back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Nji dashni e vogël… përballë urrejtjes… esse Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 1982
Jozef Radi 1982

Nji dashni e vogël… përballë urrejtjes së madhe…

esse nga Jozef Radi

Këto përkthime, janë krye n’nji kohë të largët, e tmerrsisht të frikshme… dhe i mendoja të humbuna… Ishin kohna kur dashnia qe shpallë “krim kundra shtetit”, kur puthja kishte zbritë në kufijtë e së paligjshmes, dhe ishte gjymtue deri n’at shkallë… sa ndër filmat shqiptarë të kohës ajo nuk lejohej, po edhe kur ndonji filmi të huej i kishte shpëtue ndonji puthje e shkurtë, aty nga mesi i errët i sallës dikush lëshonte ndonji “ah” a “oh”, ndonji thithje a fishkëllimë dhe krejt spektatorët zvogëloheshin në karriget e kinemasë, mos befas ndonji prej tyre nxirresh jashtë i akuzuem puthjesh…!!! Betohem se: në rininë time s’kam pa askënd të puthet lirshëm në publik; dhe se asnji dashni s’kishte legjitimitet të jetonte në dritë të diellit…!!! O Zot!! Të rrëfesh sot diçka të tillë, të duket e pabesueshme… ndoshta të marrin për të çmendun… por ata që kanë jetue përgjat asaj kohe për të cilën po shkruej, e dijnë fort mirë se kjo asht diçka absolutisht e vërtetë… aq sa sot na ndjell turp e krrupë edhe veç me i kujtue ksi historish… Ato ishin kohë urrejtjesh të mëdha klasore, ku askush s’duhej lejue me u marrë me vogëlima dashnie… Ishte aq e parandsishme dhe aq e pavlerë Dashni, sa pak nga pak e pat shndërrue femnën në nji krijesë pabesueshmënisht të dhimbshme… Vërtet, ishin ba të barabartë burri edhe grueja… po ama me qenë të gjithë… burra! Sepse feminiliteti dhe delikatesa femërore ishin armiqtë ma të egër të diktaturës…
***
Nuk e di qysh e si, ky libër pa kopertina, pa mjaft faqe të fillimit e fundit ndodhej në shtëpinë time!
Ndoshta kish qenë ndonji libër nënjasteku i rinisë studentore të tim eti!? Po s’e besoj… Pse të ishte katandisë njashtu keq!!! Ma shumë besoj se do të ishte ndonji prej atyne librave të hjedhun për karton te Fabrika e Letrës, ku ne fëmijët që shkolloheshim në Karbunarë, n’aventurat tona, hajdutçe kapërcenim murin dhe merrnin çka na dukej ma interesante, dhe i lexonim orëve të mbramjeve…
S’di si mund të më ket mbetë ndër duer e nji forcë e pavullnetshme t’më ket shtye me ruejë! S’e di…! S’mundem me thanë asgja të sigurt… Di vetëm me thanë se ky libërth i katandisun njashtu keq, qe nji prej stolive ma fisnike të rinisë sime! Edhe sot, u bie n’gjunjë njatyne fletëve të pakta që lanë aq gjurmë në jetë teme, e që njashtu drojtshëm më futën në botën magjike të ndjenjave, bash ndër ato kohna kur urrejtja ishte ba kryefjalë; kur të qenit i urrejtun ishte nji pësim i frikshëm; kur ti s’kishe asnji mundësi me e shmangë as me i pshtue së keqes…
.
Kujtim Nela, Jozef Radi, Luan çeliku, Ndoc Vokrri - Saver 1984
Kujtim Nela, Jozef Radi, Luan çeliku, Ndoc Vokrri – Saver 1984

