back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nostalgjikët e diktaturës dhe privilegjet e pamerituara të saj – nga Elona Caslli

Gazeta

Elona Caslli
Elona Caslli

Nostalgjikët e diktaturës dhe privilegjet e pamerituara të saj

nga Elona Caslli

Nostalgjia është një ndjesi malli për një kohë të caktuar që ke përjetuar me dikë. Quhet nostalgji pasi ti takohesh me atë kohë, veçse përmes kujtimit dhe nostalgjia shpesh, na kujton se jemi edhe të brishtë dhe falë kësaj brishtësie kemi mall për një çast, për një kohë apo për një njeri.
Më ka qëlluar shpesh të dëgjoj shprehje, deklarata apo pohime që dëshmojnë një lloj nostalgjie për diktaturën e Hoxhës.
Të gjitha deklaratat apo shprehjet fillojnë gjithmonë me këtë fjali hyrëse: “Unë, në atë kohë kam qenë mirë!”
Ky pohim jo rastësisht vjen nga ajo kategori njerëzish, që në sistemin e diktaturës kanë qenë të privilegjuar.
Në kategorinë e të privilegjuarve hyjnë njerëzit që i përkasin botës së artit apo njerëz që kanë pasur prindërit në funksione kyçe në aparatin shtetëror.
Nuk i përmenda banorët e Bllokut, sepse nostalgjia për diktaturën tek kjo kategori merret e mirëqënë.
Megjithatë, le të rikthehemi tek fjalia hyrëse e nostalgjikëve të diktaturës- Unë, në atë kohë kam qenë mirë.
Kjo fjali në vetvete përmban një tragjedi.
A mund të matet mirëqënia e një kombi me mirëqenien e një individi?!
A mund të gjykohet një sistem diktatorial, duke u bazuar vetëm në përvojën personale që ti ke pasur me atë sistem?!
Tragjedia e vërtetë është kur ky pohim vjen nga një artist.
.

Drejtesia e Diktatures - Avni Delvina 2019
Drejtesia e Diktatures – Avni Delvina 2019
A mund të ndihet një artist mirë në diktaturë?!
Unë besoj se jo.
Nëse mirëqënien e masim me privilegje të pameritura, atëherë mund të kuptojmë thelbin e nostalgjikëve të diktaturës.
Unë besoj fort se diktatura u dha mundësinë një kategorie të caktuar njerëzish, të ndiheshin të epërm në krahasim me popullin e thjeshtë.
Dhe nostalgjikët e diktaturës kanë mall pikërisht për këtë gjë: Të ndihen të epërm në raport me të tjerët. Të jetojnë edhe një herë kohën, kur ishin në qendër të vëmendjes, kur njerëzit kthenin kokën pas kur i shihnin në rrugë, kur ndiheshin një lloj perëndie në moçalin e madh shqiptar prej gjysmë shekulli.
Nevoja për t’u ndierë i epërm dhe jo i zakonshëm është tipar i pangatërrueshëm i nostalgjikëve të diktaturës dhe i vetë diktatorëve.
Epërsia përkthehet në veprime apo qëndrime që t’i mund t’i kryesh apo t’i mbash dhe mos të vuash pasojat që do të vuante populli i thjeshtë, sepse drejtësia në diktaturë, funksionon ndryshe për të epërmit dhe ndryshe për të poshtmit.
Pra, në thelb të nostalgjisë qëndron privilegji i pamerituar dhe dëshira për t’u ndierë më lart dhe i pazakonshëm në raport me të tjerët.
A kanë pasur privilegjet e pamerituara një kosto në diktaturë?!
Unë mendoj se po. Çdo privilegj i pamerituar është shoqëruar me një faturë nga ana e Partisë. Faturë e cila është paguar rregullisht nga ana e nostalgjikut, me anë të një shërbimi të caktuar nga vetë Partia.
Shërbimi është kryer me përpikmëri nga nostalgjiku, në mënyrë që të vazhdonte të ruante statusin e të epërmit dhe të mos të kalonte tek të poshtmit.
Lind pyetja: Si guxojnë sot e kësaj dite nostalgjikët të formulojnë shprehje mirënjohjeje dhe mirëqënieje për diktaturën?!
Përgjigjja gjendet tek përgjithësimi i kobshëm: “Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë!”
Krimineli dhe viktima nuk mund të jenë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë.
Hetuesi dhe viktima nuk mund të jenë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë.
Spiuni dhe viktima nuk mund të jenë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë.
.
Post Scriptum: Nëse faturat e nostalgjikëve do të ishin shfaqur publikisht, ka gjasa që këta të fundit të fshiheshin pas asaj kohe dhe jo të mburreshin me mirëqënien e saj.
.
Marrë nga Muri i Fb. i Elona Casllit, 22 prill 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.