Nji kangë burgu…
Dhe tragjedia shqiptare e vllavrasjes
Ata ishin një grup prej pesë shkodranësh, në burgun e tmerrshëm të Burrelit, të gjithë të burgosun politikë, që punonin prej mjesit deri në darkë, në atë dimër të tmerrshëm të viti 1962, dhe nuk prisnin veç minutin të afronte ora gjashtë e darkës e çanga të binte sa t’u shurdhonte veshët për t’i komunikuar që edhe nji dite iku, e atyne edhe nji ditë jete po iu fluturonte, të shkatërruem nga puna tepër e randë, nga të ftoftit që kishte fillue të gjithëve t’i ngrinte gjymtyrët e poshtme, e në darkë kur u futshin në ato shtretën dërrase u mbulojshin me gjithë zhelet që i lejonin në burg për me u ngrofë, por trupi reagonte me vonesë… e u donte shumë kohë me u nxehë.
Ata ishin pesë! Gjovalini, Luigji, Frani, Mirashi e Sandri, kishin lindun të gjithë në mes të Serreqit e Ballabanes, vinin nga familje të vorfna e të mesme, askush nuk i kishte ba asgja të keqe shtetit, e ende s’e dijshin përse ishin tuj e krye atë dënim, asnjeni nuk ishte nën dhjetë vjet i dënuem, dhe ishin të shpallun nga gardianët “të rrezikshëm”, e kështu nga dritarja e vogël e asaj qelie gjithë lagshtinë e të akullt ata shifnin lindjen dhe perëndimin e diellit me shpresën se nji ditë do të ktheheshin në Shkodrën e dashtun, pranë njerëzve të tyne, pranë miqve e dashamirëve e do ta rifitonin lirinë…
Jashtë binte borë, e njeni prej tyne Gjovja, që e kishte zanin shumë të bukur, filloi të këndonte kangën e “Vllavrasësit”, që ma poshtë vijon:
Vlla-vrasësi
Nëpër terr që lshonte nata,
Ngarku teshat kaliboç
n’për nji pyll, që s’ra kurrë spata
Ndiqte rrugën nji djaloç.
Landet e pyllit si ujq dukshin,
qi prej ujet në mal luron.
Cuba të rreptë ku n’pritë u strukshin
Gjetht’e lisave i kujton.
O Shqypni! bërtet i mjeri.
Malet mbush gjyetar plot,
K’sollë e bardhë, ku porsi mbreti
Shkon baria ditë e mot.
O ju lugjet e Prevezës,
K’tu, mu nana po m’vajton
e ku hana me drit’ t’rrezes,
Shtigjt’ udhtarit ja kallëzon.
Njishtu thotë me trimni,
U nis m’udhë shtegtari prep,
Fishkëllen landa tuj përzi,
E prej frikës, ngan djali vrep.
Por nji cub mbas gardhit hasi,
Ndal: i tha s’ke kah ja mba.
Nji kobure n’brij ja rrasi.
përmbi curr përmys e la.
U nanë shkreta, i shumi briti,
E përmbys u lshu mbi curr,
Tash tre muej e shkreta m’priti,
E te kndej, nuk me shef ma kurr.
Po jot amë? si për qeti
Ja ban gjaksi me idhnim plot.
Ti m’difto ku rrin me shpi?
Fjala jote nuk hup dot.
N’skaj t’Shqypnisë, shkon vorfnisht jetën
E pa djem e shkreta mbetet,
Dy ma të m’dhajt në luftë i mbet’n,
E këtu i treti, qe po i jet.
Pat nji të tretë, që ajo e donte,
Përmbi dritë të syve të vet,
Kurrë prej prehnit, nuk e lëshonte,
Shokë me cuba voj e gjet.
Pat një tjerrë e fija e zanit,
Ju këput djalit e gjimoi
U dridh gjaksi, ai farë luanit,
Pushkën në tokë menjëherë e l’shoi.
Vëlla, përgjigjet zemër-v’shtiri,
Njitu të vrava, njitu po des,
Nuk kam ftyrë me m’pa ma njiri,
Në grykë me ty, njitu po jes.
Jo ti sh’ndosh e fill te shpia,
Te nanë zeza fluturo,
Pa nji fmi, e mbyt vetmia
E mblon s’kami, mos e lsho.
çka ti them mandej nanë-ngratës,
Ne kjoftë se pvet, për ty ndoj send,
Thuj se mora nji rrugë të gjatë,
S’bashkut n’qiell dikur xam vend…
E që nga ajo natë e acartë, pa yje, pa hanë, kjo kangë u ba kanga e gjithë të burgosunve të atij kampi, edhe kur shkonin me hapë kanalet, apo me punu në kantjere të gjithë së bashku, e këndonin atë kangë, shfrynin zemërimin, urrejtjen për atë pushtet, që po i merrte vitet ma të bukura të jetës, duke i kalbë ndër burgje të pafajshëm, pse kishin përshpërit ndonjë fjalë për lirinë, e këndonin atë kangë gjithmonë dhe për dekada me radhë, ajo kangë ishte ba hymni i atij burgu!!!!!
Dilshin bijtë e Shkodrës, dhe hyjshin të tjerë dhe ajo kangë vazhdonte gjithmonë…
Kanga në fjalë, në të vërtetë asht adaptue në shqip prej gjermanishtes, nga Dom Ndre Mjeda…
Kjo kangë ka shumë vite, asht këndu në shkollat fetare në Shkodër, asht në disa gjuhë të botës, po tek ne e kanë titullue “Vlla-vrasësi”, e për mue asht nji kryevepër, pse asht nji plagë, që asht vuejtë shumë në Shqipëri…
Qershor 2002
dërguar për Shkoder.net… nga Flutra Malo