***

Ky libërth ishte në italisht dhe përkthimi i tij ka nji histori paksa të përrallshme…
Sapo kisha krye shërbimin ushtarak, dhe nji prej djemve të Kampit të Savrës, i qe lutë tim eti ta ndihmonte me mësue italishten. Im atë, me e pa nëse ai e kishte seriozisht a jo, i kishte thanë: “Pjetër, mbas pak, m’lirohet edhe djali nga ushtria, dhe ndoshta të dyve bashkë mundem me ju ba nji kurs të përshpejtuem italishteje! Mos harro, nji kurs t’përshpejtuem!!” Tash e kisha krye ushtrinë dhe, kambëngulja e Pjetër D., kishte fitue… Nji ditë janari, nga fundi i viteve ’70, në vend që të ishim veç ne të dy, para tim eti u paraqitëm katër: pse edhe dy shokëve të mi ma të afërt (Luan Ç. dhe Gligor K.) ua kisha premtue unë kët gja…! Im at s’i për shumë gjana të tjera… as kësaj here s’ma prishi…! Me mësue nji gjuhë të huej në nji kamp internimi, quhej vepër subversive, si fjala vjen me hjedhë në erë nji fabrikë!!! Falë dimnit, errësinës dhe të ftohtit të atij viti, katër-pesë mësimet e para i bamë në shtëpinë tonë, me perde të bllokueme… me batanije… Ma vonë, mos me ra në sy, u vendos që mësimi të bahej nji herë në javë, në dy orë të plota, duke u alternue çdo javë në shtëpinë e secilit prej nesh. Ishim aq të apasionuem mbas kësaj aventure të fshehtë, sa leksionet e javës jo i kishim mësue, po i kishim përpi… Shpërblimi i vetëm që pranonte im atë, për kët “lojë me rrezikun”, ishte nji gjysmëlitërshe raki në javë, prej atij që kishte radhën e pritjes në shtëpinë e tij!!! Në klandestinitet të plotë, kaluem pothuej pesë muej pa u marrë vesh… Ndërkohë, kishim avancue mjaft në lexim, e në përkthim, e diçka nëpër të po merrnim vesh edhe nga radio e televizioni italian që hynte gjatë verës… në mënyrë të veçantë ishin kangët e hit-parades, prej të cilave ne përpiqeshim me i shkrue e me i përkthye disi. Në të hyme të majit, dita qe zgjatë mjaft, dhe ndër njerëz kish fillue me u përfolë italishtja jonë klandestine… Si sot e kam në kujtesë, nji mbramje fillimmaji, mbasi mbaroi shpjegimin e radhës, im atë me at qetësinë e tij solemne na tha: “Kjo djema, asht nata e fundit e leksioneve… Me kënaqësi konstatoj se keni përparue mjaftueshëm sa me hecë vetë. E di se kjo s’ka me ju pëlqye, por zgjidhje tjetër s’ka. Unë s’mundem tash me dalë netve vonë e me u futë ndër shtëpitë tueja. Jo për mue, po ma shumë për Ju! Besoj më kuptoni! Tashma ka fillue edhe nji fushatë e egër arrestimesh në krejt kampet e Myzeqesë, dhe s’asht mirë as për ju dhe as për mu, me ju dhanë argumente Atyne… Me kënaqsi ju them se përparimi juej më ka mrekullue. Kushdo që ka vullnet mundet me punue n’mënyrë të pavarun, Kush s’ka vullnet le të mbetet me kaq. Po unë besoj se keni me vazhdue të gjithë. Prej meje do të keni disponibilitet të plotë me ju ndihmue, po tash n’nji mënyrë tjetër. Secili prej jush mundet me ble ndonji libër të shkrimtarëve shqiptarë, si fjala vjen përkthime të Agollit, Kadaresë, Arapit, Laços a ndokujt tjetër, në italisht dhe të angazhoheni përditë me nga nji faqe libri. Lexojeni disa herë, që përpiquni me iu afrue kuptimit, nxirrni fjalorin, mësoni përmendsh sa ma shumë të jetë e mundun, dhe herë mbas here, kur të ndeshni pengesa, mundeni me ardhë individualisht te unë, dhe unë s’kam me u kursye!”
Ishte nji zgjidhje magjike, po tashma duhej dëshmue vullneti i secilit prej nesh…
Të katërt zgjodhëm libra të ndryshëm dhe iu futëm punës… me dëshmue jo veç vullnetin, po edhe dëshirën me i kapërcye ata kufij që po na shkatërronin çdo vlerë… Unë zgjodha pikërisht kët librin pa kopertina… dhe me bindjen dhe marrëzinë time, u përpoqa me e kapë fluturimthi filozofinë e ambël të dashnisë, që derdhesh në krejt faqet e shqyeme të atij libri. Më dukej sikur ai libër dashnie n’at realitet ku jetoja, s’mund të ishte ndryshme veçse i shqyem…!! Edhe njashtu të shqyem unë andrroja me e sjellë në shqip, e kështu ma së shumti intuita më shtynte me e përkthye si m’pëlqente mue dhe jo ashtu si ishte shkrue në të…
.
Fletë nga përkthimi i librit
Fletë nga përkthimi i librit

