back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nji fluturim mbi figurën dhe veprën e Martin Camajt

Gazeta

Ernest Koliqi, Martin Camaj e Krist Maloku
Ernest Koliqi, Martin Camaj e Krist Maloku

Nji fluturim mbi figurën dhe veprën

e Martin Camajt (1925-1992)

Biografi e Martin Camajt

Martin Camaj, u lind më 21 korrik 1925, në një zonë malore, në Temal të Shllakut. Ky mjedis i egër malor do të lërë mbresa dhe do të ndikojë te shkrimtari dhe gjuhëtari i ardhshëm.
Që në fëmijëri Martini u dallua për një zgjuarsi të veçantë, gjë që u ra në sy prindërve të Camajt. Kështu atyre u lindi dëshira që Martini të mos ndiqte rrugën e disa bashkëmoshatarëve për t‘u bërë çoban në ato zona, por të arsimohej më tej. La Temalin e largët dhe erdhi në Shkodër për të ndjekur mësimet në kolegjin Saverian, një kolegj me emër në të cilin kishin studiuar patriotë, shkrimtarë, gjuhëtarë dhe mësues të afirmuar në profesionin e tyre. Pasi mbaroi studimet në këtë kolegj, filloi të ushtrojë detyrën e mësuesit në fshatin Prekal të zonës ku lindi, 25 km larg Shkodrës. Bindjet e tij nuk pajtoheshin me regjimin e kohës, prandaj në vitin 1948, në moshën 23-vjeçare, ai arratiset për në Jugosllavi. Pas disa peripecish, ai filloi studimet e larta në Universitetin e Beogradit, në degën Gjuhë-Letërsi Sllave dhe latine, pranë profesorit të dëgjuar kroat, Henrik Bariç. Menjëherë prirjet e tij letrare i konkretizoi me botimin e dy vëllimeve poetike “Nji fyell ndër male” (Prishtinë, 1953) dhe “Kanga e vërrinit” (Prishtinë, 1954).
Nuk i dimë rrethanat se si u krijuan, por Martin Camaj, 8 vjet mbasi ishte arratisur dhe pasi kishte mbaruar Universitetin e Beogradit, në vitin 1956, posa i kishte mbushur 31 vjetët, shkoi për studime pasuniversitare në Romë, duke lënë përfundimisht Beogradin dhe duke u bashkuar me shokët e një ideali Ernest Koliqin, Karl Gurakuqin, Mustafa Krujën, etj.
Në Universitetin e Romës ai u specializua për gjuhësi, duke konsoliduar gjithnjë e më shumë formimin e tij filologjik. Ai zgjodhi si temë disertacioni veprën e parë të gjuhës shqipe “Mesharin” e Gjon Buzukut, një studim mjaft interesant dhe i rëndësishëm për kohën kur u shkrua. Fillimisht Martin Camaj do të jetë lektor në Universitetin e Romës pranë katedrës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe që drejtohej nga shkrimtari Ernest Koliqi, por njëkohësisht që për disa vjet qe edhe kryeredaktor i revistës prestigjioze “Shèjzat” (Le Pleiadi – 1957-1978) që dilte në Romë.
Por jeta e këtij intelektuali ishte në lëvizje. Mbas një qëndrimi prej afro 10 vjetësh në Romë, do të lerë kryeqytetin italian dhe do të vendoset në Mynih të Gjermanisë, ku do të merret kryesisht me studime gjuhësore. Në Universitetin e atij qyteti do të mbrojë me sukses një temë nga fusha e formimit të fjalëve të shqipes, të titulluar “Fjalëformimi i shqipes. Mënyrat e formimit të emrave të vjetër.” Në Mynih jo vetëm do të mbajë leksione për studimet albanologjike, por mbas disa vjetësh do të themelojë katedrën e gjuhës shqipe në atë universitet që do ta drejtojë gjatë 20 vjetëve, prej vitit 1971-1990, vit në të cilin doli në pension.
Autori ynë do të jetë një personalitet i cili do të vlerësohet nga instancat shkencore të kohës dhe redaksitë e disa revistave që dilnin në Evropë. Vdiq larg vendlindjes së tij, në Bavarinë e Epërme, në fshatin malor Lengries, më 12 mars 1992, në moshën 67-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme pranë së shoqes dr. Erika Camaj.
Me gjithë ndryshimet e ndodhura në vendin tonë, me përmbysjen e regjimit monist, për arsye shëndetësore, ai nuk arriti ta shohë vendlindjen e tij, Temalin e largët malor, po as edhe Shkodrën, me të cilën e lidhnin kujtime të shumta, nga qëndrimi i tij në kolegjin Saverian.

