back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

North Woods – Tregim nga Avis Gjyshja

Gazeta

Avis Gjyshja në Juneau, Alaska
Avis Gjyshja në Juneau, Alaska
North Woods
Tregim nga Avis Gjyshja

Kur më shkon mendja tek festat e fundvitit, më bëhet sikur dhe ajri mbushet me tinguj këmbanash e gëzime fëmijësh. Për mua, ajo është një lloj periudhe, ku edhe pse jam në shtëpi, prap më duket sikur më merr malli për shtëpinë.
Për çdo vit, përgjat një muaji rresht para Krishtlindjeve, një nga detyrat e mija, është që, përnatë e fshehurazi fëmijëve, t’i ndërroj vendin elfit – një kukulle të vogël e të veçantë, që ka pamjen e një djali gazmor, veshë majuc, kapele festash e rroba me ngjyra të ndezura. Fëmijëve ju është thënë dhe besojnë, se ai është i dërguari i Santa Klausit dhe se do të vëzhgojë sjelljen e tyre deri ditën kur do ndahen dhuratat e Krishtlindjeve. Në fakt, ndryshe nga Santa Klausi, që është një variant i tjetërsuar i Shën Nikollës, elfët vijnë nga mitologjia nordike, e cila i përfytyronte ata si qenie humanoide të mbinatyrshme dhe nuk kanë ndonjë pikë lidhje me Krishtlindjet. Por në SHBA, ku rrojmë edhe ne, në Kanada, në Angli, në Irlandë e ca vende të tjera, si rezultat i ndikimit të artit në punët e fesë, elfët kanë mundur t’i bashkangjiten festës së Krishtlindjeve.
Përgjat gjithë kohës, stacioni i parë i fëmijëve, pasi dalin nga shkollat, është shtëpia ku rrojmë ne gjyshët e tyre, por gjatë sezonit të Krishtlindjeve, zakonshmërisë i shtohet dhe një arsye tjetër. Kurioziteti për të parë se çfarë vendi ka zgjedhur elfi gjatë natës së shkuar, i bën fëmijët, që pa hequr akoma këpucët nga këmbët e çantat nga kurrizi, të turren nëpër shtëpi në kërkim të tij. Mbesa e madhe, megjithëse është rritur, e ka filluar të dyshojë tek historitë me elf e me Santa Klaus, prap udhëheq e vrapon në krye, dy të mesmit që vërtet besojnë, nxitojnë duke shtytur e rrëzuar njëri-tjetrin, ndërsa më e vogla e grupit, megjithëse nuk kupton gjë, vrapon e bërtet kot e gjithë gëzim pas më të mëdhejve. Kur e gjejnë se ku është, fëmijët bërtasin e thërrasin duke ja treguar njëri-tjetrit dhe gjithë zhurmë e potere më thërrasin edhe mua. Dhe sigurisht që edhe unë njëlloj si ata shpreh habi për zgjuarsinë e elfit që di të zgjedhë vende aq të mira për të vëzhguar fëmijët.
