back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Nuk është rrëfim – poezi nga Enkeleda Ristani

Gazeta

Guernica - Pablo Picasso -1937
Guernica – Pablo Picasso -1937
Ti ngrihesh nga gjumi i kësaj së diele të janarit në ikje… dhe sigurisht mendon paksa trishtë,
sepse jashtë mureve të bardha është një gri e thellë, dhe jo vetëm…
por është edhe shi, edhe ftohtë dhe gjithë çka kishe menduar një ditë më parë,
të ka mbetur e ngecur në ngrohtësi të shtratit…
Befas, ndjen se mendja të shetit… dhe ashtu si e handakosur grije,
kujtohet se dikush të mungon, se ai “dikush” s’është bërë i gjallë as për vete e as për tjerët,
se është bërë njësh me heshtjen dhe braktisjen… dhe ndjen një ngërç shpirtëror që të mbërthen,
dhe ti e kërkon atë “dikush” dhe e gjen duke lexuar e shfletuar një libër diku aty afër nënkrejses…
…dhe befas e djela e fundit e janarit të shpaloset me një tabllo gjigande
bërë me krejt spektrin e grisë ashtu si “Guernika” e Picassos, një e derdhje e pamëshirë e grisë…
dhe habitesh se si një krijesë aq e vogël, aq e brishtë e aq e tejduktë
të shpalosë një guxim dhe heroizëm të tillë, të ketë një shpërfillje
e një shuplakë kaq të hidhët ndaj një realiteti që të gjithë ne e njohim mirë
e që na rëndon e na kërcënon të përditshmen…
Si është e mundur?!?
Më paska marrë malli për ty, Enkeleda Ristani! Po shumë!
Ndaj kjo e djelë gri befas m’u bë e bukur me këtë rrëfim që “nuk është rrëfim”...
e duke ma lënë sërish ditën të vozise në grinë e pafund…
Të qafoj në heshtjen dhe në zhdukjen tënde… dhe të ndjej e të ndjek ngado shetit hija jote…!
jozef radi, 31 janar 2021, ora 10.oo.
.
Enkeleda Ristani - Gjithçka varet prej Blusë...
Enkeleda Ristani – Gjithçka varet prej Blusë…

nuk është rrëfim

poezi nga Enkeleda Ristani

kur të kem kohë do të tregoj për një grua
për një qytet dhe për një kurvë
për një tubim feministesh që i drejtonte një burrë
feminist edhe ky sigurisht
për një komunitet homoseksualësh të mbushur me bythën e vet
për miqësitë e shprishura
për interesat që vërtisin botët
për botët të futura në matrioshka të lodhshme
gjithmonë e më zhgënjyese
për kompromiset e zëshme e nënzëthi
madje edhe për ato pa zë fare
për balancat që gjënë më të mërzitshme kanë ekuilibrat
për delirimet e turmave kur ciket ekuilibri e thyhet në mes
për kokëngjeshjet e kokave të të gjitha llojeve
atyre sipër e atyre poshtë
dimensionet e matura me grusht apo të rëna me grusht
kapardisjet e plehut për kokëboshjen e kokoshit
dhe këngën e kokoshit për glasën e mëngjesit
mbi turrën e plehut
do të tregoj për një gomar dhe një qen bir qeni
për sorrën e bardhë që leu pendët në sterrin e natës
dhe hardallosi parlametin e Pyllit të Nëmur
për një kallëp djathi me krimba që nuk ishte sapun
por e shiste djalli me etalonin e vet
edhe për sapunin që sulmon krimbat parazitarë
në vrimat e pambrojtura më
për një burrë të vogël që s’bën pjesë në asnjë nga elitat
psikopatologjike të parritjes dhe për një pijanec
për dalldisjen e shirave kur fërkohen retë
dhe për hënën masturbuese
për gjoksin me lesh përherë të zhuritur të diellit
dhe për spermën e mbetur në penisin e një dashnori
që nga hera e fundit kur kishte bërë seks me gruan
për prishjet pa leje të një femre në shtratin e saj me gjëmba
për komeditë telefonike që në pikë të mëngjesit
me të afërmit provincialë
për llogaritë e bëra me gishta
për shkak të teorisë shqisoro-filozofike të Lokut
për katedralet dhe xhamitë që adhurojnë zotin
kur kanë larë duart me njerëzit
dhe gjakun e klasifikojnë midis të ngurtës dhe të lëngshmes
në habitatin naftmbajtës me ngjyrë kanceri
dhe po të mos kem vdekur duke të treguar
do të lutem që me frymën time të mbetur
të shkruash epitafin e fundit mbi gurin e varrit tim kurrizdalë:
këtu prehet për pak harrim
njëra nga format e vdekjes së harruar…
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.