back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024

Nji kafe që s’e piva dot me Edin… nga Jozef Radi

Gazeta

Edi Ibrahimi dhe Davide
Edi Ibrahimi dhe Davide

Nji kafe që s’e piva dot me Edin…

nga Jozef Radi

Edi Ibrahimi, është nji miku im i emigrimeve, pra mik i rrethanave të vështira dhe kemi pothuaj 15 vite që njihemi bashkë, që takohemi qoftë edhe rastësisht në rrugë pse jetojmë prej vitesh në të njejtin qytet, dhe shpesh në shtëpinë e tij jam gjendur jo veç në në raste festash, po edhe ditë të vështira kur ai kishte probleme jo të lehta dokumentesh, probleme pune apo familjare… Pra shpesh jemi gjendur bashkë në hallet e mëdha të emigrimit që na kanë shty të njihemi mirë bashkë!
Dhe, prej kësaj afërsie mund të them se Edi Ibrahimi ishte prej atyre djemve që i kishte shokët e rrallë; që s’dinte t’i thoshte kurrë “Jo” askujt dhe për asgjë; që e donte jetën dhe familjen, shoqërinë dhe punën; që i kishte duart e arta, dhe s’kishte gjë që ia shihte syri dhe ai t’mos e bënte; që nëse ti kishe ndonji hall ai do të bëhej copë e do të jepte zemrën… ah zemren! At zemrën e bardhë që s’e la rehat ta jetonte jetën dhe fëmijët ashtu siç duhet, e që sot, mbas së tretës herë e ndau përfundimisht prej familjes dhe prej nesh përgjithmonë…
Edi Ibrahimi ishte djali i vetëm i Bales, nji gruaje të vogël, të vuajtur e të sakrifikuar deri në palcë, nji gruaje fisnike që i rriti dhe i martoi pesë fëmijët e saj jetimë vetëm fillikat; nji grua e urtë dhe e dashur si ato nënat shqiptare që s’i ka kush në botë, që të bëhen krah në ditë të vështirë; që të bëhen zemër në ditë të gëzimit; që t’i rrisin fëmijët dhe të presin me tavolinë shtruar; që nuk të thonë kurrë u lodha po vetëm a u lodhe; që të presin sa hyn te dera me nji buzëqeshje aq të vërtetë sa të duket sikur ta japin krejt botën… Nuk kam njohur nji grua si Balja, të urtë e të dashur, fjalëpakë e mikpritëse, nji grua që mbyllte gjitha sherret e vogla të familjes me fjalët: “për hatër tem”, e që mua aq shpesh e aq dashuri më ftonte: “Po hajde o Nin, se kam bo i byrek t’mirë për ty, hajde më qafsh!”

Edi Ibrahimi me vajzat Jenny dhe Wendy
Edi Ibrahimi me vajzat Jenny dhe Wendy

Edi Ibrahimi ishte edhe vëllai i vetëm i katër motrave, që e kishin si ujët e pakët, po edhe babai aq i dashur i dy vajzave si drita dhe i nii djali.  Kur mbas dhjetë vitesh, i erdhi djali i vetëm Davide, ai u ndje babai më i lumtur i botës, nuk e kam parë kurrë më të gëzuar at njeri… fluturonte… sepse kishin katër breza që dega e tij kishte mbetur me nji djalë të vetëm, edhe gjyshi, edhe i ati, edhe ai edhe i biri i tij. I ati e kishte lënë herët… dhe Balja e tij e urte kishte qenë për të edhe nënë edhe babë edhe shok… dhe ai kurrë s’ia prishi nënës së vet, edhe në çastet më të vështira të jetës së tij i mjaftonte vetëm nji për “hatër të Bales” dhe ai kapërdinte të pakapërdishmen!
Para pak ditësh qe e dyta herë që më merrte në telefon, për nji kafe… Në të vërtetë kisha ndërruar telefon dhe e kisha humbur numrin e tij… Isha jashtë qytetit po i thashë: “Edo sapo të kthehem në Ankona”, do të vij ta pimë nji kafe… “Po hajde o Plak, se kom qejf t’bojmë i dorë muhabet, se na ka marrë malli, u bone amerikan dhe s’na begenis, u bo nji vit që s’shifemi!”
Mos harro m’i bëj të fala Bales! – i thashë – se shpejt do shifemi…
Po në të vërtetë nuk u pamë më…

