back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nji lule vjeshtet – nga Gjergj Fishta

Gazeta

At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)
At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)

Nji lule vjeshtet – Mrizi i Zanave

nga Gjergj Fishta

Kjo ndoshta asht poezija ma lirike e mbarë këtij libri, n’atë kuptimin e ngushtë qi merr fjala.
Asht nji lirikë qi zbulon shumë ndiesi të botës së mbrendshme të Poetit.
Subjekti i saj paraqitet mjaft i pacaktuem. Mbas mendimit tim Poeti në ketë karm –
në ketë trajtë si paraqitet sot hartimi – nuk pat nji vehtje të caktueme.
Ai ndoshta – shka ka të gjitha gjasët – së parit desht të shprehë ndiesit e dhimbjes
për këtë apo atë vehtje të caktueme, por, në përshkrim të hartimit,
erdh tue e çveshë prej çdo veçansije, e kështu e idealizoi aq sa, ai  Shpirt i lum,
për të cillin s’ishte kenë toka por Qielli, i bahet qendër n’atë ravë të thepisne,
qi shekulli e nji dishir Lirijet ia kishin shtrue gjallimit të tij.
N’atë vorr zemra do t’i ndezej, si Lekës së Madh në vorr t’Akilit,
kah punët e mbara e kah burrnija, e prej, se kishte me shkepun hovin kah punët e mëdha.
Engjulli i Zotit, qi brij vorrit do t’i sillte fuqitë mizore, do t’ishte njiheri edhe Zana frymzuese e Poetit.
E atëherë, pa u frigue do të prehte zhgjetat e zjarrta, për t’ia lëshue njerzimit kundër vesit,
e do të ndërtojë kangët kreshnike për t’i diftue botës se shka vlejnë armët në dorë të Shqiptarit.
Kështu, shohim se me kangë të veta do të ndërtojë mbi atë vorr nji përmendore vërtetë të madhnueshme,
së cilës nuk do të kishte se shka me i ba rryma e moteve.
Zanat do t’ia rrethojshin vorrin me lule e do të rritshin për rreth selvija.
Shtegtari i lodhun, ulë me pushue do t’i uronte paqë e qetësi e do t’u flitte për té të bijvet,
qi kanë me nxjerrë kangë e me i gdhenun emnin mbi lisa, tue e ba kështu të pavdekëshme.
At Viktor Volaj O.F.M. (1941)
.
Gjergj Fishta - Mrizi i Zanave
Gjergj Fishta – Mrizi i Zanave

