Njoftjet e mia me Vangjel Koçën e Kolë Bib Mirakajn
nga Lazër Radi
Me Kolë Bibën isha pa dy herë në Shkodër, gjatë kohës kur isha nxanës i gjimnazit të Shtetit. T’parën herë e pashë kur baheshin zgjedhjet parlamentare, ku Kolë Biba kishte vu kandidaturën si i pavarun, jashta listës qeveritare.
Kështu, m’u krijue mundësia me e ndjekë disa herë, ndërsa fliste rrugave dhe shesheve të qytetit, herë duke propagandue, herë duke shprehë opinonet e veta, me sigurue nji vend si deputet opozitar në parlament. Aty mora vesh se ai punonte mësues.
Me thanë të drejtën emnin e Kol Bib Mirakës, i kisha ndigjue, mbasi i biri, Ndoci, ishte nxanës i gjimnazit dhe konviktor në konviktin “Malet Tona”.
Të dytën herë e kam pa në rrethana disi të turbullta e të pakandshme!
Në Konviktin “Malet Tona” u ba nji lloj proteste që u emërtue “kryengritjeje”. Nxanësit e revoltuem me sjelljen jokorrekte të përgjegjësit të konviktit dhe dy kujdestarëve, çuen krye dhe i rrahën, e në mënyrë të veçantë dy kujdestarët. Ky veprim shkaktoi nji shqetësim të madh qoftë në Drejtorinë e Gjimnazit, qoftë në xhandarmëninë e qytetit.
U mor vesh se njeni prej organizatorve kryesorë të rrahjes, dhe ekzekutor material i ksaj ngjarjeje, kishte qenë i biri i Kolë Bibës: Ndoc Mirakaj!
Meqë Drejtori i Gjimnazit, profesor Anton Dedaj kishte mjaft miqsi me Kolën, e njoftoi në konfidencë Kolën, dhe të dy së bashku na erdhën në Konvikt, dhe na mblodhën në oborr. Drejtori e përshkroi ngjarjen dhe na kërcënoi me mbylljen e Konviktit dhe me dëbimin e studentave konviktorë, duke e quejtë konviktin “Malet Tona”: “fole rrebelash”. Doemos Ndocin e nxorën para nxanësve, dhe aty u fol aq keq për të dhe u damkos aq randë sjellja dhe vepra e tij. I ati, Kola, i zbehun në fytyrë, tepër i nervozuem, dridhej si purteka prej nervave! Njashtu i premë në ftyrë, iu afrue të birit dhe e pyet duke ia ngulë sytë, sikur donte me e hangër:
-A kështu ka kenë puna, mor bir?!
Ndoci desh me e justifikue veprimin e tij, po ai duke ia ndalë fjalën në gojë, e mbuloi të birin me shputa e ndonji shkelm, duke e sha “n’gur e n’dru” – e ta bani për shkalc.
Në ksi rrethanash “e takova Kolën” për t’dytën herë!
E vërtet asht se turbullina në Konvikt la nji përshtypje të madhe jo veç në Shkodër, po edhe ma përtej. Mbrriti puna der aty sa të vehej në diskutim ekzistenca ose jo e Konviktit. Për fatin e mirë tonin, ky incident u konsiderue si mungesë takti nga ana e drejtuesve të Konviktit. Ata u zavendsuen menjiherë e në kët mënyrë s’iu dha asnji ngjyrim politik këtij konflikti… Doemos kështu do të përfundonte, mbasi në asnji mënyrë s’mund të mendohej se Ndoc Mirakaj mund ishte ndonji simpatizant i komunistave.
Me kaq incidenti u mbyll… e jeta në konviktin “Malet Tona” vazhdoi normalisht.
Kolë Biba i shkruan letër Mussolinit
Isha në Tiranë, së bashku me një shok temin Lem Dedën, (Guljelm Deda) e po shkojshim me hangër drekë në restorantin e Hotel “Kontinentalit”. E ndërsa banim porosinë, në sallën e restorantit u dha edhe Kolë Biba. Meqë me Lemin njifeshin, Kola mbasi kqyri rreth ambientin pa asnji hezitim u drejtue kah tavolina jonë. Unë iu prezantova! Më tha se më njihte, se kishte lexue disa shkrime të mija ndër gazeta, e kur u shtrue biseda, folëm për kohën e gjimnazit të Shkodrës… pak si me humor, ia kujtova edhe episodin e konviktit me të birin Ndocin. Qeshëm si për diçka të shkueme, e kur po ndaheshim, Kola ndali e më tha:
-Kam nji punë me ty Lazër! Nesër n’orën tetë, të pres në zyrë!
-N’orën tetë nuk vij dot! – i thashë – Unë banoj në Durrës. Më duhet të vij me atobusin e linjës.
-Mirë! Eja kur të duash. Mue m’ke në zyrë të pres kurdo që ti të vish!
Kur dolëm, ma kallzoi zyrën, ndërkohë që ishte edhe nënsekretar i Partisë.
***
Të nesërmen më priti me shumë përzemërsi! E la skrivaninë dhe erdh u ul në nji kolltuk afër meje, pranë dritares, dhe me mirsjellje të pashtirun më kallzoi qëllimin pse më kish thirrë:
-Kam ndërmend me i shkrue nji letër personale Mussolinit. Letrën e kam të shkrueme në shqip: Ti duhet me ma përkthye në italisht, sigurisht edhe të ma shkruesh në makinë në tri kopje.
