back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nji përvjetor – 21 Nentor! – nga Mustafa Merlika

Gazeta

Mustafa Merlika - Kruja (a. Morina)
Mustafa Merlika – Kruja (a. Morina)
K’të bisedë përkujtuese me veten, Mustafa Kruja, e bën në një ditë
që shenjin e gëzimit dhe dhimbës më t’madhe atnore mban.
Më 21 nândor 1921, kishte lindë djali i tij i tretë Bashkimi.
Më 21 nândor 1944, do të mbyllte sytë në nji sanatorium jashtë Shqipërisë,
më i riu i djemve të tij, Besimi. Kjo ndodhi që asnji prind nuk duhet me u përball,
qè njiherësh edhe shpëtimi i tij nga duart e atyne që dojshin me e rrjepë për së gjalli.
Nji vit më pas, në k’të përvjetor lindje e morti, ai ulet e shkruan k’të letër
ku shohim si rrallëherë Mustafën në intimitetin e dhimbjes së tij.
Në mos tjetër kjo letër dëshmon sërish dhuntinë e rrallë që ai zotëronte si nji mjeshtër
thadrues i shqipes së hirshme ku fjala gjen pa asnji mund shtegun drejt zemrës.
Gentiana Kone
.
Familja e Mustafa Merlikës (shpjegimi në fund)
Familja e Mustafa Merlikës (shpjegimi në fund)

Nji përvjetor – 21 Nentor

nga Mustafa Merlika – Kruja

Carrara, 21 nândor 1945

Ȃsht 21 nandor. Nuk ka interes për kërkênd, posë familjes t’eme e mue vetë.
Më 1921, më dha djalin e tretë. Isha atëherë tridhet e pesë vjeç, i rrëmbyem i gjithi e i kapërdimë nga shtjella politike e nji Vêndi në përpëlitje pothuej se të përhershme.
Më 1944 më mori të katërtin, pothuej se njizet vjeç, tue më zhytë në dëshpërimin mâ të madh qi kam provue në jetën t’eme e të cilit nuk do të kisha besue kurrë se do t’i mbijetojsha. E megjithatê, plot nji vjet mbrapa, un vazhdoj me jetue, tue marrë pjesë në të gjitha shfaqjet e jetës, ndonjiherë edhe gazmore. Ç’farë misteri… Po të kisha qênë un Krijuesi, jetën nuk do t’a kisha bâ kështu, edhe po t’a kisha krijue. Sidoqoftë, pohoj se, megjithëse e pranoj praktikisht, kështu nuk më pëlqen.
Isha ende student e isha fejue më 1909 me dëshirën e nânës t’ime, mâ saktë isha fejue prej sajë, me pëlqimin e babës t’em qi nuk dinte kurrë me thânë jo. Grueja ime e ardhëshme ishte nji vajzë e nji familjes së mirë, puntore dhe e cenëshme, madje mjaft praktike në punët e shtëpisë, e shëndoshë dhe e bâshme, e re pesëmbëdhetë vjeçe e mjaft e bukur: kështu dilte nga hetimi i nânës t’eme, sepse për mue e fejuemja ime ishte krejtësisht e panjohun! Por nâna kishte hetue mirë. Isha i vetëdijshëm se ai hap ishte pa vênd, bash n’atë kohë kur isha hudhë me shpirt e me trup në nji luftë pa kufij për çlirimin e Atdheut t’em nga zgjedha shekullore e të huejit. Por ishte e pamundun për mue me kundërshtue dëshirën e ligjëshme të prindvet të mij edhe se bâhej fjalë për mbingjarjen e jetës së nji njeriu, në këtë rast t’emen.
Më 1913, mâ në fund Shqipnija ishte e lirë, e njohun si nji shtet i pavarun dhe në dokumentat ndërkombëtarë. Un isha rrêjtun se telashet për Kombin t’em e pra, edhe për mue, ishin mbarue e kështu un mund mund t’i kushtohesha qetësisht, me të gjithë kujdesin t’em, familjes.
