back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nji ditë shtatori, si shtatorre! – Reflektim mbi nji ditë të jetës… nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2019
Jozef Radi 2019

Nji ditë shtatori, si shtatorre!

Reflektim mbi nji ditë të jetës… 22 shtator 2017

nga Jozef Radi

Nga dita e një shkrimtari – Esé nga Jozef Radi.
Në këtë rubrikë,
disa shkrimtarë shqiptarë nga e gjithë bota,
përshkruajnë se si është një ditë e tyre e zakonshme,
duke sjellë edhe pak atmosferë prej qytetit ku banojnë.
Jozef Radi, i cili jeton prej vitesh ne Itali, shkroi këtë esé.
 
Prej kohësh, ditës së e re i futem si pa u ndje, njashtu i hutuem ndër shkrime, i ndihmuem nga qetësia solemne e mbasmesnate, kur s’ndihen as zhurmat, as fjalët, as zilja e celularit e as hallakatjet me m’ia grabitë kohën përqëndrimit. Po kjo ditë e postekuinoksit vjeshtor, m’kapi n’nji bisedë të shtrueme e kandshëm e thellë m’kishte zhytë ndër do kohna, njerz e kujtime, kështuqë zgjatja e bisedës m’i kish shpërfillë krejt punët e shtrueme mbi copa letrash në tavolinë dhe m’i kish shtyu shënimet për ditë e kohë ma të vona…
Mos t’ishte kputë linja, kushedi ku kishte shkue dita e re, ndërthurë ndër fjalë e histori, kur dyshi i mbasmesnate kahera kish shkue.
Mandej mendova me iu dorzue vrik shtratit, pothuej i dekun… asht nji knaqsi që gjumi gjithnji ma ka shpërblye, pa asnji trazim…
Nëse ditët e tua, për njimijë arsye, kanë fitue nji dozë monotonie kjo nuk tregon asgja tjetër, veçse cilësdo ditë, që ti i ndalesh me e rrëfye, s’mundesh me ia përjashtue monotoninë… as asaj dhe as vedit, veç mundesh me ia limue disi orët e saj me thelbin tand të kohës, mundesh me i hikë monos e me iu turrë polisit, me at besimin e hershëm skalitë n’ty, se: krejt ngjyrat e nji dite nisin diku thellë teje, mandej ti mundesh me i shkapërda në natyrë, ndër njerëz, ndër probleme e objekte.
E para gjà e ditës së sodit, mbasi ajo për ty nis disi vonë, asht zgjimi i ditës dhe i dritës me sytë dhe gjestet e nji foshnje që ende s’ka asnji rrokje ndër buzë dhe as ka mësue me rrokë, veç të lëshon nji plastikë emocionesh e do gjeste energjike që krejt qenien e vet ta përcjell përmes nji xhami të vogël e të përplaset aq ambël ndër sy, e ti po përmes atij xhami si nji dadaist i thekun, i shkon me do deformime fjalësh, tingujsh, fërshëllimash e gjestesh, aq sa e ban botën me u çmendë në dy kahet e xhamit, ku tashma rrinë të nguluna fytyrat tona! Ja kështu pafajsia engjëllore dhe djajtë e së përditshmes rreken me u pa e me u dashtë ndër do pasqyrë kohnash moderne e me i dhanë njifarë kahu ditës…
E mandej, njashtu n’kambë e n’dorë duhet me iu lshue ngarend si skyfter njimijë vogëlsinave, paçka se i ke shkrueme në letër o saldue në mendje. Ngutshëm ke me pa përtej xhamit të dritares nëse vjeshta ta ka bà gati ndonji hise diell a dritë, fresk a joshje, mesazhe, thirrje telefonike o buzqeshje, ikona iluzionesh që vijnë e iluzionesh që shkojnë, grimca emocionesh që ta zbresin botën ndër maja gishtash, e ti me gisht nisesh ndër botë me lehtësinë e nji zogu, përmes nji urimi, nji përshëndetje, mandej ndalesh n’nji verige rrushi kristaline, që veç duke këputë nji kokërr të duket sikur ke përtypë krejt vjeshtën, e njashtu hajdutshe ke vazhdue ngarendjen tande me i hikë monos edhe pse jo gjithnji mundesh!