Ma lexoi ashtu qetë e shtruet, siç ishte edhe natyra e tij! Ishin nja dhjetë a dymbëdhjetë faqe të shkrueme me dorë?
M’u duk nji letër mjaft e guximshme, ku në vija të përgjithëshme thoshte:
Së pari, Konti Ciano, me gojën e vet, në emër të qeverisë italiane kish thanë se: “Bashkimi i Shqipnisë me Italinë nuk do të prekte as në formë e as në përmbajtje pavarsinë e Shqipërisë!”… dhe ma poshtë paraqiste nji varg faktesh e argumentash që e rrëzonin këtë premtim solemn të qeverisë italiane!
Së dyti: Flamurit Kombëtar të Shqipnisë nuk duhej t’i bahej asnji ndryshim. Vendosja e shenjave të Liktorit në të, do ta prekte në sedër krejt popullin shqiptar! Flamuri Kombëtar me pasë autoritetin dhe vlerën e vet duhet të mbetej ai që ka qenë qysh nga koha e Skënderbeut.
Së treti ai theksonte: Ju po likuidoni forcat e armatosuna të Shqipnisë duke ia nënshtrue komandës ushtarake italiane. Edhe kjo asht në kundërshtim të plotë me deklaratën e masipërme të Kontit Ciano.
E Katërta: Gjuha italiane si gjuhë e randsishme ishte ba e detyrueshme – edhe kjo ishte në kundërshtim me krejt rregullat e moralit tonë kombëtar. Gjuha Shqipe asht e paprekshme. – theksonte ai – dhe veç mbas saj do të mund të studjohej nji gjuhë tjetër e huaj, qoftë kjo edhe italishtja!
E Pesta: Konventa “mbi barazinë” e të drejtave civile dhe politike – asht tejet në dam të popullit shqiptar. Vetkuptohet se kjo konventë parasheh vendosjen në Shqipëri të nji numri të madh italianësh, të cilët duke disponue kapitale, përkrahjen e qeverisë dhe barazinë që u siguron konventa kanë me ndërmarrë veprime në bujqësi, në tregëti e në industri duke e mbytë ekonominë e dobët të vendit tonë e duke i hapë nji shteg të fuqishëm kolonializimit të Shqipnisë. Të njejtën gjà ne kurrë s’kemi me mujtë me e realizue në Itali! Pra, kjo konventë vepron si e njianshme dhe ka nji qëllim thjesht anti-shqiptar pse asht e njianshme!
E gjashta: Bashkimi doganor simbas konventës ekonomiko-doganore-valutare, tokat e të dy palëve konsiderohen si nji tokë e vetme. Kështu, në mënyrë automatike hyjnë në fuqi ligji doganor italian, tarifat italiane etj. masa që kanë me e dëmtue randë ekonominë shqiptare, e s’kanë me i dhanë as frymëmarrje e as autonomi veprimi në fushën e ekonomisë.
Përveç këtyne ai kishte edhe nji varg propozimesh të tjera për emërime dhe çështje administrative. Me mue Kola, po fliste troç, gja e cila me bante të ndjehesha i vlerësuem:
-Po ju drejtohem Ju! – si burri burrit. – As kam folë me njeri dhe as e di njeri i gjallë n’botë përmbajtjen e kësaj letre. Për shpjegime dhe sqarime ma të gjana jam gati të paraqitem kudo dhe kurdo që ju të dëshironi!”.
Kjo ishte fjalia përmbyllëse e letrës drejtue Mussolinit!
Punova tri ditë për at letër, sepse doja që përkthimi në italisht të më vinte sa ma mirë të ishte e mundun dhe ta paraqiste sa ma të plotë mendimin e Kolës përballë Mussolinit.
Gjatë kësaj pune nuk lëviza nga Durrësi. Kola, edhe ai n’ethet e përpunimit të tekstit, s’e zinte vendi pa ardhë përditë në Durrës. Donte me e pa me sytë e vet ecurinë e punës. Italishten e fliste, po jo fort mirë, por kur ia lexoja unë kënaqej. I pëlqente tingulli i kandshëm i italishtes. Mbasi e shihte që puna po ecte, dhe mbasi pinim nji kafe e plotësonte diçka, nisej për Tiranë.
Të tretën ditë isha gati jo vetëm me përkthimin, por edhe me nji letër përcjellëse të shkrueme pastër e bukur, me zarf: gati me e postue. Të gjitha shkresat i futa në çantë dhe po bahesha gati me dalë te autobusi. Kur n’at çast ia beh Kola. Më merr në veturën e vet dhe aty e drejt e në Tiranë. Drekën do ta hanim së bashku në Kontinental.
-Nji miku jemi dishron me të njoftë. – më tha – Do vijë edhe ai për drekë në Kontinental: asht shkrimtar dhe intelektual…
Rrugës biseduem për shumë gjana. E pyeta: Nëse kjo letër që po ia çonte Mussolinit mos i kushtonte ndonji rapresalje?
-E kam marrë parasysh edhe kët gja! Unë, në shpirtin tem e ndiej për detyrë me ia thanë troç disa padrejtësi, që po bahen n’kurriz të popullit shqiptar. Ndryshej na tha Ciano në Tiranë, e ndryshej po veprohet tash tevona.