Siç thashë, për t’ardhmen, madje për atê të shpejtën e Vêndit t’em të vorfën isha rrêjtë plotësisht. Leu Petriti në mungesë t’eme e munda me e pa vetëm për nji çast, siç mund të shifet drita e nji shkreptime, mbas pesë muejsh, për t’a gjetë përsëri kur ishte tue mbushë katër vjet…!
Vazhdoi Fatosi, në kushte të ndryshme, por jo mâ pak dramatike. E së fundi erdhi Bashkimi, mbas 17 muejsh, pikërisht më 21 nândor 1921. As ai nuk qe shumë mâ i lumtun se dy të tjerët, për rrethanat në të cilat pa dritën.
Jam kështu, n’atë datë babë i tre djemve. Por familja ime nuk përbâhej vetëm prej pesë vetësh, prind e bij. Krejt ndryshe. Kur mbarova studimet e mija, 23 vjeç, më 1910, kisha në ngarkim babën, nânën, dy vllazën e nji motër qi leu dy muej mbrapa. Ishim pra gjashtë vetë. Rezervat atnore ishin shumë të mângëta. Nëse mundeshim, me shumë vështirësi, me sigurue nji jetë katundarshe në Krujë, në nji shtëpi të mjerë me dy oda sipër e… dy stalla, me plot kuptimin e fjalës, në katin përdhes, ato mjete ishin qesharake për nji jetë të qytetnueme, për t’u çue në ndonji qytet ku un mund të ngulesha si nëpunës shteti.
Për titujt e studimit qi kisha më takonte me bâ nji stazh prej tre vjetësh në zyrat e nji Guvernatori me 112.50 fr. (pesë lira turke) si pagë mujore, për me u emnue automatikisht mbrapa si zâvêndës prefekt, me nji pagesë fillimi prej 337.50 fr. Kështu përcaktonte ligja e Perëndorisë Otomane, i së cilës un isha ende nënshtetas e Shqipnija e nënshtrueme. Por un ishem vue tashma, edhe tue qênë student, në nji tjetër rrugë të pakthyeshme, n’atê revolucionaren për shkatërrimin e Perëndorisë e për lirinë e Vêndit t’em. Nuk mendojsha me bâ karrjerë nën zotnimin turk.
.
Mustafa Kruja - Kuvend me Miqte
Mustafa Kruja – Kuvend me Miqte
Prandej, për me i shërbye në mënyrë të volitëshme çâshtjes në të cilën kisha marrë pjesë me entuziazmin rinor, kërkova dhe mbërrîna me pasë vêndin e mësuesit në gjimnazin e Durrsit, afër vêndit t’em të lindjes e ku kisha miq e të njohun. Ai vênd më leverdiste edhe nga pikpamja financiare e çastit, sepse më jepte 180 fr. në muej. Në Durrës ishte dhe nji shkollë fillore italjane ku gjeta nji vênd bosh si mësues i gjuhës turke, me të tjera 60 fr. mujore. Përmbledhtas fillojsha punën t’eme me nji fitim prej 240 fr. në muej. Ishte nji shumë e mirë për atë kohë, qi më lejoi të shpërngulsha gjithë familjen në Durrës. Baba ishte qehaja në nji çiflig të Esad Pashës aty afër e fitonte 40 fr. mujore veç ushqimit për tê, sepse duhej të rrinte vazhdimisht aty. Ndonji ushqim si misër apo voj ullinit na vinte prej Kruje.
Prindët e mij ishin të lumtun. Mendojshin se sakrificat e tyne për mue nuk kishin qênë të kota. Në familjen tonë, qi ishte mësue me jetesën e thjeshtë katundarshe, hynte për të parën herë nji mënyrë qytetarije. Por ata nuk e kuptojshin e as mbrrîjshin me e marrë vesh se lumtunia e tyne mbështetej mbi nji taban të minuem. Biri, qi ata e kishin rritun me aq dashuni, arsimue me aq sakrifica, mbi të cilin përqëndrojshin gjithë shpresat e tyne, në të vërtetë ishte rrëmbye nga dora misterioze dhe e papërballueshme e nji ideje qi nuk do t’a kishte lëshue mâ kurrë.
