Njohja e gjuhës amtare – kusht thelbësor i nxënies së një gjuhe të huaj.
nga Elona Caslli
Kryeministri Rama, para disa javësh valëviti si arritje faktin, se “…në mandatin e tretë mësimi i gjuhës angleze do të fillonte që në klasën e parë…”
Nuk e di me kë është konsultuar kryeministri në detyrë, por me siguri dhe pa më të voglën mëdyshje mund të them se mund të jetë konsultuar me këdo, veç me specialistët e mirëfilltë jo.
Nëse i hedhim një sy kurrikulës mësimore së gjuhës shqipe dhe asaj angleze në klasën e tretë (kur fillon mësimi i gjuhës angleze), do të shohim se ka një mospërputhje dhe kjo vështirëson jo pak punën e mësuesve të gjuhës angleze. Pse e vështirëson?!
Mësuesi i gjuhës angleze detyrohet shpesh të shpjegojë një koncept gramatikor në gjuhën angleze, që nxënësi i klasës së tretë nuk e ka e ka nxënë ende në gjuhën shqipe.
Ky proces nuk është aspak i lehtë dhe mbart jo pak vështirësi.
Po sjell dy shembuj që përfaqësojnë një mori shembujsh në procesin e mospërputhjes mes kurrikulës së gjuhës angleze dhe asaj të gjuhës shqipe.
Në kurrikulën e gjuhës angleze në klasën e tretë, mësuesit i takon t’i shpjegojë nxënësit shkallët e mbiemrit, ndërkohë që nxënësi ende nuk i ka mësuar këto të fundit në gjuhën shqipe.
E njëjta gjë ndodh me çështjen e foljeve me vlerë modale. Atë që nuk e ka nxënë ende në gjuhën amtare, nxënësi detyrohet ta nxërë fillimisht në gjuhën e huaj.
.
Në vend që të valëvitet si arritje një proces i parakohshëm dhe aspak i frytshëm, si futja e gjuhës angleze në kurrikulat mësimore që në klasën e parë, bëhet mirë që të rishikohet përputhja mes kurrikulës mësimore të gjuhës shqipe dhe asaj të huaj, në mënyrë që nxënësi mos të shtrëngohet të nxërë një koncept gramatikor në gjuhën angleze para se ta ketë nxënë këtë të fundit në gjuhën shqipe.
Në pamundësi që kurrikulat në fjalë të ecin paralelisht, të mundësohet të paktën që nxënia e koncepteve gramatikore në gjuhën e huaj, të ndodhë pasi këto të fundit të jenë nxënë në gjuhën shqipe dhe jo e kundërta.
Në perëndim, në procesin e nxënies së gjuhës së huaj përdoren shpesh mediume që krahasojnë strukturën gramatikore të gjuhës së huaj me atë të gjuhës amtare, duke e bërë kështu më të lehtë procesin e përvetësimit nga ana e nxënësit, por këto çështje janë të parakohshme në këtë vend dhe vështirësisht të realizueshme, për sa kohë Kryeministri vendimet i merr duke u bazuar tek provincializmi i mpiksur i specialistëve të partisë.
.
Post Scriptum: – Kryeministri duhet të kuptojë se jo çdo gjë që ai quan “arritje”, është medoemos e tillë.
.