N’rrasht m’ka shkue pikllimi…
nga Ervina Toptani
N’at majë mali, n’at perndim
Duket qartë qyteti im,
Gri e errtë e ka mbulu
Vetmi e trishtë n’ngjyrë blu
Se ka ken’ njiher’ dikur
Ky qytet me nji flamur
Rreth e rreth përqark mbulue
Kish’ pas burra me luftue
Sot ka mbet’ i shkretë si nata
Ky qytet i kohëve t’arta
As kujtesë për bes’ nuk ka
As dashni për vedin ma
Sot bre burra mshehë kah jeni?
Mos ndoj strehë gjet e keni?
Shkue larg bash ktij qyteti
Që e ka mbulue rrëmeti
Si bre djem ia keni lanë
Kët’ qytet e kët’ vatan
bash njatyne që e vranë
N’njiqind copash na e danë?
Brè ku e kini gjakun tuej
Harrue varresh, hjedhun n’ujë
Edhe eshtnat ua kan’ thye
Mos me mbet’ ma kush mbi krye
Çka ju duhet sot bre emni
Kur Shqipnis’ i ka hy tmerri
E po shitet po turpnohet
Fort po krruset e anohet
Ku i keni bre taborret
Nderin, fjalën si burrnorët
Kish me mija ky vatan
sot ç’ka jena kthye të tanë?
Si bre trima me fustane
Prisni diell n’ato stane
Prej Evropit që ju shiti
Flamur tjetër n’tok tjuej ngriti?
Jeni bindë se vendin tuej
Ma shum’ po e duen do t’huej,
Që veç sillen e harbohen
E n’mjerimin tuej argtohen!
Kujt i erdh bre liria
Si çmim qejfit kah njerzia
Kush bre kshtu ju ka hutue
Dit’e nat’ tue ju mashtrue
Delni mor mbi njat majë mali
E ta shihni prej së gjalli
Sa i bukur asht ky vatan
Shpirtin hak për të m’ee dhanë!
A po zbresim dhe i herë
Si dikur malsorët me vlerë,
Me i diftue botës mbanë
Se shqiptart’ ende gjallë janë!
.
Marrë nga Muri i FB i Ervina Toptanit, 23 qershor 2021
.