back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nji za i ambël që vjen prej Vjene! – nga Jozef Radi

Gazeta

Disa nga fituesit e Baketës së Gjeniut Shqiptar
Disa nga fituesit e Baketës së Gjeniut Shqiptar

Nji za i ambël që vjen prej Vjene!

nga Jozef Radi

Mbramja e 22 Dhjetorit në Bazilikën e Belvederes në Vjenë, nën nji atmosferë magjike Krishtlindjesh në Vjenë kishte shumçka që i mungon të përditshmeve tona, dhe kjo çka jam ulë me shkrue asht tehu i nji dhimbje të thellë që s’mujta me iu përgjigjë pozitivisht ftesës së Gjergj Kolës, i cili prej vitesh asht kthye në nji epiqendër iniciativash me vlera si: organizimi i konkursit të poezisë; çmime për vepra dhe personazhe ma të spikatun në krejt hapsinën shqiptare; përkujtime e kremtime përvjetorësh të figurave të historisë e kulturës shqiptare; beteja për mbrojtjen dhe pasunimin e gegnishtes letrare; promovimi dhe vuemja në skenë e pjesve teatrore ma së shumti shkrue prej tij; me nji fjalë kontribute që duhet nënvizue dhe mbështetë nga krejt ata shqiptarë vullnetmirë, e të talentuem që jetojnë jashtë Shqipnie, po edhe nji vlerësim e mirnjoftje për kët njeri me angazhime të shumta e shpirt të palodhun që tashma ban edhe rolin e nji ambasadori kulture me qendër Vjenën, e cila asht nji pikë e hershme e konvergimit të çeshtjes shqiptare.
Mbramja e 22 Dhjetorit asht kulmuese e krejt kësaj pune të energjish të pashterra të Gjergj Kolës, po edhe krejt atyne që e kanë mbështetë, kanë besue e ma së fundi kanë mujtë me e ngjitë këtë vazhdimësi punës të nisun prej vitesh, në mbramjen e papërsëritshme
Ardhja dhe vlerësimi i dy motrave Ndoci: Ritës dhe Julit, i instrumentistit virtuoz Bardh Jakova, e studiuesit dhe shkrimtarit Marcel Hila, poetes Jozefina Traboini dhe e mjaft tjerëve përbante nji ngjarje me randësi jo veç për shqiptarët jashtë atdheut, mbasi ma e shpeshta e tyne ndodh me u u kushtue randësi fasadave o festave të hareshme dhe jo me u përndritë prej frymës së rafinueme të kulturës, e në veçanti në nji qytet buzëhollë si Vjena e Mozartit…
.
Dr. Lazer Radi - nderue me Baketën e Gjeniut Shqiptar - Vjene 2018
Dr. Lazer Radi – nderue me Baketën e Gjeniut Shqiptar – Vjene 2018
Ndërsa ndigjoja kangët e kendueme të motrave Ndoci, Ritës dhe Julit nën shoqninë muzikore të Bardh Jakovës në fizarmonikë, ku tri virtuozë të bamë bashkë e të plotësuem edhe prej akustikës së mrekullueshme të Kishës që u jepte delikatesë dhe alternimeve muzikore të kangve qytetare shkodrane, e ku vlerësimi i Marcel Hilës kishte edhe lotët e nji gëzimi të rallë ishin nji tjetër shfaqje, e nji tjetër dëshmi e vëmendjes për vlerat dhe kontributet e nji brezi që shpesh e ma shpesh po detyrohet me e gjetë vedin jashtë atdheut, mbasi ai asht tepër madh e i xanun me u marrë me ksi vogëlsinash si kultura dhe vlerësimet e njerzve të saj, si dhe evidentimi i mjaft prej këtyne kontributeteve të individve që kurrë s’kanë pretendue për atë çka bajnë.
“Metropolet e atdheut ishin strukë nën mjegullën e dimnit, dhe unë isha i vetëdijshëm, – do të më shkruente organizatori Gjergj Kola, – se nji koncert i tillë midis të Vjenës, do tishte si nji Yll i mirë që na kallxon rrugën drejt Europës. Ndaj i mbetem mirnjoftës bashkisë së Vjenës, këtij qyteti të huej, po art e shqipdashës. për kët mbështetje pafund që na ka dhanë gjithë kohës…!”
E vërtetë, e gjitha kjo pa dashmirsinë e Bashkisë së Vjenës, që e shndërroi at mbramje në prag Krishtindjesh, në nji natë e paharrueshme për të gjithë të pranishmit, s’do ta kishte kurrsesi at shkëlqimin e nji feste të rrallë ndër ne. Prandej e konsideroj vedin fatlum që në përzgjedhjet poetike të lexueme në kët mbramje krahas emnave të: Primo Shllakut, Visar Zhitit e Leon Lekës ishin edhe poezitë e mia. Por ajo çka më emocionoi ma së shumti ishte vlerësimi i tim eti: “Dr. Lazër Radit (mbas vdekjes), për veprën autobiografike “Trilogjia e Jetës”, të shkrueme nën diktaturë, e të botueme gjatë vitit 2018, me rastin e 20 vjetorit të vdekjes.”
.
Jozef Radi - nderue me Bakekën e Gjeniut Shqiptar
Jozef Radi – nderue me Bakekën e Gjeniut Shqiptar
Ky ishte prej atyne gëzimeve të rralla, të cilat njeriu shpesh i harron se ekzistojnë, pse s’asht mësue me to, pse ka jetue e jeton n’at përmasën e vlerave të heshtuna, të cilat koha s’do të mundet as me i zhbà as me i zhbì…!
Prandej e mbylli këto shënime me nji Falenderim i Madh për Bashkinë e kryeqytetit të Vjenës, që asht pjesë e vyeme e këtij projekti funksionues; nji Falenderim edhe për Familjen Jakova që ka kontribut në kët vlerësim, nji Falenderim të ngroftë për poetin, dramaturgun dhe organizatorin e paepun, Gjergj Jozef Kolën, për punën e tij të palodhun e sakrificat e shumta… e së fundi për të gjithë ata pjesmarrës që e nderuen me muzikë e poezi mbramjen e 22 dhjetorit 2018, e që me praninë e tyne në Vjenë, dëshmuen nji model e kallzuen sa e fuqishma asht kultura si urë lidhse midis popujve dhe kombeve…
Ju lumtë të tanve!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.