-Nuk je politikan, or Kolë! Në politikë – po të mbahet fjala e dhanë e po të ndiqet nji vijë e ndershme – s’do t’ishte ma politikë! E ndryshe do t’ishte edhe bota: politika nuk do t’ishte politikë po do të thirrej me një emër tjetër. Pak ma parë m’the se pa kalue viti do të sulmoheshin ma parë Greqia e pastaj edhe Jugosllavia. Në deklaratën e vet në Venedik, Ciano-ja i tha Ministrit të Jashtëm Jugosllav se: “Roma nuk ishte e interesuar për pakicat shqiptare të Kosovës” – ndërsa katër ditë pas pushtimit Shqipërisë Metaksai i shkruante Ciano-s: “Asgja nuk mund ta prishë miqësinë tradicionale midis dy vendeve tona!” Edhe deklarata e Cianos, mbi të cilën ti je mbështetë kryesisht asht diplomatiko-politike, asht nji rrafshuese rruge që ndihmon ecjen, eviton pengesat dhe ban që të pastrohen pengesat që duhet kapërcye sa ma lehtë e me sa ma pak sakrifica.
Nga gjithë sa biseduem bashkë, ajo që m’u ngulit në tru dhe po bahej pjesë e pandame e krejt ekzistencës sime: ishte problemi i Kosovës. Fillova me u bindë se asnji shtet tjetër përveç “Boshtit” nuk do të mund të zgjidhte drejt kët problem d.m.th, nuk do të mund t’i shlyente gjithë ato padrejtësi që ishin ba në kurriz të popullit shqiptar e të tokës Arbnore. Këtu nuk ishte fjala për pushtim: Kosova ishte tokë shqiptare, por asht fjala me vù në vend nji padrejtësi historike e me ua shkulë nji lakmi të paepun shovinistave serbë. Kët padrejtësi nuk e çonte dot në vend koalicioni demo-plutokratik anglo-francez e as komunizmi i mbrapshtë rus. Të parët jo, sepse pikrisht ky koalicion ka qenë faktor i kësaj padrejtësie me traktatet e tyne të fshehta e me vendimet e tyne të padrejta në Konferencat e Paqes, të dytët jo se jo, sepse serbo-malazest dhe rusët janë nji trup e shpirt – gja e provueme edhe me Traktatin e Shën Stefanit.
Ishte nji kohë në të cilën në udhëtimin Durrës-Tiranë zgjaste ma shumë se nji orë, po ne nuk e folëm asnji fjalë. Unë, me sytë ngulitë diku thellë n’horizont, andrroja ditën kur do të gjendesha në vendlindjen time dhe ta shihja Kosovën të bashkueme me Shqipninë amë. Ndërsa Kola, nga ana e tij, me siguri e kishte mendjen se çfarë pasojash mund t’i sillte letra e tij drejtue Mussolinit.
Kur mbrritëm në Tiranë i thashë:
-Po si s’më kallzove mor Kolë se cili asht njaj mik që don të më takojë!
-Ja, mbas pak do të jemi drejt e në zyrën e tij. Bane mirë që ma kujtove se e kisha harrue krejt njat punë!
Takimi me Vangjel Koçën në redaksi
Kola u fut në zyrë pa trokitë. Mbas tij edhe unë! Karshi portës ishte skrivania e madhe e dikush i përqëndruem po shkruente. Me at futje ashtu të befasishme, ai u duk pak si i trembun, mandej e la punën e nisi me qeshë.
-Më trembët ore, – na tha, dhe u ngrit në këmbë.
Ishte nji burrë i imët, thatik, me një gjatësi mesatare, pak si esmer e me gjyslykë të mëdhej. Qysh në pamje të parë m’dha përshtypjen se kisha përpara Mahatma Gandin, të cilin ndër ato ditë po e lexoja në nji biografi të botueme nga Shtëpia Botuese “Mondadori”.
-Ky asht ai miku që ka kërkue me të njohtë! – më tha Kola.
Me siguri do kem mbajtë ndonji qëndrim të habitun, mbasi ende s’po e merrja vesh se cilin kisha përpara. Me siguri Kola e vuni re kët gja dhe shpejtoi me e shqiptue emnin e tij, ndërsa ishim krejt afër..
-Vangjel Koça!
Si emën e njifja fort mirë, mbasi për shkrimet e tij kisha nji admirim të veçantë dhe i lexoja gjithnji me shumë vëmendje. E çmoja si njeri me kulturë të naltë, si kritik i mirfilltë letrar, e në mënyrë të veçantë, si gazetar e drejtor i “Demokracisë” – që e kish nxjerrë për 14 vjet, n’at Gjirokastër të shkambinjve… e që njiherë s’kishte rreshtë së foluni e së mbrojtuni – me aq sa e lejonin rrethanat dhe mundësitë – at demokraci e at liri për të cilat aq fort kishte nevojë populli i ynë ende i pakonsoliduem politikisht.
Deluzioni i parë që m’erdhi, ishte se duke e gjykue nga shkrimet e tij, e mendoja nji burrë të fuqishëm, ma erruptiv: njashtu si shkrimet e tij…
U përqafuem si miq të kahershëm.
Si vëzhgues i hollë, mësova se më njihte nga disa artikuj të botuem nëpër shtyp, po ma tepër kishte krijue nji përshtypje pozitive prej bisedave që i kishte ba Kola mbi mue. Me shumë mirsjellje ma vuni krahun dhe u nisëm drejt disa kolltukëve që ishin n’atë zyrë të madhe.
Kola kqyri orën. Po afronte njishi!
