No comment!
Projekti i Ramiz Alise dhe arratija e Agron Tufës
Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, nuk kanë fuqi dhe janë të parrezikshëm. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta, duke iu dhënë nga një pashaportë dhe duke u bërë presion, do t’i largojmë nga Shqipëria.
Ata që do të pretendojnë, kundërshtojnë apo do të këmbëngulin, do të lëndohen e do të ndëshkohen….
Çdo gjë e kemi të programuar. Strategjinë e keni që të gjithë të qartë. Në përputhje me këtë strategji, kemi përcaktuar edhe rrugët për zbatimin e qëllimit dhe të misionit tonë. Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe, ndaj Nomeklaturës së Lartë Komuniste, “Ne, Komunistët Reformatorë”, do të zbatojmë Strategjinë tonë në Ekonomi, sipas së cilës Kapitalistët dhe Pronarët e Ardhshëm në një vend socialist, të jemi Ne dhe Njerëzit Tanë. Me këtë strategji, brenda dy-tre legjislaturave, do të arrijmë që nga Klasa Komuniste të krijojmë Klasën Kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në Pushtetin Politik të së Ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë…..
Ne jemi përgatitur për të dyja rrugët dhe për këtë kemi organet tona të dhunës dhe njerëz tepër të vendosur e të aftë, që i kemi përgatitur për gjithë këto vite, me mund dhe sakrifica. Mjerë Ata që do të guxojnë të Na dalin përpara e të Na kundërvihen. Ndaj mbajeni moralin lart dhe mos u frikësoni. Nëse lind nevoja, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm ideologjikë në pushtet, të cilët nuk është nevoja t’jua përmend.
(Pjesë nga fjala e Ramiz Alisë me dyer të mbyllura më 1989)
Dy fjalë si përfaqësues ligjor i Z. Agron Tufa!
nga Av. Kujtim Cakrani
Z. Agron Tufa e kam njohur në muajin prill të këtij viti kur ai kërkoj shërbimet e Studio Ligjore Cakrani, pasi e dëgjova dhe folëm më shpjegoj se: Prej një muaji ndaj tij dhe familja e tij ishte bërë objekt sulmesh të paprecedenta.
Persona me pushtet ligjvënës, apo dhe të tjerë persona publikë, ndaj tij kishin ndërmarë një fushatë të egër fyerjesh dhe shpifjesh apo denigrimi siç komunistët dinë ti organizojnë..
Shkaku, ishte detyra e tij si Drejtor Ekzekutiv i Institutit Studimeve për Zbardhjen e Krimeve të Komunistëve Shqiptarë.
Individë, me pushtet të rrezikuar nga zbardhja apo bërja publike e krimeve të tyre dhe baballarëve të tyre për 50 vjet nuk duruan dot të vërtetën që shqiptarët po mësonin, dhe në këtë mënyrë duhej gjetur një mënyrë?
Sulmet nga të gjitha frontet dhe me çdo mënyrë ndaj zotit. A Tufa.
Sulmet ishin direkte dhe indirekte për të në media, rrjete sociale në rrugë, anonim, por dhe me emra dhe mbiemra, tashmë të njohur për të kaluarën e tyre kriminale nën regjimin kriminal komunist.
Disa sot mendojnë apo gjykojnë zotin Tufa pse u largua!? Bëri mirë apo keq..
Kundërshtarët e anatemojnë si frikacak apo burrec…
Jo, jo! Nuk duhet ta shohim kështu por duhet të hedhim një sy nga e kaluara.
Komunistët shqiptarë të vjetër dhe të rinj, prej 1944 në shenjë hakmarrje janë marrë me fëmijë dhe gra apo pleq të pafajshëm.
Ata nuk falin! Koha ka treguar dhe vërtetuar se ata janë hakmarrës ndaj njerëzve të pambrojtur apo pafajshëm…
Ata për 50 vjet por dhe sot hakmerren me fëmijët dhe gratë që në fakt, këtë sjellje nuk e kanë patur asnjë pushtues që ka kaluar në Shqipëri…
Prandaj ju lutem mos gjykoni zotin Tufa…
Beteja vazhdon…
.