***

Kështu nisi historia e këtij libërthi që u fut tinza n’jetën time. Im atë më ndiqte n’at përpjekje të çmendun me e kuptue të vërtetën që fshihej mbas atyne faqeve të vogla që më shfaqeshin magjikshëm, pa ndihmën e askujt… Si gjithnji, ai e ndiqte edhe me pak humor stërmundimin tim… Më linte me besue se po baja diçka fort të madhe, edhe pse në t’vërtetë s’kisha ba gja të saktë. Dikur, mbasi i pa përkthimet e mia më pyeti:
-A e mbarove librin?
si triumfator i thashë: – Po! Dhe asht nji kryevepër…!
Mbasi ia hodhi nji sy, Lazri më tha: “Që asht kryevepër edhe mundet, po ti s’ke përkthye çka asht shkrue në libër, po ç’a t’ka dashtë qejfi ty!!”
Shtanga. E kundërshtova zhurmshëm, si zakonisht… po ajo e qeshuna e tij e shlirtë dhe pak tallëse, më çarmatosi… I kisha lexue vazhdimisht ato përkthime të mia, e m’dukeshin jo të bukura… po t’mrekullueshme… Ai vazhdoi me qeshë, siç qeshte edhe herë të tjera me mue, dhe m’tha:
-Hajde, mor tarabulluz, merr nji fletore t’re dhe merre vesh si përkthehet!
Ishte mbramje vjeshte. Ai i ulun te qoshja e vet, me faqoren e tij të uzos paksa të zbardhun dhe pjatën e mezes para… Dhe nisi me rrjedhë në nji lexim të ngadaltë, ndërsa unë shkrueja me at shkrimin tim t’admirueshëm… Për gati dhjetë netë, darkave ai para faqores së uzos… dhe unë para fletores me kuadrata u morëm seriozisht me at libërth, derisa ia dolëm te faqja e fundit. Nuk e di pse fjalitë e tij të sjella në shqip nën efektin e lehtë të asaj uzoje të përnatshme merrnin nji shpalosje pranverore… Kur mbaruem, s’besoja se mund të kishte nji tjetër libër n’botë që n’aq pak fletë t’më kish dhanë aq shumë dashni…
Ishte koha e antidashnisë së madhe, dhe ai libërth i shqyem sigurisht i ndonji autori të famshmi… u ba për mue shkolla ma e madhe e antiurrejtjes…