Tragjedia e vërtetë fillonte atëherë kur mund të mendohej e shpresohej se çdo rrezik ishte zhdukë krejtësisht: kur, në dukje, Shqipnija ishte e lirë dhe e pavarun, me nji princ evropjan në krye e me nji Komision ndërkombëtar kontrolli, si siguri e kësaj lirije dhe pavarësije. Por, për rrjedhjet e pasojat e luftës së parë botnore, Shqipnija ishte pështjellue dhe un qeshë kapërdí në shtjellat e rrymës së tmerrshme. Më 3 shtator, për herë të parë, mora rrugën e mërgimit, për me u kthye mbas dyzet ditësh në malet t’ona mikpritëse, mbasi nuk kisha mjete me jetue jashtë. Mbas pak muejsh m’u desh me u dorzue në duert e tiranit Esad Toptani, për me shpëtue burrat e familjes së madhe Merlika, përfshí babën t’em, t’arrestuem si pengje për mue. Në këtê rast mujta me pa për nji çast Petritin, qi ishte gjashtë muejsh. Pra burgje e mërgim deri në tetorin e 1918-ës.
Në kthimin t’em mora vesh se nâna ime e shkretë kish ndërrue jetë në moshën 45 vjeçe, me gjasë zêmërplasun, dhe baba im ishte rimartue e kishte nji vajzë. Familja, e paksueme me nji pjestar nga nji anë, në tjetrën gjindej e shtueme.
Ndërkaq lufta kishte mbarue për botën, por jo për fatkeqen Shqipní: pushtime të hueja, ende kryengritje dhe intriga t’ulta politike. Dhe un, përballë nji gjêndjeje të tillë, nuk dita me i qindrue ngacmimeve të mallkueme të mjedisit qi kërkonte me dëshprim viktima e flîja për t’u a blatue Zotnave mbi lterin e Atdheut dhe t’asaj ndjenje të dashunisë së thellë dhe kushtimit besnik ndaj çâshtjes kombëtare.
U zgjodha antar i Qeverisë së përkohëshme në nji Kongres të mbledhun në Durrës. Kisha humbun rastin mâ të mirë qi m’ishte paraqitun në jetën t’eme mâ parë e mâ mbrapa, ndoshta të vetmin me u tërheqë nga jeta politike me nji dobi të pamasë morale e lândore. Madje, kushdo qi din hollësitë e jetës t’eme e të historisë së Shqipnisë, do të thotë, mâ saktë, se bâhej fjalë për mos me hŷ në politikë, sepse gjithshka kisha krye deri atëherë ishte revolucion dhe atdhetarí e mirëfilltë, tue u dallue nga politika, në kuptimin e saj të vërtetë. Ndoshta sot, po të kisha dijtë me e kapë atê rast, nuk do të lëshojsha britma dëshpruese dhimbet qi dalin nga nji zêmër e grîme barbarisht e qi kullon gjak. Nuk dijta, e atëherë… më bâhet mirë! Gjynah veç, qi të tjerë shpirtna duhet të paguejnë ende pasojat e gabimit t’im, të dobësisë t’eme të nji çasti.
Tre muej para Fatosit kishte lè Sabriu, nji nga vllaznit e mij të shtratit të dytë, ai vetë i dyti i nji vargu qi do të përbâhej nga katër, tre mashkuj e nji fêmën, saktësisht si ai i shtratit të parë. Baba im ishte tashmâ shumë i vjetër me punue tokat, siç bânte në të rí, por mjaft i rí për me lindë fëmijë. Ishte rreth 55 vjeç, ndërsa njerka tridhjetë. Un isha i vetmi qi duhej të mendojsha për mbajtjen e gjithë familjes dhe edukimin e bijve, të vllazënvet e të motravet. Qazimi, vëllai em, të cilin e kisha bâ me studjue për llogaritar, punonte në tregti me kapitale të tjerve, por punët nuk i shkojshin mirë e më 1922 qe dështimi, kryesisht për arsye politike.
