back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Njihuni me Denata Ndrecën, poeten shkodrane në Firence – nga Enkeleda Bodini

Gazeta

Denata Ndreca te Shtëpia e Fishtës së Madh
Denata Ndreca te Shtëpia e Fishtës së Madh

Njihuni me Denata Ndrecën, poeten shkodrane në Firence

nga Enkeleda Bodini

Historitë e suksesit të shqiptarëve jashtë vendit, nuk kanë të sosur.
Janë shqiptarë që gjithmonë me punën e tyre kanë ngritur lart emrin e vendit tonë.
Një prej këtyre figurave të shquara është edhe autorja shkodrane,
Denata Ndreca, e cila prej shumë vitesh jeton e punon në Itali.
Në një intervistë për abcnews.al, ajo ka rrëfyer jetën dhe karrierën e saj në Itali.
Kohe e Mohueme dhe autorja Denata Ndreca
Kohe e Mohueme dhe autorja Denata Ndreca
Si shumë bashkëkombas të tjerë është larguar nga Shqipëria në vitin 1999. Në atë kohë, Denata kishte përfunduar studimet në Universitetin e Shkodrës, ndërkohë që shkruante e botonte në Revistën Pioneri si dhe fliste në Radio Shkodrën.
Pavarësisht, se ishte e formuar për moshën që kishte, sërish nuk e shihte të ardhmen e saj të sigurt në Shqipëri, për shkak të situatës që vendi po kalonte mbas 1997. Kështu vendosi të ndërmarrë vendimin e vështirë: ta lërë atdheun! Të nisesh në një vend të huaj, nuk ka qenë kurrë e lehtë për askënd, as për Denatën, e cila e kujton kështu, atë kohë: “Vështirësitë kanë qenë të mëdha, si për shumë nga ne. Pas atij udhëtimi nga porti i Durrësit në atë të Barit – me një biletë pa kthim, një tjetër jetë më priste. Me vete kisha vetëm një çantë të verdhë, e brenda një libër me poezi të zgjedhura të Nerudës. Kjo ishte e gjithë bota ime, ëndrrat e mia të bëra palë palë e më vonë të shkyera copë e copë”.
Edhe pse sfidat qenë të mëdha, Denata sërish diti si t’ia dalë.
Ajo përfundon Universitetin për “Shkenca të Formimit dhe Psikologji Zhvillimi” në Firence, ndërsa të shkruarit mbeti pasioni i saj më i madh.
“Mbijetesa nuk i lë shumë vend ëndrrave, por nganjëherë janë vetë ëndrrat ato që na ndihmojnë të mbijetojmë e të ecim përpara pa humbur identitetin tonë. Koncept ky që do të më shoqërojë gjithmonë.
E megjithëse me vështirësi të mëdha, nuk u shkëputa dot nga vetja ime, nga ajo që doja të isha e nga ajo që jam. Nuk u shkëputa dot nga poezia, sepse është e gjithë qenia ime…”, shprehet poetja.
Në vitin 2003, Denata botoi librin e saj të parë me poezi: “Rreth meje”, pastaj “Pa frikë”; “Një far në mjegull”; “Kohë e mohueme”; “Luledimër”; “Vajza e Urës së Vjetër”. Gjithashtu dhe librat për fëmijë “Karroca magjike” që i drejtohet botës së sëmundjeve për fëmijë; “Jam unë” që trajton temën e racizmit me gjuhën e më të vegjëlve… dhe se fundi përkthimi i saj “Një lumturi e vështirë” me poezite e Davide Rondonit.
Autorja Denata Ndreca
Autorja Denata Ndreca
Poezia është gërshetuar me të, si të ishte një pemë, dhe kur të kërruset ngadalë ngadalë nga vitet që ikin, ajo do të bëhet më e fortë. Poezia është vazhdimësia e saj, pa të nuk bën dot.
Denata është vlerësuar me shumë çmime të rëndësishme, por e quan kohë të humbur të flasë për to, pasi për të, çmimet më të bukura janë dhe do të mbesin njerëzit, lexuesit dhe dashuria e tyre, si dhe emocionet që ata çdo ditë i dhurojnë.
Denata është një poete që vazhdon të ecë përpara, por kokën s’harron ta kthejë kryet nga vendi i saj, sa herë që e ndjen dhe e sheh të arsyeshme. Për të Shqipëria është atdheu, e Shkodra shtëpia, kujtimet, fëmijëria.
“Shkodra është dallga e ndalur e liqenit, oborri me luledimër e lulebore”, thotë Denata, për abcnews.al.
Çdo ditë ajo mundohet të japë kontributin e saj si grua, si nënë, si një njeri që kërkon t’i rrijë pranë kujtdo në nevojë. Gjithashtu dha dy këshilla të vyera për të rinjtë: e para, është të mësoni të lexoni fjalët e pashkruara, sepse ato të shkruarat dijnë t’i lexojnë të gjithë dhe e dyta: Mos harroni se shkruhet mbi lëkurën e trupit… dhe jo mbi fletë, sepse vetëm kështu mund të jeni të vërtetë.
Denata është një shqiptare me të cilën të gjithë krenohemi. Ajo ndau historinë e saj me ne, duke treguar se gjithmonë mund t’ia dalësh, nëse nuk resht se punuari për ëndrrat…
.
Marrë nga abcnews.al, 19 Janar, 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.