Vangjeli më pyeti për Romën, për universitetin, për provimet. Vangjeli ishte edhe spontan dhe me mjaft delikatesë më ngacmoi edhe për marrëdhaniet e mia me vajzat e Romës. Doemos… këtij lloj muhabeti u përpoqa me iu shmangë. Edhe Kola, si puritan që ishte ma aprovoi dhe qe dakord me mue.
Mori nga tryeza nji dorëshkrim dhe ia dha sekretares për t’ia daktilografuar. Pastaj zbritëm në redaksinë e gazetës, ku ai ishte Drejtor i së përditshmes “Fashizmi”. Redaksia qe një zyrë e madhe, me shumë karrige anash dhe nji tavolinë në formë T. Zyra, ishte pothuej bosh!
-E kush mblidhet këtu? – pyeta unë.
-Këtu mblidhemi herë pas here redaktorët dhe korrespondentët krahinorë të gazetës. Por, zakonisht mblidhemi atje ku shtypet gazeta, mbasi edhe atje ka lokale të përshtatëshme.
E ndërsa vazhdonim bisedën, sekretarja i solli artikullin, i cili do të botohej për numrin e nesërm. Vangjeli e la për pak bisedën, e ndërsa lexonte, bëri edhe disa korrigjime, e mbylli në zarf dhe ia dha për botim.
Ndërkohë së bashku me Kolën dhe Vangjelin u nisëm për në Kontinental – ku do të hanim drekë.
Gjatë drekës ra fjala edhe për Kosovën. Nji argument mjaft tërheqës për mua. Kola që ma njifte kët dobësi, e me ma ba qejfin e çoi zanin dhe tha:
-Shumë shpejtë do ta marrim Kosovën!
-Kujt do t’ia marrim? – pyeti Vangjeli!
-Atyne që na e kanë marrë me dhunë!
-E mira do të qe, ne me forcat tona t’ia mbrrinim këtij qëllimi… Kjo do t’ishte idealja. – ndërhyna unë.
-Mos fol marrina, Lazër, – shtoi Kola – Ku i kemi forcat tona? Bile unë pyes, në këto pesëqind vjetet e fundit a kemi pasë ndonjiherë këto forca? A kemi ne takat me u matë me 17 milion jugosllavë… Fuqitë e Mëdha shyqyr që denjuen me na i lanë edhe këta rrypa toke që kemi!
-Që i patëm! – i thashë unë pak me teh.
-Poo, i patëm, i kemi e do t’i kemi. As kultura e fuqishme greke, as legjionet përherë fitimtare të romakëve, as dinakëria orientale e perandorisë osmane, në njizet shekuj shtrimje s’mujtën me i ba gja këtij populli, e ma merr mendja se edhe sot e ma tutje, ky popull s’ka me pësue si i humbun prej asnji lakmiqari të huej. Tash jena të futun nën nji muzikë dhe na kërkohet me kërcye simbas avazit të tyne… e ne s’duhet me lshue për me kërcue simbas avazit tonë… Kjo asht e tana!
Vangjeli po e shikonte Kolën me habi, si duket s’e kishte ndigjue asnjiherë të fliste në at mënyrë!
-More Kolë, po kjo e jotja është bisedë shumë interesante. Po më pëlqen shumë! Më dhe shkas ta mendoj e ta zhvilloj më tej…
-Historikisht qëndron me të vërtetë – i thashë unë – për sa i përket romakëve e grekëve – dhe u kujtova me pak fjalë nji mendim të dipllomatit serb Jovan Duçiqit të nxjerrë nga libri i tij: “Letër nga Deti Jon”, ku ndër të tjera thotë: “Populli shqiptar ka jetue në udhkryqin e dy kulturave ma të mëdha që ka pasë njerzimi, d.m.th. midis kulturës greke dhe asaj romake, e megjithatë, ky popull as ka marrë gja prej tyne, e as ka dhanë gja nga vetja”. Ndërsa, për at të fundit, për perandorinë Osmane, nuk jam dakord. Ata na i sollën krejt mbrapshtitë. Ata na krijuan nji përçarje, sidomos në fushën e besimit. Kjo përçamje sot asht aq e thellë sa nji bashkim i vërtet shpirtnor, asht shumë i vështirë, mos me thanë i pamundun me u mbrritë. Kështu mbetëm mbrapa botës! Kemi ngelë populli ma i prapambetun i botës. Edhe atje, ku ishte “balli i kazanit” të injorancës – doli nji Ataturk që e shkatërroi perden e errsinës, të paditunisë dhe të mykut të shekujve dhe, at popull të mbrapambetun e vuni n’hulli të përparimit dhe sot gjindet shumë para nesh!
I vetmi element lidhës kombëtar që na ka mbetur asht gjuha. Më duket se kësaj duhet t’ia kushtojmë krejt dashninë dhe përkujdesjen tonë.
Nuk dij nëse dy gotat e venës “Chianti” apo ndonji shkëndijë frymëzimi ma kishte shndritë mendjen, veç di me thanë se isha i pandalshëm e i rrjedhshëm si ujët e Valbonës. Tash ishte Kola i magjepsun! Isha i sigurt për këtë. Por… vërejta se kisha tërhjekë edhe vëmendjen e Vangjelit. Me folë me Vangjel Koçan ishte njilloj si me iu shfaqë i ditun nji bibliotekë ambulante. Ay ishte nji enciklopedi e tanë që lëvizte me dy kambë të Vangjelit.
