back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nji yll që shuhej mes njerëzve të dashtun… – kujtim nga Leka Ndoja

Gazeta

Lazër Radi - Nji verë me Migjenin - Kujtime Tiranë 1998
Lazër Radi – Nji verë me Migjenin
Kujtime – Tiranë 1998

Nji yll që shuhej mes njerëzve të dashtun… 

kujtim nga Leka Ndoja 

Lazër Radi, disa ditë përpara se të mbyllte sytë, përmes nuses së nipit, Tefta Radit më kishte thirrur ta takoja, për të na lanë lamtumirën. Në shtëpinë e tij të re te Cafod-i u zhdrivillue nji skenë Biblike: Ai ulur në poltronë i rrethuem nga familja e të birit, Luçit, dhe unë që zuna vend në të majtë të tij. Përpara na erdhi triumfues, i nipi Ferdinand Radi ma aktor se kurrë me librin e purpurt të sapobotuar “Nji verë me Migjenin”. Ia zgjati me përkulje të thellë, duke i kërkuar ndjesë për vonesën në shtypshkronjë.
E mori në dorën e majtë dhe e puthi. Rënkoi dhe gati u përlot. E shfletoi dhe e mbështeti në gjurin e majtë dhe gjatë bisedës e lëmonte si fëmijë.
-Tani do të vdes i qetë, – tha dhe heshti – Ky asht libri im i jetës!
Unë e dija që kishte vite që mblidhte materiale për librin, madje më kishte kërkue edhe shënimet e shokut të tij të rinisë, Mark Ndojës. Por, unë nuk ia dhashë! Gjithsesi më habiste metikoloziteti që ndiqte gjithë studiuesit e kohës dhe të rinjtë. Madje nji herë më kishte njoftue për përkthimet e Montales botue te Zani i Popullit në faqen kulturore të Moikom Zeqos, përkthim i Ferdinand Lekës, mbasi e dinte që unë kisha botue disa cikle të Montales.
Pastaj sikur u përtëri nga dhimbjet e frymëmarrja iu qetësue disi. I hodhi disa hoka Nandit që e ngacmonte t’i përsëriste historinë e lindjes së tij, të cilën Lazri na e solli si anekdotë. Mbasi thoshte se ngaqë e kishte kryet e madh e kishin nxjerrë me mashë, mbasi kishin përdorë gërshanët.

Lazër Radi – “Nji verë me Migjenin” - 2019
Lazër Radi – “Nji verë me Migjenin” – 2019

-E mjera nana yte ç’ka hjekë me at kryet tand! – i thoshte Nandit, ndërsa Leta, e shoqja e Nandit, që i shërbente me përkushtim dhe Nandi shkuleshin së qeshuni.
Ti Nin, asokohe kishe mërgue në Itali, dhe ai të lavdoi sa mundi, sidomos kur nuk të kishte pranë, se i mungonte redaktori!! Por ai ia doli në atë vit të merrte nji sadisfaksion… dhe vërtet të nesërmen na njoftuen dekën e Lazrit. 
Unë i bana kronikën në TVSH, pasi iu ba nji varrim madhështor, nga Instituti i të Përndjekunve, me Kurt Kolën. Ishte kronika e mbrame e nji patriarku që merrte vëmendje nga ky Institucion… pastaj heshtje!! Dhe familjarët që i botuen veprën, dhe i mbajnë gjallë kujtimin e tij.
Për monografinë, dhe ajo asht e fundit e nji autori të viteve ‘30, nji master peace për humanizmin, iluminizmin dhe çka frytesh ideale fshihen në gjeninë krijuese.
Patriarku Lazër vdiq pa e dijtë që ishte i tillë.
Do të mbaj mend atë shkëlqimin e butë e herë herë bixarr të syve të tij ku riprodhoheshin universe të përgjakuna që ai i vinte nën fre me urtinë.
Unë veç sodita nji yll që shuhej mes njerëzve të dashtun dhe talentit me stigmatën e mbrame Migjeniane…
.
Marrë nga një shënim në FB i Vrethe Lnika, 18 janar 2022

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.