Nji gjysë mijëvjeçarit në nji rresht…
tregim nga Gjergj Kola
Arta asht nxanësja ma e zhdërvjelltë e klasës, porse tuj kenë klasë sportive asaj i duhet me u shtërngu for me dalë e para në finishet e ditës. Ajo nuk ngjan aspak me Lulin e Vocërr, me tollumba gojëshqyeme, e plogështi, pse Arta veshë këpucë të mira Adidas.
Përplasjet e përditshme me dalë e para e kanë stërvitë tuj e ba njiherit të fortë në zemër dhe mendje, porse ajo s’i ngjan aspak Gavroshit, aq shumë të shkyem e të palamë, mbasi Arta asht e veshun hijshëm e me xhinsa firmato.
Flokët e saj ngjyrëçilun ndrijnë kur bjen dielli në klasë dhe sytë bojëqielli i shkëlqejnë kur fjala e mirë e mësuesit e mbështjell dhe e ban me u ndje me flatra.
Arta ka lindë në Vjenë dhe flet gegnishten rurale të prindve të saj, e cila për mu asht nganjiherë ma e bukur dhe ma e gzueshme se tanë magjia e flautit mozartian.
Sot në pushimin e madh, u grindën do nxanësa vjenez me ata turq në klasë dhe kur hyna unë e gjeta atë në mes tyne dhe po e moderonte situatën. Arta m’u duk si Shota dhe me at bishtalecin e shtrimë mbas shpine rrihte si fshikull i erës së mprehtë midis dy tifozerive në grindje.
E ndërsa unë ja përshkroj Shotën, kullën e saj, veshjen me at plisin e bardhë mbi krye, sytë e Artës bahen të mjegullt dhe mbas nji çasti ato mbushen me lot të mëdhej.
“Unë, nuk kena ndigjue asnjiherë për nji heroinë të tillë!”- më thotë ajo.
Ndihet keq dhe futet nën lëkurë të nxansave vjenezë, tuj folë në dialekt me gjysa fjalësh e nuk më sheh ma në sy.
“Ti je si këta”- i bajnë me dorë nxansat e huej.
“Jo, – u kthehet Arta” – Unë, jam ma shuem si ju!
“Jo, ti je si ata” – i thonë nxansat vjenezë.
“Jo, – vazhdon Arta” – unë këtu kam lindë e jam rritë këtu!
Në çastet kur Arta asht në qendër të vorbullës me duket si zanë a shtojzovalle e alpeve tona që ruejnë mbi udhëtarët kur humbin shtegun dhe i nxjerrin në dritë.
“Ti ke genin e Teutës!”, – i tham dhe ke lindë me drejtue turmat.
“Kush asht tash prep, kjo Teuta?!”
Dhe unë i shpjegoj se “Teuta ishte Mbretnesha e tanë Ballkanit të sotëm, në nji kohë kur nuk kishte Ballkan dhe Ilirët shtriheshin prej Austrisë e deri në Greqi”
“Kjo asht e pamujtun, – me thërret ajo, – na shqiptarët me kenë të shtrimë aq shumë në tanë gadishullin?!”
Atëherë unë marr zjerm dhe i kallxoj në pak rreshta historinë e Ilirëve që u kthyen në shqiptarë, me entuziazëm thuej fëminor…
“Po turqit, ku ishin?” – ma pret ajo vërshimin tem.
“Turqit!? Ata nuk egzistojshin në at kohë, erdhën shumë ma vonë prej nomadëve të shkretinës dhe u vendosën aty ku janë sot”
Arta më kqyr me ngulm me dy sytë e mëdhej pyetës, shikjon përreth me nji shikim prej shqiponje nxansat e tjerë dhe mbasi e peshon mirë fjalën më thotë:
“Po, na jena edhe turq!”
“Turq? Na jena shqiptarë, moj Artë!” – i tham.
“Ndij Herr Kola, ndij bre, na ishim shqiptarë, porse kur erdhen turqit na prunë fenë tonë islame dhe na prej saj jena ba gjysë turq!”
Ajo më shef drejt e në sy dhe më depërton ma fort se tanë fakultetet e historisë, tanë muzeumet dhe arshivat e perandorive, ma shume se gjithçka…
Mbështetem lehtë mbas dërrasës së zezë, mos me ra përtokë dhe ndij shigjetën e nji rreshti të ngarkuem me gjysë mijëvjeçari histori që më ngulet tejepërtej.
Vjenë 2015.