back to top
3.5 C
Tirana
E martë, 17 Dhjetor, 2024

Nji Herostrat në tempullin e Frederikut të Madh të Poezisë – nga Shpëtim Kelmendi

Gazeta

Frederik Rreshpja (1940-2006)
Frederik Rreshpja (1940-2006)

Nji Herostrat në tempullin e Frederikut të Madh të Poezisë

nga Shpëtim Kelmendi

Jo rastësisht, më erdhi në dorë nr. 11 i revistës kulturore “Symbol”, që fatmirësisht u shpërndaka në Prishtinë, Tiranë e Shkup, sepse pikërisht në këtë revistë gjendej nji tekst me titullin: “Kush asht Frederik Rreshpja”, me autor P. Shllakun.
Shkrimi fillon me “Kush asht?” Fillim i denjë për nji fletërrufe, fletërrufetë që kullandriseshin sa herë që “zbulohej ndonji armik i fshehtë në kohën e komunizmit, kohë të cilën hartuesi e njeh ma së miri, përfshi tana fenomenet dhe tanë terminologjinë që ajo prodhoi. Apo si titulli i ndonji procesverbali hetuesie, ku “armikut të popullit” i nxirreshin lakrat nga koka e të palamet në shesh. Me të lexue kolonën e parë, u ndala për nji hop, se m’u desht me pyet veten: More, po ky P. Shllaku kush asht, xhanëm?, që asht tue vuejtë kaq fort për me na shpjegue se kush asht dikush tjetër, aq ma tepër kur ky dikush tjetër qëllon me qenë hiç ma pak se Frederik Rreshpja, nji ndër poetët ma unikalë që ka mujtë me prodhue kjo e gjora histori e poezisë shqipe? E njoh prej vitesh, e njoh si person që i ka lexue do libra, si mbamendës kulturor, që asht rrekë edhe me shkrue dikur, por pa mujtë me bitisë ndoi gja të hajrit, sepse, ndër dyzet arsye se pse nuk i pati ra kurrë kumona (lexo: talenti), e para arsye asht se s’ka pasë ndoi herë kumonë. Po ai asht kambëngulës: vazhdon me krapullitjet e veta, gjithë tue u përpjekë me na shpjegue tridhjetë e nandë arsyet e tjera se pse nuk i pati ra kumona.
Me sulmue cilësinë e vargjeve të nji poeti që s’rron ma mes nesh, nuk përban ndoi sakrilegj, sepse kushdo asht i lirë me e pëlqye e mos me e pëlqye, po me nëpërkambë personalitetin e tij njerëzor, kjo asht diçka e ndytë, e gërditshme dhe e pafalshme.
Nëse Fredi do të ishte gjallë, unë s’do të kisha pse me folë, sepse ai do të kishte lnurë lesh vetë mbi hartuesin e fletërrufesë, por fatkeqësisht nuk asht ma midis nesh. Megjithatë, qëllimi i këtij reagimit tim nuk asht edhe aq me iu përgjigjë pyetjes: kush asht Frederik Rreshpja-poet, sepse ai s’ka ndoi nevojë për avokatinë estetike të kurrkujt, tue qenë se qysh në gjallje të vet ai burrë imcak e ka zanë vendin e vet në histori, tue lehtësue çdo admirues të tij nga roli i mundshëm i paladinit estetik. E jo ka zanë vend e gja, por ka zanë vend ma shumë se nji kohortë e tanë burrash të gjatë, të cilët shpenzojnë tanë ato dekada të jetës në rolin e “atyre” që mbartin venë e pijnë ujë, e që në fund të udhëtimit, kur përballen me zhgënjimin madhor të jetës së tyne të vogël, thonë: “Bane Zot andërr!” Qëllimi i këtij shkrimi asht thjesht me nxjerrë në pah disa të vërteta, për me i lexue admiruesit e shumtë të Frederik Rreshpjes, si dhe me dëlirë baltën që P. Shllaku hedh pajada mbi figurën e Poetit, në ta tana mënyrat: me shkrim, me gojë, me muhabete klubi e gjithqysh. Nëse këto që unë them shkaktojnë ngazëllim te admiruesit e poezisë së Frederikut, kjo më gëzon edhe mua, por nëse ndokush shqetësohet, kjo nuk më intereson aspak. Sidomos kur ky dikush asht P. Shllaku, fletërrufeja e të cilit i ngjan nji gulshi vneri të kalibruem me kujdes, me synim të vetëm shkatërrimin e personalitetit të Frederik Rreshpjes. Jo shkatërrimin e personalitetit të Frederik Rreshpjes-poet, sepse gjatë leximit të shkrimit vihet re qartë se nuk ka pikë guximi analitik e estetik me iu qasë poezisë së autorit, porse përpjekjes me çmontue personalitetin e tij si individ, gjithë tue shpresue se kësisoj ka me mujtë me heqë apo me curulatë ndoi gur prej tempullit poetik të Frederikut të Madh të Poezisë.
