back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nji libër, si autopsi e nji shoqnie të trazueme nga Gjergj Jozef Kola

Gazeta

"Zoti zbret ne Ferr" - Marcel Hila
“Zoti zbret ne Ferr” – Marcel Hila

Nji libër, si autopsi e nji shoqnie të trazueme

nga Gjergj Jozef Kola

Esse mbi romanin “Zoti zbret në Ferr” e Marcel Hilës

Marcel Hila e mban premtimin. Ai ja mbrrin me e zbritë Zotin në ferr, madje i vendos edhe nji datë të saktë mbrritjes së Tij: 29.11.1944.
Si rrallëkund në letërsine shqipe të mbasdiktaturës, jepet natyra e vërtetë e tragjedisë 50 vjeçare te nji kombi të mbyllun në Ferr. Kjo natyrë na afrohet si nji mbishkrim mbi nji pllakë varri të cilën nji ish-hetues i dikaturës e shpjegon: “Në fillim nuk doja të torturoja askënd, se isha vetëm nji partizan i thjeshtë, porse me kohë kjo u ba natyra ime e vërtetë… Zgjohesha në mesnatë dhe zbrisja në qelitë e rrihja me shkop të hekurt të burgosunit e plagosun e të rrahur muaj me rradhë. Ma kërkonte trupi, më hanin duart, nuk mund të rrija pa të!”.
Lindi kështu brezi i atyne që në gjuhën moderne quhet: Sadizmi kriminal i xhelatit!
Ky sadizëm shqiptar nuk ka asnji parim të veçantë, ai si qorri i bjen gjithçkaje që lëshon nji tingull jete, ai ecën nëpër terr dhe qëllon kundra çdo drite që i shfaqet. Me 29 nandor 1944, u shfaq ne trojet shqiptare Homo-sadisti i Kuq, nji shfytyrim i evolucionit, nji specie me të cilën hala deri më sot s’asht marrë kërkush me nji analitikë shkencore.
Ky ishte gogoli latent i shekujve, i thirrun nga diktatura me hangër shqiptarët deri në rranjë.
Rrafshi ku zhvillohet ngjarja asht nji ferr brenda ferrit, Burgu famëkeq i Burrelit në epokën e diktaturës komuniste. Armata e diktaturës së proletariatit asht plot me sadistë të rritun në detyrë, ndërsa të burgosunit janë shqiptarë, që gëzojne dy cilësi: Thjeshtësinë dhe karakterin e pastër, ose janë të shkolluem ne perëndim. Të gjitha këto përbajnë nji krim të randë!!
Kështu ndeshen në kët burg famëkeq dy shqiptarë, nji intelektual i shkolluem në perëndim dhe nji malcuer i ndershëm i bjeshkëve, të dy të burgosun me mbi 20 vjet, për krime që nuk i kane ba, “për pregatitje të rrëzimit të pushtetit me dhunë”, akuza të pa provueme asnjiherë.
Ata të dy poshtërohen ndër torturat ma mizore, të cilat as ferri dantesk nuk ka pasë fuqi me i vizatue.
Këtu Zoti bahet edhe nji herë njeri dhe rrin e flet me të munduemit e tij dhe ideja se Zoti vjen atëherë kur për njeriun duket se nuk ka ma shpresë mbijetese, e plotëson kuptimin transhendent të egzistencës njerzore. Me mbijetue pikërisht aty nuk ke as edhe nji shans të vetëm mbijetese, asht kjo shkëndija gjeniale e shpirtit njerzor.
Përplasja dostojevskiane e Burgut të Burrelit me fuqinë hyjnore të fjalës shqipe, shpalos përpara lexuesit nji realitet sa fantastik aq edhe të prekshëm.
Romani asht shkrue diku në mes të reportazhit të saktë dhe fantazisë letrare, ku shpesh asht hjekë dorë nga metaforat dhe realiteti duket se të prek me dorë, ma fort se në Big-brother. Përdorimi i personave realë dhe atyne të fantazisë gërshetohen në mënyrë krejt origjinale e kjo të ban me dije se autori ka pasë si burim të këtij rrëfimi, personat e gjallë, martirët e këtyne vuejtjeve. Autori nuk futet mbrenda personazheve, porse i len ato me folë vetë dhe romani asht i mbushun me dialogë dhe monologë të mbrendshëm.
Mungesa e gegnishtes letrare dhe zevëndesimi i saj me toskerishten (standartin) e zbeh fuqinë karakterizuese, gjuhësore të personazheve gegë.
“Unë e kam mik Marcelin, porse ma mik kam të vërtetën!” – thonë latinët e famshëm.