Agron Tufa dhe kazani përballë tij
nga Kastriot Dervishi
Kërcënohet vazhdimisht me jetë prej komunistëve familjarisht Agron Tufa, sa detyrohet të largohet nga vendi e kërkojë strehim politik. Kërcënohet po ashtu kushdo që nuk i përmbahet variantit enverist të historisë. Çuditërisht, situata të ngjashme nuk ndodhin me këtë autoritetin e dosjeve? Si duket nga “hapja e dosjeve”, ekspozitat, filmat me kosto hollivudjane, e veprime të tjera të këtij lloji shoqëruar me padije e propagandë, nuk i shqetësojnë aspak komunistët e rinj e ato të vjetër. Kjo tregon sa “antikomuniste” është veprimtaria e autoritetit. Kjo u pa edhe te entuziazmi i fundit i autoritetit për 75-vjetorin e ardhjes në pushtet të komunistëve. Madje shokë të autoritetit, janë pjesëtarë të ekipit agjitativ komunist enverist baltëhedhës ndaj Agron Tufës. Çuditërisht i gjithë ekipi në fjalë “veteranë” (persekutorë, enveristë, etj) dhe pasardhës të tyre, u vlerësuan nga erion veliaj (ideatori i autoritetit, pavarësisht se as kishte dhe as ia ka idenë për arkivat), me rastin e përvjetorit të 75-vjetorit të krimit (ditët në vijim do i tregoj me foto). Tani një këshillë për shokët e autoritetit: atë shifrën e 6 mijë të “zhdukurve” bëjeni 4 mijë. Se 2 mijë i kanë vrarë në vitet 1943-1944 ata që na “çliruan”. Qëndroni plotësisht me 29 nëntorin se e meritoni atë.
.
Një ikje e paralajmëruar
nga Leon Lekaj
Prej kohësh valixhja është objekti më i shitur në vendin e shqiptarëve. Në tre veta, njëri ka blerë valixhe të re. Të forta, nga ato që përballojnë ikjet e gjata. Në tri biseda, njëra është për ngjyrën e valixhes, për formën, për madhësinë, për rrotat apo për copën e saj. Tregu është plot me valixhe, ndërsa idetë e reja, ndërtohen rrallë pa praninë e saj. Valixhe kanë marrë edhe politikanët, edhe zonjat e tyre, të cilat tani së fundmi kanë qenë të detyruara të marrin edhe valixhe për qentë e tyre. Madje edhe Makron, kur nuk dha ok-in që Shqipëria të pranohej për bisedime me Bashkimin Evropian, gojët e liga thonë se faji ishte i valixheve.
I vetmi që nuk shqetësohet prej vërshimit të valixheve dhe ideve që mbartin ato brenda lëkurave të tyre është kryeministri.
“Valixhet janë për njerëz që kërkojnë një jetë më të mirë”, na mësoi një ditë shefi i qeverisë dhe ajo bisedë u mbyll aty.
Por këto ditë u hap një tjetër kapitull mbi kuptimin e tyre.
Agron Tufa, Drejtori ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri ka kërkuar strehim politik në Zvicër, duke vazhduar në këtë mënyrë zbrazjen e “shportës” me njerëz të denjë e të devotshëm të cilët luftuan me vendosmëri krimin e djeshëm komunist. Ai arshivoi në institutin e tij dhjetra dëshmi kompromentuese të njerëzve të policisë së sotme me atë të sigurimit famëkeq të djeshëm.
Por Agron Tufa u thye duke u shndërruar kështu në një valixhembajtës..
Në të gjitha denoncimet që ai bëri në prokurori për kërcënimet që atij dhe familjes së tij iu bë nga falangat e kriminelëve të djeshëm, shteti ngriti murin e heshtjes. Mbas atij muri, fshihen ata, njerëzit që kërcënonin me jetë shkrimtarin. Të inkurajuar prej institucioneve të kapura nga e shkuara e errët komuniste, ata mbërritën deri aty, sa që ta detyronin drejtorin ekzekutiv të largohej nga atdheu.
Ky akt është një prej më të rëndave të kohës së sotme. Jo pse iku Agron Tufa, sepse nesër do të kemi një tjetër “agron tufë”. Por ikja e tij është një fitore e forcave të së keqes. Me largimin e tij, shkrimtari dëshmoi se nuk qe në gjendje të vazhdonte luftën e pabarabartë. Një mafie e padukshme, e egër, kërcënuese dhe e pashqetësuar prej organeve tona të drejtësisë vepron brenda kanaleve të shtetit të së drejtës, me fuqi të pakufizuara.
Dhe ndihesh keq!
