrsha me i qortue, me i përmirsue etj. etj.
Ai u kuq e këlthiti me zêmrim:
-Gjithmonë ju i qitni pengime të rijve. Vetëm ata shka shkrueni ju u duken gjâna të mira. Sot ka ndryshue koha. Ju jeni vjetrue.
E s’dij se shka tjetër. E vërteta âsht qi, në shkrime të tija, tue lânë m’ânesh hatátë gramatikore e sintaktike, s’gjêjshem kurrgjâ të ré, as si mendim as si ndiesi.
Ai, n’ato vargje, paraqitej mâ i vjetruem në mendime e parafytyrime se shum’ auktorë të vjetër.
U çue me turr e u nis tue më përshëndetë me gjymsë goje. Nji anmik mâ shum!
.
Marre nga muri i FB i Agim Morines 25 mars 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.