Artisti Avni Delvina ka meritë që e bëri pikturën të komunikueshme si poezia,
e ironizoi keqas të Keqen, ia vuri në duar pasqyrën së Shëmtuarës,
i dha guxim e krahë Qytetarit, i dha 4G Komunikimit virtual,
netët e punës së tij i ktheu në buzqeshje mëngjesi te shumë prej nesh,
Pushtetin e trajtoi si një Artist e trajton, iu kundërvu artistikisht plagëve të së tashmes
pa e lënë jashtë vëmendjes së shkuarën, po as edhe kohën si vazhdimësi…
Në fund të fundit si artist, ai shpesh i bën gjithë kohët bashkë,
dhe i vë në shërbim të fantazisë dhe artit të vet…
jozef radi, 30 tetor 2019
Notre Drame de Tiran –
Ekspozitë nga Avni Delvina
Të dashur miq!
Kam nderin dhe kënaqësinë t’ju lajmëroj se me datë 2 Nëntor në orën 17.30, hap Ekspozitën personale me titull: “Notre Drame De Tiran”.
Kjo ekspozitë ju dedikohet gjithë qytetarëve dhe artistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar prej gati dy vitesh. Që në fillimet e kësaj proteste, e kam mbështetur me krijimtarinë time me më shumë se 80 grafika të publikuara në rrjetet sociale e më tej…
Me kërkesën dhe mbështetjen e tyre dhe të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, me datë 2 Nëntor, do të prezantoj rreth 40 grafika në ambientet e Teatrit Kombetar.
Kam rreth dy muaj që punoj intensivisht për realizimin e kësaj ekspozite, duke krijuar një sërë punimesh të reja enkas për Teatrin Kombëtar, si dhe duke ripunuar e transformuar disa punime të publikuara më parë.
Falenderoj të gjithë miqtë dhe qëndrestarët e Teatrit Kombëtar që më nxitën në këtë aventurë artistike dhe shpirtërore.
Një falenderim për mikun tim të shtrenjtë Arjan Bejko, për gjetjen e titullit të ekspozitës “Notre Drame De Tiran”.
Organizatore e ekspozitës është mikja jonë Adriana Kalaja, kurse fjala e hapjes dhe prezantimi i është besuar publicistit dhe studiesit që unë e vlerësoj mjaft Jozef Radi.
Kjo ekspozitë mbështetet nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.
Të dashur miq!
Jeni të ftuar të merrni pjesë e unë do të ndjehem i nderuar me pjesëmarrjen tuaj.
Përqafime dhe mirënjohje për nxitjen e vazhdueshme që më keni dhënë ndër vite… Pa Ju, gjithçka do të ishte e pamundur ! Përqafime!
Avni Delvina
.