Nuk kishte argument në sociologji, filozofi, leteraturë, psikologji, gazetari, letërsi, etj., – ku ti ta pyesje – e ai të mos jepte nji përgjigje të shkoqun, të hollësishme dhe prolikse. Pasi u mendue pak më tha:
-Më vjen mirë për ty, si i ri, si intelektual i ardhshëm kosovar, që jeton me problemet e Shqipërisë dhe përpiqesh të depërtosh ndër ato vise që janë me të vërtetë pika të dobëta të kombit, që janë si të thuash, “thembra e Akilit”, pika që mund të atakohen me lehtë e mbi të cilat kombet e tjera, me interesa nga më të ndryshmet, përpiqen të na godasin dhe të nxjerrin përfitime për veten e tyre…
-Filluet me u ba të vështirë, sibilinë, si ato priftneshat e grekve që flisnin me një gjuhë të pakuptueshme e duhej shtrydhë i tanë truni i dijetarëve grekë me zbërthye të parafolmen dhe të ardhmen që përmbahej në thaniet e tyne.
-Më ngadalë Kolë se po zë në thua! – i tha Vangjeli,
Shpërtheu nji gaz që siç thonë në Kosovë na doli: “Kah loçka e zemrës”. Nji shkrimtar dikur paska thanë se: “Nji njeri që mbrrin me qeshë së pakut njiherë në jetën e vet, por ama me qeshë me gjithë shpirt, asht e vështirë që ay mund të jetë njeri i keq!
Gazi që bamë dhe jehona e bisedës sonë qe përhapë në – krejt sallën e restorantit, kamarieri me faturën na pruri në vedi mbasi vërejtëm se kishim ngelë vetëm ne të tre nga krejt klientat. Kamerierët e tjerë ishin ulë në tryezat e tyne dhe po i rregullonte secili llogaritë e veta të drekës. Kur pamë orën: kishte kaluar ora tre…
U çuem dhe nji copë rrugë e bamë bashkë me muhabet! Mandej Kola u nis për në shtëpi të vet. Kurse mue, Vangjeli më ftoi në shtëpi, e cila gjendej diku në nji rrugicë te kthesa e rrugës së Bamit.
Vangjeli dhe Kola në Romë
Nji mbasdreke, në pranverën e vitit 1940 – kisha sezon provimesh dhe isha në dhomën e pensionit tim duke studiue me ngulm. Bahet fjalë për provimet e vitit e dytë. Me thanë të drejtën nuk isha mësue me studjue libra aq të mëdhej, e aq volumshëm. Ma i vogli ishte prej 500 faqesh!! Sigurisht po hasja vështirësi sidomos në “Histori të së Drejtës Romake” – që ishte nji provim “bienal” d.m.th. Dyvjeçar, pra i detyruem të jepej si në vitin e parë ashtu edhe në të dytin. Siç thashë, po studioja me kambëngulje, pse nga pesë provimet e vitit të dytë, katër kisha vendosë me i dhanë në qershor dhe, vetëm një provim kisha ndërmed me e lanë për vjeshtë, në mënyrë që verën ta kisha timen dhe t’mos me e prishë qetësinë kohës së plazhit, në Durrës.
Ndërkohë më hyn në dhomë kameriera e pensionit dhe më njofton se: “Kanë ardhur dy zotni nga Shqipëria dhe ju kërkojnë!” Pa pritë ndonji përgjigje timen, Vangjeli e shtyn lehtë derën, e shmang paksa zonjushën Adelë dhe futet mbrendë duke qeshë me za të naltë. Mbas tij Kola, njashtu i hollë e i gjatë, me ato mustaqet e mprehta spic, me ato rrudhat në fytyrë, që ia skalisnin pamjen madhështore të malsorit verior: Gjithnji serioz, i vrazhtë po edhe i dashtun…
E lashë studimin dhe u përqafova me dy mysafirët e shquem shqiptarë që ma kishin behë shtëpinë.
Edhe ardhja e tyne në shtëpi time qe pak habi për mue. Asokohe banoja në Rrugën Firenze, nji rrugë anësore e rrugës Nacionale, nji nga arteriet ma të bukura e ma të randsishme të Romës. Meqë Vangjeli dhe Kola ishin tashma personalitete të njoftuna edhe në Romë, kishin ardhë të ftuem zyrtarisht, e mundeshin me vizitue edhe disa vende historike të Romës. Për kët u ishte lanë në dispozicion nji makinë nga ato “të zezat”, superluksuoze që u jepeshin dhe u viheshin në dispozicion vetëm personaliteteve politike që vinin në Romë, për vizita zyrtare.
Vangjelit ia kisha dhanë adresën time, qysh në Tiranë, dhe si i rregullt që ishte, mbasi kishte krye punët zyrtare, e kish marrë Kolën dhe ishin ndalë para portonit tim. Shoqnuesi i tyne kishte folë në citofon me zonjën e shtëpisë dhe ajo menjiherë erdhi e më njoftoi për at vizitë të pazakonshme.
Nga dritarja e apartamentit ajo kish pa edhe makinën e zezë superluksuoze dhe dy personalitete të veshun mirë, të zbrisnin prej saj. Ajo kishte hapë derën duke i pritë në krye të shkallëve me shumë nderim.
Tash Vangjeli dhe Kola gjindeshin në dhomën time. I qirasa me çka m’u ndodh në shtëpi, mbasi e kisha kujdes t’përhershën që në shtëpi t’mos më mungonte asgja që shërbente me qirasë e nderue vizitorët që mund të më vinin, qoftë edhe befas për vizitë!
