back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Nostalgjia për Enver Hoxhën” nga Ardian Ndreca

Gazeta

Ardian Ndreca 2014
Ardian Ndreca 2014

“Nostalgjia për Enver Hoxhën” nga Ardian Ndreca

Tregon Svetoni, historian romak i shekullit II, sesi mbas vdekjes së Neronit nuk munguen ata që për vite rresht ia zbukuronin vorrin me lule dhe afishonin në vendet e caktueme publike shembelltyrat e tija dhe kopjet e dekreteve sikur të ishte ende gjallë…
Gjithë koha ndërmjet nesh dhe Neronit asht e mbushun me devocione dhe nostalgji të çmendunish për individë që botnisht dihet se i kanë shkaktue njerzimit kryesisht vuejtje dhe mundime. Ende sot ka nostalgjikë të Hitlerit, Stalinit, Pol Potit, Idi Amin-it… Enver Hoxhës e shumë të tjerëve që kanë qenë mjaft larg qenjes “njerëz mes njerëzve”.
Fenomeni i nostalgjisë vërehet edhe tek ne, pothuejse në çdo përvjetor të vdekjes së diktatorit Enver Hoxha. Nuk ka asgja për t’u çuditë nëse mbasardhësit e tij biologjikë e mbrojnë, pse ata janë ndër të paktit që nuk e kanë pasë frikë qenjen e tij sa ishte gjallë, nga ana tjetër nuk përban tashma nji domosdoshmëni për ta, pasja e nji ndjenje morale që t’i bante me ndie sadopak keqardhje për viktimat e pafajshme e të kota që ka shkaktue prindi i tyne.

Hoxha midis Mugoshës dhe Popoviçit
Hoxha midis Mugoshës dhe Popoviçit

Ajo që ban përshtypje asht gatishmënia e publikut dhe e disa mediave me ndie përrallat e sheqerosuna të bashkëshortes dhe fëmijëve të diktatorit Hoxha.
Përgjat shekullit të kaluem, Enver Hoxha ka qenë udhëheqësi ma i pakuptimtë në Europë, qenja dhe veprimi i tij politik, thjesht, kanë damtue vetëm popullin e tij, pa i sigurue – siç e tregoi vetë koha – asnji të ardhme tjetër, që të mos ishte mizerja materiale dhe morale.
Izolimi i tij ekstrem e bante të pakuptimtë dhe të padamshëm politikisht për botën perëndimore; të bezdisshëm, por të tolerueshëm për fqinjët; të damshëm deri në vdekje për të vetët.
Dhuna që ai dhe sistemi i tij ushtroi në kohë paqet ndaj nji populli të tanë ishte krejtsisht e pajustifikueshme, të mirat e pandehuna që paska prodhue ajo dhunë, janë të pavërtetueshme historikisht.
Sa për rolin e tij gjatë Luftës së Dytë mund të themi se qëllimi i tij, jo i të gjithë atyne që luftuen përkrah tij, ishte marrja e pushtetit. Këtë gja e treguen mungesa e skrupujve, oportunizmi i skajshëm, vrasjet pa kriter të shokëve të tij komunista, gjatë dhe sidomos mbas konfliktit botnor. Do të ishte shumë naive po të mendonim se roli i Enver Hoxhës në rikthimin e sovranitetit të Shqipnisë ka qenë vendimtar. Fatet e Luftës së Dytë Botnore vendoseshin dikund tjetër dhe jo në shkrepat apo në rrugët mesjetare të Shqipnisë.
A do të vijonin, po të mos kishte qenë Enver Hoxha me gueriljet e tija, trupat gjermane me ndejtw në vendin tonë mbas kapitullimit pa kushte të Gjermanisë naziste? Vetëm disa historianë qesharakë munden të pohojnë të kundërtën. Në qoftë se veprimi i tij ushtarak do të kishte pasë sukses, atëherë mbas çlirimit të Shqipnisë, në Greqi do të duhej të kishte ende trupa gjermane, por jo, Shqipnia u lirue prej gjermanëve në tërheqje dhe nuk u çlirue prej nji frikacaku që nuk mori pjesë në asnji betejë.
Edhe mbas luftës Enver Hoxha nuk bani asgja për ruejtjen e sovranitetit të vendit. Dy territoret shqiptare që duhet të diskutoheshin në mbarim të luftës ishin Kosova dhe Çamëria, por nuk ka asnji dokument historik që të vërtetojë impenjimin e Hoxhës në kët drejtim ose të paktën, të paktën, në ngritjen e zanit në favor të të drejtave elementare të shqiptarëve të atyne viseve.
Ndërkaq ai ua dorëzoi jugosllavëve ekonominë kombtare, minoi me ndihmën e tyne Kanalin e Korfuzit dhe anmiqsoi vendin me Aleatët. Por nuk u mjaftue me kaq, si njeri pa njohunitë elementare të artit ushtarak, ai spostoi frontin grek të luftës mes monarkistave dhe komunistave në territorin shqiptar, tue u ba shkak i ofensivës greke që shkaktoi viktima të shumta ushtarake dhe civile ndër ne. Pra, në nji linjë me qeverinë fashiste të vitit 1940, Enver Hoxha provokonte 9 vite ma vonë Greqinë, tue lejue sulmet komuniste greke prej territorit shqiptar dhe tue rrezikue randë sovranitetin e vendit.
Ma vonë, vendosja e nji baze sovjetike në Vlorë e shndërroi Shqipninë në nji karakoll sovjetik në Mesdhe, tue rrezikue, në klimën e Luftës së Ftohtë, sigurinë e vendit, duke qenë se nji konflikt i mundshëm mes superfuqive do të zhvillohej edhe në territorin shqiptar, me pasoja katastrofike për vendin tonë.
Oportunizmi i tij i pashoq politik, nuk e pengoi menjiherë mbas prishjes me sovjetikët me deklarue se mbështeste ushtarakisht Jugosllavinë dhe pranonte mbështetjen jugosllave në rast agresioni nga ana e kampit socialist.
Planet e tija të pandehuna… me sulmue Jugosllavinë në fillimet e viteve ’80, mund t’i besojnë vetëm ata që kanë nji ide të forcave ushtarake të dy vendeve, të ngjashme me idenë që mund të kenë për luftat asiro-babilonase.