Fëmijëve ju thuhet se elfi, i cili nuk duhet prekur, lëviz vetëm atëhere kur nuk e sheh njeri. Dhe po njëlloj, pa e parë njeri, natën e fundit para ditës së Krishtlindjeve, ai lë shtëpinë dhe fluturon drejt e tek Santa Klaus, në Polin e Veriut. Në vartësi të raportit të elfit mbi sjelljet e fëmijëve, Santa zgjedh dhe ndan dhuratat që do t’i japë seicilit prej tyre. Kuptohet që fëmijët e sjellshëm shpërblehen me dhurata më të mira e më të bukura, ndërsa ata që nuk janë sjellur edhe aq mirë kuptohet që jo edhe aq të bukura. Thonë që nëse ndodh që të ketë ndonjë fëmijë që sillet shumë keq, ai fëmijë mund të përballet edhe me djallin e Krishtlindjeve – Krampusin e tmerrshëm – i cili vjen vërdallë duke kërkuar për fëmijë të këqinj të cilët pasi i kap, i fut në një thes të pistë e i çon drejt e në ferr.
Pasi mbarojnë punë me elfin, fëmijët iu kthehen lodrave të tyre dhe kur i lejon nëna dhe iPad-ve e telefonave tonë që na i marrin dhe as nuk na tregojnë kur kemi ndonjë thirrje. Nganjëherë edhe këndojnë, por një ditë kur po këndonin “Santa Claus is coming to town” plasi sherri. Arsyeja kishte qenë se kur këndonin vargjet “Bën mirë të mos qash, Bën mirë të mos shtiresh…” – i drejtonin gishtin njëri-tjetrit.
Kështu derisa vjen ora kur prindët kthehen nga punët dhe i marrin e i çojnë nëpër shtëpitë e tyre. Dhe kur ata kanë ikur e flenë duke parë ëndërra me elfë e Santa Klaus, ime shoqe që e ka merak rregullin, fillon e ankohet për rrëmujën, ndërsa unë, si për ta acaruar edhe më shumë i them se rrëmuja e krijuar nga fëmijët, është një nga rrëmujat më të bukura në botë.
-Se mos vë një dorë ti! – më kthehet gjithë nerva dhe ndërsa unë iki e i kthehem detyrës time për të kërkuar një vend të ri për elfin, ajo nxiton të pastrojë e t’i çojë gjërat nëpër vende. Dhe kështu të nesërmen skenat përsëriten nga e para dhe kjo vazhdon deri në natën e fundit para Krishtlindjeve, kur unë fshehurazi fëmijëve, e marr elfin dhe e mbyll në kasafortë për ta nxjerrë prap në Krishtlindjet e ardhëshme, për të njëjtin qëllim e në të njëjtën kohë. Nga këtu e prapa, fëmijëve u themi se elfi ka ikur në Polin e Veriut dhe se po i raporton Santa Klausit. Fëmijët, tani në merak se çfarë do vendosë Santa, pyesin gjithë shqetësim të mëdhejtë nëse kanë qenë vërtet fëmijë të mirë apo jo. Kurse Era, më e vogla e grupit, e cila ka një marrëdhënje më të afërt me gjyshin, vjen tek unë dhe pasi më kap nga këmbët, më sheh në sy dhe më pyet:
-Goçë e mirë Era xhishi?
-Shumë e mirë! – i them dhe kaq i duhet asaj që të vrapojë gjithë gëzim e t’ju tregojë të tjerëve se gjyshi tha që Era është gocë e mirë.