Në bisedë e sipër ata më kallzuen se qëndrimi i tyne në Romë ishte triditor dhe se qëllimi kryesor i vizitës së tyre ishte të shihnin Agro-Pontinon.
***
Të nesërmen në mëngjes, shkova në Hotel “Mediterraneo” me takue Vangjelin, mbasi më kishte telefonue, duke më thanë se do isha me të me vizitue Agro-Pontinon…
Agro-Pontino ishte nji rryp toke që shtrihej nga mali i Neptun deri në bregun e detit Tirren. Ajo kish qenë nji nga zonat ma të këqija të krejt bregdetit italian. Nji zonë kënetore e malarike e krahasueshme vetëm me Myzeqenë tonë asokohe. Kjo zonë moçalesh e malarjeje, ishte strehë mushkonjash dhe sëmundjesh. Shumë qeveri ishin përpjekë me e bonifikue at zonë, po asnjiherë s’ia kishin mbrritë qëllimit, meqenëse shumë prej moçaleve, pothuej liqene të vegjël, ishin nën nivelin e detit, prandej ishte e pamundun me u tha uji i tyne. Këto pellgje, që s’kishin mbrritë me u tha asnji herë, ishin shëndrrue në vatra aq të rrezikshme infeksioni e sëmundjesh të ndryshme. Kjo zonë ishte e Romës po edhe e Lacios, dhe s’ishte fort e vogël. Nëse realizohej bonifikimi i saj, vendi do të kishte dy të mira shumë të randësishme:
E para, krejt ajo zonë shpëtonte nga bataku i rrezikshëm, nga ajo fole sëmundjesh, nga ajo fabrikë e malarjes së përjetshme;
E dyta, do të bonifikohej krejt ajo tokë e do të prodhonte aq të mira; në këtë mënyrë, nga zonë malarike siç ishte, do të shëndrrohej në nji zonë të begatë e të lulëzueme.
E theksova se këneta Pontine nuk ishte tokë e pakët, ajo shtrihej gjatë brigjeve të Detit Tirren që nga VL e deri në JP, që nga mali Neptun e deri në Circelo, me një gjatësi prej 42 km, ndërsa në thellësi nga Seka e deri tek rranzë Lepineve, ku hapsina nga deti kishte nji gjanësi prej afro 20 kilometrash. Pra, në kët sipërfaqe toke, qe ba nji punë e jashtzakonshme. Në këtë mënyrë bonifikimi ktheu në toka pjellore mija hektarë tokë, në të cilat jetonte nji popull i sëmunë, e ku bahej nji bujqësi primitive si ajo e viseve ma të pazhvillueme të botës.
***
Delegacioni shqiptar përbahej prej afro 40 vetësh. Me makina të posaçme do të shkonim me vizitue këto vise tashma të bonifikueme. Nga hoteli me at “Alfa-Giulietën” e bukur, shkuem në Sheshin Venecia ku na pritshin delegatët e tjerë me vetura e autobusë.
Kur mbrritëm te zona e bonifikueme: mundëm me thanë se: Po na kënaqej syni dhe shpirti.
Rrugë të bukura plot hije palmash, të shtrueme me asfalt. Të dy krahët e rrugës paraqisnin toka të sistemueme e të punueme mirë. Në largësi të ndryshme ishin ngritë qytete të reja e të bukura. Fusha ishte plot me kanale kulluese e vaditëse, të punueme, në pjesën ma të madhe, me beton. Në vendet e ulta shifeshin instalime pompash të fuqishme që e ngrinin ujin nga vendet nën nivel e detit, në nivele ma të nalta, me i rinisë ato në det përmes kanaleve kullues.
Të mbushej shpirti me at gjelbrim në çdo hapësinë të asaj fushe, e cila në sytë tonë shfaqej e pamatë. Vizituem edhe nji numër të madh fermash të reja të krijueme n’at zonë. Na njoftuen edhe për rezultatet e prodhimeve vjetore, për sasinë e tokës së bonifikueme dhe perspektivat që kishte ajo trevë në të arthmen. Dreka, sipas programit na zuni në Sabaudia. Aty qëndruem edhe dy orë, mandej, duke ndjekë nji itinerar tjetër, mbasi donin me na tregue edhe tjera toka të bonifikueme.
Mbështetë në sediljen e parë, duke kalue ndër ato vise aq të bukura të gjitha të stolisuna nga dora e njeriut, na shkonte mendja te Myzeqeja e jonë, te ata mija hektarë tokë e rrafshët të zhytuna ndër pellgje malarike. Si do baheshin ato toka, e sa i begatë do t’ishte vendi i ynë, sa vorfëni do të zhdukej nga ne sikur me djersën e punëtorit e me vullnetin e popullit – ksi tokash moçalore – të ktheheshin në toka buke, toka të blerueme ku të këndonte kangën e bekimit, kangën e jetës.
Nji vend i shkretë kjo këneta e jonë!
Askujt s’i shkonte ndërmend se me nji investim shtetnor, krejt ajo zonë do të kthehej në nji hambar buke. Historia thotë se: Myzeqeja dikur kishte qenë hambari i Perandorisë Romake, na do të knaqeshim me kërkesa ma të pakta: ta hiqnim qafe malarjen që aq vdekje u kish sjellë myzeqarëve dhe, të na prodhonte grunë e misër… aq sa, ndër malësitë tona të mos këndoheshin ma “Legjendat e Misrit”, por të këndohej kanga e bollëkut dhe e gëzimit të jetës…
Nji natë në “Florida” te Romes
Rrugës, ndërsa ktheheshim, Vangjeli më thotë:
-Sonte, bashkë me Kolën jemi të lirë. Organizoje ti si të duash: Ne duam të bëjmë qejf!