Nuk ke se si të ndihesh mirë kur sheh se sa “shpejt e sa e vendosur” reagon drejtësia jonë, kur kërcënohet morali dhe propaganda e paskrupullt e qeverisë. Xhulia dhe Adriana, dy aktiviste të shoqërisë civile, u kërcënuan me burg, pse kërkuan të thonë një të vërtetë, ndërkohë që denoncimet e shkrimtarit “bëjnë gjumë të rehatshëm” në sirtaret e prokurorisë.
Agron Tufa mori valixhet dhe u largua nga atdheu, ndërkohë që unë ka kohë që pyes veten dhe drejtoj gishtin akuzues edhe mbi shoqërinë ku jetojmë.
A nuk kanë marrë tingujt e kambanave valixhet e reja të shqiptarëve?
.
Mos harroni se jeni njerëz…
nga Bardhyl Londo
Nuk e mendoja kurrë se një status i thjeshtë, për të tërhequr vëmendjen se kërcënimi i sigurisë dhe lirisë së fjalës e mendimit të një njeriu, kushdo qoftë ai, do të shndërrohej në një minireferendum politik. Jam i tmerruar nga sadizmi i shfaqur hapur për t’u futur vullnetarisht në skuadrën e pushkatimit dhe për ta pushkatuar me dorën e tij Agron Tufën ashtu siç jam i neveritur nga të vetëshpallur antikomunistë dhe në vend të gojës si gjithë njerëzit kanë organin e jashtëqitjes. Shoqëria shqiptare ka mbetur skajmshmërisht e polarizuar dhe në vend të vlerave vazhdon të vendosë me kokëfortesi pikëpamjet politike.
Miq, mos harroni se jeni njerëz, jeni shqiptarë dhe pastaj qenie politike.
.
Pse kjo heshtje e përfaqësive të huaja…
nga Klodi Stralla
Nuk e kam njohur personalisht shkrimtarin Agron Tufa. Di që ka qenë drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet e Komunizmit (ISKK) dhe ka kontribuar në zbardhjen e shumë prej krimeve të periudhës komuniste. Tani së fundi, përmes fb-ut, mësoj se ka braktisur vendin i kërcënuar dhe ka kërkuar strehim politik në Zvicër së bashku me gruan dhe pesë fëmijët e tij të mitur.
Nuk dua ta paragjykoj shkallën e kërcënimit të tij dhe të familjes të tij që e detyruan të ndërmarrë një veprim të tillë ekstrem. Është në të drejtën e tij ta vlerësojë kërcënimin dhe të ndërmarrë veprimet e duhura mbrojtëse. Ndryshe nga shumë të tjerë ai u largua me shumë dinjitet, duke lënë me shkrim, përmes një akti dorëheqje, arsyet që e shtynë në këtë veprim. Unë pata rastin ta lexoj atë akt zyrtar dinjitoz dhe mësova se kush e kërcënoj dhe për çfarë motivesh u detyrua një nëpunës i lartë shteti të braktisë vendin bashkë me familjen e tij.
Por ajo që më pezmaton e trishton së tepërmi është heshtja e përfaqësive të huaja këtu në Tiranë, veçanërisht ambasadës amerikane dhe asaj të BE-së, por edhe opozitës shqiptare dhe shoqatës të të përndjekurve politikë. Prej tyre nuk kërkohet reagim por veprime konkrete. Kanë reaguar vetëm disa miq të tij dhe vetëm kaq!
Kjo më kujton kohën kur E. Hoxha persekutonte klerin katolik dhe ish nxënësit e shkollës teknike të Fullc-it në vitet ’46-të apo familjet shqiptare me gra sovjetike në vitet ’60-të dhe Vatikani, SHBA apo BS nuk luajtën as gishtin. Me sa duket aleancat e kohës të luftës me komunistët paskan qenë më të thella nga sa i kemi ditur ne. Këtë mesazh ma jep rasti fatkeq i Agron Tufës.
.
