back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nji poezi alegorike e stilizuem mjaft bukur… – Kanga “Ma mir’ n’pyll se n’qytet” e Isuf Myzyrit në analizën e Bukurosh Dylgjerit

Gazeta

Busti i Isuf Myzyrit
Busti i Isuf Myzyrit
Nji poezi alegorike e stilizuem mjaft bukur…
Kanga “Ma mir’ n’pyll se n’qytet” e Isuf Myzyrit
në analizën e Bukurosh Dylgjerit

Përgjithësisht nji kângë analizohet në të dy përbamesit e saj, pra muzika dhe teksti, si dhe sa janë të harmonizuem ata. Unë nuk po trajtoj ndërtimin muzikor, sepse nuk jam specialist i muzikës dhe, rrjedhimisht nuk kam koment. Por tekstin e kângëve të tij unë përpiqem ta analizoj sipas gjykimit tem, po ashtu siç ka të drejtë kushdo me e analizu’ atë sipas mënyrës së vet.

Duhet cilësue se Myzyri nuk përdor në tekstet e tij përmbajtje të ndërlikueme filozofike ose kuptimore. Ai âsht kaq i thjeshtë dhe i magjishëm, sa që po ta ndigjosh me vëmendje kyt këngë të tij, secili nga ne fillon me mendue dhe, në një farë mënyre me përjetue meditimin. Ai arrin me e prekë shpirtin e çdo ndigjuesi, pasi dihet qi nëse nji kângë ose pjesë muzikore t’i mush’ krahët me mornica, ajo ia ka dalë me depërtue në mbrendinë tonë të pashpjegueshme…
Të gjithë tekstin e kângës “Mâ mir n’pyll se n’qytet”, e konsideroj nji poezi alegorike të stilizuem mjaft bukur, (megjithse nuk mungojnë huazimet dhe kuptimet nga sfondi religjioz), por qi Myzyri e përshtat me elemente identifikuese shqiptare. Kjo ka rândësi.
Në vargjet e kësaj kânge, veç bujarisë shqiptare, përcjelljes së traditave tona shumë të mira, si dhe të përfshirjes së kodeve të Kanunit (“Shpia âsht e t’Zot dhe e Mikut”), fyelli âsht një metaforë e zgjedhun me mjeshtëri prej tij, sepse fyelli âsht instrument frymor qi përhap magjishëm tingullin Hyjnor, megjithëse Myzyri vetë luante me violinë. (Ose duhet pasur parasysh qi fyelli – hamendësohet – të jetë instrumenti i parë muzikor që përdori njeriu. Madje, thuhet se “njeriu filloi të bâhet njeri” veç kur nisi me vallzu’ dhe me knu’- pra, me shijue muzikën si thelb i shpirtit).
E kam cekun ene mâ herët qi Myzyri ishte i tillë, sepse ai ishte talent i lindun, ai ishte njikohësisht poet dhe krijues, instrumentist dhe interpretues i kângëve të veta.
Çuditërisht analfabet.
Pra, në kângën “Mâ mir n’pyll se n’qytet”, me “qytet” Myzyri nënkupton jetën tokësore, rendin e gjânave të prekshme, kulturën e konsumizmit, kotësinë, dijet, pasuninë, plogështinë…
Duke iu larguar “qytetit” – sipas bindjeve të veta fetare – ai na mëson “të braktisim dëshirat egoiste”, si dhe “gjithçka të gënjeshtërt qi përmban kjo jetë kalimtare e mbushun plot me zullumqarë”.
Ndaj ai “na fton në pyll…”
Me fjalën “pyll”, Myzyri nuk ka qëllim që ne t’i rikthehemi jetës baritore, dhe as po e konsideron pyllin si një vend argëtimi e shlodhës pas një pune rraskapitëse. Jo! Ai na thotë në mënyrë alegorike se pylli âsht vendi ku njeriu duhet me u mendue thellë për madhështinë e Hyjit.
Nuk m’duket i rastësishëm as qëmtimi prej tij i fjalës “pyll”, si vend meditimi dhe adhurimi. Ai fare bukur mundej me përzgjedh malin, fushën, lumin etj, por nga pikëpamja gjuhësore, fjala “pyll” ka ngjashmëni tingullore me fjalën Yll – Hyll – Hyj…
[Madje, jo më kot thuhet se komunitetet rurale janë mâ religjiozë, pasi të jetuemit në natyrë (pyll), u jep mundësinë atyne me qenë fare pranë Aktit Përfundimtar të Krijimit, e shofin çdo ditë atë, e përjetojnë lirshëm, si dhe kundrojnë me habi se si “një dorë inteligjente” ka sistemue me përsosuni: drújt, kafshët, shtratin e prroit, insektet, shpendët, motin etj].
Pra, Myzyri i gërsheton shumë bukur në tekstin e ksaj kânge: traditat tona të mrekullueshme – besë e bujari – me krijimtarinë muzikore dhe meditimin sufist, qi ishte mjaft i pranishëm në kohën e tij. Ai i jep tipare shqiptare krijimtarisë së tij.
Ndaj e pëlqej kyt kângë.

Bukurosh Dylgjeri
Bukurosh Dylgjeri
Mâ mir n’pyll se n’qytet,

Mâ mir n’pyll se n’qytet,
ne të dy o atje do t’rrojm’. (2)
Njeri atje ne s’na gërget,
të âmël o jetën ta çojm’ (2)
Kapërceva Mal’n e Krastës,
të mirëmeç’ o mre Elbasan. (2)
Vúna kam’ në Mal të Vashës,
pashë Sopotin dhe Vasjan’ (2)
Ç’ju lutëm Zotit na e dha,
nuk ka tjetër lumtuni. (2)
N’kët’ kasolle mulu’ me bar,
t’rrojm’ në mal o si barì. (2)
Kur hum’ rrugën nji njeri,
T’gjitha brengat i menon’. (2)
Shok i bâhet nji bari,
-Hajde sonde n’kasollen tonë. (2)
Zoti ju dhânte bujari,
nuk e latë udhtarin’ jasht’ (2)
Buk’, venë e raki,
n’kyt kasolle mulu’ me kashtë. (2)
Bariu mikun e dëfren,
edhe fyllit tu i ra. (2)
Zakone t’vjetra i rrëfen,
kështu gjyshnat na i kan’ lân’. (2)
Sa âmël i raka fyllit,
kush ka vesh o me e nigju’ (2)
Larg u nodh’ Isuf Myzyri,
Bariu afër ju afru’. (2)

https://www.youtube.com/watch?v=cQb_Jmv63ec
b. d. Elbasan, shtator 2022

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.