***
Duke qenë se në një farë mënyre edhe unë jam një nga protagonistët e gëzimit të fëmijëve, mendja më shkon mbrapa tek fëmijëria ime pa Krishtlindje. Dhuratat e rralla që ndaheshin për një numër tepër të vogël fatlumësh nga ne, darkave të Vitit të Ri, thuhej se vinin nga Kina, një emër ky shumë herë i përdorur, por që në imagjinatën time identifikohej me një copë të ngjyrosur në të verdhë në një hartë bote të varur në murin e shkollës. Ndërsa Poli i Veriut përmendej në librat e shkollës, por atje flitej vetëm për eksplorues e çudira gjeografike e klimaterike dhe jo për elfë e Santa Klausë si këta të sotshmit që vrapojnë qiejve me karroca të tërhequra nga drerët e shiut.

Personazhi Elfi

***
Diku, në njërën prej majave të vargut të kodrave të Darsisë që formojnë murin jugor të luginës së Shkumbinit, gjendet Gjuzaj, fshati i dajove të babait tim, ku bashkë me gjyshen shkoja shpesh në vitet e fëmijërisë.
Nga shtëpitë e dajove, në lindje dukeshin ca male të larta emrat e të cilëve nuk i kam mësuar as sot, në perëndim dukej pasqyra e detit ku darkave digjeshin muzgjet e kuqe, kurse disa lëndina më tutje, veriu mbyllej nga muri i grijtë në të gjelbër i drurëve të një pylli që në kujtimet e mija të sotme më ngatërrohet me qiparisat e “Isle of the Dead” të Arnold Bockli-t. Mëngjezeve të dimrit, kur qielli i lindjes fillonte e shëndriste nga e verdha e ftohtë e diellit që ngrihej prapa maleve, unë shihja nga dritarja e vogël e dhomës ku rrija, siluetat e heshtura të drurëve gjethe rënë të ballinës së pyllit dhe s’di pse në atë feksje mugëtire të ftohtë, me aroma ftonjsh, sepetesh e cicërima gushkuqësh, trungjet e tyre mavi e shtrëmbarukë, më ngatërroheshin me damarët e këmbëve të gjyshes e cila vuante nga variçet.
Ky pyll quhej: “Drurët e Veriut” dhe të mëdhejtë thonin se atje ishin dhe varret e Çobos dhe si të tillë e për hatër të një bestynije të vjetër nuk e tregonin kurrë me dorë. Dhe si për ta bërë edhe më të çuditshëm atë vend ata thonin se atje frynte dhe një erë që nuk pushonte kurrë.
Dhe gjithë këto gjëra, ndoshta dhe kurioziteti asnjëherë i shuar rreth atij emri të çuditshëm, ndoshta varret që s’di si ishin e pse quheshin të Çobos apo ndoshta dhe era që thonin se frynte e nuk pushonte kurrë, bënë që në mendjen time prej fëmije, të krijohej ideja e turbullt se atje tek ai pyll duhej të ishte patjetër fundi i botës dhe emri “Drurët e Veriut” të ngelej në kujtesën time si koncepti i parë, i përhershëm dhe pengmarrës i gjithçkaje tjetër që lidhej me emrin Veri. Aq i madh ishte ky efekt sa që dhe vite më vonë kur lexoja “Udhëtimet e Kapitenit Hateras”, një libër i Zhyl Vernit i përkthyer në shqip që përshkruante aventurat e një ekspedite britanike në rrugën e saj drejt Polit të Veriut, të gjitha skenat e atij libri, më përfytyroheshin sikur ndodhnin diku afër e rreth atij pylli.
…Por Krishtlindjet e këtij viti patën dhe një moment tjetër për të ngelur në mendjen time.
Një ditë, kur unë isha ulur e po punoja në tavolinën e punës së dhomës time, dëgjoj një -Tak-tak! – të lehtë nga prapa kurrizit. Ndjeva derën që po hapej ngadalë, ktheva kokën dhe ca këtej e ca andej pragut, pashë katër nga fëmijët e fëmijëve të mij dhe bashkë me ta në fund të grupit dhe Markon qenin e shtëpisë. Përveç të voglës që loste për hesap të saj me diçka që kish në dorë dhe Markos që tundte bishtin pa e ditur përse, tre të tjerët dukeshin seriozë e të mërzitur.
-Gjyshi! – e hapi e madhja..
-Hë gjyshi! – ju përgjigja.
-Nëna tha se ti vret drerë shiu!
-Drerë shiu?!?.. – Kush vret drerë shiu?! Unë?!
-Po gjyshi. Ju!
U hutova nga e papritura… Kisha vite që nuk gjuaja më drerë, por dhe ata që kishja gjuajtur dikur ishin të llojit bishtbardhë dhe jo karibu. Drerët e shiut apo kaributë janë ata që thuhet se tërheqin karrocën e Santa Klausit kur ndan dhuratat e Krishtlindjeve dhe ekzistojnë vetëm në veriun e globit, mijra kilometra larg që nga vendi ku rrojmë ne. Por duket se gruaja ime dhe gjyshja e tyre, kish ngatërruar ndonjë gjë kur përpiqej që t’ju tregonte fëmijëve histori të bukura.

Por kujt t’ja shpjegoja…?!
-Nuk do vras më! – thashë, – Ju premtoj…!
…………………
Fëmijët e fëmijëve të mij nuk lexojnë facebook dhe nuk do i shohin shënimet e mija. Megjithatë unë si gjithmonë edhe këtë radhë kam shkruar për vehte dhe jo për ata. Por dhe mundet që të mos i kisha shkruar këto rreshta nëse këtu, ngjitur me shtëpinë time të sotme të Amerikës nuk do ndodhte që një tjetër pyll të kishte emrin “North Woods”, një emër që më kujton gjithmonë atë pyllin e vogël e me të njëjtin emër, në vendlindjen time në anën tjetër të botës.

Marrë nga Muri i FB Avis Gjyshja, 20 janar 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.