Nji rapsod i alpeve shqiptare
nga Ernest Koliqi
I pari takim me kângtarin e Thethit
N’at mbramë korriku Gjergj Pllumbi na këndoi nji trimni të Halilit,
qi kishte gjasime të çuditshme me motivin homerik të Penelopës e të Provke…
.
Në korrik 1937, vendova të shkoja fill e në Theth e të takohem doemos me Gjergj Pllumbin. Më nevojitej nji bisedim i gjatë me të, shkaku i nji punimi mbi poezinë popullore shqiptare qi kishim n’ato ditë për doresh. Mendja më thoshte se vetëm ai mund të m’epte hollsinat sqaruese qi m’ u lypshin.
Mora për nji javë nji shtëpi në lagjen Gjecaj të Thethit. Edhe çova e thirra kângtarin.
Po rrijshim buzë mbramjes në nji livadh sipër shtëpis tue pi duhan, cigare mbas cigareje, me disa thethjanë të zanun miq shpejt e shpejt edhe po shikojshim perëndimin e diellit mbi majë të maleve edhe xhixhillimin e rrezeve të fundme mbi ujna të lumit në fund të lugut; kur pash qi po ngjitej kah na nji burrë shkurtalak.
Malsorët thanë – nëse fillojshin të lozin vendin për ta pritun:
-Tek e ke Gjergj Pllumin.
Vinte kah na tue ecun në nji mënyrë të veçantë, tue ba hapa të mëdhenj me kambë të lakmueme harkuer e tue hjedhë disi pa rythëm të njinjishëm krahët e gjatë të cilët i arrijshin mje ke gjujtë.
U ngrejtëm të gjithë e u falëm, mbandej prap e u ulëm tue i vu para njani tjetrit kutijat e duhanit. Gjergji zu vend kundrejt meje.
Menjeherë vrejta se sytë i qitshin shkëndija mëndesquetije. Si shëndrroi me mue edhe me shokë, pyeti edhe përgjigjet e zakonshme, nisi të flasi. Flitte me gojtari të çmeritëshme i përpikëshëm në thanje, shumë i qartë në shqiptime. Qysh aty pata përshtypjen se e kishem gjetë njerin t’im. Tekembramja mbajshim në dorë çelsin e asaj bote mysterioze malsorësh.
Me kuresht të madh rrijshëm pezull tue ia dëgjue çdo fjalë.
Para se të shqimej krejt drita e perëndimit mbi maja të Luguplishit, ai na tregoi jetën e trimnitë e Milloshit Obiliç. (Turqit, tha, e thrrasin Kopiliç).
Fatosi i rapsodive sllave, mbas tregimit të tij, ishte bir i nji murgeshe serbe e i njij drangoni shqiptar, qi fluturoi e prej bjeshkëve t’Shqipnis e drejt mbi rudinë ku ajo kullote dhentë.
Dinte vereverte të tregonte me nji mjeshtëri të përsosun, tue i rrjeshtue episodet në nji rendim të natyrshëm, tue përsërit dialogët me dramacitet të gjallë, tue përshkrue me hollsina vetjet e ndryshme të tregimit.
Të ftoftit e mbramjes na shtrëngoi të lamë livadhin e të hyjmë në shtëpi mbrendë.
Mbi një plus të randë, mbulue me nënkresja, punë dore e censhme nusesh, u shtruem rrotull kambë kryq në dhomën ma të madhe t’asaj shtëpije. Prap Gjergj Pllumbi zu vend kundruell meje, kështu qi mujshem t’ia shoh fytyrën kur flitte.
Nuset sollën raki e ftofun n’uj t’vaden përbri oborrit, me dy putira, dy piruj e meze të ndryshme; hudra, qepë, djath, mushkni kingjit të fërgueme. Me njanin putir e me njanin piru, pijshëm e hajshëm unë. Malsorët shërbeheshin rendas me putirin e pirunin tjetër.
I prunë Gjergjit lahutën.
Asht nji vegël muzikore në gjasim të nji qemaneje por ma rrumbullakët në trajtë. Bahet me dru palnjet. Thethjanët janë mjeshtra daltet, punojnë lahuta vërtetë të bukura. Kam pa unë nji me dorezë të gdhenun si krye kaprolli. Kjo vegël e përdorun ndër male të Veriut ka vetëm nji kordhez përba me qyme kali. I bijnë me thupur shumë të përkulun, lakue në gjasim të nji gjysëm rrumbullaku. Fijet e thuprës, para se me i ra, i fërkojnë me rrëshinë pishe.
Sa e mori në dorë, kuptova menjiherë se Gjergj Pllumbi i binte me të vërtetë mirë. Më qëlloi rasa të ndigjoj shumë lahutaxhinj, por Gjergji mbas mendjes s’ime ia kalonte të gjithëve!
Ndenjun shqiptarçe mbi plis mbështetun fundin e lahutës mbi shputën e qëndisun me lajle të kuqe e t’arta, afronte tue i ra veshin e rrëmajtë ke dora, gjishtat u së cilës lëvrojshin të lehtë e të shpejtë mbi kordhëz.
Meloditë e tija më kujtojshin motivet shpesh hera ndigjue nëpër malet tona nga zanoret e pizezat e barijve.
Ia nisi Kangës!
.
Asht nji lloj përligjirimi në fillesë i kadalshëm mandej përherë ma i shpejtuem. Kangatari përsosmënisht dhetërokshat, tue shqiptue fjalë me qartësi të bindëshme edhe kur nxehtësia e përligjirimit e shtyjnë të qesi vargje me nji shpejti të pashoqe. E dante rapsodinë në tubza. Mbas seicilës tubzë, këputte kangën tue marrë gjithnji përsjellsen me lahutë derisa fillonte përsëri të këndojë.
N’at mbramje korriku na këndoj nji trimni të Halilit, qi kishte gjasime të çuditshme me motivin homerik të Penelopës dhe të Prokve. Nji çikë, ma e bukura e maleve po e fikte t’anë tue mos dashtë nder treqind djelm të zgjedhi njanin për burrë. Djelmtë e ardhun me e lypë për nuse ia kishin zanun derën t’et të shkretë edhe pritshin vendimin e çikës tue hangër e tue pi me muej e me vjete rresht. Në fund ajo nji natë iu paraqit miqve edhe ban bé se do të zgjedhi për burrë vetëm atë ndër ta qi do t’i a mirrte gjakun vllaut të vramë do kohë ma përpara. Porvrasësi na ishte nji trim belaxhi i rreptë. Veç Halilit asnjanit nuk ia mbante m’u matë me atë. Vetëm Halili shkon edh’e fton në dyluftim ku ia pret kryet. Kanga mbaroi me dasmën e Halilit edhe të cikës së bukur.
Vargjet plot fytyrime e metafora, vende-vende m’u dukën të jashtzakonshme për harmoni imitative . Kangatari me mjeshtëri të stërhollueme dinte tue dredhun zanin t’i a qesë n’shesh bukuritë ma t’imta.
Nësa këndonte, ngrente përpjetë vetullën e rrëmajtë edhe ulte atë të djathtën, herë tue më shikue drejt e ndër sy, herë tue e humbun shikimin kah tavani si i rrëmbyen n’ekstaze.
Të gjithë malsorët e dëgjojshin me vemendje. Edhe gratë e shtëpisë, plaka/ nuse/ çika, erdhën nji nga nji edhe u zatetën mbas burrave për të ndëgjue trimnite mrekullive të Halilit.
.
.
(Nga Gazeta Shqiptare 1938)