Balja me Daviden
Balja me Daviden

Ndoshta ai, të falat e mia ia ka çuar Bales, ndoshta ka harruar, po sot në kët ditë të zezë për atë grua të vuajtur, nuk hyjnë në punë të falat e askujt… ajo sot është e paburrë, e padjalë… e pa…
Kur sot më morën në telefon, dhe më thanë se në faqen e fb të Edit po bëjnë ngushëllime për vdekjen e tij… sa s’më ra gjaku në fund të këmbëve… Joooo! thirra – nuk është e mundur, po para pak ditësh e lanë për nji kafebashkë…!
Por ajo që s’mund ta besoja ishte e vërtetë…
Të enjtën në darkë qe ndarë me shokët e vet të Durrësit, dhe ashtu i buzëqeshur si natyrë, kishte fjetur te shtëpia e vet në Durrës… për të fundmen herë, e për të mos u zgjuar kurrë më…
Si duket e kishte thirrë Toka e vet, Durrësi vet, Baba i tij që dikur e kishte lënë jetim, për të lënë edhe ai nji tjetër jetim Daviden e vogël, në moshë 49 vjeçare…
Edi Ibrahimi do të kujtohet prej të gjithë atyre që e njohën, si djalë i nji thjeshtësie të rrallë, si zemërbardhë, që gjithnji i buzëqeshi jetës…
Të qoftë i lehtë dheu Ed Ibrahimi…

Jenny, Davide dhe Wendy Ibrahimi
Jenny, Davide dhe Wendy Ibrahimi

dhe ngushëllime e mia më të thella Nënë Bales asaj gruaje të rrallë që shpirti i saj sot është vetëm prej lotësh… motrave të tua, dhe fëmijëve të Tu, Jenny-t, ëendy-t dhe Davide-s
Gjithnji miku yt i vjeter (edhe i kafes që na mbeti e papime…)
Ngushëllime edhe në emër të gjithë komunitetit shqiptar të Ankonës që të njohën e të respektuan, e që për njimijë arsye s’mund të gjenden në lamtumirën e fundit…
18 shtator 2015

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Mirëmbrëma z. Jozef.
    Unë jam Xheni, vajza e Edit, doja t’ju falenderoj shumë për artikullin e mrekullueshem që ke shkruar për babin tim Edin. Të falenderon shumë Nona Bali për fjalët që ke thënë për Edin. Jemi prekur të gjithë kur e kemi lexuar në mes të njerëzve.
    Të përshëndesim të gjithë dhe falenderojmë shumë.

    E dashur Xheni,
    Humbjen e Edit e kam përcjellë si humbjen e nji miku të dashur, dhe dhimbjen për të u mundova ta shpreh në të gjitha mënyrat e mundshme. Sot shkrimin e përktheva dhe ia nisa edhe nji gazete të Anconës, ku Edi jetoi për më shumë se 15 vite… Ju ngushëlloj të gjithëve së pari Nonë Balin, juve dy vajzave që që edhe pse të rritura do t’ju mungojë njeriu që nuk kursente asgjë për ju, dhe Daviden e vogël që ai e deshi aq shumë dhe që nuk mundi ta gëzojë për aq shumë sa e deshi…
    Ju duhet të jeni gjithnji krenare për babanë tuaj, Edi qe njeri që nuk dinte të thoshte kurrë “Jo” dhe që dinte t’u buzqeshte e të ndihmonte këdo që kishte nevojën e tij… dhe që bëri gjithçka ishte e mundur për ta mbrojtur familjen e tij…
    Bashkë me kujtimin e mirë që ka lënë tek të gjithë ata që e njohën, ju pastë lënë edhe Ju tre fëmijëve të tij dhe Balit që e desh aq shumë, uratën…
    Ju përqafoj me dhimbje të katërve…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.