Qasja e P. Shllakut ndaj Frederikut në këtë shkrim asht aq meskine, sa po të kishte qenë edhe nji grimë ma meskine, kisha me e quejtë pa drojë nji qasje katundare, nji shkrim katundar, mbushun dordull me mllef katundar, gjana që s’kanë pikë lidhje as dhe me nji shkrues periferik që pretendon me i përkitë botës së letrave. Mbi të gjitha, qasja e P. Shllakut ndaj Frederikut të Madh të Poezisë asht si qasja e Herostratit ndaj Tempullit të Artemidës. Imagjinoni nji bari dhish që e don se s’ban nji vend në histori, e që për me ia dalë mbanë kësaj zgjedh me sulmue diçka që i përket vetë historisë, e që në këtë rast asht tempulli poetik i Frederikut të Madh të Poezisë.
Urrejtja e P. Shllakut ndaj poetit Frederik Rreshpja, urrejtje që i bjen në sy menjiherë edhe lexuesit ma të çiltër, mundet me pasë shumë shpjegime rrethanore e kontekstuale, por nji gja asht e sigurt, që pikësëpari shpjegohet përmes psikoanalizës. Kjo botë ka mbrenda jo pak njerëz, të cilët janë objekte shumë të vyeshme për shkencën e psikoanalizës, sepse personalitetet e tyre u ngjajnë shesheve të luftës, në të cilat kanë ba plojë e kërdi kohortat e frustracioneve, batalionet e zilive, topat e randë të pamundësive të realizimit vetiak në fushën e artit, gjëmimet e heshtuna të pafuqisë për me e sendërtue andrrat artistike të rinisë. Mbrenda këtyne kensave janë ndrydhë e janë bâ kaps të tana thirrjet luftarake që janë karakteristikë e moshës rinore, të tana britmat e revoltave e të pakënaqësive, të tana hovet ekzaltuese të zemrës. Shkurt, bahet fjalë për vorreza të sistemueme britmash të paartikulueme.
Lypet thanë këtu se britmat e paartikulueme përbajnë nji nga fatkeqësitë ma të randa që munden me i ra për hise nji individi, sepse ato kalben e shfryjnë përmbrenda pajada. Mjerisht, nuk kalben për me u shndërrue në pleh e në humus, prej nga ku munden me grafullue bar e lule e pemë, por thjesht qelben së mbrendshmi e katandisen në llomerkajë kutërbuese, në knajë e pisllëk e zdralë psikologjike. Britmat e paartikulueme kanë tendencë natyrale me u shndërrue në shkrofëtima, në hungurima, në shterzime, që e lëshojnë individin kulihum në nji stad të ulët fiziologjik, në të cilin ai din me ba veç nji gja: me çlirue gazra…
Në të vërtetë, problemi nuk qëndron fort te realiteti e as te individët që krijojnë realitet, që në rastin tonë asht realitet letrar, sa ç’asht te sytë me të cilët hulumtojmë realitetin dhe individin. Kësisoj, nji kens i parealizuem dhe me britma të bame kaps, projekton mbi të tjerët realitetin e vet të mbrendshëm. Kush ndihet i parealizuem, sheh botë e njerëz të gjymtuem; kush ndihet i burgosun mbrenda vetes, sheh burg e mungesë lirie te kushdo tjetër; kush s’ka respekt për veten, sheh pa pikë respekti këdo tjetër; kush ka rrëshqitë vetë prej faqeve të ndonji romani pikaresk, kujton se tanë të tjerët kanë rrëshqitë prej faqeve të të njëjtit roman.