Roma asokohe kishte dy lokale noturne – “Floridën” dhe “Kolibrin”. Lokalin e Kolibrit e njifja mirë. Kisha shkue disa herë me nji shokun tim. Ishte nji lokal i bukur, i qetë, me nji ambient të mbrendshëm plot pemë dekorative të vendosuna ndër voza e me nji dritë të zbehtë në çdo kohë, e të jepte përshtypjen sikur ishe në ndonji lulishtë, natën, në dritë të hanës…
Ndërsa Floridën, me thanë të drejtën s’e njifja. Vlen ta theksoj se asnjiherë s’kisha pasë aq të holla sa me e lejue vedin me shkue – qoftë edhe njiherë të vetme… Thjesht me e provue nji herë! E dija mirë, se kamerierët aty shërbenin me frak e me doreza të bardha; e dija se aty duheshin porositë shishe shampanje e, kur kjo ishte origjinale franceze, atëherë pagesa ishte mjaft e madhe…
Roma kishte edhe lokale të tjera: fjala vjen si Ulpia apo Rupe Tarpea: dy kafe restorante mu në zemër të Romës. Dy lokale të dala nga gërmimet arkeologjike dhe, po t’i shifje hollë, edhe sot janë njashtu siç kishin qenë dymijë vjet ma parë. Tavolinat, ndejtset – të gjitha prej gur mermeri të pagdhendun, ku llozhat duken si të shpueme në shkamb. Shtylla të randa e të mëdha guri janë të vendosuna dendun në lokal me mbajtë mbi shpinë peshën e randë të godinave të ngrituna nga sipër lokalit. Lokalet janë nëntoksore. Duhej me zbritë ma shumë se njizet tridhjetë këmbë shkallë me mbrritë te lokali i shërbimit.
Ksi lokale tash, ishin të pajisuna edhe me orkestra. Për me e ruejtë karakterin e Romës së vjetër të lokaleve edhe orkestrat janë të thjeshta të përbame nga kangëtarë romanë me kitarrë… Aty këndoheshin vetëm “Stornelli Romani” – aq karakteristike për romanët e vjetër. Kangtarët e këtyne “storneleve” hasen vetëm përgjat lumit Tevere, ku mendohej se banonin romanët autentikë.
Kuptova, se po më paraqitej rasti me kalue edhe unë nji natë në Florida!!
I telefonova nji vajze mondane, nji kurtizaneje hungareze, të gjente edhe dy shoqe të veta dhe të tria së bashku të vinin në shtëpinë time, në orën 9 të mbramjes. I njoftova se duhej të visheshin sa ma mirë, mbasi do ta kalonim at natë në “Florida”!!
Vangjeli dhe Kola erdhën ma herët. Gjatë kësaj kohe Vangjeli si zakonisht ngacmonte zonjushën Adele, kamerieren e pensionit, nji brune e lezetshme që vërtet i meritonte komplimentet e tija të hijshme.
Magdës, që i kisha telefonue, e dija se ishte e bukur, dhe e fliste italishten me nji theks hungarez, çka i jepte asaj nji “sharm” të veçantë! Edhe ajo vet e dinte se i kish lezet ajo e folun dhe përpiqej sa ma shumë me u gjetë në bisedë, e me u shfaqë sa ma simpatike. Dy tjerat – Geri dhe Lilian ishin edhe ma të bukura. Vangjeli, menjiherë iu ngjit Gerit dhe, vetvetiu Kolës i mbeti Lilian. Për Kolën qe nji rast i mirë, mbasi Lilian fliste mjaft mirë gjermanisht. Kola, meqë italishten nuk e përtypte fort mirë, gjithë kohës foli gjermanisht me Lilian.
Ma vonë, hymë në nji sallë të madhe, ku tavolinat ishin vendosë anash duke lanë midis nji vend bollshëm me vallëzue. Salla ishte plot dritë. Tre kandelabra të mëdhej plot me qirinj eletrikë e copa kristalesh të farfurishme si në filmat me aristokracinë ruse.
Tavolinat ishin pothuej të zanuna. Po ne e kishim prenotue ma parë dhe ishim të sigurt. Zumë vendin e përcaktuem në nji prej tyne dhe kamerierët, pa na pyet na ofruen gotat e shampanjës, do kupa t’kristalta bishtgjata! Mandej erdhi nji tjetër me vazo argjenti, plot me copa akulli dhe në midis shishja e shampanjës. Kqyra nëse mbulesa e tapës ishte e verdhë a e argjantë. Po t’ishte e argjantë, domethanë ishte shampanjë italiane, pra “Spumante” siç e quejnë ata – prandaj edhe ma e lirë. Në të vërtetë ishte e verdhë… Kamarieri, nji djalosh i sjellshëm e hapi shishen me nji ceremonial të zakonshëm aristokratik, karakteristikë kjo e lokaleve luksuoze… Në tryezë ishim vendosë dy nga dy, unë dhe Magda, Vangjeli me Gerin dhe Kola me Lilian. Vangjeli e ngatërronte muhabetin mirë, kurse Kola foli gjithë kohës gjermanisht çka unë pak o aspak kuptoja. Jepshin e merrshin gjithë kohës me njeni tjetrin, e na tjerët s’morëm vesh gjà ç’ka thuhej mes tyne, mbasi secili ishte ne punë të vet!! Dikur u çue Kola dhe e kërceu hijshëm me damën e vet. Kërcyen nji herë të vetme. Geri ishte nji bionde e hollë dhe e gjatë, e bukur dhe e hijshme, me do flokë kaçurrele që i derdheshin dallgzueshëm rreth qafës e shpatullave. Vangjeli, nji kokë ma i shkurtë se Geri, me ata pak flokë të lëpitë, që prej brilantine i shkëlqejshin si këpucë lustrafini. Njashtu i hollë, me gjyslykë, me nji pamje si ajo e Gandit, po tejet i qeshun, e tejet “gaudent”!