***

Prej asaj kohe ndjehem edhe ma i dashunuem me jetën…
Dhe s’kanë asnji randësi objektet apo subjektet që përndriten qoftë edhe në heshtje prej ndjenjës sime… Ky libërth mbeti si nji përmasë e patjetërsueshme e qenies sime… Prej këtij libri unë mësova me folë ma bukur, me shkruejtë ma mirë, me lexue ma thellë, po ajo ma e randsishmja asht se kam mësue me mendue dhe me ndje ma ndryshe, dhe përtej asaj kohe…
Prej atij libri jeta ime s’ra ma në pesimizma e dëshpërime. Pa e dijtë as vetë, përmes atij libri m’u zvogëluen kufijtë e frikës dhe urrejtjes dhe m’u zgjanuen kufijtë e dritës dhe dashnisë… (S’di sa herë mund ta kem përsëritë fjalën “Të due” n’emën të këtij libri; s’di sa puthje kam falë n’emën të këtij libri; s’di se sa letra dashnie mund të kem shkrue, i frymzuem prej këtij libri; s’di se sa frymë poezie ka lanë mbas ky libër aq i dashtun prej meje… Ky libër e ka shenjtnue të bukurën mbrenda meje, e ka shenjtnue dashninë, dhe kurrë s’pata nji arsye me e braktisë kët tempull… Ky libërth, që as vetë s’e di se ç’asht, më ka shpëtue prej dyshimit… dhe çdo falënderim asht krejt i vogël dhe i pamundun para monumentit të atyne fletëve që mbetën të shqyeme…
.
Fletë nga Libri i Përkthyer
Fletë nga Libri i Përkthyer

***

Nëpër dallgët e jetës dhe të çvendosjeve pafund, kët fletore të hershme t’rinisë e mendoja të humbun. Duke gërmue në arkivin e dokumenteve të tim eti, nji ditë im vëlla ma solli. Ishte jo veç fletorja e mësimit të italishtes, po edhe ato fletoret e vogla të shkrueme e të punueme me aq kujdes prej meje… M’u duk se gjeta nji thesar… I rilexova me nji frymë dhe u ndjeva tridhjetë vjet ma i ri… U ndjeva si atherë n’rini t’hershme… Asht e vërtetë se kohët ndrrojnë, por asht po aq e vërtetë se ne!? ende s’i kemi shpëtue frymës se urrejtjes… Jemi ende nën çengelat e saj… Me shumë dashni i hodha këto shkrime të fletores së vjetër në kompjuter me besimin se ai libër pa titull, pa autor, pa fletë fillimi dhe fundi, meriton të botohet nji ditë edhe njashtu përgjymtë, edhe si nji dashmi e përgjysmët… pse vlen ma shumë se krejt urrejtjet e kësaj bote…
Ancona, 2 shkurt, 2009

 

Gustav Klimt - Puthja
Gustav Klimt – Puthja

Pjesë nga libri… pa kopertina…

përmes kuadrove të Gustav Klimt

***

Shumë njerëz janë të detyruem me i hapë sytë katërsh për me pà… M’duhet me ia rrëfye vetes se s’kam pa kurrë ma qartë se sa at çast kur u ndjeva i verbën… Dhe e ndjeja se kur kërkoja diku larg, përkundrazi qe krejt aty afër meje, më mjaftonte veç me e shtri dorën e me pasë temen… Ishte dashnia e shoqes sime të jetës, të cilën fati ma kishte hjedhë njaty përbri…

***

Meqë at rastsinë, të cilën e kem pa t’na shkojë përskaj e t’na presë n’udhëkryq, me na shmangë prej rrugës sonë, ose që e ndeshim diku n’nji kthesë t’shtegut t’jetës, ma tepër se nji fakt, nji provë a nji pengesë, asht nji vetje e gjallë, e materializueme ashtu si ne, prej andrrash dhe mishi, prej shpresash dhe njimendësie: nji krijesë herë mjaft e pangjashme me ne, e herë edhe krejt e përngjashme me ne… Shpesh asht po njajta krijesë që mban në gonxhe të vet polenin e fatit tonë… Sigurisht dashnia asht prova ma e mrekullueshme që mundet me na paraqitë Fati…