Qasja e P. Shllakut në këtë fletërrufe asht e zhveshun prej elementëve të nji gjuhe analitike profesionale, për shkakun e thjeshtë, se autori i shkrimit s’ka ndërmend me ba ndoi analizë. Kjo për dy arsye: e para, analizimi i lirikës së Frederik Rreshpjes asht nji ndërmarrje që i kapërcen aftësitë modeste të P. Shllakut në perceptime lirike; arsyeja e dytë, e cila vjen si rrjedhojë e arsyes së parë, asht se P. Shllaku merret me atë që i shkon ma për shtat natyrës së tij: me prozhmue, me flliqë e me lëshue gëlbaza mbi të tjerët, në këtë rast mbi Fredin-njeri. Përgjat tanë këtij shkrimi proliks e llafazan, ai merret bash me këtë orvatje: me rrëzue Fredin-njeri, gjithë tue shpresue se bashkë me Fredin-njeri do të rrëzohet e do të fshihet nga kujtesa e lexuesit edhe Fredi-poet.
Përveç shumë të metave tjera që ka kjo fletërrufe e servirun si analizë, të meta që lidhen ku me paaftësinë e ku me njetin e mbrapshtë të shkruesit, asht edhe tejet e pandershme, për shkak se nuk merr në konsideratë tanë korpusin poetik të Frederikut, por ndalet kryesisht në librin e titulluem “Në këtë qytet”, botim i vitit 1974. Këtë libër e sjell nëpër duer pajada dhe, çka asht ma e forta, e trajton si librin e parë poetik të Fredit! Ka tre mundësi:
Ai nuk e din se libri i parë i Frederik Rreshpjes asht “Rapsodi shqiptare”.
Ai e din, por nuk e ka lexue, sepse asht mësue me i ba gjanat dembelisht.
.
Frederik Reshpja (Moikom Zeqo)
Frederik Reshpja (Moikom Zeqo)
3.Ai e ka lexue dhe ban sikur ai libër nuk ekziston, sepse po ta marrë në konsideratë, i prishet mekanizmi diabolik nëpërmjet të cilit synon me çmontue Frederik Rreshpjen-njeri, e prej aty edhe Frederik Rreshpjen-poet.
“Rapsodi shqiptare” (1967), libri që anashkalon P. Shllaku, asht risi e dukshme në letrat shqipe. Ky libër asht i shkruem në nji gegnishte të mrekullueshme, model që duhet ndjekë edhe sot, por mbi të gjitha asht nji model poetik i pakrahasueshëm me atë që ndodhte deri atëherë në poezinë shqipe.
P. Shllaku jo vetëm që nuk merr në shqyrtim librin e parë të Fredit, por nuk merr në shqyrtim as përmbledhjen “Lirika të zgjedhura” (1994); nuk merr në shqyrtim as librin “Erdhi ora të vdes përsëri” (1996).