Kur leu Bashkimi ndieva gëzimin e natyrshëm të prindit. Ishte nji fëmijë i bukur, bardhosh me sy gështenjë. Prekesha kur e shikojsha. Por nëse zêmra ime ishte aty, me tê, me Fatosin, me Petritin, qi atëherë kishte kalue gjashtë vjetët, e me të shkretën Caje, shoqen t’eme fatkeqe të jetës, qi kishte vuejtë aq shumë e gjithmonë në nji heshtje të përkushtueme, mêndja ime fluturonte gjetiu: po piqeshin ndodhí të reja për vêndin, ndaj të cilave un nuk isha i huej, madje isha ndër protagonistët. Ishin ndodhí qi, edhe po të shkojshin mirë, nuk ishin sigurisht t’asaj natyre qi me më bâ me gëzue kënaqësitë familiare; e po t’ishin të pafavorshme, siç qênë me të vërtetë, do të kishte qênë për mue dhe familjen t’eme nji shkatërrim i ri.
Në këto kushte e mbas gjithë asaj qi kishte ndodhun në të kaluemen, lindja e Bashkimit më shtyu me u mendue seriozisht e me marrë nji vêndim në lidhje me detyrat e mija si pater familiae. A duhej të nxirrja në jetë pafundësisht krijesa njerëzore pa ditun nëse do t’isha i zoti me i ushqye e me i veshun, së paku mjaftueshëm për t’i pasë të shëndetshëm? A ishte njerëzore dhe e vetëdijshme nga ana ime të shtojsha gjithnji e mâ tepër peshën dhe vuejtjet e nji grueje të re qi, me shumë gjasë, nji ditë do t’isha i shtrënguem me e lanë përsëri vetëm me fëmijët e t’afërm, të paaftë me plotësue edhe nevojat e tyne? Ndërgjegjia ime, e vetmja këshilltare në raste ksi soji, u përgjigj premas: Jo. Duke qênë miratuese dhe ime shoqe u vendos n’atë drejtim.
I ndjekun pa mëshirë nga kundërshtarët e mij politikë në fuqi, në fillim të vjetit 1922 m’u desh të provoj nji ndamje të dhimbshme nga familja ime. Mungesa ime zgjati këtë herë dy vjet e gjysëm. Caja, n’atë rast kishte marrë nji vêndim historik: me i mbajtë të katër fëmijët – tre të vetët dhe Fitretin qi, në moshën pesë vjeçe, nâna ime i kishte lânë amanet kur ishte tue vdekë – dhe veten me punën e saj, tue mbetun në Tiranë në vênd qi me u bajtë për Krujë, për me shtue vështirësitë e jetesës së prindvet të sajë, sepse im atë, si biber përmbi pilaf, në këto vështirësi u arrestue vetëm se ishte baba i em – dhe shtëpia e tij u dogj!
.

Mustafa Kruja në kohën e Pavarsisë
Mustafa Kruja në kohën e Pavarsisë
Ishte vue me qepë në maqinë çfardo rrobeje për gra e fëmijë, madje dhe pantallona për burra. Ndihma të vogla pati nga Qazimi, mësues filloreje, nga nevoja, në nji vênd të jugut, nga prindët e saj e nga ndonji mik i ngushtë i imi. Këto ndihma ajo i kishte shënue të gjitha në nji regjistër.
Në qershor 1924, mbasi ndryshuen kushtet politike të vêndit, un munda të kthehem n’atdhe. Caja kishte ardhun me më pritë në Bari e kështu bâmë së bashku udhëtimin Bari – Tiranë. E pohuem mâ me forcë marrëveshjen e bâme tre vjet mâ parë, mos me lindë mâ fëmijë. Tre, nëse Zoti do të na i ruente, do t’ishin të mjaftueshëm për gëzimin e lumtuninë t’onë. Kur mbrrîna në Tiranë nji grumbull i pafund njerëzish më priti jashtë qytetit në rrugën e Durrësit.
