back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Nji kangë e këputun për Frankon… nga Jozef Radi

Gazeta

Françesk Radi (1950-2017)
Françesk Radi (1950-2017)

Nji kangë e këputun për Frankon…

nga Jozef Radi

Nuk e di nëse kjo çka ju do të lexoni prej meje asht nji kangë për at që na ka dhurue veç kangë, nuk e di në sa prej jush Françesk Radi ka lanë nji pjesë të shpirtit të vet? I sigurt ndjehem se jam ulë e kam dëshirue me shpirt me e këndue edhe unë nji kangë për Të, po ma i sigurt jam se edhe për shumë prej jush ai ka me mbetë përjetsisht Djaloshi që këndonte me Kitarrë. Ai që ka këndue mijra herë aq guximshëm, aq bukur, aq shlirtë, aq ambël, aq jashtë frymës penguese, duke mbetë përjetësisht Djaloshi me Kitarrë, që kurrë nji kangë s’ia këndoj së Keqes…
Françesk Radi asht i papërsëritshmi i muzikës shqiptare: asht i pashoqi, i ndrojtuni, i heshtuni, liriku, i pashpërblyemi, i papërlyemi… Ai nuk u ba kurrë as i madh e as i vogël; Kurrë! as i partisë dhe as i popullit; Asnjiherë! as i intrigave dhe as i shpërblimeve; Askush s’e ka pa as gjoksrrahës dhe as përvajtues për çka i ndodhi në krejt 67 vitet e jetës së tij prej Njeriu dhe prej Artisti!
Mirënjohje Franko, për çka ishe dhe çka mbete!
.
Kantautori Françesk Radi
Kantautori Françesk Radi
Qysh fëmijë, ai kaloi nga fshesa me bisht, te kitarra, te kitarra elektrike. Si ma i heshtuni dhe ma i vogli i tre vllazënve, Ai jetoi krejt nji jetë përkushtue muzikës. Edhe kur muzika u ba ndëshkuesja e tij, ai nuk hoqi dorë prej saj… zbriti nga kitarra elektike e andrrave të tij, te çiftelia, te lahuta, te sharkia te muzika e origjinës, po gjithnji me shpirtin e artistit, me dinjitetin prej Njeriu dhe me atë drojën e tij të bukur, i pazhurmët si një melodi kurrë e mbarueme, si nji shpirt muzike që s’ka për t’u harrue kurrë…
Françesk Radi lindi në nji familje artistësh….!!!
 
Ora katër… e mbasdites së 3 prillit 2017.
Posa m’ka mbrritë lajmi i vdekjes së Françeskut tonë të dashtun. Ky shkrim s’mundet me vazhdue ma… sepse duhen gjetë mundësitë e mbrritë prej larg në mortin e tij…
Më fal Franko, që s’munda ta mbaroj si duhet kët kangë për ty, pse ike kaq shpejt sa as Lamtumirë nuk na le kohë me të thanë
Po të jesh i bindun se do ta këndoj si duhet nji kangë për ty!
Lamtumirë Djaloshi me Kitarrë
që mbete i të gjithëve e për të gjitha kohnat!
3 prill, 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.