Mos me marrë në konsideratë këta libra, në të cilët Fredi shpaloset me të gjitha përmasat e tij lirike, asht si me lujte cinglash, si me lujtë cic-mic. Dhe këtë ban P. Shllaku: luen cinglash, luen cic-mic. Pra, larg mendsh me rreshtue ndonji ushtri, ushtrinë e ideve e të koncepteve, të pajisuna me mjete të holla terminologjike, e me ba nji betejë, nji betejë të vetme: atë betejë ku ndahet e mira nga e keqja. Jo, ai nuk rreshton ndoi ushtri të tillë, sepse s’ka as ushtri, as fuqi, e për ma tepër as dhe pikë guximi me i dalë përpara nji Mbreti si Frederiku i Madh i Poezisë. P. Shllaku nuk ka kërçik me mbërrijtë deri këtu, sepse e ka dëshmue në shumë raste se asht thjesht nji kaçak i vogël, që shkrep martinën, ban do tym, e mandej lëshohet fulikare me u mshehë mbas ndoi kaçube.
Kështu pra, more P. Shllaku, ti shkruen për poezinë e Frederik Rreshpjes pa ia pasë idenë hiç se për kë je tue shkrue, çka je tue shkrue, a i kupton ti vetë ato që je tue shkrue, e mbi të gjitha pa e ditë nëse i hyjnë në punë ndokujt ato që je tue shkrue.
Hipotezat që hedh P. Shllaku për me çmontue personalitetin e Frederik Rreshpjes janë pak a shumë pesë, të pesta të turpshme, aq sa më vjen randë edhe me i renditë në këtë shkrim.
1.Që Frederik Rreshpja asht fundekrye poet i realizmit socialist.
2.Që Frederik Rreshpja ka pasë luhatje në lidhje me seksualitetin.
3.Që Frederik Rreshpja ka pasë mungesa të theksueme në karakter.
4.Që Frederik Rreshpja asht poet qaraman e vajtues.
5.Që Frederik Rreshpja nuk flet për burgun, nuk i këndon lirisë etj.
As edhe nji prej këtyne hipotezave nuk ka lidhje mirëfilli me poezinë, por po ia nisim me të parën: a asht Frederik Rreshpja poet i realizmit socialist? Kjo nuk thjesht pyetje, por kjo asht pyetja që nuk asht shtrue kurrë ndonjiherë, prej kurrkujt që unë njoh. Janë shtrue shumë pyetje në lidhje me Rreshpjen, por tashma, qe ku po shtrohet dhe kjo pyetje, për herë të parë e sigurisht të fundit, nga P. Shllaku, i cili kësisoj ia del mbanë me u ba pionier së paku në diçka.
Frederik Rreshpja, ndonëse shumë ma pak se të tjerët, ka ndërkallë në poezinë e tij edhe ndoi varg që asht konform dogmës estetike të realizmit socialist, por ato vargje nuk çojnë fare peshë dhe janë thjesht haraçi që poeti i paguen botimit. Vargjet e indoktrinueme janë vargjet ma të dobëta në poezinë e Fredit. Termi “parveny” që ti përdor për Fredin asht futja kot e grij sallatë, ndërsa termin “amfib” e ke thjesht sa me thanë diçka, sepse Fredi nuk ka jetue në dy habitate, por vetëm në nji: në panteonin e poetëve të mëdhej botnorë. Mjafton të lexojmë poemën “Topi fushor”, që qysh në titull i premton të tana gjasat me qenë shumë e ndotun me terma të realizmit socialist, por që në fakt nuk asht, për të kuptue se Fred Rreshpjes as i ka interesue hiç partishmëria proletare apo dogma e realsocit. Në këtë poemë të vogël që përmban energji poetike sa për nji libër të tanë, gjinden shumë pak vargje flagrante, të ngjyeme në bojën e realsocit. Ato vargje janë deklarative, patetike dhe ngjajnë si mish i huej në poezinë e tij, sepse nji poet i talentuem si ai nuk mund të pranonte me qejf asnji lloj dogme, e kjo thjesht e vetëm pse ia kufizonte lirinë e krijimit. Sa për ilustrim, ja dy nga këto vargje: “Kjo nuk asht luftë si t’gjitha t’tjerat,/ Asht luftë për socializmin.”.