Grushti i hekurt i diktaturës: Hoxha - Shehu
Grushti i hekurt i diktaturës: Hoxha – Shehu

Shkatërrimi i ekonomisë kombtare si pasojë e izolimit dhe e eksperimenteve të pangjashme politike solli nji përkeqësim gjithnji në rritje të gjendjes ekonomike të shqiptarëve. Izolimi nga rrjedha e zhvillimit të shkencës, arteve dhe kulturës botnore, atrofizoi forcat dhe çoi pak nga pak në krijimin e “njeriut të ri socialist”, nji hibrid i frustruem i terrorit radikal, fryt i injorancës, dhunës dhe fanatizmit ideologjik.
Asht qesharake tentativa me ia mveshë Enver Hoxhës dhe regjimit të tij disa të mira që vetë koha i sjell me vete kudo. Në qoftë se elektrifikimi i vendit do të kishte promovue kultivimin e shpirtit të lirisë dhe jo indoktrinimin dhe rranjosjen e gënjeshtrës së ngritun në rang sistemi, atëherë do të kishim folë për nji arritje të mirëfilltë. Liria personale nuk asht e zëvendësueshme prej llampës elektrike, ashtu siç nuk asht e zëvendësueshme drita e diellit prej dritës elektrike.
Ka disa të këqija radikale që mbahen gjallë prej disa të mirash të vogla, ashtu siç mbahet gjallë zjarri shkatrrimtar prej pranisë së oksigjenit.
Dekadat e komunizmit e rreshtuen Shqipninë, përsa i përket zhvillimit dhe pasunisë së individit, në nji linjë me vendet ma të mbrapambetuna afrikane, komunizmi despotik shqiptar nuk ruente asnji tipar të frymës së komunizmit perëndimor. Çdo e mirë spontane natyrale e shqiptarëve ishte tjetërsue nën vulën e nji ideologjie që identifikohej me kultin e nji personi të vetëm. Mund të themi se frytet e komunizmit shqiptar, siç ishte propagandue, i gëzonte vetëm nji lagje e Tiranës e mbiquejtun “Bllok”. Andrra e komunizmit me realizue parrizin në tokë ishte vërtetue vetëm për nji grup të vogël burokratësh totalisht të paaftë për nevojat e kohës, të pamoralshëm dhe shpeshherë kriminela, pse vetëm ata thithnin simbas standardeve të propagandueme nga regjimi frytet e gjithë djersës dhe sakrificave të shqiptarëve. Megjithatë, tue qenë se Shqipnia nuk ishte nji shtet i së drejtës, por nji sulltanat arbitrar, as ata nuk ishin të sigurtë. Kjo ishte gjendja katastrofike e fundit të viteve ’80.

Diktatura dhe diktatorë...
Diktatura dhe diktatorë…

Seria e madhe e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, e përfituesve të autorizuem të pasunive të vendit, e oportunistave të pamoralshëm që u aktivizuen në politikë mbas vitit 1990, i siguroi udhëheqjes komuniste nji tranzicion të gjatë e të parrezikshëm që zgjati ma se 20 vjet. Asht paradoksal fakti, por tranzicioni nga “mesjeta” otomane, në vitin 1912, deri në themelimin e Shtetit shqiptar, 1920, ka qenë ma pak problematik se ai nga komunizmi “alla enver hoxhë” në nji shoqni liberale që ende na mungon. Fakti që sot ka prej atyne që guxojnë me rehabilitue Enver Hoxhën, mvaret edhe prej zhgënjimit që sollën me vete pinjojtë e tij që drejtuen tranzicionin ma poshtnues të historisë së kombit shqiptar.
Marrë nga http://mapo.al/new
Shkrimi botohet me lejen e Autorit.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.