Nji lule vjeshtet – Mrizi i Zanave

N’atë rrahe t’vdekunve mbrenda vorrit t’errshëm
Tash pluhun jé. Ata dy sy t’janë errë,
Ku qiella prirej me sa hana e diella
Tërthores s’epër m’sharte vrejnë t’njerzimit!
T’janë sosun fjalët e ambla e plot urti,
E ai zâ t’asht kputë, i cili bite n’zemër
Si kumbë liret t’tingllueshme, qi prej s’largu
Ndihet tue ra, kur dora e prekë e mësueme!
Ehu! Po: “vdekja, qi baras n’derë t’pallateve
Trokllon, si n’trinë t’kolibavet,” ku i vorfni
Me lot njomë bukën, ty edhe ajo ké dera
T’troklloi, e ti kalove, porsi vesa
E natës kalon, kur dielli bjen me shndritun
Mbi kobe t’dheut. Sot përmbi vorr t’kanë bijtun
Hithat e madergona! Nji Kryq dëllijet,
Qi e përshpirtshme nji dorë ta vu té kryet,
Ndër to ka humb, as tjetër send trishtimin
E vorrit nuk ta zbutë, posë vajit t’trishtueshem
Të hutit t’natës, qi nëpër curra t’malit
Dhimbshëm në rreze t’hanës rrin tue gjëmue!…
Ai grumbull gurësh, qi n’vorr t’randon përsipër,
Vetë gjaksorit t’pashpirt, qi mbyti njeriun,
Lugat i duken, n’hikje kah t’bjen nget vorrit,
Edhe t’përqethët atë botë, i shkon n’për zemër.
Po, a thue, krejt vdekja n’asgjasend t’përpini
E, posë se do kocijsh edhe ‘i grusht pluhun,
Nuk t’la tjetër? Jo! N’prehen t’Amëshuemit
Pjesa ma e mirë e jotja ka fluturue
Me gzue n’dritë t’qiejvet, ku pushon dëshiri
I njeriut t’drejtë, si drita m’sy të kthjellët.
Po, po, se përtej vorrin shpirti i njeriut
Gjallon përjetë! Ky mendim i ambël
Vdekjen e zbutë e vorrin ban t’pëlqyeshëm.
Kur zemrën faji s’e grisë. Prej këtij mendimi
As vetë për ty s’lotova shumë, kur ndjeva
Se vdiqe: Se n’ma të miren lule t’ëmotit
E le ti këtë shkreti, ku shuen e Drejta
E paudhnija, ku sundon mizore;
Ku i zhyemi m’vese sod me dorë dhunuese
Vesin shinon me Theta t’zi, e selija
N’rrashta t’përgjakshme
t’njerzvet n’kambë, ku mbahet.
Ehu! Po, se Shpirti i yt, i kulluet si rrezja
E diellit, qi përfton lulet e erandshme,
Kur bora dehet, s’mujt me e bajtë qelbsinën
E randë t’ktij sheklli t’zi; por fletët i rrahi
Kah jeta e dytë, ku Ai qi rruzullimin
N’themel e dridhë veç me ‘i vetimë t’qerpikut:
Amshon n’lumni shka Atij t’i ket përngja.
S’kjé toka, jo, për ty kjé qielli!
E tash, qi vetë jam tue ravisë këto karta,
Ti, kushedi, nëpër vërrije t’amëshueme
Shkon tue kërkue për lila e drandofille,
Qi s’dinë me u fishkë e ndreq me ta kunora,
Për me u lulzue; mandej, ndër t’zjarrtat valle,
Qi nëpër vërrije rrinë tue këndue t’Parrizit:
Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjëj,
Këndon Zotit lavde nëpër ylbera t’qiellit;
A, marrë krejt n’t’pam t’s’hyjnueshmes faqe t’Zotit,
Porsi m’pasqyrë t’kulluet shqyrton shestimin
E rruzullimit, vu prej s’eprës Mendje,
E cila n’t’kenun sendet thirri t’tana
Prej hijeve t’thellueme t’asgjasendit,
kur bani Ajo furinë me heshtë t’thellimit,
E me ‘i fuqi t’pamatun prapi terrin
E pakthellimit, qi atje n’t’skajshmet megje
T’këtij shekulli ndihet tmershëm tue gjëmue,
Kah për ledhe plandoset t’rruzullimit.
E aty, n’atë dritë plot ambëlsim dashunije,
Qi porsi lum’ i kjartë prej Atit t’Dritave
Gjithkah dikohet nëpër verë t’Parrizit,
Shpirtnat e lum krejt n’rreze tue përshi,
T’kthiellta ti i prirë t’vërtetat, t’cilat Hyji
Deshi t’muzgëta njeriut me ia lanun t’shkrueme
Ndër fletë t’hyjnueshme t’t’amëshuem Ungjillit.
Oh! Sa e sa herë, kur n’mbrame shuen natyra,
E tjetër s’ndihet, veçse rryma e përronit,
Qi përmallshëm gurgullon nëpër rrâjë e curra,
Unë, lodhë mbi letra t’t’dijshemve t’kahmotit,
Mbas t’cilve fjalën rrij tue lëmue shqiptare,
Dal në dritare me kundrue shatorren,
Qi i Lumi t’kthielltë ia vuni rruzullimit,
E këqyri hyjt, qi thue, se aq sy Zotit
Flakojnë mbi dhé – kushdi, për me felgrue
Nierin, qi egrue ma fort prej tmerrit t’territ,
Përbluen punë t’mbrapshta: – e atë botë mendoj për ty.
E, ku ta shoh ma t’flakshem tue xhixhëllue
Nji yll, aty selinë unë them me vete,
Ti do ta késh, e sytë m’atë yll pa nda
I nguli, e m’bahet si me t’pa. Me emën
Unë t’thrras atë botë nëper terr. Nji vaj bylbylit,
Qi përmallshëm ndër gemba rrin tue kja
Fatin e vet, a ndoshta, zogjt e dashtun,
Jehonë m’i bahet t’grishunit; e m’duket
Se bisedoj me ty! Nuk vdiska i miri,
Jo kurr; e sidomos njaj, i cili nji zemër
E len mbrapa m’e ankue. Prej vorrit t’errët,
Gjumin e vdekjes ku ai ban, na i flet mendimit,
Ambël edhe na nxitë kah punët e mbara,
E n’mendjen tonë gjallon. – Kur Aleksandri
Prej Bregut t’Matës ngallnjyes u kap kè vorri,
Ku shuen idhnimi i Prijsit t’Mirmidonëve,
Qi atje nën Shé vorfnoi me aq djalë Ekuben,
Iu ndez aty flakë zemra kah lumnija.
Mbi atë vorr, po, u betue me ngulë flamurin
N’skaj t’dheut, e prej selisë me i zdrypë mbretnit;
E atëherë përpara tij tanë bota shuejti.
Mue edhè, qi shekulli e nji dëshirë Lirie
T’thepisun raven m’ia kanë shtrue gjallimit,
Mue, po edhe zemra mbi vorr tand t’përvujtun
M’ndizet kah punët e mbara e kah burrnia.
Përmbi vorr tand, po, nxâ të fortë me e mbajtun
Besën e dhanun – e miqësin e zanë;
Për Fé e për Atme n’ballë me i dalë rrezikut:
Të ligështit dorën me ia ngjitë e t’fortin
Mos me e gledhue; kur t’jet me u thanë e drejta.
Mos me i shmangë sytë prej cakut, n’t’cilin mendja
Dishron me u kapë, as kurrë mos me u ligshtue
Ndër sa t’vishtira, qi t’na sjellin motet.
Po, po! Se pré’ atij vorri kam me shkepun
Hovin kah punët e mëdha. Ai Kryq dëllijet,
Mnerën e vorrit qi ta zbutë, Ai q’andërr
Ka me m’kenë ndër salvime; Engjëlli i Zotit,
Qi rojes besnik fuqit t’i pruen mizore,
Gjumin e vdekjes në vorr mos me t’turbullue,
Dér qi të shkimen n’qiellë e hana e dielli
E t’ngele moti e shekulli mbarë t’rroposet,
E t’vijë dita e gjyqit t’rruzullimit,
Ai ka për t’m’kenë Zana. E atëherë, pa u tutë
Zgjetat e mprehta e t’zjarrta kam me i mprehë,
Qi kundra vesit do t’ia lëshoj njerëzimit:
Atëherë unë kangët kam me i ndërtue kreshnike,
Me t’cilat botës unë do t’ia la të shkrueme
Se shka vlejnë armët besnike n’dorë t’Shqiptarit.
E me kangë t’mija ‘i përmendar t’madhnueshëm
N’vorr tand kam për t’ndërtue, të cilin moti
Me fletë të ngrita kot ka për ta rrahë;
Pse, si curr, qi n’mes t’detit rreh tallazi,
Edhe ai ashtu do t’mbesë ndër gjire t’motit
Qi bumbullojnë mbi faqe t’rruzullimit.
E atëherë prej bjeshkve kanë me u djergun Zanat
E me të njoma vjollca e drandofille
Vorrin kanë me t’vallue, e kanë me rritë
Me shumë kujdes përqark selvia t’blerta;
E shtegtarit mundqar, qi n’ato hije
Ka me zanë vend, me ndalë pak gja t’dihamet.
Kanë me kallzue se sa pjesë qielli vrâni
Vdekja n’atë vorr. E atë botë i largët shtegtari
Të lehtë dhéun ka me t’urue, e t’paqta e t’buta
Shinat e borën: e, kur n’male t’veta
T’dredhojë ké stani, fëmijës ka me i kallzue
Shka ndjeu për ty. E fëmija e tij asobote
Emnin tand kanë për t’këndue, e vrrini e bjeshka
Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,
Ambël prej emnit tand kanë me jehue.
Me maje t’briskut kanë me shkrue mbi lisa
Me shkrola t’njohtne veç e prej barijve:
Kanë me u rritë lisat, përse sopata as rêja
S’e prekin landën, ku asht ravisë ai emën:
E tue u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;
E kështu ma t’kjarta mbas disa qindvjetëve
Nipat ma t’vonët kanë me i këndue, e emni,
Sa t’bjerë dielli tokës ka me t’u kndue.