Martin Camaj - Poezi
Martin Camaj – Poezi

Poezia e Martin Camajt

Martin Camaj është poet lirik me forma e përmbajtje moderne, me faza të ndryshme të krijimtarisë poetike dhe kjo nga shkaku, sepse ka kaluar nëpër kultura të ndryshme. Gjatë qëndrimit në Jugosllavi e Kosovë do të botojë njëri pas tjetrit dy vëllimet e para me poezi “Një fyell ndër male”, Prishtinë 1953 dhe “Kanga e vërrinit” Prishtinë 1954. Në Itali vëllimin “Legjenda”, Romë 1964 dhe në Gjermani librat e fundit poetikë “Lirika mes dy moteve”, Mynih 1967, “Njeriu më vete e me të tjerë”, Mynih 1978, “Poezi 1953-1967”, Mynih 1981.
Dy vëllimet e para të Camajt të botuara në Prishtinë frymëzoheshin nga motivet e vendlindjes dhe ishin në frymën e së ashtuquajturës “Shkolla letrare e Shkodrës”, pjesë e së cilës u bë edhe ai.
Në përmbledhjet “Legjenda” dhe “Lirika mes dy moteve” Camaj dëshmon me të gjitha mjetet stilistike e estetike të gjendurit nën ndikimin e poezisë hermetike. Ky ndikim lidhej me kohën studentore në Romë, kur Camaj kishte profesor poetin e madh hermetik Xhuzepe Ungareti. I ndjeshëm tej mase ndaj motiveve të vendlindjes e fëmijërisë ai në gjithë poezinë e tij përpiqet të universalizojë elementet thellësisht shqiptare, si peisazhe, mitologji, mentalitet e karakter. Pjesa më e rëndësishme e poezive të Camajt i është bërë e njohur edhe lexuesit të huaj me anë të botimeve “Poesie”, Palermo 1985; “Selected poetry”, Nju Jork 1990; “Palimpset”, Nju Jork 1991; “Gedichte”, Mynih 1991.
Jo vetëm po të nisemi nga vendet e botimit, por mbi të gjitha nga mënyrat e ligjërimit poetik, stilit dhe frymës, mund të vihen re qartazi tri faza të krijimtarisë poetike veçanërisht ato letrare të Martin Camajt:
Faza kosovare (ose klasike)

Faza italiane (ose paramoderne)

Faza gjermane (ose moderne)

Të tria këto faza kanë lënë shenja të qarta në krijimtarinë e tij: Në fazën e parë ndihet mbështetja e fuqishme në mjetet shprehëse tradicionale e folklorike. “Mali e vërrini” përbëjnë botën rreth të cilës sillet e rreh nervi poetik. Në fazën e dytë kemi pasurimin e elementeve shprehëse me struktura më të komplikuara gjuhësore, duke mos iu larguar kurrsesi tharmit të motiveve vendase.
Në fazën e tretë motivi vendas mitizohet, “thahet” e shndërrohet në një substancë me esencë të fortë.
Nga njëra tek tjetra arti i tij bëhet përherë e më formal larg strukturave tradicionale e ideve të ditës dhe synon të bëhet universal.

Martin Camaj - Dranja
Martin Camaj – Dranja

Proza e Martin Camajt

Martin Camaj e nisi prozën, ashtu siç thotë shkrimtari i madh francez Flober “në moshën e prozatorit”, pra në prag të dyzetave. “Djella”, tregim në prozë e në vjershë, Romë 1958, është përpjekja e tij e parë, që do të pasohet me veprat: “Rrathë”, roman, Mynih 1978; “Shkundullima”, proza, Mynih 1981; “Karpa”, Romë 1987.
Romani “Karpa” e vendos subjektin në brigjet e lumit Drin në vitin 2338, ndoshta për këtë autori ka parapëlqyer ta quajë “Parabolë”. Ky roman si dhe vëllimi me proza “Shkundullima” shquhet për një kërkim strukturor në rrënjët e zanafillave, jo vetëm si përsiatje e vazhdueshme, por edhe si gjuhë, në të gjitha dimensionet e saj. Pesë novelat e vëllimit “Shkundullima” janë zgjedhur prej shumë shkrimesh, sipas disa cilësish të përbashkëta, por ato kanë dhe ndryshime. Këto proza paraqesin dy mjedise: i pari lidhet me atmosferën në disa vise të Shqipërisë së Veriut, ku thellësia e bjeshkëve ndahet nga qafa malesh prej fushave të gjera. Ndërsa në tregimet “Shkundullima” dhe “Katundi me gjuhë të fshehtë” pasqyrohen brigjet bregdetare të Italisë së Jugut, treva ku jetojnë arbëreshët e lashtë. Edhe “Gjon Gazulli” anon nga ky mjedis. Ngjyra të përbashkëta janë kataklizmat natyrore, si Shkundullima (tërmeti), apo rrëzumja e borës (orteku), që trandin një vend, ashtu si edhe vdekja ose prania e saj: mbarë këto dukuri i ndërrojnë faqe dheut e shoqërisë.
Nga veprat e tjera letrare të Camajt me interes të veçantë janë “Loja mbasdrekës” dramë Mynih, 1981; “Kandili argjandit”, dramë, Kozencë 1983; “Dranja”, madrigale, Mynih 1991.
Drama “Loja mbasdrekes” trajton disa shkaqe të shthurrjes së kanunit të Lek Dukagjinit nga fillimi i shekullit XX. Ajo u shkrua në atë mënyrë që të lexohet lehtësisht, thuaj si novelë, për t`u kuptuar drejtazi dhe pa u vënë në skenë.