Gustav Klimt - Giuditta
Gustav Klimt – Giuditta

***

Dakord, jeta asht nji problem që zgjidhet automatikisht nga vetvetja, përditë e nga pak…
Po, të jetuemit në harmoni me fatin, cilido qoftë ai, asht çilsi i thjeshtë që hap portat magjike të pallatit të kaltërt, ku sundon lumtunia; dhe me mendue se ky mister i joni, asht shkrue ndofta mbi nji dorë tjetër, që na shtrihet n’nji ditë të caktueme, n’nji orë të caktueme, n’nji pikë të caktueme të rrugës sonë, sigurisht kjo asht pika që na intereson ma së shumti, që na shfaqet në kopshtet gjysë të çiluna t’adoleshencës…
Pikërisht, pse asht dashni, ajo duhet kuptue mirë: kjo asht nji mënyrë mjaft e kandshme dhe nji përpjekje me e ballafaque me arsyen tonë jetësore: e meqë bahet fjalë me dashtë dikë, ky asht edhe mjeti ma i mirë me e njoftë vetvedin…
E meqë dashnia, në krejt trajtat e saj t’shumllojta, nga ajo e motrës Klarë për fratin Françesko, te ajo e Ugos për Parizianën, ka në vetvedi bulzën e altruizmit: çdo krijesë synon me gjetë kët dashni, e cilën kërkojnë t’i bahet Fat…
.
***
Po dashnia asht shumë ma lehtë nji aventurë.
At’herë ajo s’ia vlen karshi fatit të vet as sa nji miqsi gjysmake…
Aventurat janë të pasuna në qëllime. Dashuria asht e aftë për nji gjest.
Njiqindmijë qëllime mirsie, zemergjansie dhe altruizmi, të ndaluna në pikën e realizimit, prej atij “uni” që i rrin roje ndërgjegjes sonë, s’e kanë vlerën e nji gjesti vezullues që din ta bajë veç dashnia…
Asht e vërtetë se shumë natyra njerzore, vetëm mbasi kanë përcaktue nji qëllim të qartë, mbrrijnë me dhurue diçka! Kështu aventurat mund të shërbejnë me e dallue dashninë prej krejt surrogateve të modës, në t’cilat s’arrin me u përfshi Fati…
.
Gustav Klimt
Gustav Klimt – Adele

***

Maurice Maeterlinck, në nji libër kushtue dashnisë dritëdhanse të Xhorxhetë le Blankut thotë se: “S’duhet me dhurue kurrë vojin e kandilit tand, po vetëm flakën…”
Sigurisht asht shumë poetike, po ma pak shpirtmadhe se ajo çka ban nji grua e dashurueme, e cila dhuron jo veç flakën e shpirtit, po asht e gatshme me dhanë edhe krejt vojin e kandilit të vet, deri në shkimjen e plotë të jetës, veç me ushqye flakën e Fatit të tjetrit…
Pra ajo mbrrin ma lehtë në flijim e në vetëmohim…
S’duhet me u hjedhë në mënyrë pasive në humnerën e flijimit dhe as me u mbyllë në mënyrë egoiste në vetëmohim, po me ua dhurue si të parën njashtu dhe të dytën njerzve ma t’shtrenjtë. E nëse sërish Edipi i humbet sytë mos me e pà Fatin, Antigona e pranon me sytë hapun flijimin…!
E nëse me e dallue fatin e nji njeriu do t’vihesh në njenën anë të peshores ditunia e Platonit, Profirit, Sokratit, Plotinos, Paskalit dhe Shpenhauerit dhe n’anën tjetër zemra e thjeshtë e nji grueje të dashurueme, shigjeta n’ma të shumtën e rasteve ka me anue n’anën e dashnisë së saj…
.
Gustav Klimt - Virgjeresha
Gustav Klimt – Virgjeresha

