Nji kujtim nga jeta me Selman Ndreun
nga Dr. Lazër Radi
Ishte vera e viti 1937…
Plot 56 vjet ma parë, njiqind studentë shqiptare: dhjetë nxanësit ma të mirë të përzgjedhun prej dhjetë shkollave të mesme të Shqipnisë, u ftuen në Itali, për të kalue nji muaj të pushimeve verore, në plazhin e Anzios, ku do të strehoheshim në godinën madhështore “Ital-cable-s”, pra kishim mundsi jo vetëm me ba plazh, por edhe me u marrë me ushtrime gjimnastikore, me shetitë, po edhe me zhvillue aktivitete të ndryshme sportive.
Ishte krejt e natyrshme që midis gjithë atyne studenteve, të sajohej edhe nji skuadër e shkëlqyeshme futbolli, nën treiningun e dy profesorëve të shquem: profesor Alush Leshanakut dhe profesor Irfan Tërshanës, të cilët na stërvitën për disa ditë rresht. Qytetet e Anzios dhe Nettunos na ftuen zyrtarisht me luejtë me skuadrat e qyteteve të tyne.
Ndeshja e parë u zhvillue në qytetin e Anzios, me 25 korrik 1937.
Aty bamë nji lojë të bukur, shumë korrekte dhe teknike. Ndeshja përfundoi 3-1 në favor të skuadrës tonë, kurse të dielën, zhvilluem ndeshjen e dytë me skuadrën e Nettunos. Edhe atje fituem me rezultatin 1-0. Dhe s’e teproj aspak po të them se fituem simpatinë dhe admirimin e gjithë spektatorve italianë. Tifozë për ne ishin vetëm pjesa tjetër e njiqind studentave shqiptarë. Në të vërtetë ajo skuadër mund të quhej nji kombtare shqiptare e studentëve, me talente sportive, të cilët ma vonë u dalluen te sport-klub Tirana, te Vllaznia, te Teuta dhe te Skënderbeu. Aty ishin Halim Begeja, Xhuxha, Deliallisi, Mema dhe Selman Ndreu… etj.
Ndër gjithë lojtarët e skuadrës, shoqni dhe miqsi të veçantë unë pata me Selman Ndreun. Për mjaft kohë ne e ruejtëm dhe e kultivuem at miqsi të viteve të shkollës e në veçanti të asaj vere në Itali…
Lufta e Dytë Botnore dhe përçamjet ideologjike e viteve 1943-1944, na ndanë plotsisht dhe prenë çdo kontakt miqsor, bile edhe korrespondencën.
Në kohën e internimit, Familjen e Ndreve i kishin përqenderue në dy kampe: në atë të Lubonjës në Vlorë, dhe atë të Shtyllasit në Fieri… Kur rastsisht takoja ndonji prej Ndreve, në Savër o në Gradishtë u tregoja fotografinë, që po e botoj në gazetë dhe pyesaj për Selmanin, po askush s’dinte me më thanë asgja…!!
U desh përmbysja e komunizmit dhe fitorja e demokracisë… jo për me u takue shokun tim të vjetër Selman Ndreun… po, me mësue të vërtetën e vuejtjeve të tij pafund dhe tragjedinë e tij.
Mendoj se Selman Ndreu, qe nji djalë mjaft i përgatitun, nji intelektual i mirfilltë dhe nji atdhetar, siç asht në traditën e familjes së Ndreve, pra mendoj se meriton të përkujtohet me nderim të veçantë puna dhe vepra e këtij njeriu sa human dhe i talentuem, aq intelektual dhe fisnik…
Po e vërteta e tij asht e dhimbshme dhe askush s’mund ta bajë ma mirë kët gja sa vllai i tij i vogël, Lazam Ndreu. Kur u takova me të, ai u tregue i gatshëm të më jepte çdo shpjegim që më nevojitesh. Kjo bisedë mes nesh shërbeu edhe si nji lloj interviste:
-Zoti Lazam desha me ditë diçka ma të hollsishme për jetën e Selmanit. – Siç e di, Selmani lindi në Sllovë në vitin 1916. Filloren e kreu në Internatin “Kastrioti” në Dibër, ndërsa shkollën e mesme në Normalen e Elbasanit. Mbasi shërbeu për pak kohe si mësues, ai shkon në Itali, në qytetin e Firences, për studime universitare.
Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botnore Baba (Cen Elezi) e thërret me u kthye në atdhe dhe ai vendoset në Sllovë.