Mandej kujtohesh se dita duhet shkrue njashtu siç asht në ty, me bluxhingset e ngushta e të lastikta dhe bluzën me mangë të shkurta, që shtatori i njizetedytë ta ka ofrue aq dashunisht, se duhet me i buzqeshë kësaj dhurate, mbasi shpejt ke me ndrrue mangë e me u futë ndër të leshta!
Me të njimijë vogëlsinat e ditës nëpër kambë, ti nji mbas nji ke me i hjekë si petalet e nji margarite…
.
Vetmitari dhe mjegulla
Vetmitari dhe mjegulla
Derisa mbasditja e vonë ka me ta dhurue nji hise det. Edhe pse me ngutjen e nji takimi paksa të vonuem me nji grue të huej, që më kishte lexue n’gjuhën e saj, ma të fundit libër të poezive të mia të posabotueme!
Me habiti ai entuziazëm i nji t’hueje në adresë t’nji të hueji për poezitë e mia tashma edhe në gjuhë të huej, e që prej kësaj mbramje s’ka me qenë krejt e huej! Asht gëzim jo i paktë, me ndigjue nji gjà kurrë të ndigjueme! Dhe ti ndjen se ke dëshirën me i besue ato çka thuhen për ty, dhe bahesh si carrok që tundet e lkundet me kambë e duer, me trup e krye pa mujtë me thanë asnji fjalë veç nji gëzim instinktiv hallakatjeje, sepse i gëzohesh jetës përmes fjalëve të të tjerëve, qofshin ato edhe të rrejshme!
Mandej ke me e shetitë muzgun e nji qyteti jo edhe aq të huej disi ma ndryshe. Ke me u kujtue se tashma ky qytet asht pak edhe i yti, pse e ndjen se ai s’të ka ba t’vetin aq sa ai ka dashtë!! Dhe ti e kqyr diellin që rrzohet mbi shpinën shkapërderdhun të portit, që grimcohet herë mbi objekte e herë mbi det që tash veç blu s’asht mà. I zhytun në vetvedi e kupton se jo gjithçka që ja ke dishrue kësaj dite ja ke marrë, ndërkohë ke harrue se je dhurue pa e dijtë as vetë ndër tjerë!
E ndërsa e gjen vedin para nji ekrani, e kupton se të duhet sërish me shkrue, me lexue, me përshendetë, me folë, me dashtë, me mërzitë, me u mërzitë e me u hjekë vizë nji kah nji detyrave të shënueme, me u rrudhosë për novelën e pamundun të tët eti që kishe vendosë me e mbarue së korrektimi… po sërish e gjen nji shteg shpëtimi se “Ka ditë edhe nesër…!” se ka jetë edhe nesër, dhe se Zoti mendon mirë… deri sa të katra zerot bashkë të lajmojnë ditën e dekun… dhe ti je futë në ditë të re me idenë e nji qirì të ndezun dhe nji dashnie të madhe, që vdekja s’ka mujtë me ta vdekë!
U çova dhe ndeza qirin! Ashtu si 19 vjet të shkueme, nën dritën e përshpirtshme të tij, kujtova gjumin e fundit të tim eti: njeriu ma i shtrenjtë i botës sime, ndoshta edhe ma përtej!! Veç njashtu të përqafun, atë natë shtatori jeta dhe vdekja, na mbyllën nji kapitull të madh dhimbjeje, me fillue nji kapitull tjetër! Nëpër dritën e asaj gjuhëze flake, pashë ftyrën e ndriçueme të tim eti! Befas ajo m’u shndërrue në nji ftyrë engjëllore foshnjeje… edhe pse s’mundej me m’thanë qoftë edhe nji rrokje të vetme, m’rrokte me magjinë e ditës së re, me magjinë e jetës që udhëton ndër trupa e shpirtna… dhe ti e ndjen se ka ardhë çasti i fikjes së dritës me ju dorëzue atij gjumi të paqëm, që s’ia ka nevojën asnji andrre…

22 shtator 2017
.
marre nga http://dritare.info/nga-dita-e-nje-shkrimtari-ese-nga-jozef-radi/

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.