Autori Marcel Hila
Autori Marcel Hila

Simboli real i “Degës së Punëve të Mbrendshme” në Shkodër e mban të gjallë romanin dhe filozofinë e tij. Ky rreth i Nantë i Ferrit, ka qenë dikur rrethi i parë i parajsës dhe komunistët e kthyen atë, kishën e motrave shërbyese, në burgun – hetuesi ku u torturuen, masakruen, vranë pa asnji mbështetje ligjore me mijra shqiptarë të pafajshëm. Në kët Symbol real ndeshen ballë për ballë, në kohën e diktaturës së kuqe, Zoti dhe Shejtani.
Për 50 vjet me rradhë shejtani kujton se e fitoi përfundimisht betejën mbi Shqipninë, ai shkatrroi gjithçka që mund të shkatrrohet, njeriun dhe tempujt.
Kush ka jetue nën diktaturë asht i ndërgjegjshëm se sa pak mundësi kishte andrra e njeriut me gjetë nji dritë e me dalë jashtë.
Pikërisht, sot mbas 25 vjetësh shembje të diktaturës, ai simbol ku u ndeshën Zoti dhe Djalli asht kthye prap në origjinën e tij. Ai asht lye e rregullue me ngjyrat e paqes e të dashunisë e vetëm aty këtu, në katakombet e tij janë ruejtë qelitë e vdekjes, ku hala sot nëse kalon afër e me kujdes, mundesh me ndigjue zane njerëzish në lamtumirën e fundit. Këto zane ruhen nëpër shkronjat e gdhenduna në muret dhe dyert e qelive.
“Zoti zbret në ferr” – i Marcel Hilës asht nji prej këtyne zaneve që gdhendet në letërsine shqipe për me na kallxue gjithmonë se e mira e mund të keqen, se drita e shpërndan errësinën, sidomos atëhere kur për njeriun nuk ka ma as edhe nji shans të vetëm mbijeteset.
Falemnderës Marcel Hila për punën voluminoze, për pasionin, për përkushtimin tand në krijimin e kësaj vepre monumentale. Shoqnia aktuale shqiptare dhe institucionet e kontaminueme me të kaluemen komuniste nuk mund t’a shpërblejne punën tande krijuese, porse ti ke themelue nji kështjellë në të ardhmen.
Në Tiranën zyrtare sundojnë sot gjithandej pinjojte e xhelatëve sadistë, ata ngrihen në mesin e natës dhe zbresin në qelitë poshtë dhe i hypin me shkopin e hekurit shqiptarit të ndershëm dhe intelektual, që gjendet hala në këto qeli. Këto pinjoj sadistësh botojnë librat e tyne prej eunukësh, ndajnë çmimet në mes tyne, vejnë në skenë dramat e tyne të shplame, xhirojnë filmat e tyne, hapin ekspozita dhe nganjiherë guxojne me shkue aq larg sa ju vejne kështjellave tona arrnime arabe.
Tashma “Homo-latento-osmanum” e ka mbërthye për fyti kulturën dhe artin shqiptar dhe askush nuk po ngrihet me marrë shpatën skandërberbegase dhe me e pre nyjen gordiane, ndërsa ky popull vdes përditë e ma shumë në llumin e tallavasë.
Vepra si ky roman janë si oksigjeni që i jep frymë njerzve dhe u jep shpresa në të ardhmen, nji e ardhme që ka me ardhë vetëm kur shqiptarët të shkëputen përfundimisht me xhelatët-sadistë të së kaluemes.
Nëse në bibliologjine kristiane Krishti zbriti për tri netë në Ferr dhe liroi të gjallët e të vdekunit, në realitetin shqiptar, Zoti vazhdon qëndrimin e tij aty… Urojmë që kjo të mos jetë nji qëndrim i përhershëm.
Për kët arsye, “Zoti zbret në ferr” duhet të bahet nji lekturë e detyrueme për institucionet, për brezin e ri, për edukimin e shqiptarëve të ardhshëm e atyne që dojnë me mbijetue edhe atëhere kur jeta nuk ta afron ma asnji shans.
Vjenë, 29.12.2015.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.