Me vallëzime dhe humor, me biseda e cikatje gotash me shampanjë, me ambëlsimin e gojës me ndonji copë torte të mrekullueshme, të shërbyeme ndër pjata të posaçme, orët ikshin pa u ndje. Edhe diçka tjetër çka m’ra n’sy në tavolinën tonë ishte tringëllimi i vazhdueshëm i gotave, apo siç thotë ajo kanga jonë popullore “cakrrama gotën”. Pra, veç në tavolinën tonë cakrroheshin gotat orë e çast, dhe njaj cakrrim u vazhdue deri n’fund të darkës. Vajzave hungareze u shpjeguem kuptimin se duke i “cakrrue” gotat merrte edhe veshi pjesën e vet n’at gosti të organizueme aq bukur. Me thanë të drejtën, vajzat u kënaqën shumë, prej atij shpjegimi dhe ato vetë, të ardhuna në qejf edhe prej shampanje, i trokisnin gotat tona duke e plotësue harenë me shprehjen “evivaaa”.
Gjithnji me shumë humor e shaka, nën tingujt aq të ambël muzike, kishim mbrritë në orët e vogla të ditës.
Kur dolëm në rrugë të gjashtë bashkë, morëm rrugën “20 Shtatori” drejt hotelit “Mediterraneo” e ku ishin vendosë Vangjeli dhe Kola.
Pa e ndërpre bisedën dhe humorin, njashtu me hapa të ngadaltë e të qetë, n’at orë të vonë mbas mesnate ecnim nëpër Romën e Lashtë, e cila netëve asht edhe ma sharmante se nji grue, dhe veç kur mbrritëm te porta a hotelit u ndalëm për me u nda. Siç ishte tashma e detyrueme, Vangjeli dhe Kola duhej te merrshin Gerin dhe Lilian e të shkonin në hotel, kurse unë me Magdën të vazhdonim edhe pak rrugë derisa të mbrrija në pensionin tim.
Aty Kola m’u afrua dhe më foli shqip!
-Ty Lazër, të duhet me e marrë edhe Lilian me vedi.
-Mor Kolë, ajo sonte asht fati yt! – ia ktheva i habitun
-Jo, jo, të lutem! – m’u përgjigj i premë,
E kqyra me habi i bindun se bante shaka…
-Jo Lazër, ma beso! Ia kam dhanë besën Xhinës seme, e nuk e tradhtoj, e nuk e tradhtoj! – ma përsëriti dy herë
Vangjeli po e shihte drejt e në sy. Dhe iu duk sikur nuk ia kish kapë mirë veshi fjalët a Kolës, derisa ai ia përsëriti edhe atij, e unë vazhdoja me ndejtë si hu gardhi.
-Po ç’thua more Kolë, a je në vete a jo?! – iu kthye Vangjoja!
Kola bani nji shenjë demostrative të Jo-së së tij dhe nisi me ngjitë shkallët!
-Besa, po të kalosh një ujë, qoftë edhe një lum, nuk mbahet më. Po ne o Kolë kemi kaluar detin Adriatik, prandaj lëre besën e dhënë sonte se nuk ka ndonjë vlerë. Mund ta shkelësh kur të duash, je i falur! – vazhdoi Vangjeli jo pa humor.
-Joooo! S’e shkeli besën, jo për detin Adriatik, por as për Oqeanin Atllantik s’e trathtoj gruen teme! Ja kam dhanë besën kur jam nisë, dhe kam me ja majtë deri në fund!
-Epo, budallenjtë brirë s’kanë! – tha Vangjeli… duke i futur krahun Gerit e vazhdoj drejt dhomës së vet.
Kola na përshëndeti nga lart të tanëve dhe u fut në dhomën e vet. Ndërkohë edhe Vangjeli qe zhdukë mbas sallonit të hotelit. Midis korridorit si hu gardhi kisha mbetë unë me dy vajzat: Magdën dhe Lilian!
-Epo taksirat moj vajza – u thashë, – më takoj mue me vuejtë me ju të dyja…!
Mbas pak rruge u gjenda në krahët e dy hungarezeve të bukura, tuj u përpjekë me i shpjegue se ç’randësi ka për nji shqiptar fjala e dhanun, ose Besa.
Sigurisht unë u përpoqa me e justifikue Kolën ma së pari, po mandej edhe vedin për “at fatkeqsi” që më ndodhi at natë. Ato e përcollën krejt lehtshëm dhe me të qeshuna, dhe u kënaqën fort, kur iu rrëfeva edhe legjendën e famshme të Doruntinës dhe Konstandinit…
“Eh, mor Lazër – i thashë vedit, – kur të takon me vuejtë, s’ka Zot që të pshton!!!”
.
Pjesë nga Trilogjia, “Në Vorbullat e Jetës Universitare” e Lazër Radit