Nji kangë e vjetër shkodrane…
dhe interpretimi i nji muzikanti italian
nga Ilir Seci
Kanga e njoftun shkodrane “Dalin vashat prej mejtepit” asht kangë e vjetër e nji bukurie të veçantë, po njiherit edhe nji histori e vërtetë dashnie… E nji dashnie të parealizueme… që mbeteshin të pavdekshme ndër kangë që merrnin dhenë…
Autori i kangës asht Hasan Preza, i cili ia pat kushtue kët kangë nji vashe shkodrane që e kishte dashtë prej së largu, veç me sy…
Djaloçi Hasan Preza ishte i profesionit kundraxhi, (këpuctar), dhe e kishte dugajën e vet në Shkodër… e diku përballë dugajës tij, ishte mejtepi, (shkolla e vajzave)…
Midis vajzave nxanëse të shkollës, që hynin e delnin prej mejtepit, ishte edhe njena që ia kishte grabitë zemrën djaloçit të kundrave…! Ai e donte në mshtehtësi vashën e bukur, e andrronte, e s’ia ndante sytë…. deri njat ditë që edhe ajo vashë iu fanit te dera e dugajës së Hasanit… me porositë nji palë kundra të reja! Djaloçit sa nuk i ra pika! Ajo shfaqje e saj në derë të dugajës donte me thanë se vajza tashma ishte fejue me tjera kënd!?
Zemra iu shkrumbue ashikut, ashtu si kanë kenë kohnat atëhere… Dhe kur i ati i Vajzës i kërkon me ia marrë masën e kambës, Hasani i trishtuem i thotë se: “S’asht nevoja, se mundem me ia marrë masën me sy!”
Mbasi largohen nga dugaja Vasha me Babën e saj… Hasani i dashuruem, thur vargjet dhe ban edhe muzikën e kangës aq e dashtun në Shkodër e ma gjanë: “Dalin vashat prej mejtepi”, e ku midis tjerash kallzon edhe per vedin:
“Kush ka kenë njaj kundraxhia/
Që në ty moj asht ba ashik/
T’paska marrun jaman,
masën me sy jaman…”
Kanga mandej asht përhapë me shpejtësi në Shkodër e ma gjanë, duke u këndue ndër dasmat e ahengjet aq të njoftuna shkodrane… e duke mbetë edhe nji nga perlat e muzikës tradicionale shkodrane dhe shqiptare…
Ndërsa në YouTube kam gjetë nji interpretim në piano të kësaj kange nga kompozitori dhe pianisti i njoftun italian, Paolo Marzocchi – from “Albanian folk songs” nr. 3 “Dalin vajzat prej mejtepit”… Kompozitori italian e luan me shumë pasion në piano kët perlë të muzikës sonë… duke i dhanë kësaj pjese kaq të dashtun edhe nuanca të nji kapriçoje!
Shumë i bukur interpretimi, po ma e bukur kanga e vjetër shkodrane që ia jep mundësinë këtij artisti të huaj në interpretim të muzikës sonë…!