Liria dhe AntiLiria e Agronit
nga Flutura Açka
Gjatë ditëve të panairit të Librit, me Agronin na u desh të shkonim në promovimin e një autoreje të re shqiptare. Me qetësinë e tij, me një kujdes të admirueshëm profesional, Agron Tufa i bëri një analizë të hollësishme librit poetik që na kishe mbledhur, e tillë, që nuk mund të ishte e një njeriu që ishte në nxitim e sipër për të ikur. Ajo ishte edhe hera e radhës kur u rrokëm përqafe, por jo e fundit. Ne e përzumë Agronin me heshtjen tonë. Tani po flasin shumë, dhe mirë bëjnë, por kur Agroni kërcënohej, fyhej, poshtërohej nga po ata njerëz që nuk kursejnë askënd, nga po ato puseta me imunitet shtetëror shpesh, ku ishim ne? Agron i dashur, bëre shumë mirë, ne jemi mësuar ta përzëmë me shkelma “Mendjen” nga Shqipëria. Europa është atdheu i Lirisë, Shqipërinë më parë duhet ta pastrojmë nga AntiLiria, por kur?
.
Një veprim i koordinuar…
nga Roland Luçi
Mbas “arratisjes” së zyrtarit të lartë shqiptar Agron Tufa, pyetja që shtrohet, ose më saktë që unë shtroj është:
Kaq nuk kuptohet që është një veprim i koordinuar me superkomunistin, shefin e Sigurimit famëkeq akoma aktiv, armikun e betuar të ish të persekutuarve që shpresonin dhe shpresojnë akoma te Berisha, kundërshtarin e pakompromis e të tmerrshëm e kolaboracionizmit shqiptar, Edvin Ramën?
Kaq e vështirë është të kuptohet se z. Edvin ka nevojë për një kalim cilësor “djathtas”, për një spastrim a mënjanim të disa personave a strukturave rreth tij që e pengojnë e për këtë i duhet një argument “azilor” nga jashtë?
.
Krimet e vrasjes dhe torturës nuk parashkruhen…
nga Parid Turdiu
Prokurorët e Shqipërisë, nëse meritojnë të quhen të tillë, duhet të ndjekin kriminelat që ka denoncuar me emër instituti i Agron Tufës, sipas shembullit të drejtësisë amerikane, gjermane, izraelite, etj.
Krimet e vrasjes dhe torturës nuk kanë skadim kohe.
Te gjithë shqiptarët janë të interesuar që krimet e pak kokrrave të mos shkojnë pa u ndëshkuar, që të ngulitet në kokë e të gdhendet në gur, që koha e torturës së njeriut nga njeriu nuk do përseritët në Shqipëri.
.
Agron Tufa një intelektual me kurajo
nga Zef Lleshaj
Z. Agron Tufa dha dorëheqjen zyrtarisht, siç karakterizon një intelektual, dhe me shkrim, pa ju dridhur qerpiku i syrit.
Natyrisht pastaj ndërmori edhe hapin e kërkimit të azilit politik, nga që këtu ai s’ishte i sigurt, shkak i kërcënimeve të këtij formati ish-prokurori me bekgraund të pasur diktatorial, (gjë të cilën e ka paralajmëruar në dorheqjen e tij me shkrim), shkak se ky soj ish prokurori të diktaturës, s’të falin, eliminojne çdo kundërshtar që guxon të hapë siparin e krimeve kundër njerëzimit, janë të qartë mendërisht, quajnë kauzë krimin, akuzojnë viktimat si kriminelë, për të bërë karrierë vetë dhe klani tyre kriminal antishtet, në kurriz të shtetit atdheut, ardhmërisë, këta vënë në plan të parë interesat klanore të diktaturës, duke vënë në pikëpyetje dhe arritjet post-diktaturë, afrimin me Eu, me Nato në këtë stad integrimesh Euro-Atlantike.
Ja pra, është e pamundur qëe kjo sjellje të mos jetë e mirëkoordinuar mes qarqesh grykësve, ujku mjegull do, që të mbysë pa fakte prenë e tij.
.
Përballë pushtimit të institucioneve…
nga Agron Shele
Kërkimi i azilit politik nga Agron Tufa provon katëcipërsisht gjendjen e rënde dhe diktaturën në të cilën ndodhet vendi! Përfundimisht, Bolshevikët kanë pushtuar tërë institucionet e vendit dhe vazhdojnë reformat e 46-ës, me mbyllje të medieve të lira, këcënim e shantazh ndaj gazetarëve, burgosjen e zërit opozitar dhe përndjekje për këdo që u përplas të vërtetën në sy!
Gjykimi i vetëm për shkrimtarin e njohur është e vërteta e madhe dhe denoncimi i kalvarit të diktaturës komuniste! Respekt pafund i nderuar Tufa, dhe mirënjohës për atë çfarë ke bërë për atdheun! Shëndet e suksese pafund!