Këto e disa të tjera si këto, janë vargje kot më kot, pa pikë vlere estetike, të cilat, nji poet kalibri si Fredi i ka ndërkallë thjesht e vetëm pse “duhej”. Pra, ku asht këtu ai përkushtimi i tij i zjarrtë zjarrtë ideologjik, për të cilin flet P. Shllaku? Ai rreket me poshtnue Fredin vetëm për do vargje të indoktrinueme në poezinë e tij, ndërkohë që s’merret fare me nji armatë të tanë poetësh që ka pasë kalue në delire orgjiake, në onanizma e në ejakulacione kolektive, tue i thur lavde regjimit në çdo varg! Kësaj i thonë me qortue nji mbret për dramcat që janë ba në gostinë e tij mbretnore dhe me anashkalue pisllëkun dhe zdralën e rojtarve të derrave.
Që Fred Rreshpja s’ishte poet i realizmit socialist, por thjesht Poet, këtë e vërteton më së miri fakti se, midis tanë asaj hordhie poetësh e poetucësh e këngëtorësh lajkatarë e përqyrranë, ai ishte i vetmi që arriti ta rikonfirmonte veten si poet klasi në vitet ’90, me dy vëllimet e tij poetike: “Lirika të zgjedhura” dhe “Erdhi ora të vdes përsëri”, e që u pasuan nga librat “Vetmi” dhe “Në vetmi”. Veç ai qe në gjendje me e rikonfirmue veten si lirik i madh, veç ai qe në gjendje me e dëlirë poezinë e tij nga disa pak stërkala balte të realsocit (ndërkohë që të tjerët mbetën përjetësisht të zhytun në llucë deri në fyt), vetëm ai qe në gjendje të shndërrohej në urë lidhëse mes poezisë së mirë të traditës dhe poezisë moderne shqipe të viteve ’90, sepse vetëm ai ishte dhe meritonte të quhej “il miglior fabro”.
Dua të citoj në këtë shkrim disa vargje nga libri i tij i parë “Rapsodi shqiptare” (1967), në pamundësi me përfshi poezi të tana: “Më duket se mijëra vjet kam jetue mbi këtë tokë// Tue lexue hieroglifet e kuqe të vetëtimave/ Dhe vargjet e vrejtun të maleve shqiptare/”. (Kur gjëmonte historia)
Te poezia me titull “Lirikë”, tue dashtë me u dhanë formë emocioneve që ka përjetue kur ka vizitue rivierën e mrekullueshme shqiptare, në momentin që po largohet prej aty, poeti thotë: “Po niset autobusi.// Portokalle, digjuni mbi mue!/ Gjithë peizazhi rrotull rend në dritare…”
Te poezia “Natë arkeologësh”: “Arkeologët/ Stivonin ndër arka perënditë e fundit;/ Do perëndi të thyem, të lagun.// Nën abazhur, një Afërditë e bukur/ U buzëqesh të gjithëve/ Si një e njohun e largët, e dashtun…/.
Citova vetëm pak vargje, të shkrueme para plot pesëdhjetë vjetësh, tue e ditë mirë se mjaftojnë për të bindë këdo se Rreshpja s’ka pasë kurrfarë lidhjeje shpirtërore me realizmin socialist, por po t’i kthehemi poezisë së tij të shkrueme gjatë viteve ’90 e në vitet e para të shekullit XXI, do të na shpërfaqet para syve nji pejsazh lirik i mahnitshëm lirik dhe i pakrahasueshëm me asnji tjetër produkt poetik të autorëve shqiptarë. Shqipëria e shekullit XX, ka pasë poetë shumë të mirë, por pothuejse të tanë kanë vuejtë nga e njëjta sëmundje: mungesa e kriterit të bashkëkohësisë. Ndoshta vetëm Fred Rreshpja nuk e ka pasë këtë problem, në asnjë fazë të krijimtarisë së tij.