.

1909
.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. At Gjergj Fishta
    (23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940)
    përgatiti Fritz Radovani
    Plot 82 vite më parë, më 30 dhjetor 1940, ndërroi jetë shqiptari i madh At Gjergj Fishta.
    Përveç faktit se, siç ka thënë albanologu Robert Elsie, “Fishta ishte figura më e madhe dhe më me influencë e letërsisë shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, burri i zgjuar e fisnik i Zadrimës, i cili na la perla si “Lahuta e Malsisë”, mbeti i përkushtuar edhe ndaj kauzës së përhapjes së dijes për të mposhtur obskurantizmin e kohës. Ishin ai zell, dije e pasion që e çuan Fishtën në krye të Komisionit të Alfabetit, në Manastir, në vitin 1908.
    Për këto arsye, humbja e Fishtës ishte një traumë kombëtare në atë vit të zymtë kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste.
    Në varrimin e tij morën pjesë personalitete të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë. At Gjergj Fishta u varros me nderime të mëdha më 31 dhjetor të vitit 1940. Shkodrani tjetër i madh, Hafiz Ali Kraja, ishte ndër personalitet e larta që mori pjesë në atë ceremoni mortore dhe mbajti edhe eulogjinë e rastit për mikun e tij të çmuar, At Gjergj Fishtën. Fjalimi i tij në ceremoninë e varrimit të klerikut të shquar, At Gjergj Fishta, është një ndër fjalimet më mbresëlënëse të mbajtura në raste të tilla.
    Eulogjia ishte provë shtesë e bashkëjetesës fetare në Shqipëri, siç e kishte thënë edhe vetë Fishta:
    “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë.”
    Këto ishin fjalët e zemrës së Hafiz Ali Krajës:

    “Poet kombëtar, Patër Gjergj!
    Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë shumë, janë të mëdhaja edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se për të cilën duhet të flitet…
    Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politike tanden do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcisë”, kryevepra jote monumentale.
    Të jesh i bindun, o Poet i Madh se shqyptari me “Lahutën e Malcisë” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë helenët me Iliadën e persjanët me Shahnamenë, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar…
    Me ty, Patër Gjergj, kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme.
    Foto gjatë ceremonisë mortore e Fishtës!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.