back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nji vështrim i shpejtë mbi veprën “Lahuta e Malcis”…

Gazeta

At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)

Nji vështrim i shpejtë mbi veprën

“Lahuta e Malcis” e Gjergj Fishtës

Kur Gjergj Fishta u kthye në Malësi, u tregoi miqve ma të afërt vargjet që ai i kishte shkruar atje për Marash Ucin. Ata kambëngulën që ato vargje të botoheshin si libër më vete. Madje dhe e ndihmuan, së bashku me Faik Konicën, duke ndërmjetësuar te Ministria e Jashtme e Austrisë, për mbështjete financiare.
Në vitin 1905, u botua në Zarë (në Dalmaci) libri (pjesa) i parë i “Lahutës së Malcis”. Dy vjet ma vonë, më 1907, u botua libri i dytë “Vranina” me 4 këngë. Ndërkohë që këta dy libra ribotoheshin (“Vranina” u ribotua 6 herë, ndërsa “Marash Uci” 4 herë, në dy botimet e fundit me titullin “Te Ura e Rrzhanicës”), Fishta shkruante këngët e tjera, të cilat nga viti 1921 filloi t’i botonte në revistën që drejtohej prej tij, “Hylli i dritës”. Në vitin 1937, botoi variantin përfundimtar të “Lahutës së Malcis”, që përmblidhte 30 këngë dhe kishte 15563 vargje. Që nga ajo kohë e deri më sot, “Lahuta e Malcis” ka njohur disa botime brenda e jashtë vendit… Ajo është përkthyer në italisht, gjermanisht dfhe anglisht.
“Lahuta e Malcis” nuk është një vepër historike, megjithëse mbështetet në ngjarje historike dhe përshkruan persona realë që kanë marrë pjesë në këto ngjarje reale. Vepra e Gjergj Fishtës nuk është as një trillim fantastik, megjithëse në të pasqyrohet një popull që bashkëjeton në mënyrë të pandarë me mitet e legjendat e veta. Ajo nuk është, gjithashtu, as një memorial i një analisti të situatës ndërkombëtare, megjithëse autori i saj analizon me hollësi të gjitha vendimet e fshehta apo legale të Fuqive të Mëdha të kohës, që ndikuan në fatin e Shqipërisë.

Fishta midis fshatarve te Troshanit
Fishta midis fshatarve te Troshanit

“Lahuta e Malcis” është një poemë epiko-heroike, një vepër epope, subjekti i së cilës është ndërtuar mbi episode të shumta ku veprojnë një numër i madh personazhesh historike e mitologjike.
Baza kompozicionale e poemës është konflikti ndërmjet dy popujve të Ballkanit: i shqiptarëve dhe malaziasve. Ky konflikt nis në Vraninë, një ishull i vogël në Liqenin e Shkodrës, pikë kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe përfundon në Londër, në Konferencën e krerëve të Fuqive të Mëdha, të cilët morën vendimin që forcat shumëkombëshe të vendoseshin në qytetin e Shkodrës për ta zgjidhur këtë konflikt.
Konflikti i Lahutës së Malcisë zhvillohet duke zgjeruar përmasat e veta. Në Vraninë ndeshet shkodrani Oso Kuka, në krye të rojeve të postës kufitare, me malaziasin Vuk Radoviq, që i printe një bande cubash. Më pas ndeshen forcat e Dervish Pashës, të dërguara nga Sulltani, me ushtrinë e Mark Milanit, të ngritur nga Krajl Nikolla i Malit të Zi, për të pushtuar tokat e Perandorisë Osmane në Ballkan. Konflikti mbetet jashtë kufijve të shteti të ri të sapoformuar, në Kosovë e Çamëri, në rrethinat e liqeneve të Shkodrës dhe Ohrit.
“Lahuta e Malcis” është eposi i shqiptarëve, është eposi më i ri kombëtar i njërit prej popujve më të lashtë të Europës. Kjo “kontradiktë” moshash, e shpjeguar nga rrethanat historiko-kulturore të veçanta të popullit shqiptar, justifikohet me vlerat artistike autentike dhe origjinale të veprës. Parimet nga të cilat u udhëhoq Gjergj Fishta në krijimin e epopesë së shqiptarëve janë një sintezë e poetikës aristoteliane me shkollën romantike të Europës Perëndimore te shek. XIX.
Fjala fishtiane përcjell notat muzikore të instrumentit te lahutës me përsëritjet e tingujve, fjalëve dhe strukturave sintaksore; me epitetet, krahasimet, similitutat e hiperbolat; me metaforat, simbolet e mitemat; me pyetjet e përgjigjet, me pyetjet retorike, pasthirrmat, etj. Leksiku është tepër i pasur (vetëm fjalë të rralla numëron 1274): aliteracioni, rima, ritmi i këmbyeshëm brenda njësisë metrike dhe ndërmjet vargjeve etj.
Marrë nga http://pergjuhenshqipe.blogspot.it

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.