Martin dhe Erica Camaj
Martin dhe Erica Camaj

Studimet për fjalëformimin

Një ndër shkrimet e para me karakter gjuhësor është artikulli prej 9 faqesh, shkruar në serbo-kroatisht me titull “Kontribut për njohjen e grafisë së Gjon Buzukut”. Është një punim i shkurtër, por me interes për shpjegimet që ka dhënë Martin Camaj për disa shkronja të veprës së Gjon Buzukut. Por monografia e parë gjuhësore, që ka qenë tezë e doktoraturës, ka si titull “Meshari” i Gjon Buzukut. Kontribute linguistike me një studim për origjinën e tyre”, shkruar në italisht. Ky studim i Martin Camajt do të botohej në revistën “Shejzat” në vitin 1960. Nuk është një botim i gjatë, ka rreth 89 faqe. Ka vlerë për historinë e gjuhës shqipe dhe veçanti për disa probleme të diskutueshme për veprën dhe autorin e “Mesharit” në atë vit dhe më vonë. Në veçanti kontributet për studimet buzukjane të Martin Camajt i ka analizuar akademiku kosovar, Rexhep Ismajli. Që në fillim të veprimtarisë së tij shkencore Martin Camajn e kanë tërhequr autorët e vjetër. Kështu, duke punuar edhe me studiuesin gjerman, Rudolf Trofenikun, i cili në vitin 1977 botoi veprën e Pjetër Bogdanit “Cuneus prophetarum” të shoqëruar me një parathënie nga vetë Trofeniku dhe me një paraqitje të shkurtër nga Zef Valentini në italisht, Martin Camaj në pesë faqe në shqip jep një pasqyrë të hollësishme të alfabetit të Pjetër Bogdanit që e titullon “Çelës për leximin e veprës”. Interesi për veprën e Pjetër Bogdanit vazhdoi edhe më pas, kur në vitin 1990, në prag të daljes në pension botoi një artikull për këtë autor në revistën “Albania”, nr.1 që dilte në ShBA. Të gjitha planet e tij nuk u realizuan, pasi vdekja e rrëmbeu shumë shpejt. Ai së bashku me studiuesin Valter Braun dhe dr. Elvira Graser kishin piketuar platformën e një botimi të plotë për veprën “Çeta e profetëve”, në tri vëllime, që do t‘u kushtoheshin veçorive gjuhësore të veprës, si: grafia, fonologjia, morfologjia, sintaksa dhe fjalori. Në vitin 1966, Martin Camaj botoi monografi në gjermanisht “Fjalëformimi i shqipes. Mënyrat e formimit të emrave të vjetër.” 1966, 175 f.) Është një vepër që paraqet interes edhe sot në disa çështje të fonetikës historike dhe të studimeve etimologjike, ndonëse disa probleme të trajtuara këtu janë kapërcyer nga gjuhësia jonë gjatë 40 vjetëve nga koha e botimit. Sidoqoftë, në disa anë ruan edhe sot vlerat e saj.

Martin Camaj (1925-1992)
Martin Camaj (1925-1992)

Veprat e Martin Camajt

Djella – tregim në prozë e në vjershë, Romë 1958, është përpjekja e tij e parë.
Rrathë – roman, Mynih 1978
Shkundullima – prozë, Mynih 1981
Karpa – Romë 1987
Loja mbasdrekës – dramë Mynih, 1981
Kandili argjandit – dramë, Kozencë 1983
Dranja – madrigale, Mynih 1991
Një fyell ndër male – poezi, Prishtinë 1953
Kanga e vërrinit – poezi, Prishtinë 1954
Legjenda – poezi, Romë 1964
Lirika mes dy moteve – poezi, Mynih 1967
Njeriu më vete e me të tjerë – poezi, Mynih 1978
Poezi 1953-1967 – poezi, Mynih 1981

Botime të huaja
Poesie – Palermo, 1985
Selected poetry – Nju Jork, 1990
Palimpset – Nju Jork 1991, Gedichte, Mynih 1991.
Marrë nga http://www.gjuhashqipe.com

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.