***

Asht shpirti ai që e shpërndan afinitetin e nji tjetër shpirti me e çelë si lule.
Shpesh shpirti ban përpjekje titanike me iu avitë shpirtit tjetër, i cili pothuej i fosilizuar në materie, duket si diçka boshe, si nji puhi andrre që s’i përgjigjet thirrjes.
Dhe ndodh shpesh që shpirtnat e zgjuem prej simpatisë të krijojnë nji atmosferë të tyne, e cila i ushqen me jetue në nji fluiditet magjik deri në çastin në të cilin njeni prej dy shpirtnave, ai mashkullori o ai femnori, pra ai që ndjen ma së thelli dashurohet, dhe lëshon thirrjen e amshueme.
Ndoshta këto janë dashnitë që përmend Sudenborgu, të cilave u paraprijmë o i ndjekim, po që gjithsesi e përcaktojnë Dashninë si Fat!
Shpirti e ndjen fuqinë ngjitëse ose zbritse të shpirtit që zgjedh, të cilit shpesh ka edhe fuqinë me ia korrigjue Fatin…
E meqë shpirti femnor asht ai që dashuron ma së miri n’thellësi, atëherë fuqia ngjitëse ose zbritëse mbetet pothuej gjithnji nji prej elementëve ma të fuqishëm të tij…
Shpirti i Euridiçes e hedh Orfeun në furinë e Bakanteve.
Shpirti i Elizabetës e shpëton Tauhauzerin nga Venusbergu.
Shpirti i Beatriçes e udhëheq Danten në Parajsë…
Edhe ma tej: Shpirti femnor, tepër intuitiv duke u shtri si nji antenë delikate n’atmosferën e ideales, absorbon fluiditetin e begatë të frymëzimit, të cilin ia shpërndan shpesh në mënyrë të pavetëdijshme shpirtit mashkullor, krejtësisht ndërtues: Ja kështu në shumë fitore mashkullore gjenden shpirtëzime femnore…
Izabela e Spanjës e mbështeti Kolombin në idenë Atllantike… Ky asht frymëzimi!
Laura de Noves i fal mjeshtër Françeskos buzëqeshjen e “Kangtares”. E ky asht hiri!
Mathilde Wesendonck i dhuron Vagnerit flakën e “Tristanos”. Kjo asht dashnia!
Frymzimi, Hiri, Dashnia janë elementët kryesorë të fuqisë naltuese të shpirtit femnor…
.
Savër, vjeshtë 1980 (përkthye nga Lazër e Jozef Radi)

P.s. Asht i falenderuem kushdo që mundet me na ndihmue për titullin dhe autorin e këtij libri ende të panjoftun… jr

Related Images:

More articles

4 KOMENTET

  1. Dori Dhonato Një minianalizë e “botës magjike të ndjenjave” e përkthyer me dashuri “ndër ato kohna kur urrejtja ishte ba kryefjalë” dhe “asnji dashni s’kishte legjitimitet të jetonte në dritë të diellit…!!!”
    Faleminderit për kënaqësinë!

    Zeneli Edlira ..Sa rëndësi ka vetëbesimi, guximi sakaq… Sedra e mirë e vullneti i mbarë. I lexova gjithë pjesët e përkthyera, e ç’ndjehet përpos tjerash, ardhja në gegnishten e babës… Kur gjërat rrëfehen thjesht, pa maninë e dukjes e nuk zmadhohen, kanë shije…
    Më pëlqeu veç përkthimeve edhe rrëfimi!

    Robert Martiko Më kujtove kohën kur edhe unë hulumtoja librat në frëngjisht apo italisht të prindërve të mi, Jozef. Përpiqeshim të thithnim kulturën e një bote tjetër, të privuar për ne, me një shprese të vakur në zemër se ndoshta një ditë gjërat do të ndryshonin… Dhe për fat ajo botë librash na bëri të mos binim në lakun e përbindëshit, nga i cili nuk shpëtuan dot gjoja të mëdhenjtë e letërsisë shqiptare, në radhë të parë si Njerëz…!
    (Përzgjedhur nga muri i fb, i Jozef Radit, 13 nëntor 2016)

  2. Sa keq që këte shkrim m’u desh ta lexoj pak minuta para se të nisesha për në punë dhe nxitimi m’u duk sikur m’u bë edhe shkak që ta shijoja mjaft si ato gjërat e ndaluara, por edhe të mos e shijoja mjaftueshëm, pasi unë gjërave të bukura dua t’i kthehem disa herë në lexim, por jam e bindur që do ta rilexoj prap me qëllimin që jo vetëm ta shijoj akoma por edhe ta përfytyroj këtë shpirt të riu se ç’ka pas përfytyruar duke e përkthyer kët libër me kaq shumë dashuri brenda.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.