-Çfarë qëndrimi mbajti Selmani gjatë periudhës së Luftës? -Kapitullimi i Italisë dhe ardhja e gjermanve në Shqipni e gjetën Selmanin në Sllovë pranë familjes. Me mbarimin e luftës, në 1945, ai kthehet në Tiranë dhe vendos me u marrë me punë private. Merrej me administrimin e Hotel Kontinentalit, sot Hotel Drini…
-Zoti Lazam, Enver Hoxha u prish me familjen Ndreu dhe arsyet tashma dihen! A ndikoj kjo në jetën e Selmanit, edhe pse ai s’u përzie në “luftën partizane”? – Arma e Sigurimit të Shtetit u hodh me gjithë tërbimin e vet ndaj familjes sonë. E gjithë familja u internua në Berat. Pasunia e tundshme dhe e patundshme na u sekuestrua. Burrave që mbetën pa u vra s’u mbeti rrugë tjetër veç arratisë. U ba nji tentativë që nëpërmjet Maqedonisë me kalue në Greqi… por.. ata që morën përsipër me na tregue rrugën, kishim qenë vetë të Sigurimit dhe na tradhëtuan. Forcat e kriminelit Hito Çako na ndiqnin kamba kambës, dhe s’na lenin me marrë as frymë. S’kishim rrugë tjetër, mbasi jetonim në mal dhe çdo ndihmë na ishte pre! Kështuqë vendosëm të dorzoheshim. Kjo ndodhi në korrik të 1946. Kohë kur Kullat e Cen Elezit u dogjën mizorisht, krejt pasunia u sekuestrue dhe familja jonë e madhe, u interrnue, për mos me u kthye kurrë ma në Sllovë. Internim familjar pësoi familja jonë, Familja e Elez Isufit dhe ajo e Suf Xhelilit. U shkatrruen shtëpitë dhe kullat, pasunia u sekuestrue, dhe nisi dhuna e egër, edhe pse influenca dhe respekti në Dibër dhe ma gjanë e ka ruejtë mjaft familjen tonë.
Bilanci i këtij genocidi sot asht rrënqethës.
-6 antarë të kësaj familje janë vra e pushkatue,
-20 burra të burgosun politikisht me dhjetë vjet e nalt…
-12 djem për me i shpëtue genocidit braktisën atdheun…
-55 familje të internueme me nji kohëzgjatje 1946-1991, në kampet e Tepelenës, Lubonjës, Shtyllasit, Gradishtës, Savrës, etj…
-Po me Selmanin ç’ndodh në kët kohë? -Siç të thashë edhe Selmani u burgos. Atë s’e mbajtën në Dibër, po e sollën në burgun e Tiranës, sepse aty kishte personel ma të kualifikuem dhe ma kriminal për zhvillimin e hetimeve. Selmanin e kishin marrë në hetuesi Nevzat Haznedari e Skënder Kosova, po edhe kriminelë të tjerë si puna e këtyne. Për ma shumë se 18 muej e mbajtën të izoluem, duke ushtrue mbi të tortura nga ma çnjerzoret dhe ma makabret. Ai akuzohej për organizatën e deputetve, për komplote kundër pushtetit “popullor”, për kryengritje të armatosun, për agjitacion dhe propagandë, etj etj. Po Selmani s’pranoi asnji akuzë.
Natyrisht, kambngulja e tij dhe vendosmënia do të paguheshin me tortura “speciale”… E shoqja e tij, që n’at kohë ishte ende e lirë dhe i çonte përditë ushqim në birucë, tregonte se sa herë merrte ndrresat e Selmanit ato ishin të mbytuna me gjak, çka do të thoshte se trupi i tij ishte gjithë plagë…
-Sa u dënue Semani? Mbas 3 vjet hetuesie, i akuzuem për organizimin e bandave të armatosuna dhe shumë akuza të tjera u dënue me 10 vjet burg. Mbasi nuk kishte pranue asnji akuzë.
-Dhe ku e kreu burgun? -Në gjithë Shqipninë; Në Dibër, Tiranë, Elbasan, Gjirokastër, Vlorë dhe ma së fundmi në Burrel.
Mungesa e ushqimeve, torturat e tmerrshme, trajtimet e speciale në biruca me lagështi, dhe izolim të plotë e bajnë turbekuloz galopant. Me plotësimin e afatit “lirohet” duke e çue drejt e në kampin e Lubonjës në Vlorë.
-Në kët kohë ku ishte e shoqja e tij? -Në burg! U dënue për tentaive arratisje…!
-Si përfundoj jeta e Selmanit? -Në interrnim erdhi i sëmundë randë dhe pa shpresë me jetue. Shëndeti erdhi gjithnji duke u përkeqsue. Sëmundja, mërzia për gruan në burg, mungesa e gjanave ma elementare të jetës, e çuen në gradën e fundit. Vdekja po e kërcënonte dhe ai s’kishte ma shpëtim. I masakruem, i terrorizuem, i torturuem, aq sa s’mund të imagjinohet, Ai ndrron jetë në 1961, në Sanatoriumin e Tiranës, në at shtëpi të dhimbjes, pothuej braktisun nga të gjithë.
Mbasi familja e tij e interrnuem, nuk u lejue ta merrte kufomën e varrosi komunalja.. dhe vetëm tash vonë, ne mundem t’ja gjejmë eshtnat dhe të ketë edhe ai nji varr!!
Ky pra, asht fati tragjik i Selman Ndreut, ia atij djali që s’e mposhtën torturat, as skamja, as burgjet, as internimet, por… vetëm sëmundja e pamëshirshme.
Selman Ndreu vdiq pa lanë trashëgimtarë!
Gazeta “Patrioti”, maj 1993 (foto Cezar Ndreu)
Respekt!