Ndodh shpesh qi qênia njerëzore të tradhëtojë çdo vullnet, qëllim e vêndim në të gjitha fushat e jetës. Ajo tradhëtohet “për nji gabim të vogël, për nji pakujdesí etj, etj.” themi ne vdekëtarët qi nuk jemi në gjêndje të kuptojmë asgjâ nga gjithë misteri i thellë qi mbështjell qênien tonë të mjerë tokësore. E qi pikërisht nga nji “gabim” i tillë ose “pakujdesí”, siç mund të quhet, leu edhe djali i katërt, megjithë vêndimin e fortë dhe kujdesin e dy prindvet për të mos e pasun. Ai u shue nji vit mâ parë, kujtesës së shênjtë të të cilit un i kushtoj këtë kapitull të jetës s’eme të trazueme, sot në përvjetorin e parë të vdekjes së Tij të pakthyeshme.
Çfarë fati i çuditshëm e mizor! Dhunon vullnetin e atyne qi besojnë se mund t’i mbyllin rrezen e dritës së kësaj bote. E sheh këtë dritë në tokë të huej. Rritet me vuejtje trupore deri në 14 vjeç, madje në mërgim. E sheh Atdheun, të cilin nuk mund as t’a quejë tokën qi e lindi, për të parën herë tashmâ në moshë përsiatjeje. E karakteri i tij âsht shumë përsiatës. Kalon gati pesë vjet në nji periudhë pa paqë shpirtnore. E përfundon tue u kthye me mbyllë sŷtë përgjithmonë edhe njiherë në tokën e huej, aty ku i kishte hapun. Së fundi zgjedh për nisjen përfundimtare nji përvjetor gëzimi familjar.
Ofshe! Po përse? Nëse i kishte gëzue zêmrat tona për gati njizet vjet, pse do t’i zhytëte ato në trishtimin mâ të zi, pse vallë ai “gabim” fatal, pse ajo “shkujdesje”? E pse kjo përputhje datash? A janë vallë mëkatet e këtij prindi rrezikzí kaqë të mëdhà sa t’i duhet me i pague me kaq egërsí? Vdekja ka cekë shumë herë flokët e mij pa mundun t’i kërleshë. A mos âsht për këtë shpërblim mizor qi Fati ka dashë me më kursye? Nëse jo, nëse jam krijue për me qênë skllav i jetës, së paku të më kursehet tortura! Gjithshka qi rrethon e përshkon qênien t’eme, njerëz, sende e mendime, janë bashkue në nji përbetim t’egër për me më kujtue, pothuejse në çdo hap e në çdo çast, çdo gjâ qi ringjall në zêmrën t’eme plagën e thellë, të shkaktueme nga humbja e pandreqëshme. Deri kur do të vazhdojë kjo?
A do të mundem un, në 21 nândorin e ardhshëm, pra mbas nji vjeti, të kujtoj mâ me qetësi këtë datë, të jem i thithun mâ shumë prej ndodhisë së gëzueshme të 1921-it se sa prej idhnimit t’asaj qi ndodhi në 44-ën? A do të dojë fati i mirë të krijojë në botën e të gjallëve ndonji gëzim për mue e të mijtë, të tillë qi të mundet, edhe me ndihmën e kohës, të cilsueme si melhemi qi shëndoshë të gjitha plagët, me kapërcye dhimbjen t’onë? Jo kujtimin e Tij qi, për ne të gjithë mbetet i shênjtë për gjithë jetën, por vetëm dhimbjen, së paku në kuptimin e lehtësimit. Ȃsht e dobishme me e shpresue. E megjithatë motivi do t’ishte, mjaft qi shorti i keq të ndeshej me tê.
Po e mbyll këtë bisedë përkujtuese me veten me këtë shpresë e urim për të gjithë familjen, për të gjithë të dashunit e mij, së pari për Bashkimin, të cilit i uroj qi, në çdo ditlindje të tij, të ndiejë gjithnji mâ shumë bukurinë e jetës.
Mustafa Kruja
.
Shenim: Foto: Nga të vetmet që kanë shpëtu pa u djeg e janë ruejte në kujtimet e familjes.
Në këmbë duke fillu nga e djathta: Qazimi (vllai i M. K); Mustafa Merlika Kruja, Asllani (vllai i M. K) Fitreti (motra e M. K dhe gjyshja ime) Petriti (djali i parë )
Ulur në mes Caje Merlika (bashkëshortja e M. K) Fatosi (djali i dytë) Bashkimi (djali i tretë) Besimi (djali i katërt)
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.