Trajtimi i hipotezës së dytë, që poeti paska pasë luhatje në lidhje me seksualitetin, tue aludue për do gjana që s’kam fare dëshirë t’i përmend, asht diçka krejt e pakandshme dhe pa pikë lezeti. Po i biem shkurt: krejtësisht e pavërtetë. Fakti se Fredi ishte person i ndrojtur dhe i brishtë nga natyra dhe s’i pëlqente me folë për këtë pjesë, asht diçka krejtësisht natyrale. Po këtë diagnozën “erectile dysfunction”, a thue hoqe keq me e sajue, more? Asht goxha e rrezikshme me qenë i sigurt për nji gja të tillë. Si thue ti? Kujdes me këto terma, atëherë, se të mbesin në dorë! Aq afër ke ndejtë ti me Fredin, aq ngjitun, sa me i ditë edhe këto?! Po Fredi s’ta ka ditë as emnin ty, mor njeri!
Në fund të trajtimit të kësaj hipoteze të pavend e të pamend, nji pyetje: a mos asht kusht i domosdoshëm, që nji poet, për të qenë i tillë, duhet me iu nënshtrue vetingut për seksualitetin? Gjana të turpshme! Gjithsesi, gjatë viteve të fundit të jetës së tij, e kam takue ditë për ditë poetin, dhe e di mirë se kishte nji adhurim të jashtëzakonshëm për figurën femërore. Sa herë qasej nji femër, ai gjallërohej, sytë i vezullonin prej një drite të ngrohtë dhe thoshte se femra asht krijesa ma e bukur që Zoti ka ba në këtë tokë.
.
Frederik Rreshpja... me mbesat
Frederik Rreshpja… me mbesat
Hipoteza e tretë, simbas së cilës poeti kishte probleme me karakterin, asht nji minë me sahat mbi të cilin rrin ulun tanë njerëzimi, përfshi sidomos shkruesin e fletërrufesë. Fredi ka ecë përmes nji ekzistence tmerrësisht të vështirë dhe jeta asht sjellë me të si njerkë e pashpirt, po përtej kësaj, unë dhe të gjithë ne që patëm fatin të ishim miq e bashkëudhëtarë të tij, do të kujtojmë me mallëngjim dashurinë që ai rrezatonte përmes syve, fjalëve, timbrit të zanit dhe tanë qenies së vet, por mbi të gjitha do të kujtojmë bujarinë e tij proverbiale. Frederik Rreshpja ishte në të njëjtën masë poet dhe person i mrekullueshëm.
Tash, le të bajmë nji pakt, zoti P. Shllaku: e mbyllim këtu temën e kësaj hipoteze, që ka të bajë me karakterin; jo për gja, por druej fort se ndokush mund të lëndohet.
Hipoteza e katërt: Fredi poet qaraman e vajtues. Kjo asht me qeshë e me qa. Për ta ilustrue sa ma mirë këtë hipotezë, medemek me referenca historiko-mitologjike, ai e quan Fredin “Filoktet”, por harron që i ban goxha nder, sepse e krahason me nji kreshnik të madh homerik; me nji kreshnik të plagosun, i cili përnjimend e vuan dhimbjen e plagës së vet, por që tekembramja arrin te sheshi i luftës ku vringëllojnë armët e randa, shesh lufte në të cilin i zoti i fletërrufesë nuk ka qenë kurrë në jetë vet.
Sot kemi nji kope të tanë pakidermësh hipokritë, të cilët i lëshohen si hijena rehatisë dhe të mirave materiale të kësaj bote, poetë që hanë e pinë e qeshin e flirtojnë me jetën, po kur ulen me shkrue, mbasi shterzojnë mirë e mirë, pjellin vargje të trishtueme dhe qelbin tanë dynjanë me to. Nga ana tjetër kemi trishtimin elegant të Rreshpjes, që nuk asht i sajuem, por i vërtetë. Trishtimi i Rreshpjes, nuk asht demokratik e popullor, por shpallet prej nji shpirti të ndjeshëm aristokratik; nuk asht trishtimi çastnor i nji derri të kënaqun që ia kanë vonue shujtën për pesë minuta, po trishtimi i nji individi që e ka kuptue se diku tjetër ekziston nji botë ma e mirë se kjo, trishtimi i njeriut që mezi pret me iu dorëzue realitetit të naltë, aq sa në ndonji rast të krijohet ideja sikur ai flet pikërisht prej atij realiteti të naltë, siç mund të vërehet në vargjet: “O Zot,/ ç’qe ai vrapim i çmendur në atë planet të largët!”
Fredi nuk asht amfib, por nji felin, nji luan i lidhun me zinxhirë, i cili në fillim të viteve ’90, me t’u çlirue prej prangave, ua bani me dije të tanve sa vlente ai, e sa vlenin shtazët e tjera të zinxhirit të tij ushqimor, tue u rikthye kësisoj aty ku e kishte vendin: në majën ma të naltë të hierarkisë së vlerave poetike. E quen po ashtu “kacagjel i dyzuem”, tue e akuzue veç tjerash edhe si mburravec! Katër vjetët e fundit të jetës së Poetit, unë dhe disa miq tjerë të tij, e kemi takue pareshtun, por as edhe nji çast s’e ndigjuem tue shitë mend, e aq ma pak tue folë kundër ndonji poeti tjetër. E jo vetëm kaq, por ai s’kishte pikë dëshire as me folë për poezinë. Meqë jemi në temë, sa herë që ndokush e pyeste se përse nuk fliste kurrë për poezinë, po veç për páre, ai përgjigjej: “Epo, secili flet për atë që i mungon, mor bir!” Edhe talentin poetik që Zoti ia kishte dhanë me bollëk, ai nuk e konsideronte fat, por thjesht nji kokëçamje ma shumë, nji burim vuejtjesh e dhimbjesh, fakt të cilin e dëshmojnë qartë vargjet e poezisë “Testament”: “Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur/ i mallkuar me art…”
Hipoteza e pestë: Pse s’flet Fredi për burgun? Sepse ka njizet e shtatë vjet që për burgun flasin të gjithë. Për burgun flasin njerëzit që kanë qenë në burg; për burgun flasin spiunat e persekutorët që i kanë shti ata në burg; për burgun flasin ata që s’patën bythë me i shti në burg spiunat e persekutorët e atyne që u kalbën në burg; për burgun flasin ata që s’kanë qenë kurrë në burg, por që e meritojnë me shkue në burg; për burgun flasin ata që burgun e kanë në dërrasë të krahnorit; për burgun flasin ata që jetojnë në burgun e pamundësisë së krijimit artistik. Për burgun flasin të tanë. Pse duhet me ba Fredi diçka që e bajnë të tanë? Fredi nuk ka pasë mendje drejtvizore e dystabane prej pakidermi të squllun, por mendjen e mrekullueshme të nji mjeshtri zenbudist, i cili njeh vetëm dy pika referimi në jetën e tij, që janë: tashti, këtu; e shkuemja asht e vdekun, ndërsa e ardhmja s’ekziston. Kështu ishte Fredi: jetonte çastin.
Po e mbyll këtë shkrim me fshikullimin që Frederiku i Madh i Poezisë u ban tanë puthadorëve, lapanxhozëve, lakandraqëve, si dhe atyre që burgun e kanë në dërrasë të kraharorit, përmes poezisë së titullueme: “E shkruar vetëm për skllevërit”, shkëputur nga vëllimi “Në vetmi”: “Skllevër mosmirënjohës e të marrë,/ Kope hipokritësh servilë,/ Unë muret dhe prangat i pështyj,/ Unë kam lindur skandaloz dhe i lirë.”
.
Nandor 2017
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.